“Albeu” mban emrin portali informativ ku gjenden informacionet më të fundit nga aktualiteti, rajoni, showbiz-i, teknologjia, sporti, etj. E nisur si një iniciativë personale e një studenti nga Maqedonia që zgjodhi para disa vitesh të studiojë në vendin tonë, Albeu është kthyer sot në një prej faqeve shqiptare më të klikuara në internet.
Idaver Sherifi është ideatori i faqes. 33 vjeçari i diplomuar në Turqi për shkenca politike, në vitin 2004 është vendosur në Shqipëri ku ka vijuar studimet master MBA. Prej 8 vitesh është drejtuesi i Albeu.com. Paralelisht me punën si pedagog në një universitet privat në kryeqytet, ai kryen edhe studimet e tij të doktoraturës në administrim biznes. Me parimin: “Lajme shkurt, tërheqëse dhe pa komente” ai ka krijuar faqen e tij informative, për të cilën thotë se do t’i mbijetojë tregut. Idaver Sherifi rrëfen për gazetën Reporteri sfidat e kësaj medie.
Si lindi ideja për të hapur një portal informativ online?
Ideja lindi për një arsye shumë të thjeshtë. Para disa vitesh, kur u ktheva nga Turqia për të zhvilluar pjesën tjetër të studimeve këtu, shkruaja shumë shkrime për çështje të ndryshme dhe dëshiroja t’i botoja diku. Mirëpo, në mediat e tjera nuk kisha akses sepse më mungonin njohjet. Kështu që kërkova një mënyrë tjetër . Nisa të pyes miqtë e mi për mënyrën si hidhen informacionet në internet. Kështu fillova duke mësuar vetë proçedurën e hedhjes në faqe. Duke u marrë me këtë, fillova të mësoja edhe programimet, deri sa arrita vet të hapja një faqe të tillë ku hidhja materialet e mia dhe të tjerët të kishin mundësi t’i lexonin.
Faqja ka ndryshuar më kalimin e viteve por ka të njejtën filozofi dhe format si në fillim. Dizajni, ndarja e kategorive, gjithçka që shihet në këtë faqe është e ideuar dhe e bërë nga unë. Edhe pse prej dy vitesh kemi marrë një person të posaçëm që meret vetëm me këtë, unë vazhdoj të kontibuoj në faqe. Ka dhe një arsye thelbësore pse jam marrë vetë me faqen. Sigurisht janë kushtet financiare.
Çdo të thotë Albeu, përse ky emër, a ka një kuptim të veçantë?
Ideja ka qenë për një emër të shkurtër që të mbahet mend lehtë. Albeu është shkurtim i fjalëve Albania dhe Europë.
Cila është filozofia dhe parimi i punës suaj ?
Parimi është që të bëjmë lajme të shkurtra. Vizitori online nuk ka shumë kohë që të lexoj lajmet online siç bën kur ulet në kafe dhe lexon me nge gazetën. Vizitori online dëshiron lajmin shkurt. Ne duam të përcjellim informacionin shkurt, të jetë tërheqës, pa komente dhe të mos mundohemi të orientojmë publikun për të krijuar një opinion të caktuar.
Ky ka qenë qëllimi fillestar. Një faqe informative të pavarur, ta realizoj në atë formë që mos të jem shumë i varur financiarisht nga biznese dhe reklama të caktuara. Deri tani besoj se ia kam arritur, a do arrijmë të mbijetojmë kështu gjatë, nuk e di. Ne kemi marrë të ardhura shumë vonë , disa vite kemi punuar vullnetarisht. Për të bërë një media të fuqishme nuk është e lehtë sepse një media e fuqishme nuk bëhet pa shumë para.
Përse zgjodhët të hapnit një faqe online dhe jo një gazetë të shtypur?
Kur e kam hapur faqen, ishte realisht shumë e vështirë të hapje një faqe online. Por, i kam besuar praktikës që ndiqej në Turqi , vend që është disa hapa përpara përsa i përket zhvillimit të këtij sektori. Duke pasur njohuri të mira në anglisht ndiqja mediat ndërkombëtare, blogje të ndryshme etj . Që në atë kohë e kisha kuptuar që realisht e ardhmja edhe e medias është online, jo se do të zhduket media e printuar , por që kjo është një vlerë në zhvillim. Ndërkohë mediat e tjera kërkojnë mundësira të mëdha për staf, kërkojnë kosto të mëdha financiare. Kurse faqja online kërkon më pak kosto dhe mund t’ia arrijë me staf më të vogël.
Si është i organizuar stafi, redaksia juaj?
Deri në 2006 e kam mbajtur vetë. Pas 2006 kam angazhuar tre persona të tjerë shokët e mi që kanë qenë pa pagesë, pra vullnetarë të cilët kanë bashkëpunuar deri 2009. Në 2009 bashkë me shokët e mi kemi marrë zyrat, jemi regjistruar, kemi marrë tre veta staf . Tani jemi 8 veta që punojnë vetëm brenda redaksisë me turne. Kemi edhe 4 persona të tjerë që punojnë në vende të tjera por janë si burime informacione për ne.
Si e ndajnë punët punonjësit e stafit tuaj?
Puna ndahet sipas kategorive të faqes. Një person meret me lajmet nga Kosova, një me lajmet nga Maqedonia, një tjetër me lajmet për sportin, edhe dikush tjetër për lajmet soft. Përqëndrimi është te lajmet nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kryesisht në lajmet mbi aktualitetin. Për lajmet e rëndësishme shpesh kemi dhe bashkëpunime të gazetarëve tonë më gazetarë nga Maqedonia dhe Kosova. Kemi një redaktor , i cili i hedh shikimin e fundit lajmit përpara se të dalë në faqe. Ai jo vetëm redakton, por edhe bën produktin final. Është përgjegjës për cilësinë e lajmeve kryesore. Kemi zgjedhur të kemi një redaktor pasi mendojme se lajmet nga politika, aktualiteti kanë nevojë për një selektim dhe që të na ecim në një vijë editoriale.
A mund të më tregoni se cila është mënyra që kjo faqe furnizohet me informacion dhe nga i merrni më së shumti informacionet që përmbajnë rubrikat tuaja?
Dua të sqaroj, që Albeu është portal informativ dhe nuk është agjenci lajmesh. Në Shqipëri ka një amulli paqartësish. Çdokush që hap një faqe e quan agjensi lajmesh, kjo nuk është e saktë. Për mua agjensi lajmesh është një faqe, që pjesën dërrmuese të lajmeve i ka të vetat, domethënë është e para në informacionin që përcjell dhe nëse përdor informacione të marra nga të tjerët dhe furnizohesh nga të tjerët me informacion , atëherë quhet portal informativ. Ne nuk kemi dashur të dalim si agjensi lajmesh, pasi nuk jemi të tillë. Ne sigurojmë lajme që janë gati gati tonat, por që i marim dhe nga tjerët. Mënyrat nga marrim informacionin janë të shumta. Së pari, marrim informacionet nga institucionet. Janë zyrat e shtypit të institucioneve që na lajmërojnë për lajmet e tyre dhe ne përzgjedhim, siç janë prokuroria, gjykatat etj. Jemi në kontakt me ta dhe na mbajnë të informuar. Mënyra e dytë janë mediat si televizoni apo gazetat. Televizonet që transmetojnë lajme minuta pa minute. Një mënyrë tjetër është kur një informacion mund ta marrësh edhe nga faqet e tjera, gjithnjë duke e cituar atë. Informacionin mundohemi ta marrim nga mediat që e transmetojnë lajmin të parët, pasi na intereson të hedhin informacionin sa më shpejt të jetë e mundur. Fundja, kjo e dallon median online, jemi gjithnjë në presionin e kohës, për të hedhur informacionin sa më shpejt të jetë e mundur.
Stafi juaj përbëhet nga gazetarë të rinj apo preferoni më shumë gazetarët me eksperiencë?
Ne punojmë më shumë me staf të rinj, por kemi dhe me eksperiencë. Pjesa më e madhe janë gazetarë të rinj, kjo ndoshta mendoni se ndikon në profesionalizëm por nuk është e vërtetë, nuk ka një rregull të tillë. Të rinjtë i japin fymë të re për të bërë gjithnjë gjëra të reja dhe duke qene se formati i portaleve online informative ecin në ritmin e kohës, mendoj se të rinjtë janë më të përshtatshëm dhe sjellin energji pozitive.
Nga sigurohen të ardhurat ?
Mënyra e vetme deri tani janë reklamat. Deri tani, pavarësisht peripecive kemi arritur të mbijetojmë, por në të ardhmen, duke shtuar numrin e personelit, kjo do bëhet edhe më e vështirë. Për këtë arsye ne po shikojmë mundësi të tjera financimi, siç është ofrimi i shërbimeve të ndryshme të Albeut , të cilët sigurojnë të ardhura ekstra. Kjo vetëm që të mos jemi shumë të varur nga reklamat.
Cilat janë këto mundësi?
Nuk mund të flas më shumë për këtë gjë sepse janë plane që akoma nuk mund t’i them, pasi ende nuk janë realizuar . Bëhet fjalë për ofrimin e disa shërbimeve të caktuara me pagesë, që mund t’i realizojmë brenda 6 mujorit të ardhshëm .
Kur shikon faqen tuaj, shfaqen logot e disa reklamave të ndryshme, a mendoni se duke pasur shumë reklama nga kompani të ndryshme vihet në diskutim besueshmëria e informacionit që ju përcillni?
Ne kemi punuar me kompani të mëdha, si psh Vodafon , AMC, Raiffeisen Bank, Alfa Bank etj. Është interesante se në fillim kanë ardhur vetë reklamat tek ne, nuk kemi pasur një mënyrë për të kërkuar reklama. Ne nuk kemi pasur dhe as nuk kemi menaxher marketimi dhe ndoshta vetëm kur të fillojmë të kryejmë shërbime ekstra për biznese mund të kemi nevojë për një të tillë. Deri tani nuk kam pasur probleme me këto reklama të cilat në asnjë moment nuk më kanë nxjerrë probleme për informacione lajme të caktuara nga kompanitë konkurente.
Në zgjedhjet lokale të 2009 kishim ofertë për t’i bërë reklame një force politike, por fakti që ata na vendosën kushte, ne nuk pranuam sepse nëse ne do të mbanim anën e njërës palë, ne do pozicionoheshim dhe këtë gjë nuk e dua. E kam hapur pas asnjë mbështetje politike, financiare nga asnje forcë politike dhe dua të qëndroj kështu. Kjo i bën të besueshme lajmet e Albeut.
Çfarë e bën interaktive faqen tuaj?
Së pari, mendoj se janë lajmet e shkurtra. Ne nuk e lodhim lexuesin me lajme të gjata. Së dyti mendoj se e bën interaktive fakti që ne përdorim shumë multimedia. Video, foto që i japin gjallëri faqes. Vizitorët kur kanë video reagojnë ndryshe, sepse përveçse fjalëve kur një lajm e shoqëron edhe me foto bëhet më i besueshëm, më tërheqës për lexuesin.
Në të djathtë të faqes suaj shfaqen komente, analiza, nga opinionistët e sotëm të marra nga gazeta të ndryshme, si Shqip , Panorama etj. Përse kjo zgjedhje dhe si është arritur në një marrëveshje të tillë?
Aktualisht në Shqipëri askush nuk ka marrëveshje me asnjë gazetë për të marrë këto materiale. Mediat e printuara marin informacione pa leje nga faqet online. Fakti që çdo ditë në pesë gazeta të ndryshme shikon të njëtin opinion, do të thotë që nuk ka asnjë problem. Ne bëjmë atë që s’e ka bërë askush. Mbledhim analistët më të njohur në vend dhe që në fillim shkruajmë emrin e gazetës nga është marrë. Kjo mendoj se e bën transparente procedurën dhe në fund të fundit, ne bëjmë një farë reklame për ta. Me opinionistët kemi rënë dakord që mund t’i publikojmë. Portali në vetvete ka kuptimin e një porte ku gjen informacione të ndryshme. Pra, është një përmbledhje e informacioneve kryesore. Ne i mbledhim dhe i grupojmë në një vend. Në fund të fundit, këtë synojmë ne, që nëse një vizitor të futet në faqen tonë, të gjejë çdo informacion që i nevojitet, shkurt dhe të përmbledhur .
Në faqen tuaj është edhe opsioni për të lexuar lajmet në gjuhën angleze. Përse kjo zgjedhje?
Ka pasur dhe ka mungesë të theksuar të informacionit në anglisht për Shqipërinë. Janë vetëm faqet e huaja që bëjnë lajme për Shqipërinë. Nevoja ka lindur nga kontaktet me të huajt në Shqipëri. Ata kanë shumë pak informacion për Shqipërinë dhe nuk gjendet një burim online që jua mundëson një gjë të tillë. Ne bëmë proçedudën e pranimit për në Google news dhe për 3 muaj ata na pranuan si media online në versionin anglisht. Sot futemi në median në gjuhë të huaj që lexohemi më shumë. Aktualisht ka 650 veta të abonuar që lexojnë rregullisht informacionet tona në anglisht. Janë abonuar nga trupi diplomatik, udhëheqës kompanish, studiues. Ka pasur impakt pozitiv pasi të huajt janë të interesuar për lajmet vendore, nga burime vendore.
Në fillim të faqes është një baner ku shkruhet “Regjistrohuni”. Çfarë përfiton dikush që regjistrohet?
Është për ata që dëshirojnë të marrin të parët informacion për shërbimet e reja që do të ofrohen nga Albeu. Nuk dua të zbuloj detaje të tjera në lidhje me këtë pasi do bëhet publike shumë shpejt. Do të ketë detaje që nuk dua t’i zbuloj para kohe. Ne na duhet një numër regjistrimesh që të arrijmë të përfitojmë disa shërbime në të mirën tonë dhe të vizitorëve, sigurisht.
Intervistoi: Ergisa Cenuka