Si klerik gjej mundësinë dhe hapësirën në rrjetet sociale për të komunikuar me shumë njerëz, të cilët shpesh nuk i arrij në jetën e përditshme. Kjo më jep mundësinë të lexoj dhe ndjej çka ndodh te një njeri qoftë edhe atëherë kur tjetri fshihet pas identiteteve të rreme. Edhe kjo e fundit shpreh një nevojë, një urgjencë, një problem që në biseda të kujdesshme dhe plot respekt me tjetrin del në pah, dhe mund të kërkohen zgjidhje apo së paku rrugë drejt zgjidhjeve. Po ashtu këto realitete më kanë takuar edhe me njerëz që mendojnë dhe besojnë ndryshe nga unë duke na dhënë mundësinë, me anë të një dialogu të mirësjellshëm, të ndajmë përvoja e të pasurohemi reciprokisht.
Të gjithë ata që këto instrumente komunikimi i përdorin në jetën e tyre të përditshme, mund të vënë re se sa nevoja, dëshira, mungesa dhe pyetje ekzistenciale gjenden dhe hasen çdo ditë. Shumë pyetje që ngrihen e thirrje për ndihmë kërkojnë një përgjigje nga ana e atyre që duhet të kujdesen për mirëqenien shpirtërore dhe materiale të njeriut. “Rrjetet shoqërore janë të ushqyera nga aspirata të rrënjosura në zemrën e njeriut”. Këto fjalë më tërhoqën vëmendjen ndër shumë të tjera në mesazhin me titull Rrjetet sociale: dyer të së vërtetës dhe fesë; hapësira të reja ungjillizimi., që Papa Benedikti XVI publikoi së fundmi për Ditën Botërore të Mediave që çdo vit kremtohet në Kishën Katolike në muajin Maj. Këtë vit si temë për reflektimin dhe lutjen e të krishterëve katolikë, Papa ka dashur t’ia kushtojë rrjeteve sociale në internet. Të gjithë pamë që Papa para do kohësh hyri në Twitter duke vendosur kështu një regjistër dhe standard të ri komunikimi me njerëzit, sidomos me atë komunitet virtual njerëzish që çdo ditë me shumicë gjendet në rrjetet sociale.
Duke i krahasuar network-et sociale me Aeropagun e Athinës së lashtë, Papa, përveçse rimerr një terminologji tashmë të përdorur nga paraardhësit e tij, në të njëjtën kohë e shtrin reflektimin e tij edhe në këto hapësira virtuale që ai i vlerëson si realitete të ushqyera nga aspirata të rrënjosura në natyrën njerëzore. Duket si një lloj rivizitimi në gjuhën virtuale i konceptit klasik të njeriut, të shprehur nga Aristoteli si një frymor shoqëror. Në të vërtetë fakti që këto quhen network-e sociale ngacmon fuqishëm idenë se identiteti njerëzor si një qenie, si një frymor shoqëror, del në pah në mënyra të ndryshme edhe në realitetet e reja të zhvilluara së fundmi. Çfarë është tjetër kjo përpjekje për të krijuar komunitete virtual, përveçse një aspirate, dëshirë dhe nevojë e madhe e njeriut për të jetuar në komunitet, në shoqëri? Vlerësimi i kësaj dëshire për t’u takuar në këtë “terren” përbën një premisë për të krijuar mundësi takimi edhe në jetën reale, aty ku takimi merr konkretësinë e tij dhe ku tjetri takohet, shihet dhe pranohet në realitetin e tij jetësor. Humanizimi i këtyre hapësirave virtuale është një detyrë dhe domosdoshmëri që këto realitete të mos kthehen në një boomerang për individin, por pikërisht në vende takimi ku ndahen vlera, ide, dëshira dhe projekte për të tashmen dhe të ardhmen e gjinisë njerëzore. Ka shumë rëndësi që të mos kthehen në “poligone qitjeje”, por në mundësi takimi ku liria e shprehjes dhe e komunikimit të vetvetes vlerësohet nga të gjithë dhe nuk kthehet në një pretekst për gjykim apo përjashtim.
Duke u kthyer edhe një herë te mesazhi i Papës, për Benediktin XVI rrjetet shoqërore janë një pikë takimi e realitetit pluralist aktual. Dialogu, debati dhe argumentimi logjik marrin vlerë atëherë kur mendimi dhe logjika e tjetrit, edhe pse e ndryshme nga e imja, kthehet në një mundësi pasurimi për mua dhe jo në një pretekst përjashtimi apo mbyllje ndaj tjetrit.
Pikësëpari papa Ratzinger u drejtohet të krishterëve katolikë të cilët duhet të jenë të pranishëm dhe të përgjegjshëm në përdorimin e këtyre hapësirave virtuale duke dhënë ai vetë i pari shembullin. Aty të krishterët kanë mundësinë të takojnë të tjerë njerëz që ndoshta në jetën e përditshme nuk i takojnë e në të njëjtën kohë, po aty, kanë mundësi t’u shpallin të tjerëve atë çka ata besojnë dhe e mbajnë si të dobishme dhe të nevojshme për veten e tyre, më së pari Fjalën e mirë të Krishtit e cila duhet të hyjë edhe në këto rrjete.
“Nuk është vetëm një mënyrë për të ecur me hapin e kohës – thekson Papa – por për t’i lejuar pasurisë së pafundme të Ungjillit të gjejë forma të reja shprehjeje në gjendje që të arrijnë mendjet dhe zemrat e të gjithëve”. Ratzinger nënvizon faktin se këto rrjete krijojnë mundësi jo vetëm takimi me njëri tjetrin, por janë edhe mundësi lutjeje, meditimi dhe bashkëndarjeje të Fjalës së Hyjit, pra mundësi të takimit me Zotin. Mund t’i quajmë oaze të shpirtit, hapësira ku njerëzit shkojnë të gjejnë pushim shpirtëror, por asnjëherë të mjaftueshme sigurisht pa takimin dhe kremtimin konkret të besimit në veprimet liturgjike.
Network-et sociale kthehen edhe në faktorë zhvillimi njerëzor atëherë kur për zona gjeografikisht të izoluara bëhen një instrument për t’u njohur e takuar me pjesën tjetër të botës. Kjo bashkëndarje që mund të kthehet në solidaritet është një mundësi reale bashkëpunimi dhe zhvillimi njerëzor.
Në vetvete mesazhi i papës jep shumë mundësi reflektimi pasi është plot me ngacmime që mund të hapin secili një kapitull më vete për besimtarë dhe jobesimtarë. Po sjell një citim i cili sigurisht na ngacmon të gjithëve në drejtimin e përgjegjshmërisë dhe ekuilibrit të përdorimit të këtyre mjeteve moderne të komunikimit: “Këto hapësira, kur janë të vlerësuara mirë dhe me ekuilibër, ndihmojnë në favorizimin e formave të dialogut dhe debatit që nëse janë të realizuara me respekt, kujdes ndaj privacy-s, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj së vërtetës, mund të përforcojnë lidhjet e bashkimit midis personave dhe të promovojnë në mënyrë efikase harmoninë e familjes njerëzore. Shkëmbimi i informacioneve mund të kthehet në një komunikim të vërtetë, lidhjet mund të kthehen në miqësi dhe të lehtësojnë bashkimin. Nësenetwork-et janë të thirruara të vënë në veprim këto mundësi të mëdha, personat që marrin pjesë në to duhet të përpiqen të jenë autentikë, pasi në këto hapësira nuk bashkëndahen vetëm ide dhe informacione, por në fund të fundit komunikohet vetvetja”.
Pavarësisht se këto rrjete janë të rëndësishme dhe shprehin nevoja të thella të njeriut, në rrugë e mënyra të ndryshme, asnjëherë takimet virtuale nuk mund të zëvendësojnë takimet në jetën reale. Një përshëndetje, një mirupafshim, një shkëmbim idesh apo ndjenjash në rrugë virtuale nuk mund të jetë kurrë e barabartë me shtrëngimin e duarve, shikimin në sy, përqafimin që sjellin marrëdhëniet ndërnjerëzore, takimet konkrete sy më sy e zemër me zemër të jetës reale.
Botuar në gazetën Mapo, datë 31 janar 2013