Po vjen gazetaria e qytetarëve?

10 Tetor , 2013 • Mediat e Reja • by

-Intervistë me pedagogun e mediave të reja dhe gazetarisë online, Rrapo Zguri-.

-Me përhapjen dhe përsosjen e teknologjisë së internetit, është vënë re një pjesëmarrje gjithnjë e më e madhe e qytetarëve, pra e audiencës, në prodhimin mediatik online. Si e vlerësoni ju këtë dukuri?

Si platformë mediatike, interneti është në raporte të ndryshme, madje shpesh të përmbysura me audiencën, po ta krahasonim atë me mediat tradicionale. Sidomos pas internetit broadband dhe Web 2.0, audienca ka mundësi të panumërta jo vetëm të ndërveprojë por edhe të prodhojë dhe publikojë vetë lëndë mediatike. Websajtet që përmbajnë lëndë mediatike të gjeneruar nga vetë përdoruesit e webit, pra nga qytetarët, përbëjnë një korpus gjigant brenda internetit. Mjafton të përmendim këtu YouTube, Wikipedia, Flickr, blogosferën, etj. Cila nga mediat tradicionale i ka hapur dyert në këtë shkallë për audiencën? Asnjëra. Së pari, sepse nuk ua mundësonte teknologjia që ato kishin në dispozicion, dhe së dyti sepse nuk iu ka interesuar. Web-i, përveç teknologjisë së re është edhe shumë më i çliruar nga interesat që kanë drejtuar mediat e traditës.

Le të sjellim ndërmend për një çast fenomenin YouTube. Nga njëra anë publiku i YouTube e ndërton vetë “programacionin”, zgjedh ç’të dëshirojë dhe kur ta dëshirojë. Mandej krijon kanalin e vet sipas preferencave të veta, mbledh aty videot që i pëlqejnë më shumë , i sheh dhe i risheh kur të dojë dhe i ndan edhe me të tjerët. Nga ana tjetër ai nxitet që të krijojë dhe të publikojë edhe videot e veta, më të mirat e të cilave kanë një shikueshmëri mijëra herë më të lartë se shumë programe të njohura të kanaleve televizive tradicionale. 

Pse më të rinjtë po shohin gjithnjë e më shumë videon e internetit dhe gjithnjë e më pak videon e televizionit tradicional? Sepse ajo është më pranë zgjedhjeve të tyre, është më e pandikuar, më e pa manipuluar, më e çliruar. Dhe gjithashtu ata ndjehen edhe si bashkautorë të krijimit dhe shpërndarjes së saj.

-Përveç publikimit të videove, fotografive apo komenteve nga pjesëtarët e audiencës, po flitet gjithnjë e më shumë edhe për gazetari të qytetarëve. Kemi të bëjmë me një realitet apo fiction?

Siç kemi mësuar deri më sot, zemra e gazetarisë është lajmi. Shtypi, radioja dhe televizioni kanë qenë deri më sot burimet më të mëdha të përcjelljes së të rejave që ndodhnin afër apo larg individit. Por shoqëria njerëzore është ushqyer me të rejat e ditës jo vetëm nga profesionistët e medias, por edhe nga subjekte të tjera: nga të njohurit, kolegët, pjesëmarrësit, bashkëqytetarët, dëshmitarët okularë të ngjarjeve, etj. të cilët jo rrallë kanë qenë më të besueshëm dhe më interesantë se vetë profesionistët e lajmit. Ky burim alternativ informimi ka gjetur tek interneti një medium mjaft frytdhënës dhe të lirë për t’i bërë të ditur botës të rejat që janë parë apo dëgjuar.

Natyrisht jo çdo qytetar mund t’i ketë “instinktet” e gazetarit dhe të jetë i aftë që në morinë e ngjarjeve që sheh apo dëgjon të dallojë atë që është me interes të gjerë publik. Gjithashtu jo çdo qytetar ka aftësinë që të shkruajë apo të tregojë bukur apo për më tepër të njohë skemën e piramidës së përmbysur apo të tjera skema jo rrallë të mërzitshme të të shkruarit profesionist. Por, edhe sikur të jetë një në një mijë apo më shumë numri i atyre qytetarëve që e kanë nuhatjen dhe aftësinë e gazetarit, përsëri, numri i tyre është mjaft i konsiderueshëm krahasuar me numrin e gazetarëve profesionistë.

Në vitin e parë të krijimit të vet, më 2004 ,Wikinews, një websajt gjigant lajmesh – i gjithi i qytetarëve -, kishte vetëm disa qindra shkrime të publikuara. Kurse në vitin 2011 numri mesatar i shkrimeve i kalonte 4000 në muaj. Pra nuk flitet për një fiction, por për një realitet. Huffington Post është në pjesën dërmuese të vet një blog lajmesh i qytetarëve që shkruajnë dhe kontribuojnë falas . Ndërkohë numri i blogjeve të lajmeve (news blogs) ka shkuar në disa milionë, duke zënë rreth 8 përqind të më shumë se 100 milionë blogjeve që janë të pranishme sot në blogosferë.

Natyrisht shumica e këtyre blogjeve janë nën standartet e gazetarisë së mirë apo nuk arrijnë të lexohen përveçse nga autori dhe rrethi i ngushtë i njerëzve të tij, por më të mirët e blogosferës janë sot modele të gazetarisë së të ardhmes, të ofruara nga gazetarët qytetarë.

-Shpeshherë shohim media të huaja apo edhe shqiptare të cilat ftojnë qytetarët që të raportojnë për një ngjarje me interes publik. A mund të konsiderohet kjo si një njohje nga ana e mediave profesioniste e aftësisë së një pjese të qytetarëve për të bërë gazetari?

Pasi e injoruan apo i rezistuan gazetarisë së qytetarëve, një pjesë e mediave profesioniste ia hapën dyert, madje edhe po e nxisin atë. CNN ka krijuar në websajtin e vet një rubrikë më vete me titull “I-Report” e cila i është dedikuar gazetarisë dhe raportimeve nga qytetarët. MSNBC dhe IBN kanë krijuar faqet e titulluara “Citizen Journalist “– Gazetari Qytetar. Reuters/Yahoo ka faqe të veçantë për gazetarinë e qytetarëve e titulluar “You Witness News” – Ju dëshmoni për lajmet”, etj. Një praktikë interesante ka aplikuar New York Times, që përveç krijimit të faqeve për gazetarët qytetarë ka publikuar edhe një Manual për gazetarët qytetarë (“Handbook for citizen journalists”). Shumë gazeta, duke kaluar tërësisht online si dhe për të shkurtuar kostot, po publikojnë gjithnjë e më shumë lëndë informative të prodhuar nga qytetarët, e cila në më të shumtën e rasteve është falas.

Pra, nuk ka më dyshim që qytetarët janë dhe do të jenë aktorë të rëndësishëm të lajmit dhe të informimit (mendoni një çast rrjetin gjigand të informimit përmes mediave sociale). Çështja shtrohet se çdo të quajmë gazetari këtej e tutje, a do të mbetemi tek koncepti klasik i të bërit gazetari, a do të jetë gazetaria një profesion, a ka nevojë shoqëria për gazetarë dhe nëse po cili do të jetë profili i gazetarit të së ardhmes? Pra le të merremi me këto çështje përpara se të vëmë në dyshim ekzistencën e gazetarisë së qytetarëve që tashmë është një realitet.

-Pra, sipas jush, të bërit gazetari nuk do të jetë më monopol i profesionistëve?

Jo nuk do të jetë, por nuk është më një monopol i profesionistëve. Kjo ka ndodhur tashmë. Dhe është një proces i pakthyeshëm.

Botuar në revistën online MediaLink

Send this to a friend