Media e printuar në dilemat e mbijetesës

30 Nëntor , 2011 • Mediat e Reja • by

dallim nga krizat e mëparshme me cilat është përballur shtypi gjatë rreth 300 viteve ekzistencës tij, kjo e fillimshekullit  21-të, duket jetë seriozja dhe e vështira për tu tejkaluar.

Një nga dështimet më të mëdha të medias së printuar ka të bëjë pikërisht me humbjen pa kthim të monopolit që gazetat (anglisht: newspaper) kanë patur dikur mbi atë që quhet news. Në kohën e sotme, news, po i largohet gjithnjë e më shumë letrës (paper) dhe po i drejtohet gjithnjë e më shumë ekranit të kompjuterit. Në fakt, këtë monopol gazetat e humbën pjesërisht qysh me daljen në skenë të radios e më pas të televizionit. Por minutazhi relativisht i kufizuar për lajmet i këtyre të fundit, përsëri i la hapësirë të gjërë medias së printuar në këtë domain, dikur tërësisht ekskluziv. Ndërkohë me triumviratin e tre w-ve (www) beteja për lajmin e fundit duket pothuajse e humbur.

Zhvillimet e reja teknologjike dhe interneti kanë bërë të mundur ofrimin e këtyre lajmeve në kohë reale në të gjitha pajisjet dixhitale, që nga kompjuteri, laptopi e deri tek iPad-i dhe telefonat celularë. Me internetin tashmë njerëzit mund ta kenë lajmin e fundit “në xhep”, menjëherë sapo ndodh, kudo që të ndodhen dhe në çdo orë të ditënatës. Duke dalë në treg të nesërmen e ngjarjeve, shtypi vetëm mund të përsërisë të rejat që tashmë nuk janë më të reja.

Edhe sondazhet e kryera provojnë se lajmi i fundit në ditët e sotme më shumë merret vesh prej internetit se sa prej gazetave, siç duket edhe nga sondazhi i kryer prej Shaikh and Chaparro në SHBA. Madje shifrat flasin për një thellim të kësaj tendence. Kjo do të thotë se shtypit dalëngadalë do t’i duhet ta braktisë lajmin e fundit, meqë teknologjitë e tjera më të reja nuk po i lënë më hapësirë në këtë drejtim.

Por, gjithsesi, edhe në këtë tendencë, mund të ketë përjashtime. Përshembull, gazeta mund të ofrojë ende soft news të cilat në krahasim me breaking news mund t’i rezistojnë më shumë urgjencës kohore. Gjithashtu soft news janë të shumta në numër dhe duket se ka për të ndarë mes shtypit dhe internetit në këtë zhanër.

Interneti rezulton të jetë më i preferuar se sa gazetat edhe për disa kategori të tjera informacioni, siç janë, për shembull, informacioni i dobishëm (moti, kurset e këmbimit, bursa, trafiku rrugor), informacioni i klasifikuar i tipit “shes blej jap me qera, njoftimet e biznesit dhe të komunitetit, tregu i punës (“kërkoj punëofroj punë), etj.

Me lindjen e platformave mjaft popullore të shkëmbimit të fotografisë në internet (photo-sharing sites, si, psh. Flickr) edhe foto-lajmi ka prirjen të jete më i shikuar online sesa në faqet e gazetave. Ndërkohë shkalla e lartë e interaktivitetit në web ka bërë që edhe për komentin të preferohet më shumë interneti se sa media e printuar. Tashmë shumica e websajteve të lajmeve dhe të gjitha blogjet e blogosferës kanë të inkorporuara opsionet e komentit online. Por disa studiues vërejnë faktin se ka një dallim cilësor mes komenteve profesionale të medias së printuar dhe komenteve pa fund, shpesh të pa redaktuara dhe të pa filtruara nga pikëpamja etike që gjenden në internet.

Po cilat janë zhanret pas të cilave mund të mbahet gazeta në betejën për mbijetesë? Ç’ lloj informacioni ka tendencë të lexohet më shumë në letër se sa në ekranin e pajisjeve dixhitale? Statistikat e sondazhit që përmendëm më sipër (Shaikh and Chaparro) nxjerrin në pah faktin se ato që lexohen më shumë në faqen e gazetave se sa në internet janë zhanret e gjata të gazetarisë. Kjo shpjegohet edhe me diferencat mes teknologjive dhe ndikimin e këtyre diferencave në procesin e të lexuarit. Kërkimet në fushën e mediave të reja kanë provuar se të lexuarit në internet i ngjan më shumë një skanimi të shpejtë se sa një leximi të thellë dhe të plotë. Studjuesi i njohur i webit, Jakob Neilson shkruan lidhur me këtë: “Ngaqë leximi i tekstit në një ekran kompjuteri është kaq i mundimshëm, dhe ngaqë eksperienca online duket se nxit disi padurimin, përdoruesit priren të mos e lexojnë të gjithë rrjedhën e tekstit. Në vend të kësaj, përdoruesit e skanojnë tekstin dhe zgjedhin fjalët kyçe, fjalitë dhe paragrafët që i interesojnë duke kapërcyer ato pjesë të tekstit për të cilat ata s’kanë interes. Të lexuarit kalimthi në vend të të lexuarit të mirëfilltë është një fakt për webin, i cili është konfirmuar edhe nga studime të panumërta.”

Por një zhanër i tillë siç është, përshembull, reportazhi apo feature, për nga vetë natyra,  nuk mund të “shijohet” dhe të përcillet pa një lexim të plotë dhe të vëmendshëm. Një nga veçanësitë e reportazheve është prania dhe larmia e detajeve gazetareske. Leximi në letër ka prirjen t’i konsiderojë dhe t’i vlerësojë detajet, ndërsa leximi në web ka prirjen t’i kalojë përciptazi ose t’i kapërcejë ato.

Përveç reportazheve, edhe shkrimet analitike dhe editorialet kanë shanse të lexohen më shumë në letër se sa në internet. Ka dy faktorë që duket se ndikojnë në këtë tendencë: së pari analizat dhe editorialet janë zhanre të cilat, duke kërkuar përqëndrim dhe duke mbartur thellësi gjykimi dhe argumentim të detajuar, priren të jenë më të lexueshme në letër. Së dyti, në kushtet kur gazetat po përvijohen gjithnjë e më shumë si zgjatime të politikës, editorialet dhe shkrimet analitike duket se do të jenë gjithnjë e më të pranishme në letër, pasi ato janë mjete shumë të preferuara për partitë politike në përpjekjet e tyre për përpunimin e opinionit publik.

Zhanre të tjera që ende po mbështeten më shumë tek letra se sa tek ekrani dixhital janë edhe intervista dhe portreti. Të dyja këto gjini mbartin një lloj informacioni i cili është i çliruar nga limitet kohore dhe që kërkon qetësinë dhe durimin e të lexuarit në letër për t’u absorbuar. Edhe raportimet investigative duket të jenë të lidhura më shumë me letrën se sa me ekranin, por problemi me to nuk qendron tek dilema ekran-letër, por tek vetë ekzistenca e këtij zhanri vital të gazetarisë, i cili po braktiset çdo ditë e më tepër nga botuesit e medias së printuar dhe nga e gjithë media në përgjithësi.

Ka edhe disa lloje të informacionit mediatik si ato të tipit gossip apo info-argëtimi ku nuk duket të ketë diferenca në zgjedhjen mes ekranit dhe letrës. Vërtetë thashethemet e gazetave kanë ndeshur në konkurencën e rrjeteve sociale dhe të blogosferës, por gjithsesi, duke përdorur avantazhin “e të zezës në të bardhë”, pra të tekstit të fiksuar në letër, ato nuk duket të jenë të riskuara, përkundrazi duket se e parapëlqejnë strehën e letrës.

Nga analiza e mësipërme e zhanreve dhe e gjinive, rezulton se gazetat sot dhe në të ardhmen e afërt duket se do të mbështeten tek zhanret e gjata, mes të cilave përmendëm analizën, komentin, editorialin, reportazhin, intervistën, portretin, por edhe soft news, gossip, etj. Praktikisht këto janë njëherazi zhanre bazë edhe të revistës. Mbështetja në këto zhanre rezistente ndaj ekranit mund të shpjegojë në një masë të caktuar edhe faktin pse, në ndryshim nga gazetat, revistat paraqiten më mirë në treg. Gjatë vitit 2010 revistat në SHBA jo vetëm që nuk patën humbje, por ato arritën të kenë një rritje prej 1.5% të të ardhurave të tyre.

Duke publikuar informacion të ngjashëm dhe të zhanreve të njëjta, revistat dhe gazetat duket se kanë hyrë në një fazë konvergimi dhe shumë shpejt kufijtë mes tyre mund të bëhen gjithnjë e më të paqartë. Nga njëra anë, përveç informacionit të ngjashëm gazetat po i përqasen formatit të revistave dhe ngjyrave të tyre. Nga ana tjetër revistat po i përqasen letrës së lirë të gazetave dhe dizajnit të tyre. Edhe një prirje tjetër që ka të bëjë me periodicitetin e botimit të gazetave mund të paraqitet si shenjë konvergimi mes këtyre dy llojeve të shtypit. Në kushtet e humbjes së lajmit të fundit dhe në situatën kur gazetat po mbështeten kryesisht tek informacioni që nuk ka urgjencë kohore për publikim, një pyetje e re ka dalë në skenë: a duhet patjetër që gazeta të jetë e përditshme? Edhe analiza e kostos dhe argumenta të tjerë të natyrës financiare, mbështesin idenë e rishikimit të periodicitetit duke qënë në favor të rrallimit të shkallës së këtij periodiciteti. Një pjesë e mirë e gazetave në SHBA dhe Europë po heqin dorë nga të qënit të përditshme dhe po eksperimentojnë daljen disa herë ose një herë në javë në letër duke e kompensuar këtë rrallim me praninë e përditshme në format dixhital në internet.

Paul Starr, fitues i Çmimit Pulitzer dhe professor në Princeton University thotë se gazetat “…po tkurren jo thjesht fizikisht apo për sa i përket krahut të punës, por edhe në dimensionin e tyre më të rëndësishëm- misionin editorial”. Në një studim tjetër të Pew Research Center në SHBA konstatohet se gazetat e kanë reduktuar dukshëm hapësirën kushtuar lajmeve nga bota gjatë viteve të fundit. Disa gazeta po shkurtojnë dhe vendet e korrespondentëve rajonalë. Përveç kësaj, gazetat janë duke shkurtuar gjithashtu, hapësirën që i kushtohet shkencës dhe artit dhe kanë pushuar nga puna reporterët e mjekësisë, kritikët e muzikës dhe recensuesit e librave.

Sipas studimit të Pew Research Center, editorët e gazetave kanë konfirmuar se vitet e fundit ata u kanë kushtuar më shumë hapësirë dhe burime lajmeve lokale. Fenomeni i njohur si hiperlokalizëm po shihet si shpresë për gazetat, por nuk është e sigurt nëse kjo strategji do të rimbushë arkën e zbrazët të shtypit, pasi informacioni lokal dhe reklamat lokale zor se mund të gjenerojnë “lumin e artë” të dikurshëm të të ardhurave dhe numrin e madh të audiencës. Përpjeket titanike të medias së printuar për mbijetesë po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen e afërt. Por perspektiva e largët duket se do të vonojë të qartësohet.

Botuar revistënOptime, nr. 2, 2011

Print Friendly, PDF & Email

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend