Raport i EJO
Për disa, “gazetaria si sipërmarrje”(entrepreneurial journalism) tingëllon më shumë si një ndërrim termash, ndërkohë që gazetarët tradicionalisht kanë qëndruar larg nga biznesi i medias.
Për vite me rradhë profesionistët e medias krijuan të ashtuquajturin “Mur kinez” që ndante redaksitë nga pjesa e biznesit e kompanive mediatike. Por tashmë kohët po ndryshojnë dhe muri po bëhet gjithnjë e më i vogël. Me zvogëlimin e numrit të vendeve të punës me kontratë afat-gjatë, profesionistët e medias e konsiderojnë të nevojshëm riformatimin e disa aspekteve të gazetarisë, duke e vënë theksin sidomos tek vetë-promovimi. Në një artikull më të hershëm, EJO solli një përmbledhje të inisiativave të ndërmarra për promovimin e gazetarisë si sipërmarrje në SHBA. Ndërsa në këtë artikull do të hidhet një vështrim nga afër i situatës në Europë.
Për mëse një dekadë, interneti e ka tronditur tregun e lajmit, duke detyruar shumë media që të rishqyrtojnë strukturën e biznesit të tyre. Duke patur gazetarë me bollëk dhe vende pune me pakicë, kompanitë e mediave janë ballafaquar me sprova dhe gabime, ndërkohë që për gazetarët ka dalë në skenë sfida e vetë-marketimit. Europa nuk mund të bëjë përjashtim nga ky trend, edhe pse situata nuk është e njëjtë me atë në SHBA dhe është e ndryshme nga njëri vend europian në tjetrin. Gjithsesi, tregu i punës për gazetarët është bërë gjithandej i vështirë.
Pionierët e gazetarisë si sipërmarrje në Europë
Në Europë, përpjekjet për të kombinuar gazetarinë me sipërmarrjen dhe për të eksperimentuar opsione të reja kanë qënë modeste krahasuar me ato në SHBA. Në një raport të kohëve të fundit, Nicola Bruno dhe Rasmus Kleis Nielsen nga Reuters Institute for the Study of Journalism në Oxford, kanë identifikuar dy nga sfidat më të mëdha për gazetarët në këtë start: Së pari, tregu i lajmit online vazhdon të jetë i dominuar nga mediat tradicionale. Së dyti, tregu i reklamës online është i dominuar nga një numër shumë i vogël aktorësh. Këtyre sfidave iu shtohen edhe diversiteti kulturor si dhe tregjet e vogla për shkak të barrierave gjuhësore.
“Për dy vjetë me radhë ne punuam në një media tradicionale, por aty nuk kishte shanse për një kontratë pune afat-gjatë. Pasi punuam dy vjet me kontratë afat-shkurtër, ne preferuam të krijojmë punën tonë”, thotë Xavier Drouot, drejtor i websajtit të pavarur rajonal të lajmeve Carredinfo.fr në Toulouse të Francës.
Sipas Drouot, gazetaria si sipërmarrje është vënë në qendër të procesit të trazicionit profesional, por ai pranon se në Francë ajo nuk është bërë pjesë e kurikulave shkollore. Në dallim nga kjo, “në Britaninë e Madhe, debati ka mbërritur në insitucionet arsimore, por akoma jo në industrinë e medias si një e tërë”, thotë specialisti i ekonomisë së medias, Robert Picard i Reuters Institute.
Në pjesën qëndrore të kontinentit, Gjermania ka traditën e vet të gazetarisë. “Mjedisi gazetaresk është i ndryshëm nga ai i SHBA. Për këtë arsye një kopje gjermane e konceptit amerikan të gazetarisë si sipërmarrje, nuk do të kishte shumë kuptim”, thotë Klaus Meier, pedagog i gazetarisë në Universitetin e Eichstätt-it. Në të vërtetë, në Gjermani, krahasuar edhe me shumicën e vendeve europiane, ekziston një sektor shumë i madh i transmetuesve publikë, dhe gjithashtu edhe gazetat po ecin shumë mirë po ta krahasojmë me rënien në industrinë amerikane.
Gazetarja dhe pedagogia gjermane e gazetarisë Ulrike Langer, e cila si një korrespondente freelance ka eksploruar peisazhin e mediave amerikane, shton më tej: “Në shumicën e programeve të gazetarisë në Gjermani, nuk bëhet dallimi mes vetëpunësimit tradicional në gazetari (freelancing) dhe konceptit të gazetarisë si sipërmarrje.” Kësisoj, ajo vë në dukje si një të metë keq-përkufizimin e konceptit. Nëse gazetaria si sipërmarrje synon të bëhet diçka më shumë se sa një rimarrje bombastike e freelancing, atëhere kërkohet një kooperim i përbashkët i gazetarëve për të krijuar një biznes të vetin (në gjermanisht: “Journalisten-Büro”).
Në Itali, diskutimet për gazetarinë si sipërmarrje zënë fill në vitin 2009. Në këtë kohë, gazeta e përditshme kombëtare La Stampa publikoi artikuj rreth Tow-Knight Center for Entrepreneurial Journalism, që ishte krijuar në shkollën e gazetarisë të City University në New York. Që atëhere diskutimet kanë vazhduar, duke nxitur së fundmi edhe një panel debati në Festivalin Ndërkombëtar të Gazetarisë në Perugia.
Gazetari dhe eksperti italian i medias Stefano Tesi, e kundërshton prerazi konceptin në blogun e tij – duke theksuar se roli i gazetarit dhe ai i sipërmarrësit janë dy role të papajtueshme me njëri-tjetrin. Sipas tij, “autoriteti, besueshmëria dhe aftësitë profesionale të gazetarit” thjesht nuk mund të bëhen bashkë me “aftësitë dhe mungesën e skrupujve të një sipërmarrësi.” Ai parashikon një shkatërrim të profesionit dhe të etikës së gazetarit.
Në vendet baltike, kombinimi i gazetarisë me sipërmarrjen duket se ka një bazë më të fortë. Gazetarët letonezë përdorin grantet dhe opsione të tjera për të krijuar blogjet apo website-et e tyre. Kjo bën të mundur që ata të angazhohen në gazetarinë investigative dhe shpesh artikujt e tyre vijojnë me libra me të njëjtën temë.
Por kjo, natyrisht nuk është e vetmja mënyrë se si ata nxjerrin fitim prej punës së tyre. Për shembull, Agnese Kleina, editorja e revistës së dizajnit të brendshëm, Deko, ka krijuar një blog për modën, i cili ka rreth 15 000 vizitorë në muaj dhe ka arritur të krijojë markën e vet dhe koleksionet e veta të veshjeve.
Më në jug të Europës, në vende si Shqipëria, Rumania, Serbia dhe Ukraina, koncepti tradicional i freelancing mbizotëron në raport me konceptin e gazetarisë si sipërmarrje, edhe pse pagat dhe kushtet e punës pas rënies së perdes së hekurt, i kanë detyruar gazetarët që të jenë krijues përsa i takon krijimit të të ardhurave të tyre. Për gazetarin freelance dhe pedagogun rumun të gazetarisë Alexanderu-Bradut Ulmanu, gazetaria si sipërmarrje nuk nënkupton doemos hapjen e një biznesi, por ka të bëjë më shumë me aftësinë për të kombinuar burime të ndryshme të ardhurash, përfshi këtu grante apo pjesëmarrje në programe të tjera financimi.
Ulmanu shpjegon se në Rumani nevojitet një financim më i madh, pasi kushtet e vështira ekonomike nuk janë në favor as të gazetarit të punësuar në kompanitë e mëdha mediatike dhe as të gazetarit freelance.
Një situatë e ngjashme është edhe në Shqipëri. Ka website lajmesh si www.lajmifundit.com dhe www.alblajm.com të cilat mbahen vetëm nga një person. Fatkeqësisht ato nuk nxjerrin fitim dhe të ardhurat e tyre nga reklamat mjaftojnë vetëm për të mbajtur hapur website-in. Website të tjera si www.gazetaidea.com dhe www.respublica.com janë financuar nga fondacione private dhe nuk arrijnë të mbajnë vetveten me të ardhurat që krijojnë. Sipas Dardan Malaj, themelues i www.lajmifundit.com , në Shqipëri vetëm kompanitë celulare dhe disa banka kanë buxhet për reklamimin online, ndërsa të gjithë të tjerët preferojnë të reklamojnë në gazeta dhe TV.
Mundësitë për trajnim në Europë
Mundësitë e arsimimit në gazetarinë si sipërmarrje janë të ndryshme nga njëri vend i Europës në tjetrin. Në Britaninë e Madhe, City University në Londër ofron një program për Gazetarinë si Sipërmarrje, i cili fokusohet në gazetarinë e të dhënave dhe në menaxhimin e komunitetit. Një program i ngjashëm ofrohet edhe nga Bournemouth University për profesionistët në karrierë. Universitete të tjera britanike si Cardiff School of Journalism, Goldsmiths University dhe Media and Communication Department i London School of Economics ofrojnë më së shumti kurse të përgjithshme për gazetarët në lidhje me menaxhimin e medias dhe administrimin e biznesit mediatik.
Në Francë, sipas Xavier Drouot, mësimdhënia për sipërmarrjen në përgjithësi është nënvlerësuar. Megjithatë, departamenti i gazetarisë në SciencesPo Paris ofron një kurs në Gazetarinë si Sipërmarrje për studentët e nivelit Master. Inisiativa të tjera që nxisin risitë janë edhe Lëvizja e Sipërmarrësve të Rinj dhe Studentë( Movement for the Young and Student Entrepreneurs – MOOVJEE), një shoqatë franceze e krijuar në vitin 2009, e cila inkurajon të rinjtë që të hapin bizneset e tyre gjatë apo pas studimeve. Duke u fokusuar tek sipërmarrja në përgjithësi (jo posaçërisht në gazetari), programi ofron asistencë për gjetjen e burimeve si dhe një Çmim vjetor për projektin më të mirë të biznesit.
Në Gjermani ekzistojnë disa programe gazetarie ku merren në mënyrë të thelluar bazat e vetëpunësimit dhe të sipërmarrjes në gazetari. Universiteti i Eichstätt-it përshembull, ofron një program në nivelin Master për Menaxhimin dhe Inovacionet në Media dhe Gazetari, ndërsa Universiteti Teknik i Dortmundit ofron një kurs të titulluar “Bazat e Ekonomisë së Gazetarëve Freelance”. Në Universitetin e Mainzit, Volker Wolff, ish botues i Wirtschaftswoche, revistë javore e biznesit e njohur gjerësisht në Gjermani, drejton programin e nivelit Master në gazetari. Ai gjithmonë ka nxjerrë në pah për studentët dhe praktikantët e medias rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i tyre në lidhje me biznesin dhe aspektet financiare të raportimit mediatik.
Gjithsesi, shumica e shkollave të gazetarisë që janë jashtë universiteteve në Gjermani “shkojnë për kah shtëpive botuese”, thotë Ulrike Langer. “Këto, natyrisht nuk janë të interesuara t’u mësojnë studentëve të tyre se si ta përdorin tregun e lirë dhe si t’i anashkalojnë shtëpitë botuese si distributorë.” Shoqata gjermane e Gazetarëve ka mbështetur gazetarët freelance duke ofruar disa trajnime për mbijetesën në praktikën e biznesit. Kohët e fundit, Langer u hodh në një terren të ri duke i ofruar shoqatës një kurs për Gazetarinë si Sipërmarrje. Ajo gjithashtu e jep këtë lëndë në një kurs dy-ditor të vetin të quajtur “Si të bësh para në Internet” në Akademie für Publizistik në Hamburg, një tjetër mjedis i mirënjohur ky për trajnime.
Përsa i takon Zvicrës, Sylvia Egli von Matt, drejtore e shkollës më të madhe të gazetarisë në vend, MAZ, pohon diçka të ngjashme. Ajo thekson se gazetarët duhet të trajnohen që të bëhen “ më krijues dhe të veprojnë me një shpirt më të ndjeshëm sipërmarrjeje.” Edhe nëse gazetaria si sipërmarrje “ nuk përbën ndonjë gjë të re, pasi MAZ prej kohësh ka ofruar kurse specifike për gazetarët freelance, përsëri ia vlen që të diskutohet për ofertën e re të mësimdhënies në SHBA.” Sipas saj, ata “ofrojnë një përqasje më të gjërë për gazetarinë. Profesionistët e medias duhet të eksperimentojnë, të bashkëpunojnë, të themelojnë biznese të vogla dhe gjithashtu të bëhen lider.” Egli thotë gjithashtu se gazetarët e së ardhmes duhet të zhvillojnë projekte së bashku me dizajnuesit dhe teknicienët, “ata duhet të krijojnë – si ‘spin-offs’ – formate të reja, forma të reja të investigimit dhe të narracionit si dhe modele të reja biznesi.” Vinzenz Wyss, pedagoge e gazetarisë në Zurich University of Applied Sciences, i bashkohet këtij këndvështrimi. Ajo beson se shkollat zvicerane të gazetarisë kanë akoma edhe shumë për të bërë lidhur me përgatitjen e gazetarëve të së ardhmes në mënyrë që ata të gjejnë financime dhe të ndërmarrin vendime biznesi.
Në Rumani, ka shumë programe të trajnimit profesional që ofrohen nga universitetet dhe shoqatat dhe që lidhen me gazetarinë e multimedias, gazetarinë online, teknologjinë e internetit, menaxhimin e medias, median alternative dhe mediat sociale. Programe të tilla synojnë që të aftësojnë gazetarët profesionistë që të punojnë si gazetarë freelance ose si menaxherë të medias. Në mënyrë të ngjashme, shkollat e gazetarisë në Shqipëri, Letoni dhe Serbi ofrojnë programe të ndryshme me fokus të veçantë në gazetarinë online, por nuk ofrohen kurse për sipërmarrjen e gazetarëve të së ardhmes.
Ashtu siç vënë në pah edhe shumë studjues, institucionet arsimore në vende të ndryshme po reagojnë ngadalë edhe për shkak të procedurave komplekse të trashëguara që lidhen me akreditimin e kurrikulave akademike.
Në Ukrainë, pavarësisht nga shtimi i OJF-ve që merren me çështje të zhvillimeve në media, shumica e tyre janë fokusuar në lirinë e medias, censurën, etikën e medias, duke i kushtuar pak vëmendje gazetarisë si sipërmarrje. Prirja për të promovuar një kulturë të re dixhitale në gazetari, është ndërrmarrë më shumë nga individë se sa në mënyrë sistematike nga insitucionet arsimore. Gjithashtu nuk vihen re ndryshime strukturore që mund të merreshin si shenja të një prirjeje në zhvillim. Në kuadër të projektit “U-media” i zhvilluar nga Internews-Ukraine – një OJF ndërkombëtare e fokusuar në zhvillimet në media – janë organizuar disa veprimtari më sistematike që shkojnë në këtë linjë. Një shembull i kohëve të fundit është krijimi i Social Innovation Lab – një laborator krijues për bloguesit, novatorët e medias dhe programuesit që synon gjenerimin e ideve për përdorim krijues të mjeteve online. Gjithashtu Internews organizon shkolla afat-shkurtra dhe kampuse për trajnimin e studentëve dhe të punonjësve të medias.
Shkolla e Gazetarisë Mohyla në Kiev, aktualisht po zhvillon dy programe plotësuese, të dyja të iniciuara dhe të financuara nga Fondacioni për Zhvillim i Ukrainës. Programi E Ardhmja Dixhitale e Gazetarisë është një program pasuniversitar që synon të mësojë profesionistët e rinj se si t’i përdorin mundësitë e krijuara nga mediat e reja. Programi i dytë – Mediat Dixhitale për Universitetet (MDU) – ka një rol të rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve trajnuese për gazetarët që kanë shpirt biznesi. Programi iu adresohet edhe mësimdhënësve të medias dhe pedagogëve të universiteteve të ndryshme të Ukrainës, të cilët trajnohen se si të japin mësim për median dixhitale dhe si të zhvillojnë dhe/ose të rinovojnë kurrikulat e tyre të mësimdhënies.
*****
Në këtë përpjekje për të krijuar një pamje që përmbledh këndvështrimet dhe inisiativat që lidhen me gazetarinë si sipërmarrje në Europë, një gjë është e qartë: Nuk ekziston një kuptim i njëjtë i fenomenit dhe i zhvillimeve që lidhen me të. Disa e shohin këtë transformim si një dritare mundësish për gazetarinë ambicioze, ndërsa të tjerë më së shumti e konsiderojnë si një emërtim i ri për lojën e vjetër të gazetarisë freelance.
Ky raport u krijua me kontributin e Tina Bettels, Natascha Fioretti, Jonila Godole, Kate Nacy, Dariya Orlova, Liga Ozolina, Miroljub Radojkovic dhe Andra Seceleanu.