Gazetaria e të dhënave – bumi i numrave në Poloni

15 Nëntor , 2014 • Mediat e Reja • by

Gazetaria e të dhënave po promovohet gjithnjë e më shumë dhe po mbështetet nga organizatat mediatike dhe universitetet në Poloni. Platformat interaktive të të dhënave janë lançuar nga dy gazetat më të mëdha në vend, si dhe janë ofruar kurse akademike në Universitetet më të njohura.

Websajtet e reja përfaqësojnë një pikë kthese për gazetarinë e të dhënave në Poloni. Mes tyre, websajti më i ri Biqdata u themelua në shtator nga një gazetë cilësore,  Gazeta Wyborcza. Polityka Insigh filloi në shtator 2013 nga botuesi i revistës së përjavshme Polityka. Të dyja platformat janë me pagesë dhe tregojnë se kompanitë komerciale të mediave po njohin më në fund potencialet e raportimit të bazuar tek të dhënat.

Këto potenciale janë zbuluar që më parë edhe nga kompani të njohura mediatike perëndimore. Projektet gazetareske, të ndërtuara në bazë të përdorimit të databazave të gjera të të dhënave dhe (në disa raste) edhe të vizualizimeve impresionuese, siç janë ato të ndërmarra nga New York Times dhe The Guardian, kanë fituar vëmendje dhe njohje ndërkombëtare, si një nën-disiplinë e rëndësishme e gazetarisë profesioniste.

Gjatë vitit të kaluar, me rritjen e investimeve komerciale në këtë formë novatore të gazetarisë në Poloni, janë zhvilluar edhe inisiativat akademike, përfshi edhe kërkimin akademik dhe trajnimin e gazetarëve.

Të paktën dy universitete po zhvillojnë aktualisht kurse për gazetarinë e të dhënave: Akademia e Arteve Strzeminski e qytetit të Lodz dhe Universiteti Maria Curie-Skłodowska në Lublin. Akademia e Arteve Strzeminski ofron kursin “Data journalism – Gazetaria e bazuar në të dhënat” i drejtuar nga Jan Kubasiewicz nga Dynamic Media Institute, Massachusetts College of Art and Design. Kursi i ofruar nga Universiteti Maria Curie-Skłodowska është edhe më i avancuar: “Gazetaria e të dhënave, Infoestetika dhe DTP”. Ky kurs përbëhet nga dy module mësimore: Gazetaria e të dhënave – 15 orë hyrje teorike mbi gazetarinë e të dhënave, i drejtuar nga Piotr Celiński dhe “Infoestetika dhe DTP”, 30 orë workshop dhe ushtrime praktike të drejtuara nga dizajneri Robert Zając.

Në të njëjtën kohë janë shfaqur edhe dy insiativa premtuese jo-akademike.

Në maj 2014 Media Lab Katowice nisi Urban Data Stories. Kjo inisiativë konsiston në një seri takimesh – zakonisht 3-4 ditë workshop-e dhe leksione të mbajtura nga lektorë të ftuar, siç është Nicolas Kayser-Bril, një gazetar francez që e përshkruan vetveten si një person “që raporton të dhënat jo për bukën e gojës”.

Projekti tjetër DataBlog.pl është një platformë  e-learning e fillur në vitin 2013. Ajo bazohet në materialet mësimore të ofruara nga blogeri dhe themeluesi i DataBlog, Piotr Kozłowski.

Para 2013-ës gazetaria e të dhënave në Poloni ishte më pak e strukturuar dhe bazohej në inisiativa të rastësishme, si workshop-e apo konferenca të organizuara nga OJF të ndryshme. Këtu përshihen Data journalism w praktyce [Gazetaria e të dhënave në praktikë] organizuar nga Gazeta Wyborcza, Google and Press (një revistë tregtare) në 2013, si pjesë e një eventi të titulluar “Ditët e Gazetarisë së të dhënave”. Lektorët dhe trajnimet ishin koordinuar nga Esa Mäkinen e Helsingin Sanomat. Një inisiativë tjetër ishte Euro Hack si pjesë e Open Government Data Camp 2011.

Është interesante të vërejmë se arsimimi dhe praktika e gazetarisë së të dhënave duket se po ndërlidhen, të paktën pjesërisht. Investimet në projektet e gazetarisë së të dhënave, të kryera nga disa prej kompanive më të mëdha mediatike në Poloni, kanë shërbyer si katalizatorë për zhvillimin e mundësive të arsimimit në këtë fushë.

Nga ana tjetër, personat pjesëmarrës në inisiativat akademike për gazetarinë e të dhënave janë përfshirë edhe në projektet e biznesit, siç është rasti i themeluesit të DataBlog, Piotr Kozłowski, i cili është tani edhe anëtar i bordit botues të Biqdata.

Photo credit: Flikr, Luc Legay

Send this to a friend