Nga e marrin klorofilin mediat

12 Maj , 2012 • Media dhe Politika • by

Nga Sami NEZA

Një përmirësim i medias për shkak të programit të një force politike, është përmirësim i kalimit më të shpejtë prej rolit informues të medias në rolin propagandistik, prej raportimit të faktit te raportimi i manipulimit, nga e keqja e sotme, që vjen prej interesash e influencash, te më e keqja e nesërme, që është përfshirja në detyrë e programeve politike.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka përqendruar edhe më shumë alternativën e tij për median pas tryezës së zhvilluar pak ditë më parë lidhur me situatën e shtypit dhe televizioneve në vend. Për shkak të një vendimi për ta ndalur bllokadën për arsye politike ndaj një televizioni kombëtar, ai ka folur ndërkaq për përfshirje të sigurt të problematikave të shtypit dhe televizioneve në programin e opozitës për rilindjen shqiptare, ashtu si edhe rilindja shqiptare nënkupton patjetër edhe një qasje të re ndaj mediave dhe problematikave që ato kanë. Ai shkruan në komentin e tij botuar të dielën në disa të përditshme të Tiranës, se ka vend për kritika edhe ndaj vetë kryetarit për mënyrën se si i ka parë deri tani raportet e tij me median.
Prej këtu lind një problem që lidhet me të ardhmen e gazetarisë në Shqipëri, problem që vjen nga raportet e opozitës me median, të politikës me median, jo veç me ato të vetat apo të huajat, por me të gjitha mediat në përgjithësi.
Problemi qëndron te vetëdija e politikës se me afirmimin e disa projekteve të saj për mediat dhe përfshirjen e saj në programet zgjedhore të vetat mund të përmirësojë cilësinë e gazetave, televizioneve, jo thjesht nga pikëpamja menaxheriale, financiare apo ekonomike në përgjithësi, por edhe atyre editoriale. Pavarësisht se kjo e fundit nuk është theksuar, fakti se partitë përmirësohen vazhdimisht nëpërmjet përmirësimit të programit, kanë ndjesinë se edhe media e përfshirë në atë program nuk ka pse të mos përfillë modalitetet e përmirësimeve të një trupe politike.
Duke pasur këtë bindje, që opozita e ka afirmuar edhe përmes tryezës së para pak ditëve, është e mundur që media të vihet përpara një sfide tjetër të madhe nëse opozita vjen në pushtet, më të madhen e të gjitha të tjerave, kalimin nga vetërregullimi te rregullimi nga jashtë saj, i cili edhe pse tani zë një vend të konsiderueshëm në media, nuk ia ka dalë ta zëvendësojë plotësisht vetërregullimin.
Partitë politike mund të kenë qasje të vetën për median dhe mënyrën e funksionimit të tyre. Dhe në këtë kontekst, tryeza ishte dobishme. Për më shumë, se atje kishte gazetarë, pra rojtarë të mediave, në sy të të cilëve nuk mund të bëhen kurthe. Po ashtu, partive politike mund të mos u pëlqejë fare se si raporton media, bile dhe mund të rastisë se ajo çfarë mendojnë partitë politike kryesore në vend për median është e vërtetë. Por kjo nuk mund të ligjërojë shembjen e murit të pavarësisë së medias prej politikës, edhe kur ky mur është vetëm virtual apo aq i hollë sa mezi preket. Media është njëfarë “flore” që e prodhon klorofilin vetë, nuk i zë fill për shkak të rrezeve që i vijnë prej jashtë vetes e aq më pak prej rrezatimit përvëlues të një partie politike.
Partitë, qeveritë janë të fundit në radhë, të cilat, me mundësitë dhe mjetet për të reformuar apo çuar përpara kauzën e medias, thirren në këtë sfidë. Një përmirësim i medias për shkak të programit të një force politike, është përmirësim i kalimit më të shpejtë prej rolit informues të medias në rolin propagandistik, prej raportimit të faktit te raportimi i manipulimit, nga e keqja e sotme që vjen prej interesash e influencash te më e keqja e nesërme, që është përfshirja në detyrë e programeve politike.
Rama e di shumë mirë se sa e lehtë është ta molepsësh median shqiptare qoftë edhe me biseda telefonike, pale më me ndonjë tender apo lehtësi tjetër që krijon pushteti edhe kur e ke në qeveri, edhe kur e ke në bashki. E di shumë mirë se e ka bërë vetë për gati 15 vjet me qaforen e tij rozë. Vetë ai i përket atij grupi që është krijim mediatik, dhe për shkak të tharmit të përbashkët e konsideron jetike për veten kovalencën e përditshme me të gjitha gazetat dhe televizionet, dëshirën për të qëndruar nën një çati me secilën. Media shqiptare molepset lehtë për shkak të brishtësisë së saj ekonomike, financiare, profesionale etj., nevojës së përditshme për t’u mbështetur diku. Ato në përgjithësi janë ndërmarrje në pragun e sakrificës, disa prej të cilave mezi mbajnë veten. Ndërkaq, partitë politike të mëdha apo në qeveri janë ndërmarrje me fitim të sigurt, të organizuara mirë dhe me një avantazh konkurrues të pakrahasueshëm me ato të mediave. Një ndërmarrje politike ia merr frymën një medieje kur të dojë nëse e kthen në qëllim apo e fut edhe në program, qoftë edhe pse programi thirret rilindje shqiptare dhe në optikën e opozitës nuk ka përse të përjashtohet media prej kësaj rilindjeje.
Megjithatë, kryetari i PS-së bën mirë që ka nisur një përpjekje për të treguar se ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj medies. Në qoftë se e kodifikojmë te ky synim edhe tryezën e opozitës apo edhe editorialin e tij për raportet me mediat hostile, atëherë mund ta zbresim dozën e kritikës ndaj tij. Të gjithë e mbajmë mend Edi Ramën përballë mediave dhe në raportet e tij me mediat. Ai ishte edhe reporteri, edhe kryeredaktori, dhe për disa edhe financieri, por ishte edhe hostile me shumë prej tyre herë pas here. Edhe me mua personalisht ia doli të më largonte nga drejtimi i një gazete të përditshme të Tiranës në vitin 2007. Bëri presion dhe arriti të më pushonte nga puna si kryeredaktor vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve lokale në Tiranë, për të vetmen arsye sepse gazeta që drejtoja atëherë nuk ishte hostile me të, por nuk ishte e komandueshme prej tij. Shembuj si të mitë ndoshta nuk ka në historinë trembëdhjetëvjeçare në pushtet të zotit Rama. Por ka më të këqija se ato.
Rama ka të drejtë të ndryshojë dhe po aq të drejtë të na e bëjë të ditur këtë gjë me çfarëdo mjeti, edhe me tryeza, edhe me përfshirje në debatet për median në përgjithësi. Por, nëse këtë e bën përmes një programi politik të partisë së vet, atëherë ai ka zgjedhur rrugën e politikës për të ndërtuar raporte të mira me median, sipas problematikave që adreson politika dhe jo media, që është një rrugë e cila nuk synon përmirësimin e medias, por përmirësimin e imazhit të politikës.

Botuar më 8 maj 2012, në gazetën Panorama

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

Send this to a friend