Ndikimi i Medias në manipulimin e qëndrimeve politike të opinionit publik

5 Qershor , 2018 • Kryesoret, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Industria mediatike, ka një natyrë tejet gjithëpërfshirëse, ndaj nuk mund të pohojmë kurrsesi që ajo përmbush vetëm funksionin e përcjellëses së informacionit. Domethënia e medias do të zhvlerësohej, nëse ajo trajtohet vetëm në aspektin e përcjellëses së informacionit, pra pa u marrë në konsideratë misioni i saj si agjenci e rëndësishme socializuese. Duhet të theksojmë se bashkëveprimi midis institucioneve sociale, ndërton një kompleksitet të mirëfilltë të profilit shoqëror. Pra, ndarja klasike e institucioneve sociale, nuk nënkupton aspak pavarësinë që kanë ndaj njëri-tjetrit, përkundrazi dëshmon mbi pamundësinë e të plotësuarit të të gjithë funksioneve në mënyrë autonome.

Në këtë punim nuk do të analizohet vetëm ndërthurja e institucionit të politikës me institucionin e edukimit. Përkundrazi, jam orvatur ta zgjeroj edhe më tej problematikën, duke i kushtuar rëndësi ndikimit të masmedias në manipulimin e qëndrimeve politike të individëve. Politizimi i shtypit apo veshja e këtij të fundit me nuanca të forta ideologjike dhe propagandistike, kushtëzojnë deformimin e realitetit. Një situatë e tillë, nuk favorizon krijimin e një shoqërie demokratike, në të cilën media duhet të gëzojë autonomi të plotë nga presioni politik. Ky punim, është një orvatje për të kuptuar ndikimin e medias në formimin e bindjeve politike, në ndryshimin apo në qëndrueshmërinë e tyre. Hipoteza e këtij studimi, është si më poshtë vijon: Ekspozimi i tepërt ndaj komunikimit politik të përcjellë në media, ndikon në manipulimin e qëndrimeve individuale.

***

“Një nga sociologët më të shquar të Europës Perëndimore në fushën e komunikimit dhe përgjithësisht në atë të institucioneve, Zhak Bourdieu, ka mbërritur në një përfundim tepër interesant kur është shprehur se televizioni nuk e pasqyron një ngjarje të caktuar politike, por e prodhon atë. Kjo është një risi e jetës demokratike në kushtet e shoqërive të komunikimit. Politika në sistemet demokratike bëhet mbi bazën e ndikimit propagandistik dhe ideologjik tek pjesë sa më të mëdha të elektoratit”. …(Fuga, 2005:213-214). Media nuk është pasqyrë pasive e botës reale. Realiteti medial është “fabrikë e rregullave në përgjigje të komercialitetit politik”, të cilët e mbështesin dhe e informojnë. Publiciteti me përmbajtje politike, është një ndër trajtat kryesore, që ndërmjetëson lidhjen e një force politike me audiencën e saj. (Kallçiu, 116-117). A shfaqen tendenca të politizimit të medias? “Njerëzit i gjejnë mediat televizive shpesh herë tepër të politizuara dhe menjëherë fillojnë të tregojnë arsyet reale ose imagjinare se përse aksh televizion mban këtë qëndrim ndaj qeverisë apo filan politikani duke e lidhur këtë me këto apo ato interesa të dikurshme, të sotme apo të ardhme”.

(Fuga, 2005:212). Në bazë të shqyrtimit të studimeve të mëparshme të ndërmarra në këtë temë shohim se autorët dalin në përfundimin se votuesit janë më shumë të ndikuar nga produkti politik, publiciteti politik, marrëdhëniet publike dhe marketingu i drejtpërdrejtë. Vëmendja e aktorëve politikë ndaj këtij të fundit ka ardhur duke u rritur vitet e fundit edhe në Shqipëri. Autorët vënë re se politika po shndërrohet në një industri gjithnjë e më të madhe, fushatat po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme.

Ky studim karakterizohet nga ndërthurja e dy perspektivave, nomotetike dhe ideografike. Perspektiva filozofike metodologjike e këtij studimi mbështetet tek modeli epistemologjik. Drejtimi epistemologjik, mbart në vetvete metodën sasiore, e cila përbën kyçin studimit. Si përfaqësues i kësaj metode, është pikërisht anketimi. Anketa është instrumenti kryesor që është përdorur për marrjen e informacionit empirik. Metodologjia e përdorur për këtë punim pra bazohet tek interpretimi i të dhënave sasiore të mbledhura nëpërmjet përdorimit të anketave dhe analizës së ligjërimit publik lidhur me fenomenin që merret në studim. Funksionalizmi strukturor është një tjetër konstruksion paradigmatik që na vjen në ndihmë në kapitullin e metodologjisë. Marrëdhënia që po investigojmë, përfshin institucionin e edukimit dhe atë të politikës, pra një sistem social në tërësi. Duke qenë se Parsonsi e vendos më tepër theksin te procesi i socializimit, atëherë nuk jemi larg linjave të punimit.

***

Në këtë studim, nuk është evidentuar një target-grup i kufizuar, përkundrazi moshat pjesëmarrëse në anketim, variojnë nga 19-65 vjeç. Arsyeja përse nuk e përqendruam kërkimin në një grup më të ngushtë, lidhet pikërisht me interesin për të krahasuar rezultatet. Le të vërejmë se çfarë rezultatesh kemi përftuar nga anketimi. Sa i afektuar është publiku shqiptar nga mjetet e masmedias? Një shifër prej 47.2%, përfaqësonte atë grup individësh që u kushtonin dy deri në tre orë mjeteve të masmedias; 2% e respondentëve nuk i kushtonin asnjë orë kohë masmedias; 21.6% i kushtonin të shumtën një orë kohë në ditë; 10% i kushtonin mbi pesë orë në ditë. Për politizimin e shtypit të shkruar rezulton se 62% e respondentëve, janë përgjigjur mbi politizimin e skajshëm të shtypit shqiptar; 20.8% janë përgjigjur mbi alternativën pak; 3.6% është përgjigjur se shtypi nuk është aspak i politizuar. Nëse i referohemi pyetjes mbi politizimin e televizionit, do të shohim se është relativisht më e lartë pesha specifike e respondentëve, që mendojnë se televizioni është shumë i politizuar dhe përfaqësohet nga shifra 78.4%.

Sa i afektuar është publiku shqiptar nga politika? Rezultatet e kësaj pyetje, tregojnë se 54% e respondentëve, e ndjek politikën, por nuk merr pjesë në organizata politike; 35.2% ishte e painteresuar për politikën, kurse 10.8% rezultoi të ishte e angazhuar në forume partiake. Ishte relativisht e lartë pesha specifike e të anketuarve rreth 51.2%, që u përgjigjën se komunikimi politik vërehet më tepër gjatë fushatave elektorale, kurse 41.6% u përgjigjën se ky komunikim është i pranishëm gjatë gjithë kohës në median shqiptare. Ajo çka përbënte dhe interesin kryesor të studimit, ishte investigimi i fakteve mbi manipulimin e qëndrimeve të individëve dhe në lidhje me këtë pyetje, rezultoi se 66.4% e të anketuarve ishte në gjendje ta dallonte informacionin e vërtetë politik nga pjesa e propagandës, 6.4% nuk ishte në gjendje ta dallonte, kurse 27.2% nuk ishte e sigurt. A është e lëkundur shoqëria shqiptare në bindjet e saj politike, kur ekspozohet ndaj propagandës politike mediatike? Nga të dhënat e anketimit, rezultoi se 11.6% kishin ndryshuar bindjet e tyre politike; një shifër relativisht e lartë 73.2%, nuk ishte lëkundur në bindjet politike.

Në ç’masë e luan media rolin e saj si agjenci e socializimit? Nga 250 të anketuar, vetëm 20.4%, pohuan se media kishte patur ndikim në formimin e sjelljes së tyre politike; 61.6% e përjashtonin këtë funksion të saj, kurse 18% nuk kishin informacion mbi këtë çështje. Edhe pse emisionet me përmbajtje politike mund të ndiqeshin, komunikimi politik i përcjellë përmes tyre, nuk luante ndonjë rol në socializmin politik të individëve. .2% e të anketuarve, rezultoi t’i besonte propagandës politike të shfaqur në media; 24% i besonte më tepër propagandës së ushtruar drejtpërdrejt nga krerët e politikës në takimet me elektoratin e tyre, kurse 67.2% e të anketuarve, pohoi se i besonte më tepër edukimit të marrë në familje.

Pyetja e fundit e anketës, të krijon idenë e bashkimit të dy variablave, konkretisht të indiferencës qytetare dhe të manipulimit politik. 51.6% e të anketuarve, ka pohuar se manipulimi politik krijohet si pasojë e indiferencës së qytetarëve ndaj politikës; 27.2% nuk ishin dakord me diçka të tillë. Tani do të përpiqem të evidentoj disa nga çështje që lidhen me temën e studimit dhe mund të citoj lidhjen midis variablit moshë dhe ndryshimit të bindjeve politike. Nga marrëdhënia e krijuar midis tyre, rezultoi se: respondentët e grupmoshës 19-vjeçare, ishin më pak të qëndrueshëm në bindjet e tyre politike, megjithatë edhe grupmosha e personave mbi 65 vjeç nuk përjashtohet. 13.3% e të anketuarve, deklaruan se i kishin ndryshuar bindjet e tyre politike. Respondentët e grupmoshës 19-24 vjeç, përfaqësoheshin nga një peshë specifike prej 11.8%; nga grupmosha 25-40 vjeç, një masë prej 8.1%, deklaroi se i kishte ndryshuar bindjet politike. Nëse i referohemi rezultateve të grumbulluara mbi qëndrueshmërinë e bindjeve politike të individëve, do të theksojmë se: një masë prej 80.6% nga grupmosha 19-24 vjeç, shfaqeshin mjaft konsistentë në bindjet e tyre politike.

Padyshim nuk mund të anashkalojmë marrëdhënien midis variablit gjini dhe ndryshim i bindjeve politike. Në çfarë konkluzionesh arritëm? Gjinia femërore, në një masë prej 11.3% pohoi se i kishte ndryshuar bindjet politike dhe në krahasim me gjininë mashkullore, duhet theksuar se shfaqej më konsistente në bindjet politike. Madje edhe pyetja në vazhdim, jepte në njëfarë mënyre të njëjtin informacion. Në krahasim me meshkujt, femrat janë ato të cilat nuk i ndryshojnë shpesh bindjet politike. Duhet parë pozitivisht tendenca e publikut shqiptar, që nuk mbështetet tek edukimi politik i marrë nga mass media në formimin e bindjeve politike? Për të shpjeguar këtë çështje, do t’i referohemi filozofit të shquar të Shkollës së Frankfurtit, Jurgen Habermas. Ndër të tjera, Habermas pohon se Nuk është thjesht fjala se përmbajtja e komunikimi politik duhet të jetë e vërtetë. E vërteta lidhet më shumë me analiza epistemologjike. Shpeshherë komunikimi politik nuk relaton fakte, që duhet t’i referojë me vërtetësi, por ndërton strategji për të ardhmen, apo prodhon, krijon institucione, komunikon politika, të cilat nuk kanë të bëjnë me fakte të tanishme apo të kaluara, por me krijime të së ardhmes, me ndërtime artificial të së ardhmes. Po kështu, e vërteta në komunikimin politik nuk mjafton sepse ky nuk i përqaset vetëm botës në mënyrë instrumentale, por është një komunikim me të tjerët. Si i tillë, që të jetë komunikim, në kuptimin e plotë të fjalës, në dy sense, ai duhet të jetë i lirë, me argument, atje duhet të fitojë ai që është më bindës, debati ka nevojë të bëhet mbi baza të barabarta, dhe gjithsekush duhet të tërhiqet nga qëndrimet e veta para logjikës së argumentit të tjetrit, nëse ajo fiton, qoftë tjetri edhe kundërshtari i tij. “Procesi i diskutimit politik bazohet te një argument i arsyetuar. Pjesëmarrësit i parashtrojnë propozimet e tyre dhe i analizojnë ato me vështrim kritik, secili prej tyre bëhet përfundim vetëm nëse ka ‘forcën e argumentit më të mirë’”. (Shupo, 2009:185).

Ajo çka vërehet nga të dhënat e anketimit, është sfumimi i rëndësisë së politikës tek shoqëria shqiptare. Madje, një konstatim të tillë mund ta pohojmë përmes përvojës në terren, ku shpesh nuk mungonin edhe shprehje të qarta mbi “zvetënimin moral” të figurave të politikës. Një fakt i tillë, pa dashur të përgjithësojmë situatën, ndoshta ka ndikuar në largimin simbolik të shoqërisë shqiptare nga politika. Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se hipoteza e ministudimit tonë, nuk u vërtetua, sepse kampioni i anketuar nuk shfaqte prirje për t’u manipuluar nga komunikimi politik në media. Këtë pohim, mund ta vërtetojmë përmes lidhjes midis variablit ekspozim ndaj mjeteve të masmedias dhe manipulimit të qëndrimeve individuale. Nga kjo marrëdhënie, rezulton që edhe pse respondentët mund të ekspozohen katër deri në pesë orë në ditë ndaj mjeteve të masmedias, përsëri një pakicë prej 25%, mund t’i ndryshojë bindjet politike. Nga krostabulimi, rezultoi gjithashtu që edhe pse respondentët mund të jenë të ekspozuar katër deri në pesë orë në ditë ndaj mjeteve të masmedias, përsëri ato nuk priren t’i ndryshojnë bindjet e tyre politike. Pra, në këtë kontekst televizioni, radio, interneti, media e printuar, nuk mund të manipulojnë qëndrimet e publikut.

***

Dua të theksoj se ishte një ndërmarrje me rëndësi shoqërore dhe sociologjike, sepse rezultatet e përftuara në njëfarë mënyre dëshmojnë mbi qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj politikës.

Për të realizuar këtë studim, u formulua një hipotezë, e cila vlerësonte marrëdhënien midis ekspozimit mediatik dhe prirjes për të ndryshuar bindjet politike. Nga përpunimi i të dhënave, rezultoi se hipoteza nuk u vërtetua, sepse kampioni i marrë në shqyrtim nuk shfaqte prirje për ndryshimin e qëndrimeve politike përpos ekspozimit ndaj komunikimit politik të transmetuar në media. Çdo çështje sociologjike, duhet analizuar përmes këndvështrimeve kritike, pra: çfarë realiteti prodhon komunikimi politik apo propaganda politike? Mos ndoshta “bombardimi” me informacion politik, nxit pasivizmin e individit? Cili duhet të jetë formati i komunikimit politik të transmetuar në media? A duhet synuar gjithnjë gjuha e ashpër politike, me qëllim zotërimin e pushtetit? Këto janë disa pyetje, që në njëfarë mënyre i japin përgjigje rezultateve të përftuara nga anketimi. Një tjetër çështje, që implikohet me përfundimet e ministudimit tonë, është edhe liria e medias. Në këtë problematikë nuk jemi ndalur, sepse mund të devijonim nga tema, por ajo nuk duhet kurrsesi të anashkalohet. Përse? Për faktin se politizimi i medias dhe mediatizimi i politikës, nuk influencojnë gjithnjë pozitivisht tek individi si recipient i informacionit. Duke u fokusuar vetëm tek politika, media në njëfarë mënyre humbet edhe autonominë e saj, sepse e kthen në qëllim në vetvete manipulimin e individëve. Media, kështu shndërrohet në instrument të politikës.

Burimi: http://www.mapo.al/ndikimi-i-medias-ne-manipulimin-e-qendrimeve-politike-te-opinionit-publik/

Tags:, , ,

Send this to a friend