Rregullimi ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në transmetimet audiovizive

11 Maj , 2018 • Liria e medias • by

Komisioni për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, më datë 11 maj 2018, ora 10.00, në ambientet e “Hotel Rogner”, organizuan Tryezën mbi “Rregullimin ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në transmetimet audiovizive”.

Ka kohë që për të gjithë aktorët që janë të lidhur me fushën e medias është i njohur shqetësimi trajtimi i burimeve njerëzore në media në përgjithësi dhe në mendian audiovizive në veçanti.  Kushtet e punës së gazetarëve, format e rekrutimit në punë dhe e largimit prej punës, mosshlyerja në kohë e pagesave nga punëdhënësi, organizimi i gazetarëve ose mosorganizimi në shoqata apo sidikata u bënë temë kryesore diskutimi ditën e sotme.

Në këtë tryezë ishin të ftuar aktorë te ndryshëm: gazetarë, pronarë mediash, profesorë të gazetarisë, institucionet shtetërore, përfaqësues të shoqatave të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rregullimin e kushteve të punës së gazetarëve.

Në fjalën e gjithë pjesmarrësve u vu theksua se problemi i ngritur nga tema e konferencës është i lidhur direkt me lirinë e medias në Shqipëri. Pa një gazetar të sigurtë në punë nuk mund të kemi media të lirë dhe pluraliste.

Kryetari i Autoritetit të Mediavë Audiovizive në fjalën e tij theksoi se është e rëndësishme për lirinë dhe integritetin e medias standardi i burimeve njerëzore në median audiovizive. Ai shpesh herë në fjalën e tij përsëriti që priste nga kjo konferencë propozime konkrete në lidhje me adresimin e problemeve, të cilat do të ishin gur themeli për ushtirmin e lirë të profesinit të gazetarit në vend. Nga ana tjetër, AMA do të bëjë çështë e mundur nga ana ligjore, në bashkëpunim me gjithë aktorët e tjerë institucional që të rregullojnë kushtet dhe shumë shpejt të ketë në dorë edhe kontratën tip si fillim dhe më vonë kontratën kolektive për të të siguruar një gazetar me intergritet edhe të sigurtë.

Znj. Albana Vokshi, Kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, dha nga ana e saj garancinë së Komisioni është vullnet plotë që të ndihmojë në përmirësimin e punës së gazetarëve në vend, mendim i cili u mbështet edhe nga Znj. Milva Ekonomi, Zv. Kryetare e Komisionit. Znj. Vokshi siguroi për solidaritet me gazetarët duke qënë se ata janë rojtarët e shtetit të së drejtës. Ajo denoncoi rastet kur gazetarët sipas saj kanë qënë të censuruar dhe dha alarmin se gazetaria investigative është në  kushte jo të mira. Znj. Vokshi theksoi se një gazetar me punë të keqrregulluar është një vegël në duart e pushtetit. Ajo kërkoi nga institucionet kompetente monitorimin e punës së gazetarëve dhe transparencë nga ana e mediave të cilat janë punëdhënëse. Znj. Albana Vokshi dhe Znj. Milva Ekonomi ishin të mendimit se palët me ndikim duhet t’i kapërcejne axhendat politike dhe të kenë vullnet për të siguruar shtyp të lirë.

Znj. Milva Ekonomi, në fjalën e saj theksoi mungesën e organizmeve sindikale nga ana e gazetarëve por kjo shkon bashkë me një organizmim të dobët që kanë sindikatat në Shqipëri. Modeli i ri i mediave nuk të jep hapësirë për pavarësi editoriale dhe për këtë duhet të ndryshohen ligjet që kanë lidhje direkt me punën e gazetarëve, në të njëjtëm kohë duke forcuar rolin edhe rolin e Inspektoriatit të Punës.

Claus Neukirch, Shefi i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, në fjalën e tij theksoi se produkti mediatik është puna e gazetarëve. Puna e tyre është në mënyrë të paevitueshme e ndikuar nga kushtet e punës. Ai nënvizoi se institucionet shtetërore dhe aktorët mediatike kanë për detyrë sigurimi e këtyre kushteve minimale për të pasur më pas një media më të shëndetshme, të pavarur dhe të lirë.

Musa Ulqini, anëtar i Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, vuri theksin se kontrata tip dhe ajo kolektive duhet të ishin qëllimi i tavolinës, po ashtu edhe krijimi i një sindikate për të ndjekur modelin italian apo edhe të vendeve të tjera perëndimore duke krijuar edhe urdhërin e gazetarëve.

Znj. Eda Beqiri, nga Inspektoriati i Punës, tha se ekziston vetëm një Vendim i Këshillit të Ministrave, duke iu referuar Vendimit nr. 358, datë 25.03.1996, i cili rregullon punën e gazetarit. Ajo ofroi bashkëpunim për përmirësimin praktik të këtij kuadri rregullator.

Nga ana tjetër, Z. Mark, Marku, nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, tha se Departamenti krijon premisa për gazetarë të mirë, por, ai nuk krijon gazetarët, ata krijohen duke ushtuar profesionin në redaksi, prandaj kushtet e punës janë të rëndësishme për të krijuar gazetarë të mirë dhe për rrjedhojë media cilësore.

Si nga Z. Blendi Salaj, nga qendra Media Aktive, ashtu edhe nga Z. Armand Shkullaku nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, u ngritën problemet e punës së gazetarëve në punën e tyre të përditshme. Mosshlyerja e pagave në kohë, mungesa e kontratave tip dhe atyre kolektive, mungesa e urdhërit të gazetarit, ndërrimi i shpeshtë i stafit të redaksisë pa arsye të arsyeshme, paga minimale, mungesa e përshkrimeve të punës, oraret e zgjatura tej kushteve njerëzore në punë, janë ndër arsyet praktike dhe të prekshme që pse Shqipëria ka akoma probleme me lirinë e medias dhe integritetin e saj.

Këto mendime u përkrahën edhe nga Pedagogia e Gazetarisë Znj. Iris Luarasi si dhe gazetari i vjetër dhe njëkohësisht Zëvendëskryetari i AMA-s Z. Sami Neza.

Gjatë seancë përmbyllëse të këtij takimi, u paraqit për të marrë pjesë në diskutim edhe Z. Alkesandë Çipa, Kreu i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, i cili pasi u njoh me agjendën refuzoi të merrte pjesë në diskutim, duke braktisur takimin, me arsyetimin që nuk e shihte emrin e tij në agjendën e këtij takimi.

Në përfundim  të tryezës u ra dakord se shumë shpejt do të dërgohet nga ana e AMA-s për diskutim me institucionet e tjera të përfshira disa propozime mbi kriteret minimale që duhet të përmbajë një kontratë pune e një gazetari në Shqipëri. Kjo treyezë u cilësua si shumë e domosdoshme nga të gjitha palët.

Burimi: https://www.imalbania.com/rregullimi-ligjor-ne-marredheniet-e-punes-se-gazetareve-ne-transmetimet-audiovizive/

Tags:, ,

Send this to a friend