Raportimi i mediave rreth çështjeve të energjisë dhe ambientit dhe liria e shprehjes

3 Dhjetor , 2020 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Raportimi në media për problemet e ambientit dhe energjisë si dhe zbulimi i të vërtetës, është sfidë për gazetarët në Kosovë. Por,  më  lehtë nuk po e kalojnë as aktivistët e mjedisit. Për faktin se, të flasësh të vërtetën dhe të raportosh për degradimin që po i bëhet mjedisit në vendin  tonë, rezulton të jesh i kërcënuar dhe i paditur në institucionet e drejtësisë. Kjo po bëhet me qëllimin e vetëm që e vërteta të heshtet, nga ata të cilët për qëllime personale dhe interesat e tyre, dëshirojnë t’iu mbyllin gojën gazetarëve dhe aktivistëve, duke u mohuar atyre të drejtën e lirisë së shprehjes,  si e drejtë themelore në shoqëritë demokratike.

Është rasti i Adriatik Gacaferit, aktivist i mjedisit nga Deçani, i cili për shkak të një shkrimi në rrjetin social Facebook, rezulton i paditur në gjykatë dhe i kërkohet dëmshpërblim në shumën deri në 10 mijë euro. Gacaferi ka treguar se atë postim e ka bërë, derisa ka rastisur të shohë se lumi në bjeshkët e vendlindjes së tij po mbetet pa ujë, si shkak i kompanisë “Kelkos Energy”, kompania e cila edhe e ka paditur.

“Me 1 nëntor përderisa kam qenë duke kaluar në afërsi të lumit, kam shikuar që shtrati i tij ka qenë tërësishit pa ujë.  Pra kam shikuar që kjo kompani “KelkosEnergy”,është duke e futur 100% të sasisë së ujit në gypa, gjë që nuk është e lejuar. Pastaj, gjithë kjo më obligoi që të postoj shkrimin dhe të tregoj çfarë po ndodh”, ka deklaruar Gacaferi.

Adriatiku ka rrëfyer edhe për mënyrën, se si është njoftuar për padinë.  Të cilën padi nuk e konsideron  vetëm ndaj vetes, por  edhe ndaj të gjithë aktivistëve të cilët ia duan të mirën mjedisit.

“Avokatja ime ka paraqitur mjaft prova që dëshmon se padia e “Kelkos Energy”, duhet të refuzohet si e pabazë, gjithsesi kjo i takon gjykatës të vendosë. Por ajo që më brengos është se këtu ka një tendencë për të frikësuar aktivistët e tjerë që të mos reagojnë”, është shprehur Gacaferi.

Në anën tjetër, avokatja e Adriatikut, Rina Kika, ka thënë se klienti i saj është i pafajshëm, dhe se padia ndaj tij do të duhej të refuzohej si e pabazuar nga gjykata.

“Adriatiku  ka shprehur opinionin e tij dhe deklaratat e shprehura në postimin në Facebook, janë të mbrojtura me lirinë e shprehjes që është e drejtë fundamentale njerëzore e mbrojtur me Kushtetutë e me ligje të tjera në fuqi në Kosovë” , është shprehur Kika. Ajo ka thënë se rastit do i shkojnë deri në fund, pasi klienti i saj Adriatik Gacaferi nuk ka shpifur, por ka kontribuar në ngritjen e një çështjeje të interesit publik në vëmendjen e publikut.

“Në një shoqëri demokratike siç është kjo e jona, aktivistët e ambientit që kontribojnë në debatin publik për çështje me interes publik si Adriatiku duhet të çmohen, e jo t’u kufizohet liria e shprehjes padrejtësisht.  Prandaj jemi të mendimit se gjykata rastin do ta vendosë në favorin tonë”, është shprehur Kika.

E  kërcënuar dhe paditur në gjykatë, po nga e njejta kompani, është edhe bashkëvendësja e Adriakut, Shpresa Loshaj, udhëheqëse e organizatës joqeveritare “Pishtarët” dhe aktiviste e mjedisit. Arsye e padisë dhe e kërcënimit ndaj saj  është vetëm se, ajo ka ngritur zërin, me qëllim që të sjellë dritë në ligjshmërinë e hidrocentraleve në grykë të Deçanit. Por, në asnjë mënyrë që të bëjë fushatë shpifëse , si është cilësuar  në email-in të cilin ajo e ka pranuar.

“Rasti ende është në gjykatë. Unë nuk kam kërkuar me shiku, sepse dëshira ime ka qenë që të  fokusohem në qëllimin tonë, dhe atë që të vazhdojmë të evidentojmë shkeljet ligjore. Ne jemi të vetëdijshëm se qëllimi i kompanisë është që të sjellë frikë tek ne dhe të ndërrojë kahjen e energjisë tonë. Përndryshe, kjo çështje nuk është vetëm padi ndaj meje, por është padi edhe ndaj fjalës së lirë”, ka theksuar Loshaj.

Kërcënime dhe reagime kanë ardhur edhe kur pas pasur  aksione të përbashkëta të organizatave, për mbrojtjen e mjedisit. Veton Mujaj nga organizata “Syri Vizion”, ka thënë se , veprimet tona shpesh herë nuk i’u kanë pëlqyer pushtetarëve, por është dashur për t’i bindur profesionalisht.

“Kërcënimet tërthorazi kanë qenë të shpeshta; këto kërcënime kanë ardhur nëpërmes njerëzve të ndryshëm por ndonjëherë edhe nëpërmes mediave pushtetarët kanë dërguar porosi kërcënuese”, ka deklaruar Mujaj.

Ai ka veçuar veprimet apo rastet siç është ai për ndërtimin e mini-hidrocentraleve, pastaj ai  që lidhet me ligjin për parkun nacional “Bjeshkët e Nemura”,  ndërtimi i Laurës në grykën e Rugovës dhe prerja e pyjeve, ka treguar Mujaj.

Pa kërcënime, pengim në punën e tyre, frikësime nuk kalojnë as gazetarët, të cilët raportojnë për mjedisin. Në mesin e tyre është edhe gazetarja nga grupi “KOHA”, Sanie Jusufi.  Ajo ka treguar se si shpesh herë, i kanë dërguar porosi me qëllim frikësimi për mos botimin e shkrimit të saj.

“Individë të caktuar janë munduar që të ndalin shkrimet ose hulumtimet e mia, duke dërguar porosi përmes shoqërisë së përbashkët. Por, unë ua kam dëshmuar se askush nuk mund të ndalojë hulumtimet që i kam bërë, në momentin kur unë i kam informacionet e sigurta për atë çfarë jam duke hulumtuar”, është shprehur Jusufi.

Në rrëfimin e saj, ajo ka treguar edhe rastin kur ka pasur tendencë nga disa individë që të linçohet rreth shkrimit, që kishte të bënte me mospagesën e taksës për ujë nga ana e ambalazhuesve. “Ka pasur tendenca për linçim nga ana e disa individëve, të cilët kanë pohuar se të dhënat në artikull janë të pasakta. Por, kjo nuk më ka zmbrapsur aspak, pasi artikulli ka qenë i bazuar në dokumente dhe hulumtime që janë bërë nga vet institucionet”, ka treguar gazetarja Jusufi.

Në anën tjetër , gazetari nga “Drejtësia në Kosovë”, Behar Mustafa ka thënë se, nuk ndihet i kërcënuar, pavarësisht se është tentuar një gjë e tillë, derisa i ka dokumentet të cilat dëshmojnë të vërtetën.

“Jo, unë asnjëherë nuk ndihem i kërcënuar. Të gjithë këta “bossa” të asfaltit dhe tenderëve të rregullimit të ambientit, i kam kontaktuar dhe u kam dhënë mundësinë për të  folur për pretendimet tona. Edhe kur  ata nuk kanë pranuar të flasin unë kam vazhduar me punën aq sa kam pasur dokumente”, është shprehur Mustafa.

Për gjithë këtë presion ndaj gazetarëve dhe aktivistëve  që po bëhet përmes padive e që për qëllim kanë heshtjen e tyre, kanë nxitur edhe reagimin e eurodeputetes dhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon. Sipas saj, këto raste janë kundër të drejtave themelore për raportim dhe për të folur të lirë ndaj problemeve, ka shkruar eurodeputetja Viola Von Cramon.

Ndërkaq, sipas statistikave të Policisë së Kosovës,  vetëm në periudhën Janar – Qershor , 2020, janë raportuar për tetë raste në mesin e tyre, kanosje, ngacmim, e sulme  të tjera ndaj gazetarëve.

(Burimi: Policia e Kosovës)

Në anën tjetër në Prokurorinë e Shtetit, në periudhën Janar – Qershor, 2020 janë pranuar 7 raste me 7 persona të dyshuar që kanë kryer vepra penale ndaj gazetarëve ose kanosje ndaj tyre. Ndërsa, në vitin  që kemi lënë pas (2019), janë 13 raste, prej tyre 15 persona të dyshuar që kanëkryer vepra penale ndaj gazetarëve. Nga këto raste janë ngritur katër aktakuza, gjashtë aktvendime për fillim të hetimeve, një rast kuështë pushuar hetimi dhe dy raste kanë mbetur për procedim në vitin 2020.

(Burimi: Prokuroria e Shtetit)

Nga këto të dhëna nuk janë specifikuar vetëm rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve që kanë raportuar për mjedisin. Por janë përfshirë të gjitha rastet kërcënimeve  qëjanë bërë ndaj gazetarëve, e që kanë raportuar për tema të ndryshme.

Sido që të jetë,  numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve po rritet, por edhe niveli i pandëshkueshmërisë është po aq i lartë, është shprehur juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari. Në anën tjetër, në udhëzuesin “ Mekanizmat për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna online” nga autorët Florent Spahija dhe Rina Kika thuhet se: “Në gjuhën juridike kërcënimi njihet si kanosje dhe është vepër penale e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës nga gjashtë muaj deri në 5 vite burgim ose me gjobë”.  Por, gjobat e shqiptuara nga gjykatat tona ndaj kërcënuesëve janë me shuma të ulta parash. Që sipas,  Flutura Kusarit kjo po bën që kërcënuesi të ndihet prapë i lirë dhe i motivuar të kërcënojë dhe frikësojë gazetarët në punën e tyre.

“Deri më tani ndoshta e di  për rreth tri raste, që kanë arritur deri në gjykatë . Të cilat edhe pse kanë marrë epilog janë shqetësuese, për shkak se dënimet ndaj këtyre kërcënuesëve kanë qenë minore, pra me gjoba 200 deri në 500 euro. E  këto dënimet e vogla për kërcënuesitë nënkupton se kanë llogari me e frikësu një gazetar ose gazetare” , është shprehuar Kusari.

Sipas saj, shkaktari kryesor i gjithë këtyre kërcënimeve është mungesa e sundimit të ligjit. Mirëpo, ajo nuk ndalon me kaq, përmend prokuroritë dhe gjykatat, të cilat sipas Kusarit ish dasht të alarmohen në rast kur gazetarët kërcënohen ose u mohohet liria e shprehjes. “Qasja kur marrin raste të gazetarëve mua më duket që kanë me thënë, “eh po tash ke fol prite me u ballafaqu me pasojat”, ka thënë Kusari.

Për të gjitha këto, si dhe trajtimin apo jo të rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve, është kërkuar përgjigje edhe nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Por, ky institucion ka zgjedhur heshtjen. Zëdhënësja e kësaj gjykate Mirlinda Gashi, nuk i është përgjgjur pyetjeve dhe as thirrjeve lidhur me këtëçështje.

Në anën tjetër, nga Prokuroria e Shtetit është deklaruar prokurori Besim Kelmendi. Sipas tij, të gjitha rastet që paraqiten në prokurori, ato merren me prioritet. Qysh nga momenti kur i kemi siguruar provat atëherë e kemi dërguar rastin me aktakuzë në gjykatë. Pa marrë parasysh se a është vetëm sa i përketë rasteve që kanë të bëjnë me ambientin apo edhe për rastet e tjera, është shprehur Kelmendi.

Në anën tjetër, Flutura Kusari ka insistuar se mungon vullneti i institucioneve për të zgjidhur rastet e tilla. “Unë di raste e raste që gazetarët është dashur vet me i mbledhë provat për me i ndihmuar policisë me e identifikuar një kërcënues. Mungesa e sundimit të ligjit dhe aspekti tjetër qëështë mos përgatitja e sistemit prokurorial dhe gjyqësorë me u marrë me raste të tilla rezulton në situatën që ne e kemi”, ka deklaruar Kusari.

Ndërkaq, prokurori Kelmendi e ka quajtur të pamundur sigurimin e provave edhe pa ndihmën e gazetarit apo gazetares. “Sigurimi i provave për gjykatën është një lloj lufte dhe një lloj beteje që e bën prokuroria me të dëmtuarin bashkëkarishtë  që të fitojnë rastin në gjykatë. A mundemi të fitojmë këtë betejë, këtë luftë ne si prokurorë pa mbështetjen e të dëmtuarit këtë rast të gazetarit?  Unë them se është e pamundur”, është shprehur Kelmendi.

Përveç kërcënimeve, gazetarët kur hulumtojnë për çështjet e ambientit dhe të  energjisë përballen edhe me problemin e pamundësisë për qasje në dokumente zyrtare. E që në fakt kjo është një prej mekanizmave më të rëndësishëm që siguronë llogaridhënënien te publiku përmes gazetarëve.

Gazetarja nga grupi “KOHA” Sanie Jusufi ka thënë se, shpesh herë kur ka kërkuar qasje në  dokumente zyrtare ajo ka marrë përgjigje pozitive. Por njejtë nuk ka ndodhur me gazetarin Behar Mustafa, ai ka treguar, se si nuk i është lejuar qasje në dokumente zyrtare nga  Ministria e Ambientit.

“Unë kam kërkuar  llogari nga Ministria e Ambientit por nuk kam marrë përgjigje. Çështja kishte të bënte me atë se  si ka mundësi që kjo ministri i jep tender 1.7 milion euro një kompanie që kamë shumë se 3 dënime nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, për degradim ambienti?, por kjo ministri ka heshtur”.  Përgjigje nuk kam marrë as nga Ministria e Infrastrukturës, ka treguar tutje Mustafa. “Përgjigje nuk kam marrë as nga Ministria e Infrastrukturës,  se pse nuk kontrollohet zhavorri i cili vendoset në rrugë. Me arsyen  se,  nuk kanë mundësi me i kërku dokumentet nga kompanitë” , ka thënë Mustafa.

Kjo formë e mungesës së llogaridhenies nga ana e institucioneve shtetërore, po e vështirëson punën e gazetarëve, dhe po i dekurajon ata me u marrë me gazetari hulumtuese, ka thënë Flutura Kusari. Sipas saj, kur është fjala për ambientin dhe energjinë, puna vështirësohet edhe më shumë, pasi aty janë në pyetje projektet milionshe mos të them miliardshe. E në këto projekte janë interesa të jashtëzakonshme të biznesve dhe të akterëve të përfshirë në to, ka thënë Kusari.

Me gjithë këto probleme që ballafaqohen gazetarët dhe mediat ku  punojnë, ata nuk kanë ndaluar së raportuari për problemet mjedisore. Por, prapë se prapë nga ana e vlerësimit redaktorial, po e shohim që mediat nuk e kanë prioritet informacionin që i takon energjisë dhe ambientit. Redaktori i emisionit, “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi, ka kërkuar që temat kushtuar fushës së mjedisit me zënë më shumëvend në mediat tona. Sipas tij,  në lajmet e prodhuara në media, politika vazhdon të zënë vendin si një ndër lajmet kryesore. Duke lënë anash temat e tjera që prekin jetesën e qytetarëve.

“Merrni dhe analizoni çdo natë lajmet qendrore, në secilin prej televizioneve ose merrni e shikoni raportin e mediave online , top lajme janë politikanët, janë debatet e shterura, janë krizat që ata i prodhojnë për me pas mundësi me i mbulu aferat e tyre”, ka thënë Gashi.

Edhe redaktori nga “Klan Kosova” Shkodran Gajraku,  ka pranuar se temat nga fusha e mjedisit nuk janë në plan të parë , sepse politika, siguria e drejtësia, kanë vendin kryesor në edicionet qendrore të lajmeve në mediumet kosovare. E njëjta praktikë është  edhe tek portalet, ka deklaruar Gajraku.

Një politikë e tillë editoriale në media, nuk mund të ndryshoj, derisa do të ketë mungesë të financimit, ka thënë tutje redaktori Kreshnik Gashi. “Kjo për shkak se askush nga mediat,  nuk ka me hulumtuar rreth temës së  gurëthyesëve , nëse e ka reklamën prej kompanisë e cila i zotëron gurëthyesit. Askush nga mediat, nuk ka me u marrë as me cilësinë e asfaltit  ose nga ka ardh zhavorri i asfaltit në momentin kur kompania ose kompanitë që janë të lidhura me to janë financues të mediave”, është shprehur Gashi.

Që çështjet e ambientit dhe energjisë, nuk gëzojnë prioritet si top lajme e tregojnë edhe hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare. Në hulumtimin e bërë nga organizata “Çohu”, rreth raportimit të mediave online për fushën e ambientit  , nga periudha 20 Prill deri në 20 maj të 2019, del se nga 62.700 lajme ditore, vetem 29- të,  kanë qenë për ambientin. Organizata “Çohu” ka monitoruar edhe televizonet nacionale, përkatësisht debatet televizive.  Nga 517 debate televizive, (periudha korrik , 2018 – prill, 2019) vetëm tri kanë qenë për ambientin.

Po ashtu, nëse kthehemi disa vite më parë, përkatësisht në vitin 2008, në hulumtimin e bërë nga Agjencia  e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, e kuptojmë që, edhe atë kohë temat e mjedisit nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme në media. Nga hulumtimi i zhvilluar në 8 gazetat e pavarura të shtypit të përditshëm kosovar në atë kohë,  për periudhën janar-dhjetor të vitit 2008, rezulton se numri i përgjithshëm i artikujve mjedisorë të paraqitur nëpër këto gazeta është 1.476 artikuj.

Në anën tjetër, në bazë të gjithë këtij hulumtimi dhe nga të dhënat e dala, kemi arritur në përfundim që temat nga fusha e energjisë dhe ambientit kanë nevojë më shumë për hapësirë mediale. Ndërkaq, kjo sipas njohësve të medias do të arrihet, vetëm atëherë kur mediat të kenë qëndrueshmëri më të mirë financiare. Përveç kësaj, gazetarëve i’u duhet më shumë hapësirë për të kryer punën e tyre pa u penguar. Po ashtu, një vullnet më i madh i institucioneve për të zgjidhur rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve.

 

Tags:, , ,

Send this to a friend