Zhvillimet e fundit politike në Ukrainë, pas Revolucionit EuroMaidan, e kanë rritur demokratizimin e vendit. Por liria e medias mbetet e cënuar pasi oligarkët e medias vazhdojnë të ushtrojnë presion editorial mbi gazetarët.
Pluralizmi i medias në Ukrainë është forcuar në 18 muajt e fundit. Platformat e lajmeve online kanë luajtur një rol në raportimin e pavarur të protestave, gjë që ka kontribuar në profilimin e tyre si përcaktues të rëndësishëm të axhendës së medias. Censurimi i drejtpërdrejtë i shtetit është dobësuar pas disa viteve nën presion. Megjithatë, mediat e mëdha kryesore, sidomos stacionet televizive, janë ende të instrumentalizuara nga pronarët e tyre për të ndjekur interesat politike.
Transformimi i kanaleve televizive ukrainase të lë përshtypjen e një konfuzioni: ndërkohë që programet e lajmeve të disa stacioneve televizive ofrojnë raportime të gjata mbi shpërdorimet e disa aktorëve politikë, të tjerat janë totalisht të heshtura, ose ofrojnë lajme alternative që bëjnë fjalë për “horrllëqe” të tjera politike.
Prova për beteja oligarkike të përsëritura
Telekritika, një OJF ukrainase, ka monitoruar shkeljet e standarteve profesionale nga mediat kryesore. Ajo ka gjetur prova për “beteja oligarkike” të përsëritura që ndodhin në mediat e pronësuara ose të kontrolluara nga oligarkët.
Telekritika raporton se Inter, një kanal televiziv popullor i lidhur me oligarkët Dmytro Firtash dhe Serhiy Lyovochkin (të dy të afërm të ish-Presidentit të arratisur Viktor Yanukovych), i ka kushtuar një pjesë të konsiderueshme të programit së saj korrupsionit të pretenduar të kryer nga një tjetër oligark me ndikim të madh, Ihor Kolomysky.
Kolomoysky, i cili ka qënë në një përballje të ashpër me Firtash dhe Lyovochkin, ia kthen përsëri duke përdorur të njëjtat mënyra. Kanali i tij televiziv 1+1, ka transmetuar raportime të shumta që “zbulojnë” shpërdorime të supozuara dhe të kaluarën e errët të armiqve të Kolomoyskyit.
Përplasjet e oligarkëve në media nuk janë të limituara vetëm në këto dy kanale televizive. Dhe as nuk janë një risi për mjedisin e medias në vend.
Media e Ukrainës është dominuar nga pronarët e mëdhenj oligarkë qysh në mesin e viteve 90, duke nisur nga privatizimi i debatueshëm që iu dha rritje të ashtu-quajturave grupe financiaro-industriale. Këto grupe akumuluan një kapital të madh dhe zhvilluan lidhje të ngushta me strukturat politike, ose u bënë pjesë e këtyre strukturave.
Pronësia e medias shihet si një biznes i dobishëm dhe si një mjet politik
Analistët kanë vënë në dukje se përvetësimi i medias nga grupet e mëdha financiaro-industriale u shoqërua nga rënia e autonomisë dhe e lirisë së medias. Gjithashtu, oligarkët ukrainas i kanë perceptuar asetet e mediave të tyre jo si biznes i mëvetësishëm, por më shumë si një mbështetje e dobishme për biznesin e tyre të madh dhe për lidhjet politike.
Kjo do të thotë se qytetarët e vendit janë ekspozuar në informacione shpesh të njëanshme, por pluralistike nga media të ndryshme në pronësi të oligarkëve konkurentë.
Ndërkohë që betejat mediatike të oligarkëve kanë formuar peisazhin mediatik të Ukrainës që në fillim të viteve 2000, administrata e Yanukovych-it arriti t’i bëjë që të heshtin pronarët mediatikë të pakënaqur. Kjo rezultoi në përkeqësimin e mëtejshëm të pluralizmit mediatik.
Që nga fitorja e EuroMaidan në 2014, pluralizmi i informacionit u rrit. Por edhe luftërat mediatike oligarkike gjithashtu.
Struktura e pronësisë së medias në Ukrainë ka cënuar lirinë e medias në vend, theksojnë vëzhguesit. “Struktura e pronësisë dhe cilësia e pronarëve mediatikë, që nuk është më pak e rëndësishme, nuk kontribojnë në funksionimin e mirë të medias si një industri dhe si një institucion shoqëror”, thotë analisti Otar Dovzhenko.
“Investitorët e pasur të cilët donin […] një instrument për ndikim politik, një kanal me reklama falas ose një status shtesë kanë mbingopur tregun me organizata mediatike të subvencionuara dhe pothuajse e shkatërruan të vetmen mundësi për t’a zhvilluar median si një biznes”, thotë Dovzhenko.
Një pjesë e oligarkëve janë duke përcaktuar axhendën e lajmeve të përditshme
Si pasojë, një pjesë e pronarëve mediatikë, shumica e të cilëve kanë lidhje të forta politike, po përcaktojnë axhendën e lajmeve të përditshme. “Kjo mund të duket si pluralizëm, por në të vërtet, kjo ndalon lirinë e fjalisë, sepse kur një gazetar raporton, ai udhëhiqet nga interesat e pronarit mediatik të tij/saj, dhe jo nga interesat e publikut”, thotë Dovzhenko, duke shtuar se kohët e fundit, ai ka parë raste të shumta kur gazetarë të mediave kryesore kanë shmangur raportimin e problemeve të rëndësishme, jo për shkak të një kufizimi të drejtpërdrejtë, por sepse ata mendojnë se nga raportimi i problemit nuk do të përfitojnë pronarët e medias së tyre.
Ndërkohë që raundi i fundit i betejave oligarkike ka ngjallur një ndjesi déjà vu ndër shumë ukrainas, disa shpresojnë se gazetarët ukrainas dhe shoqëria civile do të arrijë t’a çajë këtë rreth vicioz.
Ka shenja se disa gazetarë po e vënë në dyshim kontrollin editorial
Së fundmi, një korrespondente e kanalit televiziv 1+1 të Kolomoysky-it bëri një postim në profilin e saj në Facebook për një histori manipulimi, të kryer nga kolegët e saj lidhur me Mikheil Saakashvilin, ish-President i Gjeorgjisë, i emëruar kohët e fundit si guvernator i rajonit të Odesës. “Kolegë, pse e bëni? Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tuaj ndaj rasteve të tilla pas Maidan-it?”, pyet ajo.
Reporterja Mariya Vasilyeva shton se gazetarët duhet vetëm t’u thonë ‘jo’ “detyrave” të tilla. “Thoni ‘jo’. Është e thjeshtë”. Insistimi i gazetarëve ukrainas për të thonë ‘jo’ për vendimet and praktikat editoriale jo-transparante mund të bëhen vendimtare për arritjen e pavarësisë së vërtetë të gazetarëve dhe të lirisë së medias në vend.