Godole: RTSH, “azil i pleqve” për gazetarinë

19 Tetor , 2014 • Media dhe Politika, Menaxhimi i Redaksisë • by

Jonila Godole është gazetare e një marke të njohur, dhe kush ka ndjekur gazetarinë e angazhuar të viteve ’90, e di këtë. Shndërrimi i saj nga gazetare në akademike, megjithatë nuk e ka zbehur as angazhimin dhe as kureshtjen, atë zjarr të domosdoshëm për ‘punëtorët e mendjes’. Znj. Godole sapo ka botuar librin “Gazetaria shqiptare në tranzicion”, një tekst që u sugjerohet të gjithë atyre që kanë lidhje apo kureshtje për gazetarinë, apo që duan të sigurojnë një panoramë përfshirëse të këtij tregu, profesioni apo misioni. Për ta kuptuar dhe njohur.

Te libri juaj i sapobotuar “Gazetaria shqiptare në tranzicion”, ju përmendni atë që quani ‘italianizim të medias’. A ka ngjyrim negativ ky koncept apo është term marketingu?

Koncepti i “italianizimit të medias” përdoret për të shpjeguar sistemet mediatike postkomuniste në Lindje, sepse paraqisnin ngjashmëri me gjendjen e medias italiane deri në momentin e rënies së sistemit partitokratik politik italian më 1992. Partitë politike krijuan mediat e tyre kryesisht audiovizive, ndër të cilat modeli më i njohur është “perandoria mediatike e Berluskonit”. E njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri pas rënies së sistemit, ku partitë politike shqiptare krijuan fillimisht gazetat e tyre partiake. Kështu që “italianizimi” i medias është: a) kontrolli i medias nga pushteti politik; b) elitat e medias dhe të politikës bashkëpunojnë ngushtësisht mes tyre; c) politizim i fortë i medias dhe gazetarëve etj. Kjo është panorama e dekadës së parë 1990-2000 në media. Sot ka ndryshime të dukshme në drejtim të profesionalizmit të medias me aplikimin e teknologjisë, por ndërhyrja e politikës dhe politizimi qëndrojnë.


jgkopertinaCitoni diku në libër drejtuesin e Institutit Shqiptar të Medias, Remzi Lani, i cili i quan një pjesë të gazetave si ‘buletine të kompanive të ndërtimit’. Në ç’masë ndërhyrja e biznesit në peizazhin mediatik e dëmton këtë të fundit? Ose një kundrapyetje: a do të kishim media pa biznesin? 

Ta filloj nga pyetja e fundit. Po, mund të kishim edhe media pa biznesin, por, a do të ishte më cilësore? Këtë situatë e kemi përjetuar me daljen e shtypit të parë të pavarur në vitet 1990. Botuesit e parë ishin njëkohësisht gazetarë, kuptonin më shumë nga zanati dhe vështirësitë e tij. Por nuk kuptonin nga biznesi. Dhe jo rastësisht pak vite më vonë erdhi kriza e shtypit, e cila u zgjidh me hyrjen në fushë të biznesit (ndërtim, tregti etj). Me gjithë rezervat që mund të kemi nga kjo ndërhyrje e biznesit, fakt është që spektri mediatik pas këtij “operacioni” u shtua me një sërë mediash të reja, sidomos ato audiovizive duke ia hequr monopolin shtetit. Futja e biznesmenëve në fushën e medias elektronike, të cilët krijuan shumë shpejt grupe lobingu me aktorë të ngjashëm, shërbeu si presion ndaj shtetit për të përmirësuar rregullimin ligjor. Në librin “Gazetaria në tranzicion” shpjegohet gjerësisht se cili është raporti i pronarit me gazetarin dhe çfarë kompromisesh duhet të bëjnë të dy për të mbijetuar me dhe pranë njëri-tjetrit. Problemi i medias në Shqipëri nuk është biznesi në vetvete, por ndërhyrja e tij në cilësinë e informacionit dhe mbi të gjitha ndërhyrja e politikës përmes pronarëve të medias. Interesat e biznesit (dhe ato të politikës që fshihen pas tyre) i shiten publikut si interes publik. Kur i pyet gazetarët për rolin e tyre në shoqëri, “të qenit kontrollues dhe monitorues i aktiviteteve të politikës dhe biznesit” vlerësohet shumë dobët. Ja, ky është realiteti i marrëdhënies biznes-gazetari, e cila shfaq tipologjinë e një marrëdhënieje të ndërsjellë brenda partneritetit të tregut.

Pse nuk mbijetoi brezi i vjetër i gazetarëve të para ’90, me përjashtime të vogla?

Kush tha që nuk mbijetoi?! Por mbase jo në gazetari aktive. Si në asnjë vend tjetër të Lindjes, gazetarët e para 1990-ës u duk fillimisht sikur u “zhdukën” pa lënë gjurmë nga merkatoja e atëhershme e Tiranës. Kush pati fat të ishte në rrethe, u punësua në mediat lokale. Reporterët më të rinj në moshë gjatë ndërrimit të sistemit u konvertuan në gazetarë, redaktorë dhe drejtues të shtypit të pavarur. Të tjerë që patën mbajtur pozicione drejtuese në median shërbyese të regjimit, u tërhoqën përkohësisht nga skena për t’u rifutur më pas fuqishëm në instanca të larta rregullative apo organizative të sistemit mediatik. Përgjithësisht, ata qëndruan dhe rrinë ende në hije pa u bërë pjesë aktive e debatit publik, por janë aktivisht eminenca gri e politikave mbi median në Shqipëri. Pra, le të themi se gazetarët e rinj që mbushën gazetat në vitet 1990 ishin ushtarët energjikë që drejtoheshin indirekt nga elitat e vjetra të medias. Ndërsa sot, siç del edhe në anketim, pjesa dërrmuese e gazetarëve “veteranë” të dy sistemeve, gjenden në ATSH dhe në RTSH. Sidomos institucioni i fundit shërben si “azil i pleqve” për gazetarinë, nëse do të krahasojmë moshat mesatare të gazetarëve që punojnë aty me ato në mediat private.

A mund të bëni një dallim mes brezit të ri të viteve ‘90 dhe brezit edhe më të ri, gjeneratës së re të gazetarëve të diplomuar, të themi pas viteve 2000?

Dallimi kryesor qëndron në faktin se brezi i ri i gazetarëve e sheh profesionin e gazetarit si një punë, të cilën mund ta bëjë kushdo kundrejt një pagese. Ndërsa për gazetarët e viteve 1990, gazetaria ishte para së gjithash një “mision”, pagesa ishte në rang të dytë a të tretë. Të mos harrojmë që gazetaria e pavarur e viteve 1990 lulëzoi në një terren të uritur për informacione dhe lajme, sepse deri atëherë informacioni ishte i përqendruar në dorën e TVSH-së dhe gazetave zyrtare. Kështu që gazetari e shihte veten në një mision politik (idealist) për të ndihmuar instalimin e pluralizmit në vend. Por edhe atëherë ka pasur karrieristë njësoj si sot, të cilët panë te gazetaria një trampolinë për t’u hedhur më vonë në politikë apo poste të tjera. Kjo është e pashmangshme, po të mendosh pushtetin dhe kreditet që të jep profesioni i gazetarit. Kurse sot, në pamje të parë duket sikur triumfon ky modeli i fundit. Shumë pak zgjedhin ta bëjnë gazetarin vetëm për hir të profesionit, kundrejt shumicës që synon të katapultohet diku tjetër. Pra, një gazetari më pragmatiste, kësisoj edhe më pak të angazhuar profesionalisht, dhe të shtrënguar në kallëpin që derdhin grupet e interesit në politikë dhe në biznes. Vetë informacioni, lënda bazë e raportimit gazetaresk, konsiderohet nga gazetarët sipas një logjike të ftohtë biznesi, jo thjesht për t’i shërbyer publikut, por rëndom si mjet presioni ndaj të tretëve.

Ju keni përdorur dy koncepte në një nga kapitujt e librit: gazetar profesionist dhe punonjës në media. Kjo e dyta ngjan pak me konceptin leninist të punonjësve të shtypit. A jeni duke sugjeruar se ky tranzicion na ka degdisur në leninizëm?

Mos ta ekzagjerojmë. Termi “punonjës në media” nuk është as më shumë e as më pak një përcaktor identifikues se ku punon dikush. Nëse ti je reporter, apo fotograf, je edhe punonjës në media. Por ajo që ju prekni në pyetjen tuaj lidhet në fakt me një term tjetër “punëtor i shtypit”. Gjatë regjimit të kaluar gazetarët ngjasonin me “punëtorë” të informacionit, të diktuar dhe kontrolluar nga jashtë, të cilët i shërbenin një gazetarie protokollare dhe njoftimesh (shërbimi).Gazetarët e asaj kohe nuk përfaqësonin publikun, por regjimin në fuqi. Në zhargonin e sotëm, mes gazetarëve termi “punëtor i medias” përdoret si sinonim për “rrogëtarin”, individë që punojnë në gazetari, por mishërimi i profesionit për ta mbetet i vakët, po aq mirë mund të shisnin edhe zarzavate në treg apo të hapnin një berberhane. Për ta pasur më të qartë kontrastin, nga ana tjetër, gazetari profesionist përkufizohet nga aktorët e tregut të medias si individë që gazetarinë e zgjedhin si profesion të jetës së tyre dhe që kërkojnë të bëhen të njohur përmes punës si gazetar. Apo ata gazetarë që janë më të mirëpaguar, gjë që u mundëson atyre edhe një liri më të madhe të shprehjes. Megjithatë, profesionist apo më pak profesionist, duhet të pranojmë se mjedisi mediatik nuk e motivon gazetarin e ri që të ruajë pasionin e fillimit dhe dëshirën e pashterur për të hulumtuar dhe kërkuar tema të parrahura apo për të bërë gazetari kritike, investigative.

Ju bëni edhe një tipologji të gazetarit shqiptar duke i ndarë ata në gazetarë kritikë, gazetarë politikë, gazetarë promovues, vëzhgues neutralë, gazetarë popullorë dhe gazetarë konformistë. Po t’ju kërkoja nga një emër përfaqësues për secilën tipologji, e di se nuk do ma jepni, por po ua këmbej këtë ‘favor’ me një tjetër: ju keni qenë vetë gazetare në një kohë të stuhishme, vitet ’90, dhe dua të di se ç’lloj gazetareje keni qenë ju, Jonila Godole? Te cila tipologji e fusni veten?

Grupimet e gazetarëve që përmendni ju, kanë dalë nga analiza faktoriale në bazë të përgjigjeve që gazetarët japin se si e shohin rolin e tyre në shoqëri. Më vonë nga analiza që bëhet në libër rezulton se gazetaria shqiptare sot është një gazetari shërbimi, ndaj publikut (i trajtuar ky si konsumator), ashtu edhe ndaj interesave të botuesve dhe indirekt të politikës. Këtu shohim natyrisht një linjë të qëndrueshme (path of dependency) nga e shkuara, pasi edhe gazetari gjatë regjimit komunist nuk i kapërceu kufijtë e “shërbimit” ndaj sistemit. Dhe po të kujtojmë që edhe gazetarët e fillimshekullit XX përherë kanë qenë në shërbim, sa të çështjeve patriotike, aq edhe të pushtuesve apo regjimeve të ndryshme të kohës, “gazetari si shërbyes/në shërbim” vazhdon të përbëjë skeletin e gazetarisë shqiptare.

Gjithashtu, një nëntipologji shumë e përfaqësuar është edhe gazetari neutral, që nuk duhet të ngatërrohet me gazetarin e paanshëm në teoritë e gazetarisë. Gazetari neutral shqiptar është ajo specie e re që bëhet mikrofoni i dy aktorëve duke krijuar përshtypjen se është i pavarur, por në fakt, duke mos shpjeguar në mënyrë kritike kontekstin në të cilin zhvillohen ngjarjet, përpiqet të mos prishë punë as me njërën palë, as me tjetrën. Një specie oportune, pragmatiste, që ka uzurpuar peizazhin mediatik. Kaq oportune sa mund ta quanim edhe “lap dog” të interesave të ditës.

E kundërta ka ndodhur me gazetarinë e fillimviteve 1990, pjesë aktive e së cilës kam qenë edhe unë. Ajo ishte koha e gazetarisë së angazhuar, politike, ku gazetari ishte baraz me politikanin, dhe gazetaria me politikën. Jo më kot, gazeta “Koha Jonë” konsiderohej “opozita” e vërtetë kundrejt PS-së së brishtë. A ishte ajo gazetari profesionale që duhet marrë si model? Jo. Por misioni i gazetarëve ishte të evidentoheshin të çarat e sistemit, problemet e tij dhe këtë gazetarët e bënin, pavarësisht kalimit të masës.

A është kthyer gazetaria në PR (public relations)?

Vihet re një tendencë e përgjithshme e uzurpimit të informacionit si në shtypin e shkruar dhe sidomos në TV nga njoftimet për shtyp të organizatave politike, NGO-ve dhe bizneseve të ndryshme. Edhe nga anketimi në punim rezulton se gazetarët shqiptarë i konsiderojnë njoftimet nga zyrat e PR-it dhe marketingut si “informacione që kursejnë kohë në hulumtim” dhe “japin ide për shkrime të tjera”. Nga ana tjetër, të pyetur për burimet e influencës në punën e tyre të përditshme, gazetarët rendisin organizatat partiake dhe joqeveritare si faktorë tejet ndikues. Në këtë kuptim mund të themi se prej vitesh, me rritjen e efektivitetit të zyrave të shtypit dhe të marrëdhënieve publike, gazetari ndodhet para dilemës në rritje, të harxhojë kohë duke kërkuar në terren informacione unike, të dallueshme nga kolegët (për të cilat jo detyrimisht stimulohet në redaksi në mënyrë simbolike apo materiale) apo ta kursejë kohën duke marrë informacione të gatshme dhe duke i modifikuar ato shpejt e shpejt. Çdo aktor racional do të zgjidhte me gjasë këtë të fundit. Prandaj, redaksitë profesionale kanë kode etike, kanë manualë të detajuar për cilësinë e raportimit në çdo aspekt të punës së gazetarit – ajo që quhet menaxhim cilësor i redaksisë. Sa kohë që vetë redaksitë shqiptare nuk interesohen për cilësinë, nuk përcaktojnë qartë kriteret profesionale për punonjësit e tyre, por mendojnë në mënyrë pragmatiste për përfitime nga politika e ditës, përse duhet të ndihen me faj gazetarët shqiptarë, të cilët aktualisht qëndrojnë me një këmbë në PR dhe tjetrën në gazetari?!

Pse, çfarë ndodh jashtë Tirane është lënë ‘jashtë’ mbulimit mediatik?

Nga analiza del qartë në pah se gazetarët dhe kompanitë mediatike janë të përqendruar në kryeqytet. Çfarë ndodh jashtë Tiranës është e parëndësishme, për sa kohë nuk raportohet për një katastrofë natyrore, një vrasje spektakolare apo një skandal. Vetë gazetarët e karrierës të pyetur në intervistë, shprehen se me ngjitjen e shkallëve të hierarkisë kalojnë përmes një procesi “vetëprangosjeje me pranga floriri”. Posti i lartë nënkupton një status social më të lartë, dhe një pushtet më të madh në fushën e lojës. Por, kujdes, këtu po flasim për kategori shumë të vogël gazetarësh, në numër dhe lehtë e deshifrueshme duke qenë se ekspozohet rëndom si lidere e opinionit publik. Reporterët e thjeshtë që mbledhin dhe përpunojnë lajmet, “ushtarët” e informacionit vërtet janë në Tiranë, por gjendja e tyre nuk ndryshon shumë nga gazetarët e mediave lokale. Një pjesë e madhe punojnë pa kontrata pune, me paga minimale, të pasiguruar dhe detyrohen të bëjnë disa punë njëkohësisht – njësoj si kolegët e tyre në mediat lokale. Kur ndodhin ngjarje të papritura në kryeqytet, vërtet janë reporterët që raportojnë ditë e natë nga terreni, por në fund dafinat i korrin shefat e tyre në studiot televizive dhe faqet e gazetave. E njëjta gjë ndodh me gazetarin e rretheve. Kush ia merr dorën gazetarit lokal për lajmet që përzgjedh? Askush. Madje edhe kur ndodh diçka në qytetin apo rrethin e tij dhe ai ka mundësi të evidentohet, i dërgojnë ekipin “profesionist” nga Tirana, duke e lënë sërish në hije.

Ka patur një debat që në vitet ’90 për mbylljen e degës së Gazetarisë si të panevojshme. A kemi nevojë për gazetarë të specializuar, apo na duhen profesionistë fushash të tjera të trajnuar në gazetari?

Nuk e di për kë debat në fillim të viteve 1990 e keni fjalën. Departamenti i Gazetarisë filloi nga puna në vitin 1992 dhe brezat e tij të parë sidomos kanë nxjerrë shumë gazetarë të njohur, ende aktivë në tregun mediatik. Por është e vërtetë se sa herë kritikojmë cilësinë e gazetarisë, ia mveshim këtë Departamentit të Gazetarisë. Kush studion për gazetari formohet teorikisht njësoj si bashkëstudentët e tij në shtetet perëndimore, duke qenë se përdoren të njëjtat manuale. Në të njëjtën kohë ai ka mundësi të njihet paraprakisht me gjendjen aktuale të mjedisit mediatik shqiptar përmes lëndëve praktike që bëhen nga gazetarë dhe operatorë me përvojë të medias. Puna e departamentit mbyllet te vlerësimi i studentit. Kaq. Se çfarë ndodh pastaj në terren, në kompaninë mediatike ku ata shkojnë dhe punojnë, kjo nuk është më përgjegjësia e departamentit. Socializimi kryesor i gazetarëve ndodh në redaksi që në krye të herës, në formën e bashkëveprimit të individit me kolektivin përmes “rregullash” dhe “detyrimesh” të shkruara dhe të pashkruara. Sa më shumë përfitim vetjak të shohë gazetari, aq më shumë është i prirur të futet në “kallëpin” e kolektivit ku punon. Në këtë mënyrë ai zgjedh të jetë konform politikës editoriale të redaksisë, zgjedh të censurojë veten për tema që e di paraprakisht që mund të prekin interesa të caktuara të pronarëve apo drejtuesve të tjerë të medias etj. Këto tipare përcaktojnë cilësinë e të bërit gazetari dhe jo detyrimisht fusha e studimeve të gazetarit. Personalisht mendoj se gazetar mund të bëhet kushdo që ka dëshirë ta zgjedhë këtë profesion pavarësisht studimeve të tij për inxhinieri, mjekësi, ekonomi etj. Por kushdo që dëshiron të mësojë mirë një zanat, duhet t’i njohë rregullat bazë të tij. Dhe për gjendjen e medias në Shqipëri, imagjino dikush që kalon direkt nga dega e tij në një media të caktuar dhe njeh qysh në fillim vetëm standardin që ofron ajo media që mund të jetë shumë i lartë, por edhe shumë joprofesional. Shto këtu që kompanitë mediatike në vend jo vetëm nuk ofrojnë kurse të vazhdueshme specializimi për stafin e tyre, por edhe i pengojnë ata shpesh të marrin pjesë në programe të tilla me justifikime si, mungesa e kohës, mungesa e stafit etj. Këto dhe të tjera tregojnë qartë mungesën e profesionalizmit në tregun mediatik, dhe kundrejt kësaj, studimet për gazetari dhe komunikim me gjithë ndonjë mangësi, ofrojnë një mjedis reflektimi dhe mundësi njohjeje më të thelluar të profesionit.

Flitet për zhdukjen e shtypit të shkruar, triumfin e internetit dhe pritjen e ndonjë shpikjeje tjetër, lemeria e së cilës do na mahnitë por do na lërë pa punë. A duhet të kemi frikë?

Nuk ka zhdukje të shtypit, ka vetëm transformim në një formë tjetër. Si katastrofë e jashtëzakonshme është trajtuar edhe shtypshkrimi (Gutenbergu) në shekullin e vet, apo shkrimi në antikitet. Interneti thjesht nxjerr në pah problemet më të mëdha të gazetarisë sot dhe ofrohet si një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar dhe për t’u zhvilluar një hap më tej.

Intervistoi Alfred Lela

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend