A e kanë humbur mediat besimin e publikut?

15 Mars , 2020 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Rënia e besimit të publikut tek media është bërë sot një nga temat më të nxehta të debatit publik global. Skepticizmi dhe  dyshimi ndaj medias dhe rolit të saj në shoqëri aktualisht ka arritur në nivele të papara që nga koha e lindjes së shtypit. Raporti Edelman Trust 2020 zbulon se më shumë se gjysma e publikut ndërkombëtar të anketuar (51 %) mendojnë se media i shërben interesave të një pakice njerëzish, përkundër 32 % që shprehen se media i shërben të gjithëve në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.[1] Në të njëjtin raport konstatohet se përqindja e atyre që kanë besim tek media në shumë vende perëndimore është nën 50%, pra më pak se gjysma. Kjo situatë lidhet me një numër faktorësh, ndër të cilat janë dalja në skenë e mediave të reja dixhitale ku kanë lulëzuar ethshëm fake news dhe propaganda, rizgjimi i populizmit dhe i sulmeve të politikës autoritariste ndaj mediave por edhe një nivel i lartë i klientelizmit politik dhe i varësisë nga interesat e biznesit të një pjese të madhe të mediave të reja apo tradicionale në shumë vende të botës, përfshi edhe një pjesë të vendeve perëndimore.

Vala e sulmeve dhe e erozionit të besimit ndaj medias nuk vonoi të prekte edhe ekosistemin mediatik shqiptar. Nën ndikimin dhe modelin e lidershipit të disa prej vendeve perëndimore, në Shqipëri kanë nisur të shfaqen disa shenja të populizmit që kanë ndikuar si në nivelin e lirisë së mediave edhe në shkallën e besimit të publikut në të. Në diskursin e lidershipit politik shqiptar jo rrallë është konstatuar një ligjërim denigrues ndaj medias, i shprehur qartësisht në metaforën e “kazanit” që kryeministri aktual shqiptar përdor në argumentin e vet kundër disa mediave apo aktorëve të komunikimit masiv. Ky ligjërim nga njëra anë, duket se ka rritur presionin ndaj zërave kritikë në media, dhe nga ana tjetër, si rrjedhojë ka thelluar kontrollin e politikës ndaj medias. Por njëherësh ai ka patur ndikimin e vet edhe në një lloj rënie të besimit tek media. Ndërkohë, disa zhvillime të viteve të fundit në median shqiptare, si rritja e partizanizmit politik dhe përhapja në shkallë të gjerë e fake newse kanë lëkundur më tej besimin e publikut.

Në diskursin akademik dhe mediatik, termi “media trust” ka patur përkufizime të ndryshme nga njeri autor tek tjetri. Gjithashtu janë përpunuar dhe aplikuar edhe metodologji të ndryshme për matjen e tij. Në këtë artikull ne do të përpiqemi të shohim situatën e krizës së besimit ndaj medias në Shqipëri në disa dimensione, siç janë, lidhja e “media trust” me nivelin e lirisë së shprehjes dhe të shtypit, krahasimi i besimit ndaj medias me atë ndaj institucioneve të tjera publike, diferencat e besimit nga një lloj medieje në tjetrën, nga njëri aktor mediatik tek tjetri, etj.

Studime të ndryshme kanë provuar se ekziston një korelacion mes nivelit të lirisë së mediave dhe nivelit të besimit të publikut në të.Sa më të lira dhe të pavarura të jenë mediat në një vend, aq më i lartë është besimi i publikut tek to. Freedom House, në raportin e vitit 2019 e klasifikoi Shqipërinë sërish si një vend pjesërisht të lirë, ndërsa organizata Reporterët pa Kufij (Reporters Without Borders) në renditjen e vet të indeksit të lirisë së shtypit për vitin 2019, e vendos Shqipërinë në vendin e 82 ndërmjet 180 shteteve, duke e klasifikuar kësisoj si një vend me media pjesërisht të lirë. Një shenjë e qartë e përpjekjeve për të ndikuar apo limituar lirinë e shprehjes dhe të mediave në vend është edhe ligji antishpifje i propozuar së fundmi nga maxhoranca e sotme parlamentare.

Kjo situatë shfaqet dhe reflektohet edhe tek perceptimi i publikut shqiptar për lirinë e medias në vend. Vlerësimi i publikut, i testuar në sondazhin kombëtar të Institutit Shqiptar të Medias (ISHM) i kryer gjatë muajve Janar-Shkurt 2019 vjen në të njëjtën linjë me vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare.Rreth gjysma e publikut të anketuar (48.3%) shprehen se mediat në Shqipëri janë disi të lira. Gjithashtu, në një numër të konsiderueshëm janë edhe ata që shprehen se mediat shqiptare janë pak të lira (29.9%) dhe aspak të lira (15.4%).

Burimi: Sondazhi kombëtar i ISHM, i organizuar në Janar-Shkurt 2019

Pra në rastin e Shqipërisë jemi në situatën e një vendi me liri të pjesshme dhe që ka një media pjesërisht të lirë. Në këto kushte dhe si rrjedhojë nuk mund të pritet që media të ketë besimin e plotë të publikut. Në këtë këndvështrim rënia e besimit tek media është në radhë të parë kosto dhe pasojë e sistemit politik të aplikuar në Shqipëri, e sjelljes së pushtetit ndaj medias dhe e mjedisit shoqëror në të cilin zhvillohet ajo. Kjo verifikohet edhe prej perceptimit të publikut të anketuar në sondazhin e mësipërm.Sondazhi hedh dritë dhe konfirmon praninë e trysnisë që ushtrohet nga politika në drejtim të medias. Për tre të katërtat e të anketuarve, është politika që ndikon më shumë tek mediat sesa mediat tek politika.

Kjo klimë politiko-shoqërore ka prodhuar apo ka ndikuar edhe tek  problemet më të mëdha të mediave shqiptare, që identifikohen edhe prej publikut shqiptar të anketuar në sondazhin e ISHM, sic janë njëanshmëria, partizanizmi, klientelizmi politik, varësia nga interesat e biznesit të pronarëve të medias si dhe dhuna verbale dhe kërcënimi fizik ndaj gazetarëve.

Mbizotërimi i problemeve të tilla mjaft serioze për funksionimin e medias dhe për përmbushjen e misionit të saj publik shpjegon faktin se pse mediat shqiptare janë pjesërisht të lira.Nga ana tjetër, prania e problemeve të tilla në krye të listës së problemeve dëshmon për mangësi dhe sfida serioze në aspektin e lirisë dhe pavarësisë së tyre. Dhe jep një shpjegim edhe për besimin e limituar të publikut në to.

Niveli i besimit të publikut tek media përcaktohet në një masë të madhe nga niveli i përmbushjes së misionit publik të saj dhe nga cilësia dhe standartet e mesazhit dhe të produktit mediatik.Vecanërisht kur media dështon të jetë, qoftë edhe pjesërisht, përfaqësuese dhe mbrojtëse e interesit publik, fillon të shfaqet edhe kriza e besimit.

Një pyetje fondamentale që mund të bëhej në këtë kuadër dhe që lidhet me besimin e publikut ndaj medias është: Sa dhe si i ka shërbyer media në Shqipëri demokracisë dhe demokratizimit të vendit? Sondazhi i ISHM zbulon se publiku shqiptar në shumicën dërrmuese (70%), vlerëson se mediat kanë një rëndësi të madhe për demokracinë e një vendi. Por, edhe pse i njohin medias në përgjithësi një rol shumë të rëndësishëm në raport me demokracinë, rreth gjysma e të anketuarve(48.6%)  shprehen se mediat shqiptare i kanë shërbyer disi demokracisë dhe interesit publik, përkundër vlerësimit minimal apo në një shkallë të madhe që zënë secili rreth një të katërtat e të anketuarve. Gjithashtu, rreth gjysma e publikut (46.4%) shprehen se mediat kanë ndikuar disi në luftën kundër korrupsionit. Kësisoj publiku i njeh medias një kontribut të pjesshëm në luftën ndaj korrupsionit, duke ekspozuar një mangësi të konsiderueshme në këtë aspekt të misionit publik të saj. Kjo reflekton deficitet e medias shqiptare në raport me demokracinë dhe flet për një rol të kufizuar në zhvillimin dhe mbrojtjen e saj.

Imazhi i medias tek publiku lidhet edhe me shkallën e përhapjes së korrupsionit në radhët e vetë medias. Sipas perceptimit dhe vlerësimit të publikut, mediat dhe gazetarët kanë qënë të ekspozuara në një masë jo të vogël ndaj korrupsionit. Për 35% të të anketuarve, mediat dhe gazetarët janë disi të prekur nga korrupsioni, kurse për 37.3% të tyre ato janë shumë të prekura nga korrupsioni. Ndikimi i pamjaftueshëm në luftën ndaj korrupsionit nga njëra anë, dhe niveli i konsiderueshëm i prekjes nga korrupsioni edhe të vetë mediave bëjnë që të cënohet imazhi i tyre tek publiku dhe të ulet besimi tek to.

Për t’i shpëtuar kurthit të gjykimit “en bloc” të medias një rekomandim i dobishëm do të ishte që besimi i publikut të shqyrtohej edhe sipas llojeve të medias, për të parë se cila prej tyre është më e besueshme. Në këtë aspekt është me vlerë që të shohim diferencat mes mediave tradicionale dhe mediave të reja, por edhe diferencat mes vetë mediave tradicionale. Të dhënat empirike në Shqipëri për këtë lloj analize mungojnë, kështu që, për t’i shpëtuar gjykimit subjektiv, po i referohemi sërish sondazhit të ISHM. Cilat janë të rejat që sjell ai në këtë drejtim?

Rezultatet verifikojnë se televizioni është media që gëzon besimin më të lartë të publikut krahasuar me kategoritë e tjera të mediave, duke patur një koeficient që është mes nivelit mesatar dhe të lartë të besimit.Radioja dhe gazetat renditen në nivelin mesatar të besimit të publikut, duke konfirmuar faktin që mediat tradicionale vijojnë të mbeten mediat më të besueshme për publikun. Për sa i takon mediave vetëm online të lajmeve dhe mediave sociale, ato kanë një nivel besueshmërie nën mesataren.

Nga 1 deri në 10 (ku 1 = fare dhe 10 = maksimalisht), sa besoni në mediat e mëposhtme, kur bëhet fjalë për informimin e plotë, të saktë dhe të paanshëm

Burimi: Sondazhi kombëtar i ISHM, i organizuar në Janar-Shkurt 2019

Një situatë e ngjashme e besimit tek llojet e ndryshme të mediave ekziston edhe në vendet e BE. Edhe në këto vende, mediat tradicionale, sipas një sondazhi të EBU, vijojnë të kenë nivelin më të lartë të besimit krahasuar me mediat online[2]. Ndryshimi i vetëm në krahasim me Shqipërinë është se në krye të renditjes së besueshmërisë në vendet e BE gjendet radioja dhe pas tij vijnë televizioni dhe gazetat.

Diferenca të besimit verifikohen edhe mes kategorive të ndryshme të burimeve njerëzore të medias. Në sondazhin e ndërmarrë, nivelet dhe kategoritë e ndryshme të stafit të mediave janë testuar për besimin tek to në bazë të kritereve të pavarësisë dhe të paanshmërisë.

Nga 1 deri në 10 (ku 1 = fare dhe 10 = maksimalisht), sa besoni në kategoritë e mëposhtme të burimeve njerëzore të medias, kur bëhet fjalë për pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre

Burimi: Sondazhi kombëtar i ISHM, i organizuar në Janar-Shkurt 2019

Tek publiku shqiptar, siç rezulton edhe nga sondazhi, gazetarët e terrenit verifikohet të kenë nivelin më të lartë të besimit (me koofiçient besimi 5.94) të ndjekur në renditje nga spikerat e lajmeve (5.85). Moderatorët e talk shoë-t politik gëzojnë një nivel besimi mesatar, ndërsa pjesa vendimmarrëse e mediave, përfshi këtu pronarët, drejtorët, kryeredaktorët, redaktorët, por edhe edhe analistët dhe opinionistët, kanë nivelin më të ulët të besimit të publikut, kur bëhet fjalë për pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre.

Kur analizojmë besimin e publikut shqiptar ndaj medias, një metodologji e mirë studimi dhe referimi do të ishte krahasimi i besimit ndaj medias me atë ndaj institucioneve të tjera publike. Si paraqitet besimi ndaj medias krahasuar me besimin ndaj shkollës, institucioneve fetare, policisë, gjykatave, qeverisë, parlamentit,etj., kur bëhet fjalë për shërbimin ndaj interesit publik? Sondazhi qe kemi përmendur më sipër zgjon një lloj optimizmi lidhur me pozicionin e medias. Ky sondazh verifikon se vetëm dy institucione publike në Shqipëri kanë besueshmëri më të lartë se sa media: shkolla dhe institucionet fetare. Kurse institucionet e tjera publike renditen poshtë saj. A është ky një lajm i mirë? Natyrisht që po.

Nga 1 deri në 10 (ku 1 = fare dhe 10 = maksimalisht), sa besoni tek institucionet e mëposhtme kur bëhet fjalë për shërbimin e tyre ndaj interesit publik:

Burimi: Sondazhi kombëtar i ISHM, i organizuar në Janar-Shkurt 2019

Një nivel më i lartë i besimit ndaj medias se sa ndaj qeverisë përshembull do të thotë se media është ende në anën e duhur të frontit dhe po shfaq shenja rezistence ndaj manipulimit prej institucioneve të pushtetit politik dhe të gjyqësorit. Në anën tjetër bie në sy kredibiliteti i ulët i partive politike tek publiku, të cilat verifikohen të kenë një nivel besimi edhe më të ulët se sa organet e drejtësisë. Paradoksalisht, pesë institucionet që kanë peshën më të madhe vendimmarrëse për shërbimet ndaj interesit publik, shënojnë edhe nivelin më të ulët të besimit të publikut. Ndërsa niveli relativisht më i lartë i besimit tek media mund të lexohet si një ogur i mirë që rrit shpresën se media do vijojë të kryejë misionin e saj në mbështetje të interesit publik.

——————-

[1]https://www.edelman.com/sites/g/files/aatuss191/files/2020-01/2020%20Edelman%20Trust%20Barometer%20Global%20Report.pdf

[2]Trust in media 2018, EBU – European Broadcasting Union, 2018, Link:https://www.ebu.ch/publications/trust-in-media-2018

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend