Nga Pishak Zhgaba.
Tashmë është e qartë se mediat shqiptare e paraqesin figurën femërore kryesisht nëpërmjet modelit të trupit të sendëzuar (objektifikuar). Në këtë paraqitje mediatike japin kontributin e vet edhe rrjetet sociale.
Por si ta dallojmë procesin e sendëzimit në sferën mediatike shqiptare? Mjafton t’i vrojtojmë mediat online për një periudhë të shkurtër kohe: trupi femëror, nga personazhet e njohura tek vetëshkrepjet anonime, paraqitet me fizicitet të skajshëm, shpeshherë në trajtë porn-soft-i. Nga ana tjetër, shtimi i njoftimeve dhe i imazheve me shënimin e moshës (+16 ose +18) tregon çdo ditë e më shumë degradimin e informacionit drejt kitsch-it pornografik.
Procesi i sendëzimit ka të bëjë me degradimin e trupit femëror në nivel objekti dhe njëkohësisht dehumanizimin e saj, pra eliminimin e karakteristikave të saj si person. Mediat shqiptare dhe rrjetet sociale kanë kohë që janë mbytur nga pseudolajme plot me “provokime”, “poza hot”, “nxehje temperaturash”, “forma bombastike”, “shpërthime nudo”, “mbathje të hequra”, “të pasme fantastike”, “gjoks shpërthyes”, “thithka të zbuluara”, “pamje që nuk i lënë vend fantazisë”, e kështu me radhë.
Procesi i sendëzimit shkon përtej subjektit sendëzues, në kuptimin që vepruesi mund të jetë një person me gjini mashkullore, një media, vetë femra, ose ndonjë aktor tjetër. Rëndësi ka qëllimi i veprimit që e shndërron trupin në send, pra e redukton në maksimum personin femëror. Mirëpo sendi nuk është vetëm i pajetë, është edhe i përdorshëm.
Për ta kuptuar vështrimin sendëzues (objektifikues) na vjen në ndihmë artikulimi i konceptit të përshkruar nga filozofja Martha Nussbaum, që e ka trajtuar çështjen e trupit të femrës kryesisht nga pikëpamja seksuale.
Disa prej nocioneve të sendëzimit janë fare të qarta në mediat shqiptare. Të tjera duhet të evidentohen më tej. Por ka që edhe mungojnë e presin të hulumtohen.
Midis instrumentalitetit, mohimit të autonomisë, inercisë, ndërkëmbyeshmërisë, dhunueshmërisë, pronësisë, mohimit të subjektivitetit, pra shtatë nocioneve të shpjeguara nga Nussbaum, mund të shkëputeshin tre prej tyre *.
Ndërkëmbyeshmëria, pra aftësia e sendëzuesit për ta këmbyer “objektin” me të tjera, dallohet edhe në nivel të imazhit. Femrat paraqiten në media në mënyrë të atillë që mund të zëvendësohen pa problem me të tjera, madje pa e dalluar veprimin e këmbimit. Në këtë pikë kanë ndihmuar pa dyshim edhe kirurgjia plastike e ndërhyrjet e ndryshme estetike, që anojnë standartizimin e figurës femërore, kur nuk i lihet në dorë photoshopit të radhës që vepron ftohtësisht mbi fotografi, por në thelb konfirmon modelin social të bukurisë.
Efekti i ndërkëmbyeshmërisë shkon krahas me atë të dhunueshmërisë, për sa kohë figura femërore paraqitet me pjesë të saj, kryesisht lakuriqe, krejt të zëvendësueshme me të tjera, çka e shndërron metaforikisht sendëzuesin në një farë mishtari (kasapi), që e shikon trupin në pjesë të ndara, madje e përfytyron të tillë që kur është i gjallë. Mishtar që e peshon me sy, pastaj e ndan në copa dhe e vendos në çengel për shitje; sikurse bëjnë disa media që vendosin në vitrinën e vet kofshë, gjokse, të pasme e tule të ndryshme. Këto paraqitje, që serviren rëndom si erotike (por që e fyejnë erotizmin e njëmendtë) janë në dëm të femrës dhe figurës femërore, që nuk ka të bëjë aspak me këtë përfaqësim mediatik e pamor.
Rezultati i këtyre veprimeve është natyrisht mohimi i subjektivitetit, sepse shndërrimi i femrës në objekt mohon identitetin e saj, që shkon përtej pamjes së jashtme. Pamjet ekzibicioniste magnetizojnë instinktet dhe anulojnë ndjenjat e përvojat e subjektit. Aktori i sendëzimit jo vetëm nuk i merr parasysh ato, por as që i pranon si ekzistuese. Në radhë të parë vjen kënaqësia personale dhe përdorimi i “objektit” për atë qëllim. Të tjerat nuk kanë rëndësi.
Procesi i sendëzimit mund të shihet edhe më gjerë, pra në trajtë modeli social, përtej pamjeve pornografike o të ngjashme me to. Fundja, në themel të sendëzimit ekziston përdorimi i paskrupullt i trupit femëror për qëllime të ndryshme, duke filluar nga ai seksual, por jo vetëm. Ndaj edhe nuk mund të jetë larg as përdorimi i hijeshisë femërore për arsye politike ose ekonomike, siç mund të ketë ndodhur në politikën dhe ekonominë shqiptare. Edhe në këto procese të fundit dallohet karakteri instrumental i veprimit, në thelb maskilist, sikurse tendenca për ta konsideruar femrën si pa iniciativë dhe autonomi.
Problemi është se shndërrimi i trupit femëror në send të jep iluzionin e lirisë, çka prek edhe femrat vetë, duke krijuar premisat e vetësendëzimit. Në këtë pikë femra mund të shihet fare mirë si një viktimë e mendësisë dominuese, qoftë edhe kur duket e vetëdijshme. Iluzioni i lirisë shpjegon së fundi edhe selfiemaninë që ka prekur brezat e sotëm, që jo vetëm postojnë pa fund pamje ekspozuese, por edhe i krahasojnë ato me të tjera, nga modeli i thjeshtë i komshies deri tek modelet emainstream; krahasime që nuk janë pa kosto psikologjike e sociale.
Sendëzimi i transformuar në model mediatik kushtëzon si daljen në media, ashtu edhe shikueshmërinë, sikundër lë në hije, nëpërmjet monopolizimit, modele të tjera të përfaqësimit të trupit femëror.
Suksesi i sendëzimit në botën shqiptare, midis të tjerash, mund të shpjegohet me transplantimin mekanik e pa filtra të fenomenit nga bota perëndimore, kurse lulëzimi i tij duhet parë si efekt i humusit të patriarkalizmit tradicional e maçizmit mashkullor.
Shoqëria shqiptare nuk mund t’ia lejojë vetes reduktimin e figurës femërore, sepse humbja që do të pësonte do të ishte e papërballueshme nga pikëpamja sociale e kulturore. Sendëzimi i trupit të femrës kalon në plan të dytë feminilitetin shumëpërmasor, përveçse errëson karakteristikat e personit, si inteligjenca, aftësia, kompetencat, personaliteti, kultura, identiteti… Pasuri e jashtëzakonshme, pa përmendur poezinë që ajo përfaqëson e frymëzon.
* Nussbaum, Martha C, Objectification, Philosophy and Public Affairs; Fall 1995. ff. 249-291. Filozofja amerikane i rendit kështu: instrumentality, denial of autonomy, inertness, fungibility, violability, ownership, denial of subjectivity.Shih http://www.mit.edu/~shaslang/mprg/nussbaumO.pdf