Mediat shqiptare dhe tragjedia e Himarës

30 Maj , 2012 • Etika dhe Cilësia, Profesionalizmi në media • by

Dy studentë të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, Juxhin Mustafaraj dhe Riselda Ahmeti, analizojnë punën e medias pas aksidentit të 21 majit në Himarë, në të cilin humbën jetën 13 persona. Deri më sot vazhdojnë kritikat ndaj medias për mosprofesionalizmin e saj në raportimin e kësaj tragjedie. Riselda Ahmeti flet për një politizim dhe bulevardizim të skajshëm të ngjarjes. Ndërsa Juxhin Mustafaraj e vë theksin te mungesa e etikës dhe gabimet e gazetarëve gjatë transmetimeve live apo në shtyp.

Skoop-i përpara profesionalizmit

Nga Juxhin Mustafaraj

Tashmë që kanë kaluar disa ditë nga rrëzimi i autobusit me rreth 40 studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në humnerë, me pasoja fatale për 13 persona, dhe ekspertët e fushës merren ende me kërkimin e shkaqeve dhe arsyeve reale që shkaktuan aksidentin, në rrethet gazetareske ende po diskutohet mbi cilësininë dhe profesionalizmin, me të cilin media e përcolli tragjedinë e Himarës.

Analisti Mustafa Nano, një ditë pas kësaj ngjarjeje, botoi në disa të përditshme shqiptare, shkrimin me titull: “A dimë të sillemi ne, gazetarët, në një tragjedi?” Nano e vë theksin tek profesionalizmi i ulët i shumë gazetarëve dhe televizioneve që më shumë rëndësi i kushtonin figurave politike, mesazheve ngushëlluese apo vizitave të tyre në spitale, se vetë ngjarjes. Ndërkohë, si përgjigje ndaj shkrimit të M.Nanos, por edhe në rolin e dëshmitares së realitetit mediatik, Anila Basha, drejtuese e gazetës “Shqiptarja.com”, botoi në portalin ResPublica një koment, “Leksione gazetarie nga shefat”, me anë të të cilit, fajësonte drejtuesit dhe kryeredaktorët e televizioneve, si përgjegjësit kryesorë për shumë nga problemet që shoqëruan orët e gjata të transmetimit live, duke dhënë urdhra të pakoordinuar, dhe duke i dërguar gazetarët sa te spitali ushtarak, në vendngjarje, dhe sa nga njëra e shtruar në spital, në tjetrën.

Është e kuptushme që presioni i kohës dhe dëshira për të qënë të parët ka krijuar pjesën më të madhe të problemeve në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje.

Nga sa kam ndjekur unë personalisht, problemet nisën që në momentin kur u mor vesh lajmi se një autobus me targa të Elbasanit është rrëzuar në humnerë. Kryesisht stacionet që transmetojnë 24 orë lajme si News 24 apo Ora News nxituan ta jepnin lajmin, edhe pse kishin shumë pak informacione. Fillimisht u lajmërua se një autobus i shkollës së mesme “Mahir Domi” në Elbasan ishte nisur për në Sarandë. Titrat që ndërroheshin minutë pas minute shkruanin: “Autobusi me nxënës të gjimnazit Mahir Domi bie në humnerë”. Pak minuta më pas ishin po këto media që përgënjeshtruan vetveten, duke i zëvendësuar nxënësit e shkollës së mesme me studentët e degës së “Gjuhë-Letërsisë“, të universitetit „Aleksandër Xhuvani“, të cilët ishin nisur për një ekspeditë mësimore. Pasojat që lajmi mund të ketë sjellë te prindërit e gjimnazistëve që nuk kishin fare lidhje me këtë ngjarje, askush nuk i merr parasysh. Një tjetër tregues i mungesesës së profesionalizmit ishte edhe publikimi nga media, i listave me emrat e studentëve që ishin pjesë e ekspeditës, por që në të vertetë dolën se ishin listat emërore të studentëve të regjistruar te dega e Gjuhë-Letërsisë. Sic deklaruan më vonë vetë gazetarët, kishin marrë telefonata nga prindërit dhe familjarët që kërkonin me ngulm të hiqeshin nga titrat emrat e vajzave të tyre, të cilat nuk kishin shkuar fare në ekspeditë. Edhe në këtë rast, media prodhoi me apo pa dashje, dhimbja, ankthi dhe turbullira. Për të mos folur pastaj për numra apo identitete, ku c’thoshte një televizion nuk e thoshte një tjetër. Jam habitur se si gazeta “Panorama”, më e madhja në vend, shkruante në faqe të parë: “Ekspedita e vdekjes. Bie autobusi. Humbin jetën 11 persona”, ndërkohë që në faqet e brëndshme të saj flitej për 13 viktima. Por raste ku shifrat ishin kontradiktore ka pasur pa fund në shtypin dhe median e asaj dite. Një vajzë u deklarua e vdekur, por pas pak edhe ky lajm u përgënjeshtrua, kur u mësua se vajza ndodhej në spitalin privat “Hygea”.
E plot raste të tjera. Sigurisht nga ana tjetër, raportimi i medias bëri që shteti të ngrihet në këmbë dhe të vihet në lëvizje në mënyrë që pasojat e tragjedisë të mos vazhdonin më tej. Por, rastet e mësipërme duhet të shërbejnë si mësime shumë të vlefshme për mënyrën e të sjellurit në fatkeqësi të tilla. Sepse gazetari duhet të mendojë dhe të sillet gjithmonë me profesionalizëm të lartë, përpara se vihet në garë se kush ta bëj “skoop-in” i pari…

***********

Tragjedia e Himarës dhe bulevardizimi i dhimbjes

Nga Riselda Ahmeti

Më 21 maj 2012 në Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës ndodhi aksidenti, ku humbën jetën 13 persona, ndër ta 11 studente, shoferi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej studenteve. Pjesa tjetër e studentëve shpëtuan, edhe pse me plagë të shumta në trup dhe kujtime te tmerrshme nga vdekja e 13 bashkëudhëtarëve. Të gjitha mediat,u sulën drejt këtij lajmi si hienat që sapo kanë gjetur prenë e tyre dhe nuk duan t’u shpëtojë. Disa me transmetime live nga vendngjarja, disa me lidhje direkte nga spitalet ku u dërguan viktimat, të tjerë nga morgu i Vlorës, ku ishin të vdekurit, kush e kush të merrte i pari informacionin dhe ta dërgonte në redaksitë e televizioneve të tyre.

Ngjarja për mendimin tim, u shfrytëzua më tepër nga ç’duhej. Një ditë më pas të gjitha gazetat kishin shkruar për aksidentin tragjik me tituj bombastikë, tituj bulevardeskë. Në gazetën ”Shqip”, titulli kryesor i datës 22.05.2012 ishte: “Himarë, studentët në humnerë, 14 të vdekur”. Nëntitull: “Rrëfimet e tmerrit, ku studentët e përgjakur klithnin në autobusin e rrënuar.” Nëntitulli sidomos nxjerr në pah përfshirjen emocionale të gazetarëve në atë që shkruajnë. Gazeta “Shekulli” hapet me titullin: “Shqipëria gdhihet mes lotëve e qirinjve”, në foton kryesore që mbulon 3\4  e faqes së parë paraqitet një grup studentesh duke ndezur qirinj dhe me lot me sy. Me kalimin e ditëve, titujt e po këtyre gazetave janë edhe më letrarë, më emocionalë. P.sh. në gazetën “Shqip” (dt 23.05.2012) shkruhej:” Trembëdhjetë viktimat e Himarës, premtimet e fundit dhe pengjet e familjarëve.” ”Nuk ndahej kurrë nga e fejuara e tij studente”; “Kaosi, ngatërrohen trupat e pajetë të Dorinës me të Erjolës”; ”Tragjedia, disa luten, të tjerë hapin dyert e zisë”. Në gazetën “Shekulli“ kemi: “Lamtumirë Eranda Baloshi, Elsa Daka, Erjola Xhoi, Ermira Mana, Denisa Guzi, Lindita Kabashi, Juliana Tola…!” “Shoferi uluriti, tha se nuk kishte frena”     Pothuajse të gjithë titujt janë me nuanca të forta emocionale.

Etiketime të tilla si: autobusi i vdekjes, dashuria e ndërprerë në mes, Shqipëria në të zeza, llokume që ndahen në vdekje, vdekje në vend të dasmës, e të tjera si këto, ishin prezente si në median e shkruar, ashtu edhe në atë televizive. Por në sy ra edhe politizimi i skajshëm i ngjarjes. Tituj të tipit: “Kreu i opozitës dhuron gjak, kryeministri i dërgon ngushëllime familjarëve, Jozefina Topalli viziton të plagosurit, etj, u futën krejt pa vend në ato momente të tensionuara, kur familjarët ende nuk kishin marë vesh se kush kishte vdekur e kush ishte ende gjallë. Kujt i interesonte se çfarë thoshin politikanët? Në garë për të nxjerrë lajmin të parët u bënë mjaft ngatërresa me emrat e të vdekurve dhe të plagosurve. Herë nxirreshin emrat e herë hiqeshin, me pretekstin që akoma nuk kishin dalë listat zyrtare. Dorina Stafa nga Kruja një prej viktimave, një herë u shpall si e plagosur dhe në vend të saj u nxor emri i një tjetër vajze dhe pak më vonë u shpall si e vdekur, ndërsa vajza tjetër e gjallë. Mediat deklaruan se vajza që kish shpëtuar, kish shqiptuar emrin e Dorinës si të fundmen thirrje për shoqen e saj dhe mjekët e kishin identifikuar me emrin e saj. Moment më i papërshtatshëm për të bërë ngatërresa të këtij lloji.

Media e vuri sërisht gishtin në plagë në një tjetër pikë: shumë elementë të jetës private të viktimave u bënë publike dhe kjo, jo për të informuar, por për të bërë audiencë. A duhet vallë të tregonin që njëra nga vajzat mori pensionin e gjyshes për të ikur në ekspeditë? Po statuset nëpër rrjetet sociale që kishin publikuar viktimat pak orë para tragjedisë kujt i hynin në punë? Gjithashtu janë bërë vizita nëpër shtëpitë e të vdekurve ditën e varrimit dhe tregohet se si familjarët kanë qarë për ta. Kjo gjë dihet! Kur vdes dikush gjithkush qan.

Tani, një javë pas aksidentit, shumë pak tituj i kushtohen tragjedisë, që na bën të dyshojmë se ngjarja fillimisht është shfrytëzuar për t’u lënë më pas në harresë, si çdo ngjarje tjetër.

Send this to a friend