Problemeve me raportimin duket se nuk mund t’u shpëtojë as gazetaria sportive.
Kjo u pa qartë gjatë transmetimit të EURO 2012-ës. Një sërë emisionesh televizive ishin mobilizuar për të komentuar secilën nga ndeshjet që luhej. Besnik Dizdari, gazetar i vjetër sportiv dhe me përvojë, në shkrimin e tij botuar në gazetën “Panorama Sport” tematizon formalitetin e këtyre programeve, me ekspertë dhe të ftuar që ishin larg profesionalitetit të kërkuar. Dizdari e titullon shkrimin e tij “We report, you decide!” (Ne raportojmë, ju vendosni!) duke cituar sic thotë vetë, një parim të njohur të medias së Rupert Murdoch-ut, sipas të cilit përparësia në gazetari i jepet para së gjithash informacionit dhe cilësisë së tij.
Në këtë kontekst, thotë Dizdari, duket sikur gazetaria sportive televizive në Shqipëri po goditet keqas nga “analisti” apo “opinionisti” televiziv. “Të gjithë njësoj, të gjithë në një ton, të gjithë kompetentë euforikë deri në skaj, në histori, në taktikë e teknikë, parashikime etj. Dhe, mbi të gjitha, e papranueshme për një gazetari serioze: thuajse çdo i ftuar, puna e parë që duhej të bënte, ishte që të shpallej se tifoz i cilës skuadër ishte. Ai e njësonte (identifikonte) veten me skuadrën e shtetit tjetër me një lloj të drejte juridike, si të ishte me pasaportë italiane, angleze, gjermane, spanjolle a holandeze!”
Analisti sportiv që ulet në studiot televizive shqiptare, sipas Dizdarit, “me ndonjë përjashtim të vogël, nuk ka histori për të treguar”. Të ftuarit, për Dizdarin, qofshin këta “profesorë”, “studiues”, “sociologë”, “pedagogë”, “politikanë”, “deputetë”, “ministrorë”, “ambasadorë”, “trajnerë”, “doktorë”, “kuadro”, ftohen me moton se ky sport prek me admirimin e tij të gjitha shtresat e popullsisë, por në fakt kanë pak lidhje me futbollin.
Një element tjetër problematik i gazetarisë shqiptare sportive është sipas autorit, është tendenca e gazetarit/gazetares për të ndikuar te publiku përmes opinioneve krejt vetjake (personal), pa argumente, “mbi të gjitha, pa shtjellimin përmes fakteve e dukurive, qoftë edhe të asaj çka në të vërtetë ndodhi në fushën e lojës”.
Figura e analistit sportiv të EURO 2012-ës në studiot “e njëtrajtshme shqiptare” sipas Dizdarit mund të përkufizohet në këtë mënyrë: “Unë mendoj”, “unë gjykoj”, “unë them”, “unë pohoj”, “unë deklaroj këtu”, “unë nuk jam dakord”, “unë jam tifoz i Spanjës”, “unë adhuroj futbollin e…”, “Italia s’ka skuadër”, “Anglia ka mbaruar…”! Vetëm “unë”!
Autori e krahason realitetin e emisioneve sportive shqiptare “pa bosht” me emisionet e televizionit publik të Gjermanisë, “ZDF”, ku në mënyrë të veçantë spikat për të, “ndjenja e masës”: Studio e bartur në natyrë dhe përpara shikuesve të panumërt, dy njerëz: gazetarja Katrin Muller-Hohnstein dhe portieri historik i Gjermanisë, Oliver Kahn. Shkëmbimi mes gazetares, komentatorit direkt të ndeshjes dhe dialogu në pushim me portierin e famshëm, pa kaluar masën, me natyrshmërinë dhe pa euforinë e studios shqiptare, është për Dizdarin, modeli që mund të ndiqnin gazetarët tanë në të ardhmen, në “stinën e re sportive shqiptare të 2012-2013 që po nis”.