Modeli hibrid i mediave në Rumani

25 Mars , 2018 • Kryesoret, Modele Biznesi, Shkrimet më të fundit • by

Në fillim të viteve 2000, si edhe vendet e tjera të Europës Qendrore e Lindore, Rumain kishte një terren mediatik të komplikuar. Manjatët e medias investonin shuma marramendëse parash në media qartësisht komerciale që nuk ofronin mundësinë për të provuar efektiviteitn ekonomik të tyre. Investimet e huaja në media ishin zmbrapsur dhe segmenti i mediave që ofronte lajme cilësore sa vinte e zbehej.

Në këtë peisazh të zymtë, për shumë gazetarë të ndershëm e vetmja mënyrë për të vazhduar më tej ishte që të braktisnin mediat tradicionale komerciale dhe të ndërmerrnin përpjekje bashkëpunuese të pavarura. Ata eksploruan internetin si një kanal i ri i shpërndarjes, nisën të punojnë si freelance, përdorën kuadrin jo-fitimprurës ose punuan drejtpërdrejt në partneritet me sektorin e shoqërisë civile.

Si e ndryshuan organizatat jo-fitimprurëse terrenin mediatik në Rumani

Prej më shumë se një dekade, konceptet, praktikat dhe modelet e tyre të financimit po vijojnë të rezistojnë. Siç na thonë Cristian Lupșa dhe Adrian Lungu, nga revista  Decât o Revistă, kuadri jo-fitimprurës po përdoret gjithnjë e më shumë nga mediat, sidomos nga mediat jo-tradicionale dhe ato që sapo nisin. Modeli është në një linjë me misionin filozofik të shtypit dhe idenë e përgjegjësisë publike.

Aktualisht Rumania ka shumë qendra jo-fitimprurëse investigative me lidhje ndërkombëtare si

Rise Project, pjesë e projektit The Organised Crime and Corruption Reporting Romanian Centre for Investigative Journalism (CRJI), që u bë pjesë në themelimin e The Global Investigative Journalism Network, apo entitete të tjera me financim nacional, si The Centre for Media Investigations. Ekzistojnë gjithashtu edhe OJF që merren me storytelling dhe me raportime speciale, si Decât o Revistă dhe Dela0, apo ndërmarrje origjinale bashkëpunuese si Casa Jurnalistului.

Krahasuar me modelin tradicional konkurues, këto shembuj të gazetarisë bashkëpunuese të pavarur janë më të hapur për bashkëpunimin vendor dhe atë ndërkombëtar. Shembuj të mirë në këtë kontekst janë Rise Project dhe OCCRP, që ofrojnë hapësirë  për gazetarët dhe kanë qenë pjesë e projekteve ndërkombëtare, përfshi edhe projektin Panama Papers që fitoi çmimin Pulitzer.

Nxitje për shumë nga këto histori suksesi u bënë fillimisht zhvillimet që lidheshin me gazetarinë investigative. Shpërthimi erdhi pasi u kuptua që, si në nivel rajonal edhe në nivel ndërkombëtar, shumë fondacione dhe truste ofronin mbështetje për projektet investigative. Në këtë mënyrë lindi në Rumani sektori jo-fitimprurës investigativ, duke sjellë një furtunë në skenën investigative kombëtare që çoi deri afër zhdukjes mjaft entitete dhe organe investigative tradicionale. Por gjithsesi suksesi i pamasë i inisiativave të tillë vijon të mbetet i rrethuar nga skepticizmi.

Vështirësitë e gazetarisë së pavarur: E ardhmja mbetet e paqartë

Pavarësisht konkurencës dhe faktit që shihet si më i lehtë se inisiativat e kuadrit komercial dhe se është më i rakorduar me kuptimin e orientimit publik të medias, modeli i pavarur ka sërish problemet e veta.

Për disa, mediat jo-fitimprurëse dhe të tipit freelance e kanë të vështirë të jetojnë gjatë në terma financiarë. Siç shpjegon Ștefan Cândea, bashkëthemelues i CRJI, “që të jenë të qendrueshme ato duhet të jenë komerciale dhe jo jo-fitimprurëse. Nëse ato varen nga donacionet, nuk mund të jenë të qendrueshme”.

Disa organizata janë të afta që të thithin grante apo sponsorizime të mëdha, por ato nuk mund të bazohen tek to në plan afatgjatë. E vetmja mënyrë për të patur qendrueshmëri afatgjatë është që të kenë një format komercial të qenësishëm. Kjo, megjithatë, vjen në kundërshtim me kuadrin jo fitimprurës / të pavarur.

Një problem tjetër është edhe fakti që mediat jofitim-prurëse dhe freelance nuk janë të izoluara nga ndërhyrjet e jashtme. Pa dyshim, nuk është e njëjta ndërhyrje e hapur që mund të ndodhë në mediat e orientuara nga komercializmi. Megjithatë, përafrimi i aplikimit të financimit me axhendën e një fondacioni ose të një trusti, edhe nëse kjo axhendë përputhet me pikëpamjet e medias, në fund të fundit mund të bëjë që gazetarët të orientohen drejt atyre temave që do të tërheqin fonde më lehtë. Nga ana tjetër, kjo në thelb kufizon temat e tjera që ata dëshirojnë të hetojnë, por për të cilat nuk kanë burime financiare. Disa nga qendrat e pavarura të Rumanisë, si Projekti RISE, përpiqen të mbrojnë veten nga kjo situatë duke diversifikuar aplikimet e tyre për grante. Kjo, megjithatë, ka një kosto të të konsiderueshme, pasi u duhet vazhdimisht të jenë në kërkim të mundësive të reja të financimit, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të përpiqen të ruajnë pavarësinë editoriale.

Fizibiliteti i mediave të pavarura

Duke marrë në konsideratë të gjitha aspektet,  iniciativat e pavarura aventureske të viteve 2000 nuk ia kanë dalë të mbizotërojnë ndaj konkurrentëve të tyre klasikë komercialë. Megjithatë, rezultatet e tyre kanë treguar se ndërmarrje të tilla janë – të paktën deri në një farë mase – të realizueshme. Modeli i tyre nuk është universalisht i zbatueshëm, as në përgjithësi i zbatueshëm. Ky model është i ndjeshëm ndaj shumë rreziqeve dhe plotësisht i varur nga mundësitë e financimit. Por pavarësisht gjasave, modeli funksionon.

Ndërsa gjërat avancojnë, nuk ka asnjë mënyrë të saktë për të parashikuar se ç’pengesa të reja do të lindin për gazetarinë cilësore. Pavarësisht nga kjo, historia e kohëve të fundit flet për kapacitetin e gazetarëve të ndershëm që të ri-shpikin veten, të kombinojnë burime dhe mundësi të ndryshme, dhe të fillojnë përpjekjet bashkëpunuese të pavarura dhe jofitimprurëse. Shembulli i tyre tregon se është e mundur që të krijohet një strukturë hibride funksionale e mediave të pavarura – dhe ky shembull shërben si një frymëzim për të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë.

Tags:, , , ,

Send this to a friend