Interesat politike dhe ekonomike të pronarëve të organizatave mediale po e shtypin gazetarinë kosovare

17 Prill , 2017 • Kryesoret, Liria e medias, Modele Biznesi, Shkrimet më të fundit • by

Modelet e reja dhe të vjetra të pronësisë paraqesin sfida për raportimin cilësor dhe të pavarur.

Pronësia e mediave në Kosovë është faktor shumë i rëndësishëm për të kuptuar prodhimet gazetareske dhe grumbullimin e lajmeve në vend. Meqë Kosova ka një treg shumë të ri të mediave që u zhvillua tek pas vitit 1999, në kuptimin e mirëfilltë të mediave pluraliste, pronësia është ende shumë e paqëndrueshme kur flasim për aspektin ‘kush çka ka pronë’, por edhe për atë se si pronësia rezulton në ndikim mbi gazetarinë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme me zhvillimin e fundit të fenomenit të ‘lajmeve të rreme’ në mjedisin ‘pas së vërtetës’, ku gazetarët janë të ekspozuar ndaj shumë më shumë ndikimeve strukturore, edhe brenda redaksisë, por edhe jashtë nga akterët politik.

Skena e mediave kosovare përfshinë transmetuesin publik, Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe mediat private pluraliste që bien nën rregullat e njejta ligjore, përveç në aspektin e financimit; RTK financohet direkt nga Kuvendi i Kosovës dhe nëpërmjet masave komerciale si reklamave, ndërsa mediat private mbështeten vetëm në vet-financim nëpërmjet reklamave komerciale.

Duke patur këtë parasysh, mediat private asnjëherë nuk arritën që të shkojnë përtej pronësive njëjse, për të krijuar partneritete ose rrjete mediale e për të shtuar kështu cilësinë e gazetarisë përtej kufijve kombëtar.

Mediat e përqëndruara

Mediat kosovare janë të ndara në bazë të pronësisë dhe ndikimit në redaksi. Përqëndrimi i pronësisë rreth operatorëve ekonomik është një prej formave nëpërmjet së cilave pronarët e bizneseve përpiqen që t’i shfrytëzojnë mediat, jo vetëm si biznes, por edhe si mjet për mbrojtje të bizneseve të tyre nga mediat tjera.

Vet fakti që mediat si “Zëri’” blihen nga akterë biznesor e pastaj nuk zhvillohen më tej, as sa i përket modelit biznesor e as përfitimeve, tregon përqëndrim të pronësisë ekonomike në emër të bizneseve ekzistuese, dhe jo si mjet për të bërë biznes të ri.

Forma tjetër e pronësisë është pronësia politike, ku partitë politike ose individët që mbështesin një parti politike janë pronarë të një organizate të caktuar mediale dhe e zhvillojnë atë si mjet për të fituar fuqi partiake dhe politike. Ka shumë raste ku gazetat, dhe së fundmi edhe kanalet televizive, janë prona të politikanëve dhe përdoren kryesisht si platforma për trazira politike.

Rastet e njohura të gazetave “Epoka e re” dhe “Bota Sot” janë vetëm një ilustrim i pamfletave partiake; njëlloj si rasti i “Tribuna Channel”, pronar të së cilës janë familja e zëvendësministrit të Kulturës, Rexhep Hoti. Pronësia ekonomike dhe politike e mediave në Kosovë dështojnë në sigurimin e kushteve të mira të punës për gazetarë, dhe kështu e shtypin idenë e gazetarisë së pavarur.

Sipas hulumtimeve të fundit, në përpilimin e të cilave mora pjesë edhe unë në emër të ‘Studimit të Botërave të Gazetarisë’ vitin e kaluar, 86 përqind e gazetarëve në Kosovë nuk kanë kontrata të përhershme, e kjo ka ndikim në punën e tyre të përditshme. Në Kosovë, gazetarët e praktikojnë një masë të vet-censurws si rezultat i pronësisë politike të mediave, e gjithashtu për shkak të varësisë financiare që e kanë ndaj organizatave mediale në të cilat janë të punësuar.

Një studim tjetër në të cilin isha një prej autorëve, e që flet për vet-censurën e gazetarëve në shoqëri të pasluftës dhe fokusohet në këtë rajon (Kosovë, Serbi dhe Maqedoni) identifikon faktin se gazetarët heqin dorë nga hulumtimi i “storjeve që mund të jenë kundër qëndrimeve politike të pronarëve”, në raste të bashkë-ekzistencës politike me media. Ndërsa në raste të varësisë ekonomike, ata kanë “frikë nga konflikti me reklamuesit ose me figura ekonomike me ndikim dhe konglomerate”.

Presionet e tilla të ndërhyrjes politike, presionet financiare dhe pronësia e përqëndruar gjithashtu dëshmohen nga World Press Freedom Index 2016 i “Reporters without Borders”, që thekson faktin se gazetarët që i kritikojnë autoritetet shtetërore shpeshherë etiketohen si ‘tradhtarë’, si dhe vjen në përfundim se kur vjen te problemet e mediave “të gjitha simptomat më të këqija të Ballkanit, i gjejmë në Kosovë”.

Gjithë këto sfida strukturore krijojnë kushte për gazetari të dobët në Kosovë. Sipas statistikave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në vitin 2015 ishin raportuar 15 raste të kërcënimt, sulmit, kanosjes, dëmtimit të pronës e madje edhe sulmit të armatosur ndaj gazetarëve. Ngjashëm në vitin 2016 ishin raportuar 16 raste, ndërsa një numër i kërcënimeve dhe dëmtimeve të pronave të gazetarëve veç se është raportuar në tre muajt e parë të vitit 2017.

Në përpjekje për t’i tejkaluar presionet e shumta politike dhe ekonomike që ushtrohen mbi gazetarët, një model tjetër i pronësisë është zhvilluar në Kosovën e pasluftës. Mediat e avokimit, që shpeshherë regjistrohen si OJQ dhe funksionojnë si media që avokojnë për një kauzë të ndryshimeve politike, shpeshherë janë themeluar kryesisht me fonde ndërkombëtare, si rasti i partneritetit BIRN, ose prodhimeve si Jeta në Kosovë.

Mediat që operojnë nëpërmjet këti modeli janë dëshmuar si prodhuese të disa prej punimeve më interesante hulumtuese në tregun kosovar, por sidoqoftë nuk kanë arritur gjithmonë që të kenë ndikimin e dëshiruar, për shkak se janë parë si të paqëndrueshme, e kështu më pak të besueshme, dhe janë parë me dyshim e si të huaja nga akterët politik.

Portalet dhe pronësia: disidencë apo dekadencë?

Në Kosovë është parë një zhvillim i ri me shfaqjen e të ashtuquajturave ‘mediave të reja’ ku gazetarët që kanë dezertuar nga gazetat apo transmetuesit tradicional kanë themeluar ‘portalet’ e tyre të vogla për të kuruar lajme për një audiencë të caktuar – me fjalë tjera, për ata që kanë telefona të mençur e që janë të uritur për lajme të shkurtëra, të pavërtetuara e sensacionale.

Meqë shumë gazetarë ishin të pasigurt për statusin e punësimit në mediat tradicionale, shpeshherë me kontrata të afatit të shkurtër, vet-punësimi me portale të tilla për interesa të ndryshme i lejoi ata që të bëhen vet pronarë, redaktorë, mbledhës të lajmeve, dizajnerë e menaxherë të marketingut. Si ilustrim, një ish gazetar që u sulmua fizikisht nga pronari i gazetës në të cilën punoi ai e krijoi organizatën e vet mediale, që funksionon vetëm online – gazetën elektronike “Fjala”.

Modeli biznesor i portaleve të pavarura të lajmeve përçmohet nga shumë njerëz në Kosovë dhe rajon, veçanërisht nga njerëzit që janë të përfshirë në ekonomi dhe politikë, kryesisht për faktin se organizatat e tilla vështirë kontrollohen e ndikohen. Edhe pse ky zhvillim prodhon gazetari që është larg kualitetit të lartë (përveç disa portaleve), sidoqoftë ka arritur që të krijojë një kategori të re të pronësisë. Kjo për shkak se pronësia reale shpeshherë nuk dihet, meqë shumë portale të lajmeve nuk ofrojnë informata për pronësi.

Në njërën anë, portalet e tilla janë një formë e disidencës gazetareske, për shkak të monopolit që politika dhe biznesi kanë patur mbi pronësinë e mediave në Kosovë. Mungesa e lirive gazetareske, bashkë me vet-censurimin, kanë mundësuar që të shfaqet një treg i tillë, meqë gazetarët ishin të paaftë që ta shprehin vetën e të raportojnë për çështje që kanë dëshirë.

Në anën tjetër, është gazetari dekadente. Komunikimi dhe transparenca joadekuate nga elitat politike dhe biznesore në Kosovë, bashkë me presionin kohor për të transmetuar lajme drejtpërdrejtë, ka krijuar një lloj gazetarësh që nuk e ndjejnë nevojën, ose nuk kanë kohë, për të verifikuar informata si duhet. Në vend të kësaj ata e zgjedhin mënyrën më të lehtë për të transmetuar lajme. Lajmet e tilla i kanë synim një publik të zgjedhur me kujdes, shpeshherë si rezultat i një fotografie që bëhet me telefon mobil e postohet në ‘portal’ bashkë me një koment të shkurtër që lidhet me disa fjalë kyçe sensacionale.

Rregullimi i mediave

Ndonëse mediat në Kosovë ndikohen nga pronësia, ato ndikohen edhe nga rregullat, qoftë rregullat shtetërore, qoftë organeve vet-rregulluese. Historikisht, Kosova ka patur një mozaik interesant të rregullimit në tranzicionin e saj nga mediat shtetërore të ish-Jugosllavisë, me rregullat e miratuara nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) menjëherë pas luftës, që u fokusuan kryesisht në parandalimin e konfliktit e nxitjes së urrejtjes me bazë etnike.

Sot, transmetuesit kosovar rregullohen nga organet rregulluese, përfshirë Komisionin e Pavarur të Mediave. I themeluar në vitin 2005, ky organ është përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit. Komisioni i Pavarur i mediave u jep leje transmetuesve publik e privat; themelon dhe zbaton politika; dhe rregullon të drejtat e transmetimit, obligimet dhe përgjegjësitë e individëve dhe subjekteve që ofrojnë shërbime audio e audiovizuale për media – këtu përfshihet edhe rregullimi i ndryshimeve në pronësi.

Mediat e shtypit vet-rregullohen nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të KosovësKy organ vet-rregullues u themeluar për dhe nga sektori i mediave të shkruara në Kosovë. Puna e tij bazohet në garantimin e bindjes ndaj Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Këshilli i Mediave të Shkruara përfshinë anëtarë që ende prodhojnë materiale të shkruara, si dhe agjenci të lajmeve e anëtarë që publikojnë vetëm online. Anëtarët abonohen në Këshill, dhe kështu ofrojnë që të vet-rregullohen e të jenë pjesë e këshillit më të gjërë vendimmarrës, në raste të ankesave.

Megjithatë, sfida paraqesin portalet më të vogla të lajmeve, që nuk janë as anëtare të Këshillit të Mediave të Shkruar, e as të ndonjë organi tjetër rregullues.

Mediat e Kosovës sfidohen në shumë drejtime, dhe pronësia mbetet një prej parakushteve për përmirësimin e kualitetit të gazetarisë. Çështjet si ndikimet, rolet, praktikat dhe vlerat të gjitha ndikohen varësisht nga pronësia e mediave, dhe kjo ka ndikim në redaksi, lajme dhe gazetarë, në bazë individuale. Me përparimet e fundit në teknologji, tranzicionin e redaksive dhe presionin kohor që e kanë gazetarët, ndikimi i pronarëve të organizatave mediale në raportimin e lajmeve dhe procesin e prodhimit të redaksive veç sa do ta dobësojë këtë situatë.

——————–

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky artikull është pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar në partneritet me Osservatorio Balcani e Caucaso. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi vetëm e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.

PËR AUTORIN

Abit Hoxha është hulumtues doktoral dhe është duke punuar në studimin ‘prodhimin e lajmeve në konflikt’, me fokus në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Liqenet e Mëdha në Afrikë. Ai gjithashtu është duke hulumtuar drejtësinë tranzicionale dhe gazetarinë, prodhimin e lajmeve të konfliktit, vet-censurën dhe narrativet e storjeve.

SHËNIM: Pikëpamjet e autorit nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0. Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

Burimi: http://kosovotwopointzero.com/political-economic-interests-media-ownership-squeezing-kosovar-journalism/

 

Tags:, , ,

Send this to a friend