Nga Artan Fuga.
Në numrin e saj të fundit, “Revista Europiane e Mediave”, me botues prof. Francis Balle, i njohur në Shqipëri nëpërmjet librit të tij thelbësor “Mediat dhe shoqëritë”, i kushton një shkrim më vete dhjetë-vjetorit të kalimit nga transmetimet televizive analoge në ato numerike (TNT) në Francë dhe dy-vjetorit tê zgjerimit të kanaleve në frekuencat e zotëruara nga ky vend, nga 19 në 25 kanale.
Frekuencat sikurse edhe licencat e akorduara për çdo kanal televiziv, sikurse lejen për vendosjen e tyre në rrjetet e transmetimeve numerike i administron tërësisht CSA, pra agjencia e rregullimit të tregut audioviziv në Francë, një instancë, dihet, shumë prestigjioze, me kompetenca të mëdha, dhe me infrastrukturë të zhvilluar, me antarë, personalitete me status social dhe juridik tepër të lartë.
Autori i shkrimit paraqet disa nga tiparet e atyre ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë dhjetvjeçar, duke i analizuar me rastin e një ngjarjeje të rëndësishme për pejsazhin audioviziv kombëtar ku kanali televiziv “Numéro 23” u rishit duke u blerë nga televizioni “NextRadio TV”.
Tipari i parë që del nga shkrimi, është se digjitalizimi i transmetimeve toksore nuk solli ndonjë ndryshim në programacionin e televizioneve që ai i quan historike si kanalet televizivë publikë, ose ata privatë si TF1.
Këta mbetën gjeneralistë.
Ndërkohë, për t’i mbijetuar tregut, midis 25 kanaleve, për një popullsi 60 milionëshe, ndodhën profilizime të ndryshme.
U zhvilluan :
ato që quhen kanale të informacionit të pandërperë (BFM TV, i Télé),
një kanal televiziv muzikor (D17),
një kanal sportiv (L’Equipe 21),
një kanal televiziv për rininë (Gulli),
një kanal televiziv për dokumentarë (RMC Découverte), etj.
Ndërkohë, lindën edhe kanale televizivë “minigjeneralistë”, si NT1, TMC, W9, D8, NRJ12, etj. Këta quhen “minigjeneralistë” sepse megjithë profilin e tyre të përgjithshëm, spektri i tematikës që mbulojnë është shumë më i kufizuar sesa ai i kanaleve televizivë klasikë.
Tipari i dytë është se kanalet e mëdha historike bëjnë të gjitha përpjekjet për ta ruajtur pozicionin sundues në treg.
Strategjia e tyre kryesore ka qenë që pas digjitalizimit të transmetimeve toksore televizive, pasi ata lindën, kanë blerë mjaft nga kanalet e rinj televizivë, për ta kontrolluar përsëri tregun. Kështu kanali televiziv privat më i madh në Francë, TF1 bleu TMC dhe NT1.
Por një cirk blerjesh dhe shitjesh ka ndodhur edhe brenda grupit të televizioneve të reja të transmetimeve numerike. Sikurse është rasti shumë i debatuar aktualisht, ta zemë i “Tv Numéro 23” që u ble nga “NextRadio TV”, ose grupi i fuqishëm botëror Vivendi bleu “Direct 8” dhe “Direct Star”.
Ideja është që këtu ka përpjekje për ta shmangur rregullarizimin e konkurrencës dhe normat antipërqendruese.
Ka kanale të reja televizive që pasi marrin frekuencën nga CSA, pas një kohe forcimi të përkohshëm, tentojnë të shiten dhe rishiten te kompani të fuqishme me një vlerë pesë ose gjashtë herë më të madhe sesa atë të buxhetit me të cilin janë krijuar, ose shesin aksionet e tyre deri në një masë tê caktuar, duke i rrezistuar kështu mundësive për diversifikim që jep rritja e spektrit të transmetimeve televizive digjitale.
Kjo ka bërë që shumë operatorë të fuqishëm televizivë, si Canal +, etj, të ushtrojnë presion mbi CSA për të mos lejuar kaq lehtë lojën e tregut të shitblerjes të kanaleve televizive. Canal + dhe operatorë të tjerë janë nga ata që nuk e shohin fuqinë e tyre të mjaftueshme as për të pasur frekuenca të tjera, as për të operuar me blerje kanalesh të rinj televizivë. Në këto kushte CSA ka votuar për të ndaluar rishitjen e kanaleve televizive që marrin një frekuencë transmetimesh numerike për një periudhë të paktën dyvjecare, me rrezikun në të kundërt të gjobiten me 5 % të xhiros të tyre, masë që kohët e fundit është ashpërsuar, pikërisht kundër lojës ripërqendruese të kanaleve televizivë historikë.
E treta që ve në dukje autori është se operatorët televizivë dhe CSA janë shumë të ndjeshëm për faktin që zgjerimi teknologjik i mundësive për frekuenca dhe dalje në rrjet e kanaleve të rinj televizivë, nuk përbën një faktor të pavarur nga menaxhimi cilësor i pejsazhit mediatik radioteleviziv.
Teknologjia nuk është i vetmi faktor menaxhues.
Po debatohet shumë dhe po arrihet te ideja që tregu i reklamës nuk i përballon më shumë se 25 kanale televizive numerike. Sepse përndryshe buxheti që vjen nga reklamat, disa miliarda euro, thërmohet dhe i shpërndarë në më shumë kanale televizivë sa duhet, nuk shërben për një mbijetesë cilësore të tyre. Tregu i reklamës dhe spektri i kanaleve televizive numerike duhet të jenë në një raport të modeluar bashkëfunksional.
Mbi këtë bazë, konsiderohet si e rëndësishme që po zgjerohen praktikat e administrimit të prodhimit të reklamave nga ekipe të përbashkëta që u përkasin stacioneve televizive të ndryshëm. Kjo ul shpenzimet e prodhimit të reklamës dhe rrit fitimet. Në këtë mënyrë ulet ai që quhet “pragu i rentabilitetit financiar” të një kanali televiziv.
Po ashtu ka një përpjekje të mundimshme për të diferencuar programacionin dhe tematikën e tij midis operatorëve televizivë numerikë. CSA në licencat që jep bën kujdes që ta shtojë këtë diversitet, mirëpo pasi e jep licencën, diversiteti në programacion nuk përkon me pavarësinë editoriale pikërisht nga fuzioni i grupeve televizive sipas formulave të ndryshme që u shmangen ligjeve antipërqendrim.
Divesifikimi i programacioneve që kërkon CSA nuk është koncept i barabartë me pavarësinë e linjave editoriale të televizioneve përkatëse, të cilat në emër të lirisë të tregut dhe të lojës të aksioneve në bursë, kontrollohen gjithmonë nga transmetuesit më të fuqishëm.
Jeta vazhdon…
Tags:CSA, digjitalizimi, France