Të gjitha mediat shqiptare janë të kapura tashmë prej krizës financiare, por shumica e tyre janë në përpëlitje të mossigurimit të mundësisë për respektimin e afateve të rrogave periodike mujore të stafeve dhe strukturave redaksionale. Janë shumë pak ato që ia dalin ende të jenë besnike dhe të respektojnë me fanatizëm këtë rregullsi. Kjo është një gjendje që vlon në bisedat e lira të stafeve të gazetarëve dhe jo vetëm atyre, por të të gjithë punonjësve që ushqehen në skenën mediatike të vendit.
Një gjendje e tillë, bëhet edhe më alarmante kur gjithë administratorët e mediave, në bisedat e përditshme informale pranojnë se perspektiva paraqitet edhe më e zymtë nga sa pohohet dhe dëshmohet publikisht. Në mbi 85 për qind të mediave, vonesat e pagave mujore shkojnë nga 1 deri në 2 muaj, ndërsa në 10 për qind të tyre nuk e kapërcejnë kohëvonesën prej një muaj. Në mbi 60 për qind të mediave, vonesat fillojnë nga 3 deri në 5 muaj dhe në 20 për qind të tyre shënohen vonesa që kapërcejnë edhe 6 muajt.Këto janë të dhëna respektive që raportohen nga gazetarët e të gjitha mediave pranë Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Mjaftojnë këto përqindje të cilat në të gjitha herët janë të papërgënjeshtrueshme dhe të konfirmuara përmes heshtjes, të lexosh drejt realitetin e vështirësisë ekzistenciale në të cilin po zhyten mediat dhe gazetarët e vendit në këtë kohë. Përshkrimi i marrëdhënies së gazetarëve dhe familjeve të tyre në këtë krizë financiare dhe sociale, do të ishte në jo pak raste dramatik dhe po ashtu analizimi i pasojave ndoshta do të kërkonte kohë dhe sipërfaqe të madhe botimi.
Por kjo situatë është në pikun e vet dhe koha e ardhme, do të mbartë përkeqësime të tjera, sipas gjasave. Parathënia e një krize të tillë me pasoja, në thelb mbart procesin e rrezikshëm të “kapjes” së medias dhe gazetarëve prej varfërimit dhe krizës financiare. Kjo e vërtetë nuk përbën më peshën specifike të një fenomeni, por merr dimensionin real të një realiteti masiv. Ka disa vite që alarmi për varfërimin dhe mbizotërimin e informalitetit dhe arbitraritetit në mediat vendore shqiptare , nuk ka shkaktuar reagime dhe sipërmarrje prej asnjë faktori lehtësues. Në ditët aktuale, kjo krizë e mbajtur në kurriz në heshtje, po i kapërcen caqet dhe parathotë një rrezikim serioz të ekzistencës së një komuniteti të investuar me mund, djersë dhe investime serioze përgjatë gjithë viteve të këtij tranzicioni. Në këtë krizë nuk zhyten dhe janë zhytur vetëm mediat kundër qeverisë apo ato asnjanëse, nëse mund të ekzistojnë, por provat e pagëvonesave flasin edhe për një vështirësi në gjithë establishmentin e copëzuar mediatik, për shkak të pronësisë, të proqeverisë.
Kjo është një “kapje” serioze dhe me shumë komplikacione. Një “kapje” e tillë jo përmes financave, por përmes varfërimit financiar, së pari, shfaq një rrënim të brendshëm besimi dhe optimizmi të stafeve redaksionale dhe gjithë mundimtarëve të gazetarisë. “Uria fizike, vret raportimin”, thotë Gabriel Markezi dhe ndër arsyet e tjera në mediat e këtij vendi, kjo mospasje ekzistenciale është shpesh evidente. Por në një këndvështrim më të thellë, kjo “kapje” në mos i plotëson “kapjet” e tjera, ua lehtëson atyre uzurpimin, përdorimin, flirtimin dhe sidomos ikjen e mediave nga misioni natyral, në misione të përkohshme dhe varësimi prej pushteteve të tjera, sidomos atij politik. Për këtë krizë të mbërritur me kohë, duket se vetë mediat e kanë humbur kurajën të shprehen dhe të deklarohen. Janë disa milionë euro që entet publike, kompanitë e biznesit të madh, subjektet e fuqishme investuese, partnerët në publicitet në tregun e vendit dhe ata të huaj, etj., etj., të cilat janë vonuar së lëvruari dhe sipas të gjitha gjasave do të kalendohen si borxhe të pashlyera pranë sektorëve të marketingut dhe financave të të gjitha mediave të vendit. Kjo sjell një pasojë zinxhir. Paskësaj klientelizmi shlyes i borxheve është tepër evident, por shumë herë më i theksuar, pasi edhe mundësitë shlyese bëhen përditë e më të pakta dhe kapacitetet likuiduese po ulen frikshëm. Në këtë cikël krize, pushtetet e tjera po bëhen shumë herë më agresive ndaj gazetarëve dhe mediave. Një agresivitet që vjen tërthorazi dhe me peshë specifike imponimi më të lartë. Në kësi gjendjesh dhe këtë realitet, dinjiteti, integriteti dhe pavarësia, goditen deri në paqëndrueshmëri tek gjithë komuniteti dhe në mënyrë të veçantë e së pari mbi administratorët e mediave tona. Në përfitim prej kësaj “kapjeje” pushteti politik, sidomos ky i elektoralo-partive po ia del të rikthejë pushtetin e ndikimit dhe pse jo të kontrollit mbi mediat, ndërsa fatkeqësisht në këto kushte dhe këtë realitet qëndresat e gazetarëve janë sporadike dhe shpesh jashtë logjikës së realitetit tjetëran.
Por kjo “kapje” e ngjarë dhe që ndodh edhe më tej, edhe pse ka brendinë dhe përmbajtjen e një lëngate vërtet serioze, mbetet ende e pashpallur dhe e papohuar publikisht. Indekset e vlerësimit të përmbajtjes së lirisë së mediave dhe gazetarëve, për çdo vit po e deklasifikojnë Shqipërinë. Kjo renditje, sipas gjasave ka për të na gjetur në nivele edhe më tej në rënie. Viti i tanishëm elektoral, po parathotë shndërrimin e redaksive dhe të autoritetit të editorit shqiptar në tërësi, në një korpus të bindurish sipas preferencave dhe mbështetjeve të udhëheqësve dhe forcave politike. “Donatimi” elektoral mund të shlyejë disa paga, por nuk parathotë një shpëtim, qoftë edhe të pjesshëm nga kriza financiare të mediave tona. Ditë më të trishta financiare e sociale po vijnë për komunitetin shqiptar të mediave e sidomos për punonjësit e kësaj skene që s’bëhet dot treg. Në këtë rënie të përfituar dalin vetëm anarkia, kaosi dhe mediokriteti që së bashku me pushtetet e tjera përdoruese dhe keqtrajtuese të aseteve të mediumeve të ngritura me mund, financa dhe sakrifica, po mbesin “arkitektët” e patrazuar të monstërzimit të mediave dhe fatkeqësisht dhe gazetarëve. Pas kapjeve të njohura, rënia jonë në këtë “kapje” varfërie, së paku vetëm një gjë na ka lënë: ta themi publikisht lëngatën tonë.