Thashethemet, gjuha helmatisëse, politika e parë si sport dhe lajmet sensacionale janë të vetmet gjëra që dimë të gjuajmë me zell e pasion…
Para ca ditësh pata një bisedë online me Elviras Donesin, lidhur me “jehonën” mediatike që kish pasur vizita e saj njëjavore në Tiranë. Dhe e gjeta bajagi të trazuar; por në këtë mes më shumë se nga biseda me Elvirën, që nuk donte të zbrazej edhe pse nuk e fshihte se ish e lënduar dhe e ngarkuar, mësova nga qëndrime të të tjerëve të publikuara në profilin e vet në “Facebook”. Ç’kish ndodhur? Një numër gazetash, në tentativën për të raportuar mbi do intervista që ajo kish dhënë në Tiranë, nuk kishin gjetur gjë tjetër më interesante, se sa historia e saj me fëmijën 25 vjet më parë. Elvirën e kishin pyetur intervistuesit lidhur me këtë fakt, dhe ajo, e troçtë dhe e drejtpërdrejtë siç është, nuk kish nguruar të përgjigjej, tek-tuk dhe me një qasje introspektive e pa e vrarë mendjen më shumë se ç’duhej për leximin që do t’i bënte gjindja në Shqipëri apo për fokusimin që do kishin gazetarët tek kjo pjesë thrilling e intervistës.
Këto “lajme” Donesin e gjetën në SHBA, teksa ish kthyer. Dhe aty ish kapur nga mërzia. Me të drejtë. Dones është një grua që bën gjëra, është një gazetare e shkrimtare shqiptare, një person që është rropatur për të arritur këtu ku ka arritur, për t’u realizuar aq sa është realizuar, për t’u afirmuar aq sa është afirmuar në vende ku askush nuk ta hap rrugën e ku suksesin nuk ta falin pa demonstruar merita e vlera. Kjo është njëra gjë. Tjetra është që Elvira Dones vjen rrallë në Shqipëri, njëherë në dy a tre vjet, dhe ky do ish një rast i mirë për t’u kujtuar për Donesin shkrimtare e gazetare në dhé të huaj. Por gazetat nuk u kujtuan për këtë gjë. Përkundrazi, u kujtuan të shihnin tek Donesi nënën, madje nënën zemërgur dhe e lanë mënjanë Donesin që ka bërë dokumentarë, që ka shkruar romane, që ka shkruar dhe një novelë tani së fundi për Kosovën e luftës e për gratë e Kosovës, etj., etj.
Që të jem i sinqertë, nuk është se jetoj shumë me vuajtjen e Donesit. Ajo është personazh dhe gazetave u falet, dhe u kuptohet, një si kureshtje për anët private të personazhit publik. Çfarë nuk u falet është heshtja totale lidhur me gjërat që Donesi bën në këtë botë, të cilat e kanë bërë personazh të gjuajtshëm nga gazetarët e të cilat janë shkak i kureshtjes së tyre dhe për Donesin nënë. Pse ndodh kjo? Është fare e thjeshtë: Shtypi shqiptar është tabloidizuar sa s’ka ku të shkojë më shumë. Dhe nuk është një tabloidizim i kërkuar me një synim të caktuar, siç ka ndodhur me tabloidin britanik “The Sun”, apo me atë gjerman “Bild”, por është një tabloidizim që neve gazetarëve shqiptarë na del nga rropullitë. Shkurt, thashethemet, gjuha helmatisëse, politika e parë si sport dhe lajmet sensacionale janë të vetmet gjëra që dimë të gjuajmë me zell e pasion. Sikur shtypi shqiptar të kish lindur me kohë, tabloidi me siguri do ish shpikur në Tiranë.
***
Ma risolli në vëmendje këtë argument një takim mes gazetarësh të Europës Juglindore, në të cilin më zunë veshët (këtë shkrim po e bëj, pasi jam shkëputur një copë herë nga salla e mbledhjes) vetëm qarje të kolegëve, sidomos të atyre ballkanikë (Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë), por edhe të të tjerëve nga Kroacia, Rumania, Hungaria, etj., lidhur me gjendjen e shtypit e të gazetarisë në vendet e tyre. E dini cili është lajmi që mora vesh në këtë takim? Punët e gazetarisë po shkojnë keq kudo në këtë rajonin tonë. Dhe më e bukura është se problemet janë të njëjta për të gjitha vendet.
Por – ju lutem të mos e shihni këtë ‘por’ si një ‘por’ të zakonshëm – vura re, se ne shqiptarët kemi ca probleme që janë vetëm tonat. Në ndonjë vend mund të kenë ndodhur gjëra më të rënda, sidozot në Maqedoni, por gjendja e mass-medias shqiptare dallohet nga një numër dukurish e problemesh, që nuk i gjen në vende të tjera të Ballkanit.
Dukuria më e parë është ky tabloidizim i frikshëm i asaj pjese të shtypit që i ka vënë vetes për mision të krijojë opinion, të hapë debate, të kondicionojë të gjithë debatin publik, të kapet pas shqetësimeve reale me rëndësi kombëtare, etj., etj. Kjo dukuri nuk është në asnjë vend tjetër kaq e shpeshtë e kaq e pranishme (ne kemi për fat nja dy gazeta, mes të cilave dhe “Shqip”-in, që nuk janë shndërruar ende në tabloide, por kam frikë se virusi ka për t’i kapur dhe ato).
Dukuria e dytë ka të bëjë me modelin e pronarëve-kryeredaktorë. E dimë që pronarët në një mënyrë apo në një tjetër, kudo në botë, përpiqen të kenë nën kontroll gazetat e financuara prej tyre, por ky kontroll, kur finalizohet, është për çështje të caktuara e mezi bie në sy të të tjerëve. Në Ballkanin tonë, por edhe në Hungari, Rumani, Kroaci, etj., pronarët e medias ushtrojnë presion më të dukshëm mbi gazetarët që punojnë në mediat e tyre. E megjithatë, në asnjë vend ata nuk shfaqen si kryeredaktorë, pasi kjo gjë do të komprometonte imazhin e medias së tyre. Në Shqipëri është ndryshe: një numër mogulësh mediatikë janë jo vetëm kryeredaktorë de facto, por edhe de jure, d.m.th janë të vetëdeklaruar si të tillë dhe drejtojnë gazetën në mënyrë operative, shí siç bëjnë kryeredaktorët e vërtetë.
Dukuria e tretë është përdorimi që i bëhet medias prej politikës. Kolegët e Ballkanit sollën shembuj të shumtë që e ilustronin këtë gjë, por rasti ynë i kapi në befasi. Dhe me “rast tonin” kam parasysh fushatën e shkuar elektorale, në harkun kohor të së cilës ditarët e lajmeve në të gjitha televizionet, përfshirë dhe televizionet më të mira me audiencë kombëtare, u shndërruan në buletine lajmesh partiake. E mbani mend se çfarë ndodhi, apo jo? Partitë politike i filmonin vetë tubimet e tyre elektorale, i bënin një montazh gjithë filmit me synimin për t’i marrë medemek esencën, e bënin jo më të gjatë se dy minuta, dhe kasetën e dërgonin me korrier në redaksitë e lajmeve, të cilat – çfarë? E refuzonin? As që bëhet fjalë – e merrnin, ia përcillnin tak-fak regjisë, dhe ky farë lajmi transmetohej i paprekur për teleshikuesit. Ky avaz vijoi për më shumë se një muaj. Kjo lloj gazetarie është për “Guinness”.
***
Për ta mbyllur, më duhet të them se shtypi shqiptar ta shpif me natyrën bulevardeske të vetën, por ky shtyp ka probleme më të mëdha, shumë më të mëdha se sa ky që lidhet me tabloidizimin, viktimë e të cilit bien të gjithë ata që përpiqen të bëjnë gjëra në këtë botë e – ndoshta – për këtë vend. Shtypi shqiptar ndodhet në një pikë kritike edhe për plot probleme të tjera. Nuk ka qenë asnjëherë kaq keq. Dhe ky pohim më duket aq i vërtetë, sa shpeshherë s’e kam për gjë të bëj e të besoj një pohim tjetër, që është më i fortë: Në këtë gjendje që është shtypi e gazetaria shqiptare, bën vaki të mos kishim asnjë qeder si shoqëri e si vend sikur t’mos i kishim fare. Për ata që s’e besojnë këtë pohim, kam pyetjen: “Ç’do ndodhte në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, nëse do kishim pasur gjithçka që kemi pasur, por pa mass-median? Mendoni se gjërat do kishin shkuar më keq se sa kaq?”. Unë nuk besoj.
Botuar në gazetën Shqip, datë 17 nëntor 2012
Tags:mass-media