“Shooting vs. Shooting” – Kur “shënjestrohen” gazetarët

28 Tetor , 2012 • Liria e medias • by

Lufta mbetet përherë luftë. Sado që të përpiqemi të ndryshojmë fytyrën e saj dhe sado pamja e saj të grimohet apo të mbulohet, nuk mund të fshihet shëmtia dhe cungimi që natyrshëm e shoqëron. Gazetarët e pavaruar janë ata që përpiqen të tregojnë “të vërtetat” e luftës, por “Në luftë, e vërteta,- siç perifrazohet Eskili,- është gjithmonë viktima e parë”.

“Shooting vs Shooting” është dokumentari me autor Nikos Megrelis, një realizim 73 min i vitit 2011, i shfaqur ditët e fundit në kinemanë Marubi.

Dokumentari tregon se si zbulohen lajmet e faqeve të para të gazetave, duke sjellë në fokus dëshmi e rrëfime për gazetarë të cilët kanë dhënë jetën duke kryer detyrën e tyre. Në dokumentar shqyrtohen sulme të paplanifikuara apo rastësore kundër medias gjatë luftës në Irak e deri më sot.

“Punova për këtë film për tre vjet, duke bërë kërkime dhe duke filmuar. Kam bërë më shumë se 70 intervista nga gjithë bota. Kam shkuar në 10 vende dhe jam kthyer disa herë në të njëjtin vend. Ishte e vështirë të flisnim për dramën njerëzore që kishin kaluar. Disa prej tyre kishin humbur shokun e ngushtë, fëmijën, bashkëshortin etj. Fatkeqësisht disa njerëz që janë bërë pjesë e këtij filmi nuk jetojnë më”, u shpreh regjisori Megrelis dje gjatë shfaqjes së filmit të tij në Tiranë.

Një numër gazetarësh të shquar nga e gjithë bota rrëfejnë axhendën e fshehtë prapa shënjestrimit të gazetarëve në Irak dhe në zona të tjera lufte; krahasojnë ngjarjet e sotme me historinë e vonë të medias në SHBA dhe “përshkruajnë paqartësitë e propagandës moderne si arma e vetme për të fituar ose për të humbur mbështetjen e opinionit publik”.

Përmes dokumentarit regjisori duket se tenton të hedhë dritë në një tjetër kënd për luftëra të kohëve të sotme, siç është lufta në Irak në vitin 2003 apo sulmi amerikan mbi Alxhazira-n. Nikos Megrelis zbulon jo vetëm në mënyrë faktike apo melodramatike gazetarët që kanë humbur jetën duke kryer punën e tyre, por thotë se ëhtë përpjekur të zbulojë fakte e sjellë dëshmi edhe për prapavijën politike që çoi në humbjet e jetëve të tyre. Ai bën pyetjen thelbësore: Përse ky sulm mbi gazetarët? Dhe në mënyrën e vet nuk ngurron t’i japë përgjigje duke u kthyer pas në luftën e Vietnamit.

Dhe më pas edhe në sulmin terrorist të 11 shtatorit 2011, ku ndodhi edhe një lloj manipulimi i medias nën vijën politike të qeverisë së SHBA-ve.

“Filmi është pritur shumë mirë deri tani. Është vlerësuar shumë, jo vetëm filmi për vlerat e tij por edhe faktet që sjell”, pohon Megrelis, ndërsa shpjegon se filmi përcjell disa mesazhe.

“Kështu filmi ndryshon kulturën e pandëshkueshmërisë. Gazetarët vdesin jo nga aksidente por sepse dikush i ka vënë në shënjestër. Dhe këta nuk ndëshkohen”.

Për Megrelis gazetarët duhet të gjenden patjetër në zonat e nxehta të konflikteve dhe luftës. “Ndryshe ajo që do të donim nga zhvillimet në zona të tilla do të ishin vetëm ato që përcjellin institucionet e propagandës. Në atë mënyrë luftërat do të shiheshin thjesht si spektakël pa parë dhe njohur dramën, humbjen e dinjitetit njerëzor etj”. Por në fakt lufta e vërtetë fillon më pas, pasojat e saj të vërteta janë civile dhe shtrihen pas në kohë.

“Së treti, filmi është një kritikë për vetë gazetarët”. Në pjesën e tretë të tij jepet se si u manipulua prej administratës së Bushit vetë media në sulmin e 11 shtatorit.

Filmi është shfaqur në shumë festivale në botë në një pjesë prej të cilëve ëstë vlerësuar edhe me çmime, si: në Rusi, Kinë, në Spanjë etj.

Por dokumentari nuk është shfaqur ende në SHBA ku reagimi natyrshëm do të ishte më i dukshëm dhe më i madh, pasi godet drejtpërdrejt politikat e SHBA-ve në kohë lufte dhe raportet e tyre me median në periudha kritike.

“Gjatë kohës së filmit jam përpjekur të kontaktoj me administratën e SHBA-ve por asnjëherë nuk kam marrë përgjigje. Kështu që kam përdorur deklaratat zyrtare që ata kanë dhënë gjatë kësaj kohe”, shpjegon Megrelis.

Marrë nga gazeta Agon datë, 17 Tetor 2012

 

Send this to a friend