Denoncimi që lë indiferent viktimat

2 Tetor , 2012 • Liria e medias, Reklama dhe Marketingu • by

Ndarja politizuese e qëndrimeve të mediave që provokohet prej pozicionimit heshtës apo sulmues ndaj rastit të skandalit të denoncuar socialist, ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe e sakaton interesin e përbashkët të mediave profesionale.

Prej një jave opozita ka çelur ciklin e denoncimeve publike për shpërndarjen klienteliste në media të fondeve publike të shpërndara nga disa ministri për publicitet. Shumat e denoncuara nga deputeti socialist Eduard Shalsi, janë traumatike. Ndoshta janë shumat më të mëdha të bëra publike në historinë e kësaj marrëdhënieje në këto 20 vitet e fundit. Denoncimi po merr brendinë e plotë të një kazusi, i cili në rastet e krahasuara të ngjara në vendet e BE-së apo Perëndimit, kanë shkaktuar tërmet qeveri-rrëzues. Në Italinë fqinje, raste të tilla kanë goditur pamëshirë kabinete qeveritare dhe kryeministra. Ndërkohë që Franca konsiderohet vendi që kurrë nuk e ka falur një tangjente të tillë mes qeverive dhe mediave.

Por rasti i denoncimit socialist i shumave prej disa milionë eurosh që ministri të qeverisë “Berisha” kanë lëvruar për mediat proqeveritare aktuale, po shoqërohet me një qëndrim absurd prej vetë grupit të interesit, i cili mund të jetë prekur dhe dëmtuar më shumë prej kësaj pabarazie dhe prej tangjentes në fjalë. Dhe bëhet fjalë për shpërndarje të cilat kanë shembur krejt kriteret funksionale të një vendi që pretendon se ka legjislacion për barazinë në konkurrim dhe në treg. Në ditët e ardhme, ky skandal i shpallur deri tani politik, ka për të qenë një tregues domethënës në karakterizimin që raportet e organizatave dhe organizmave që monitorojnë lirinë e medias dhe tregun mediatik shqiptar pritet t’u bëjnë raporteve mes pushtetit politik dhe atij mediatik në Shqipëri.

Denoncimi i këtij skandali po merr brendi politike dhe nëse vijon në këtë mënyrë ka për të qenë vetëm një akt politiko-elektoral, prej të cilit vetë opozita denoncuese, do të përfitojë vetëm frutin e pashmangshëm të ripolitizimit më të skajshëm të mediave dhe pozicionimin e urdhëruar të editorëve dhe krejt strukturave redaksionale të mediave në vend.

Për këtë skandal, nuk ka ende qëndrime dhe investigime të posaçme redaksish apo kompanish mediatike. Madje ato që mund të jenë më të privuarat nga politikat selektive apo nga mospërfitimi në kaq kohë prej buxhetit publik për shërbime të tilla, po heshtin dhe po dëshmohen indiferentë, sikur të flitet për çështje licencash në sektorë të ndërtimit apo privatizimit.

Pse kjo heshtje dhe sidomos, pse kjo indiferencë e spektrit që është viktimizuar prej kësaj politike selektive dhe diferencimi ndër media?

E vërteta është që ky skandal i denoncuar tani, ka jetëgjatësi dhe peshën e një realiteti anormal të trashëguar. Për shkak të kësaj jetëgjatësie, pozita e akuzuar, ose më saktë vetë qeveria, i është përgjigjur opozitës akuzuese me logjikën se “kryetari i opozitës, ish- kryebashkiak i Tiranës, ka qenë shumë herë më selektiv”. Natyrisht është kapërcyer logjika e krahasimit të shifrave të pakrahasueshme. Por ndërgjegjja e sotme mëkatare qenka pasardhëse e një ndërgjegjeje politike po e kësaj skote mëkatarësh!

Skandali mbetet në fuqi. Këtë askush nuk po e denoncon dhe e vë në qendër të vëmendjes. Për këtë gjë, nuk po reagojnë në mënyrë vetjake apo të përbashkët mediat e diskriminuara, ato media të cilat janë realisht një vlerë e spikatur në spektrin aktual medial të vendit. Pse? Nuk janë të bindura për vërtetësinë e këtij skandali? E konsiderojnë një denoncim të pasinqertë të opozitës apo thjesht një akt koniunktural me objektiva dhe përfitime për fushatën elektorale të saponisur?

E vërteta është se mund të jenë arsyet e fundit. Ky denoncim nuk vlen si premisë për tjetërsimin e gjendjes e aq më pak, për mosripërsëritjen e skandalit të financimit të mediave nga qeveria. Fushata elektorale e kësaj here ka të gjitha premisat për të pasur një kontraktim më flagrant dhe më tangjent mes partive dhe politikës. Ky është një skandal me udhëtim të ardhmë. Nuk është si skandalet që pas denoncimit mbyllen dhe futen në kapitullin e hetimit. Drejtësia në kësi rastesh dhe në këtë vend, nuk e konsumon misionin e saj për kësi kauzash. Atdheu ynë është vendi ku shembulli i së keqes kampionohet nga forma më e keqe, te kazusi më i keq. Mediat e cenuara prej këtij skandali, edhe pse po përjetojnë realisht një gjendje ekzistenciale, më të vështirën e gjithë jetës së tyre në këtë skenë mediatike plurale, sërish nuk po e shohin denoncimin socialist si një skandal që lidhet me interesin e tyre, pra është antivete.

Deri ku do të pasojë kjo indiferencë, kjo nuk dihet, por shumica e kolegëve që raportojnë denoncimin vijues të opozitës, janë aktualisht në një proces të rreptë konsultimi me administratorët dhe poseduesit e mediave. Ky detaj, nuk është thjesht pjesë e qëndrimeve solidare dhe konstruktive mes editorëve dhe poseduesve apo administratorëve të mediave, ky është një moment që shërben si provë se si po përgatitet edhe një herë përthellimi i dasisë së ndarjes së mediave tona në pro qeverisë dhe pro opozitës. Në këtë aspekt, gazetarët dhe drejtuesit e redaksive tona duhet ta lexojnë drejt malinjitetin solidar të politikës dhe retorikës partiake. Ky është qëndrimi që nevojitet dhe kjo duhet lexuar si një kapitull paralajmërues, për imazhin real që do të ketë në ndarjen klasike të politizimit dhe militantizmit partiak media jonë në fushatën e zgjedhjeve të pritshme të vitit 2013.

Ndarja politizuese e qëndrimeve të mediave që provokohet prej pozicionimit heshtës apo sulmues ndaj rastit të skandalit të denoncuar socialist, ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe e sakaton interesin e përbashkët të mediave profesionale.

Natyrisht reagimi ndaj këtij skandali nuk u përket vetëm mediave. Pasi pavarësia dhe liria e mediave është investim multipalësh. Në një shoqëri të drejtë dhe të së drejtës, reagimi do të duhej të vinte prej institucioneve dhe organizmave që monitorojnë dhe funksionojnë në shërbim të zbatueshmërisë dhe respektimit të ligjit. A do të duhej të çelej një proces hetimi për këtë skandal? A do të duhej të vihej në lëvizje një kallëzim, qoftë edhe prej Avokatit të Popullit? A duhej të krijohej një reagim i paanshëm që të mund të këmbëngulte për transparencë???

Padyshim që të gjitha këto pyetje retorike janë në logjikën e kontekstit funksional të një shteti ligjor. Por në këtë vend, të gjitha të duken pjesë e naivitetit që buron nga përballja me të pamundurën. Në këtë rast nuk vlen as artikulimi apo prononcimi i ambasadorëve që janë një pushtet më vete veprues dhe ndikues në jetën publike e politike të këtij vendi. Ambasadorët aktualë të vendeve me më tepër ndikim në vend, ka kohë që kanë fituar skepticizmin publik për paanshmëri dhe balancë ndaj parimeve dhe skrupujve të demokracisë reale.

Sidoqoftë, nëse ky skandal mbetet vetëm një kauzë e opozitës, atëherë mund të thuhet pa droje se kjo opozitë në këtë mënyrë, nuk bën gjë tjetër, veçse lë në jetën vijuese një realitet skandaloz të ndarjes së mediave në përputhje me qëndrimet politike dhe të zhdukjes së plotë të species apo llojit të gazetarisë së pavarur. Dhe në rrethana të tilla e në këtë realitet, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ngushëllohemi me deduksionin filozofik të kinezit Lao Ce: “…kur humb drejtësia mbeten ceremonitë. Dhe, ceremonitë janë bastardimi i besnikërisë e besimit dhe fillimi i çrregullimit…”

Botuar më 26 Shtator 2012 në gazetën Shqip

 

Send this to a friend