“Shqip”, media përballë mafias

23 Shtator , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Media përballë mafias. Kjo ishte tema e trajtuar në emisionin “Shqip”, të Rudina Xhungës, e cila solli në studion e saj dy gazetarë ballkanas, të cilët nëpërmjet hetimeve të tyre, kanë arritur të dërgojnë pas hekurave të burgut politikanë. 

Për të folur për misionin e tyre, kurajon dhe përballjen e përditshme me krimin dhe presionet politike, të cilat në këtë shekull të ri kanë zëvendësuar krimet kundër njeriut dhe genocidin e dekadës së fundit të viteve 1990 në rajonet e ish-Jugosllavisë, në “Top-Channel” ngritën zërin e tyre, ashtu siç janë mësuar të bëjnë, Drago Hetl, gazetari i “Jutarni List” në Kroaci.

Përkrah tij, Milka Tadiç, redaktore e revistës “Monitor” në Malin e Zi dhe Belgzim Kamberin, gazetari i ardhur nga Presheva, bashkëideues i kësaj teme të emisionit.

Rudina Xhunga, “Shqip” – Ndonëse është pyetja më e thjeshtë, ndonjëherë përgjigja për të mund të jetë edhe më e vështira. Çfarë do të thotë konkretisht të jesh gazetar?

Drago Hedl, “Jutarni List” – Që të jesh gazetar dhe të flasësh për krimin, natyrisht që është e vështirë. Problemi është se grupet kriminale nga vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë bashkëpunojnë shumë më tepër se gazetarët mes tyre. Kur unë po shkruaja për një krim në Kroaci dhe Serbi, pashë që kishte një bashkëpunim të madh dhe shumë të fortë e më të mirë mes organizatave kriminale se sa midis gazetarëve. Krimi është shumë më i mirëorganizuar.

Milka Tadiç, “Monitor” – Të jesh gazetar në Malin e Zi është e vështirë, sidomos nëse merresh me gazetari investigative dhe synon të zbulosh të palara të atyre që kanë pushtetin në dorë. Nëse merresh me gjërat që nuk janë si duhet të jenë, është shumë e vështirë. Ka shumë gazetarë në Malin e Zi që thjesht shkojnë pas politikanëve dhe nuk zbulojnë shumë nga ato që ndodhin.

Rudina Xhunga – Kur folëm bashkë për herë të parë mbi mundësinë e mbajtjes së këtij emisioni (drejtuar Belgzim Kamberit), nuk më prezantuat zotin Hedl dhe zonjën Tadiç vetëm si ndër profesionistët më të mirë të gazetarisë invstigative në vendin e tyre. Ata janë emra referues, frymëzues të të drejtave të njeriut në Ballkan.

Belgzim Kamberi – Për fat të keq, profilet e tyre janë çdo ditë e më të paktë në gazetarinë rajonale. Shkrimet e tyre tregojnë që gazetaria ka edhe një mision aktivizmi, që të jetë aktive jo vetëm në media, por edhe në luftën kundër krimit dhe kontrabandave të ndryshme. Nëse ka diçka që ka funksionuar në Jugosllavi, në multietnicitet,ka qenë pikërisht krimi. Prandaj bashkëpunimi rajonal për të kundërshtuar këto fenomene është shumë i rëndësishëm.

Rudina Xhunga – Krimi bashkëpunon kudo në rajon. Çfarë i pengon gazetarët që të bëjnë të njëjtën gjë?

Drago Hedl – Problemi qëndron tek redaktorët. Janë ata që nuk kanë atë feling, që nuk ndiejnë nevojën e një bashkëpunimi më të mirë. Do të ishte shumë më e lehtë të shpjegonim se grupet kriminale janë shumë më bashkëpunues dhe nuk shqetësohen shumë për kufijtë apo nuk kanë sentimente. Kriminelët luajnë një lojë direkte, bëjnë fiks atë që duan të bëjnë. Në Serbi kam kolegë që punojnë atje. Nëse i thotë kryeredaktorit ose redaktorit se duan të shkojnë në një vend tjetër të shohin cfarë ndodh, i thonë jo ose në rastin më të mirë, se mund të shkojnë, por se nuk ka ndonjë gjë të rëndësishme që mund të përbëjë interes. Problemi ynë është se nuk shohim që përtej vendeve tona ka një panoramë më të gjerë të krimit dhe trafikut rajonal.

Milka Tadiç – Unë nuk besoj se kemi shoqëri të hapura në Ballkan. Kemi pra këtë shoqëri të mbyllur, shoqëri që nuk shohin përtej kufirit të tyre se çfarë ndodh në vende të tjera. Funksionojmë në këto shoqëri të mbyllura dhe ky është problemi i parë. E dyta, varet për kë punon, kush të paguan në fund të fundit. Ka shumë media në Ballkan që financohen nga para të pista, nga para të mafias. Ka shumë media në rajon që nuk kanë shumë lexues dhe audiencë, por që funksionojnë, e diku i marrin paratë. Nga i marrin, kjo është një pyetje e madhe. Gazetaria në përgjithësi, problem i tretë, është në krizë. Duke qenë në ndikimin e biznesit dhe politikanëve, janë këta që nuk duam që ne të bashkëpunojmë.

Rudina Xhunga – Në gazetari, ashtu si kudo, shembujt janë të domosdoshëm. Si është të zhvillosh gazetari në Kroaci dhe Mal të Zi, si ia keni dalë kur jeni kërcënuar?

Drago Hedl – Në fakt, unë kam shkruar shumë artikuj në lidhje me krimët e luftës në Kroaci sepse kemi pasur një luftë shumë të përgjakshme, me beteja shumë të ashpra mes kroatëve dhe serbëe. Nuk është popullore në vend të shkruash për krimet e luftës, por nëse shkruan për krimet e luftës që kanë bërë serbët mund të jesh hero dhe të bëhesh figurë popullore. Nëse shkruan për krimet e luftës që kanë bërë njerëzit e tu, kroatët, mund të presësh shumë probleme. Në fillim, njerëzit as donin të dëgjonin apo lexonin, më thonin s’është puna jote të merresh me krimet e luftës. Edhe pse autoritetet kishin thënë në tëlevizione se kroatët vetëm u mbrojtën, pa dyshim që kjo nuk ishte e vërtetë. Ky ishte versioni zyrtar. Vendi ku jam rritur dhe formuar është një qytet i vogël me 100 mijë banorë, prandaj shkruan për njerëz që i takon dhe i sheh çdo ditë, ndaj sigurisht që nuk ishte e lehtë, sepse kam pasur shumë kërcënime dhe probleme.

Milka Tadiç – “Monitor” është hapur përpara pesë vitesh, ne kemi shkruar shumë për krimet e kryera nga malezezët dhe jemi shumë kundër qeverisë malazeze që ka ndjekur me besnikëri Milosheviçin dhe projekte të tjera të luftës. Vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, por tashmë nuk shkruajmë më vetëm për krimet e luftës, por edhe për atë të organizuarin dhe kjo nuk është e lehtë, sepse jemi nën një presion shumë të madh nga autoritetet. Kemi qenë përshembull në gjykatë, shumë padi janë ngritur ndaj nesh. Mundohen të na sforcojnë financiarisht, kolegë të mitë kërcënohen në mënyrë të dhunshme, nuk është aspak e lehtë, por është shumë e rëndësishme të hetohet dhe të flitet në interes të publikut. Misioni ynë është lufta në interes të publikut. Kënaqësia më e madhe për mua është kur thua të vërtetën.

Rudina Xhunga – A besoni se mund të prekni ndërgjegjen e njerëzve dhe dëshirën e tyre për të protestuar për të përmirësuar vendin ku jetojnë? A besoni se mund ta ndryshoni realisht situatën? Të paktën në Shqipëri, të krijohet përshtypja se sado të flasësh apo të shkruash, askush nuk të dëgjon çfarë thua.

Drago Hedl – Në Kroaci, problem është se përshembull një ditë kemi një artikull të madh për korrupsionin dhe është edhe shumë vështirë t’i ndjekësh historitë pas tyre. Ka gjëra të mëdha, por që ditën tjetër të duken aq të parëndësishme. Problemi është se kemi aq shumë histori për korrupsionin në Kroaci, sa që ndonjëherë mund të mos krijojë qëllimin e dëshiruar.

Belgzim Kamberi – Ka kaq shumë informacione për korrupsionin sa të heq besueshmërinë e materialit të saktë. Edhe vetë qeveritë e ndjekin këtë taktikë. Kjo është një dukuri që ndodh në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri, ky është sot problemi më i madh, si dhe kriminalizimi i vetë mediave.

Rudina Xhunga – Pa dyshim që njerëzit e dinë që ka korrupsion, por shumica dyshojnë se mund të bëjnë ndonjë gjë për ta ndryshuar dhe ndihen shumë të vegjël përballë këtij fenomeni të madh. Problemi i gazetarëve është si t’ia bëjmë që të na besojnë dhe reagojnë kur ne flasim?

Milka Tadiç – Edhe nëse njerëzit u besojnë historive tona, problemi është se nuk kemi sistem gjyqësor për të luftuar. Gazetari nuk mund të luftojë i vetëm, nuk jemi ne gjyqësori. Na duhen gjyqtarë të pavarur dhe ç’po ndodh me të gjithë këto artikuj e të dhëna që ne po japim? Ndonjëherë pyes veten a i shohin prokurorët artikujt tanë? Ka kaq shumë histori e raportime, por ne kemi një gjyqësor që nuk reagon.

Drago Hedl – Ne si gazetarë, ndonjëherë jemi shumë më të shpejtë se policia. Në Kroaci kemi një situatë shumë më të mirë falë gazetarisë. Ishte e paimagjunueshme të shkruaje keq për kryeministrin apo presidentin deri 5 vjet më parë, por sot shkruhet çdo ditë për këtë dhe besoj se gazetarët janë të parët që kërkojnë të bëjnë publike këto ngjarje dhe nuk besoj se ka një problem besimi të njerëzve ndaj nesh.

Rudina Xhunga – Por, si shpjegohet që në kohë më të rrezikshme, si në dekadën e viteve 1990 tek ju apo në vitin 1997 në Shqipëri, kishte shumë më tepër gazetarë të guximshëm, që i thonin gjërat ashtu siç ishin. Duket sikur gazetarët nuk duan të flasin dhe jo vetëm nga frika, por edhe nga dëshira për të jetuar mirë, për të marrë ato të ardhura dhe aq. A është ky problem edhe në vendet tuaja?

Drago Hedl – Siç e thatë, problem kryesor nuk është me politikanët. Mund të shkruash shumë hapur për ta, por nëse flet për kompanitë e mëdha, aty nisin problemet. Nuk mbaj mend ndonjë histori serioze të jetë shkruar për ndonjë bankë apo kompani telekomunikacioni apo kompani tjetër të madhe. Të gjitha këto kompani janë edhe financueset e shumë reklamave në gazeta dhe media nuk do ta prishë këtë biznes. Gazetarët përgjithësisht thonë nuk na intereson kjo histori dhe të thonë se kemi marrëdhënie biznesi që nuk duam të prishim. Gazetat janë në një situatë shumë të vështirë, njerëzit nuk i blejnë si dikur, shitjet po bien dhe në të njëjtën kohë nuk ka shumë reklama në gazeta si ka pasur dikur, ndaj çdo reklamë është shumë e çmuar.

Milka Tadiç – Ata që paguajnë për reklamat mendojnë se po të paguajnë ty si gazetar që të mos flasësh për korrupsionin apo krimet e tyre. Ne si gazetarë duhet të ndajmë politikën editoriale nga pronësia e organit të medias dhe kjo është shumë e vështirë, sidomos në këtë moment kaq të vështirë.

Rudina Xhunga – Megjithatë, duket se në letër, ekran apo internet, gazetaria nuk e ka humbur misionin që është të thuash të vërtetën.

Drago Hedl – Nuk duhet të dorëzohemi, ndryshe do të ishte një tragjedi për gazetarinë. Problemi është se puna investigative është e shtrenjtë, për t’i shkuar thellë të duhet kohë, një apo dy javë për një çështje të caktuar dhe nuk kam një problem me këtë, por stafet tona janë të vogla dhe nuk e përballojnë dot. Gazetat nuk kanë më mjetet e duhura financiare, duhet punuar më shpejt, nuk duhet të udhëtosh shumë, etj. As televizionet ndonjëherë nuk e kanë të lehtë të ngrenë dhe të përballojnë grupe investigative.

Tadiç – Sidoqoftë, mundësitë rreth nesh janë zgjeruar. Në Malin e Zi, përshembull, së fundmi ndodhën shumë privatizime dhe ne shfytëzojmë regjistrin kombëtar për të parë se cilët jana ata që fshihen pas kompanive që kanë blerë asete dhe prona të shumta.

Belgzim Kamberi – Përveç sistemit gjyqësor, nevojitet edhe një siguri për burimet e informacionit. Në Kosovë, nëse hulumton për një temë të ndjeshme, edhe burimi i informacionit duhet të ketë një lloj sigurie që shpesh kjo mungon dhe të krijon vështirësi për të hulumtuar bisedën apo ka pak mundësi për të garantuar burimet.

Drago Hedl – Besoj se sot situata tek ne është pak më e mirë. Që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, edhe situata e gazetarisë është përmirësuar. Liria e shtypit, nga ana tjetër, nuk të jepet gjithmonë edhe pse shkruhet në kushtetutë. Ti si gazetar duhet të luftosh çdo ditë për lirinë tënde dhe unë shumë kohë kam qenë nën mbrojtjen e policisë dhe kjo ka qenë periudha më e keqe e jetës sime, një situatë ku nuk mund të punosh në fakt. Si mund të të tregojë njeriu diçka kur vjen me 2-3 policë nga mbrapa.

Milka Tadiç – Është shumë e vështirë në shoqëri të vogla si Mali i Zi të mbrosh informatorët, sepse njerëzit njihen, sidomos nëse zbulon histori të caktuara njerëzit e dinë se kush mund ta ketë thënë dhe nga mund të ketë dalë informacioni. Pastaj, pjesa më e madhe e informacionit janë burimet zyrtare dhe është shumë e vështirë të kesh akses në informacion, ndonëse me ligj kjo të garantohet.

Rudina Xhunga – Një ndër problemet më të mëdha të gazetarisë së rajonit, duket se është mungesa e informimit dhe bashkëpunimit. Duke iu pyetur konkretisht, çfarë dini ju për realitetin shqiptar?

Drago Hedl – Për fat të keq, nuk ka shumë informacion për Shqipërinë apo politikat e vendit tuaj. Unë isha në Shqipëri edhe përpara tre vitesh, për të intervistuar presidentij tuaj. Intervista e presidentit në gazetën time ishte hera e parë që një politikan i këtij profili fliste në një gazetë kroate. Mbase, me interes për njerëzit do të ishin informacionet rreth jetës së vendit tuaj, sidomos pë rata që preferojnë të udhëtojnë dhe të zbulojnë vende të reja. Sidomos ngaqë Shqipëria ka qenë një shoqëri shume e mbyllur deri në vitin 1990, kroatët nuk dinë shumë gjëra për vendin tuaj. Në kohën e Enver Hoxhës, ishte një gazetar kroat që bëri një vizitë të rrallë në vendin tuaj dhe unë si djalë i ri që isha atëherë, isha shumë kurioz të lexoja më shumë. Por, sot që nuk ka vështirësi të tilla, për çudi, shkrimet përsëri mungojnë.

Milka Tadiç – Pa dyshim, shqiptarët në Malin e Zi e ndjekin median shqiptare, nëpërmjet internetit apo televizionit, por vetë malazezët e vetë shqiptarët, nuk e dinë shumë për turizmin apo zhvillimet në Shqipëri. Unë kam qenë disa herë në vendin tuaj dhe më pëlqen Shqipëria, por ndonëse jemi kaq afër, përsëri ka një mungesë të madhe informacioni. Kur më përmend Shqipërinë, më vjen ndërmend se si ka mundësi që Tirana ndryshoi në një mënyrë aq dramatike dhe u bë një qytet europian kaq shpejt. Gjithmonë më vjen në mendje ai ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës që bëri gjithë ato ndryshime. Sigurisht që po ndjekim edhe zhvillimet me Berishën, ai është shumë i afërt me disa prej politikanëve tanë, duke pasur të njëjtat qëndrime ndërkombëtare, por fatkeqësisht dimë pak për jetën e përditshme në vend tuaj.

Rudina Xhunga – Po në punën e përditshme, sa e ndeshni Shqipërinë, përshembull kur po hetonit për kontrabandën e cigareve?

Milka Tadiç – Në fakt është shumë interesante, ka pasur shumë kontrabandë në vitet 1990, por kemi folur shumë më tepër për kontrabandën që bëhej me Italinë dhe jo atë me vendin tuaj. Në fakt është një pikëpyetje e madhe se përse nuk e kemi bërë? Ndoshta, ngaqë kishim më shumë informacione apo prokurorët italianë bënë një punë vërtet të mrekullueshme duke ndjekur penalisht edhe politikanë italianë e malazezë. Ne nuk kemi pasur shumë informacione për Shqipërinë dhe nuk besoj se ka qenë ndonjë temë e madhe as në Shqipëri kontrabanda. Kemi shkruar pak në vitet 1990 për kontrabandimin nëpërmjet liqenit të Shkodrës, por bëhej fjalë për kontrabandë e naftës dhe shkeljes së sanksioneve të OKB-së për ndalimin e kësaj tregëtie.

Belgzim Kamberi – Nëse në vitet 1990 ka pasur një lloj ksenofobie ndaj shqiptarëve dhe shtypit të tij, më duket se tashmë është kaluar në një lloj injorimi të ndërsjelltë dhe kjo bën që askush të mos fokusohet në çështjet e brendshme të shteteve të tjera fqinje në aspektin pozitiv. Kjo bën që të mos bashkëpunohet as në aspektet e paraqitjes së krimit ballkanik.

Milka Tadiç – Më duket shumë e çuditshme që të dimë kaq mirë se çfarë ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktualitetin e të cilës e ndjekim kaq afër, me çdo ditë lajme për fushatën presidenciale dhe nuk dimë kur ka një fushatë zgjedhore në Shqipëri, me partitë, kandidatët apo politikat e secilës parti të madhe. Përfshi unë, mund të them vetëm pak emra politikanësh, pa e ditur fare se çfarë platforme kanë. Për të mos folur më pas për industrinë dhe turizmin dhe kjo është për të ardhur keq.

Rudina Xhunga – Çfarë mund të bëjmë duke rritur bashkëpunimin dhe duke hapur studiot tona, jo vetëm për të përmirësuar nivelin e gazetarisë, por edhe për të përmirësuar jetën e përditshme të vetë qytetarëve të vendeve tona.

Drago Hedl – Një gjë mund të arrijmë shumë, ndërmjet shumë gjërave, duke ndërtuar ura shumë më të forta midis vendeve dhe kombeve. Gjithashtu, nëse prezantojmë dhe njohim njëri-tjetrin, besoj se do të ishte një situatë më e mirë në të gjithë rajonin, sidomos tani që gjërat po shkojnë më mirë, por kemi ende shumë probleme, si Kosova, problemet midis disa ish-vendeve Jugosllave si në Bosnje. Problemi është se ndryshimet më shpejt mund t’i bëjnë politikanët, por nuk është e lehtë të ndryshosh marrëdhëniet mes kombeve. Këtë mund ta bëjë vetëm media, ndonëse gjithmonë do të duhet kohë për të tejkaluar ndienjat prej dekadash e shekujsh mes kombeve.

Rudina Xhunga – Sa e ka ndihmuar gazetarinë tuaj dhe lexuesin tuaj fakti i hapjes, fakti që ju shkruani për “The Guardian” e shumë gazeta e media të tjera të huaja?

Drago Hedl – Mendoj se është shumë e rëndësishme të jemi të hapur, duke thënë të vërtetën për atë që ndodh. Nuk duhet të përpiqesh të ndërtosh një tablo të bukur të vendit tënd. Ka pasur gazetarë që kanë bërë këtë, duke treguar se sa mirë është në Kroaci, por unë nuk e bëj këtë. Mendoj se mund të ndihmoj për përmirësimin e gjërave vetëm nëpërmjet kriticizmit. Nëse nuk e them atë që shoh që nuk ecën në vendin tim, atëherë nuk do të isha i ndershëm dhe nuk do të sillja asnjë të mirë. Kam shkruar shkrime kritike ndaj vendit tim në gazeta serbe apo italiane, përshembull. Reagimi brenda Kroacisë ka qenë shumë i keq, por në plan afatgjatë, vendi dhe kroatët kanë përfituar nga ato shkrime.

Milka Tadiç – Hapja ndaj vendeve dhe kombeve të tjera jep një pushtet të vërtetë për të luftuar nacionalizmin, gjithçka që ka qenë e keqe në të kaluarën tonë, ndaj besoj se ky bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për vendet tona kaq të vogla. Duke shkëmbyer ide, mallra, modele, vetëm atëherë mund të arrijmë gjëra të mëdha.

Rudina Xhunga – Duke qëndruar në bidesë dhe shembuj personal, në biografinë e jashtëzakonshme të zotit Hedl, të bënte përshtypje fakti se ai është gazetari i vetëm kroat që ka shkruar kundër Glavash, gjeneralit kroat në luftën me Jugosllavinë. Vetë në sajë të shkrimeve të tij, autoritetet kroate u detyruan që pas disa viteve të nisnin procedimin ndaj tij. Si i bëhet të mos lësh në mes punën duke menduar se përballë ke një mur që nuk mund të thyhesh ndonjëherë.

Drago Hedl – Personi që ju përmendët në prezantimin tuaj ishte shumë i fuqishëm, deputet dhe gazetar kroat. Ka bërë disa gjëra të mira gjatë luftës, por edhe disa shumë të këqija. E keqja është se nuk je në një pozitë të njëjtë kur shkruan për një gazetë dhe ju kundër një personi shumë të fuqishëm, që ka një rrjetë njerëzish që mund të të sulmojnë dhe të të kërcënojnë. Problemi ëshët se jetonim në të njëjtin qytet dhe familja ime ndonjëherë më thonte çpo bën, pse nuk e lë këtë histori që të jetojmë të qetë. Por, ishte zgjedhja ime, i thoja të gjithëve se këto profesion kisha zgjedhur dhe nuk mund ta fshihja pasi kisha qenë dëshmitar i atyre krimeve. Është shumë e rëndësishme që një gazetar, kur shkruan për krimet që kanë bërë serbët, të thotë të vërtetën dhe për krimet kroate dhe ato gjëra që janë bërë shumë keq dhe i kanë shkaktuar vuajtje njerëzve të pafajshëm. Konsideroj se ishte detyrimi im të flisja, pasi isha dëshmitar i tyre.

Rudina Xhunga – Megjithatë, ka edhe një anë njerëzore, ajo familjare dhe e personave të afërt që bëhen pjesë e kërcënimeve. Cili është raporti që ju si gazetar vendosët me familjarët tuaj?

Drago Hedl – Për fat të mirë, siç ju thashë djali im ndodhej jashtë vendit dhe kjo e bënte më të lehtë punën time. Problemi kryesor ishte me nënën time, që kishte një moshë të madhe dhe nuk i kuptonte mirë gjërat kur thuheshin në televizor, kur dikush fliste keq për Kroacinë apo kur më thonin tradhëtar. Ajo më kërkonte shpesh të hiqja dorë sepse kishte aq frikë për njerëzit që shihte që flisnin aq keq për mua. Në fillim, kur shkruaja për krimet e luftës, shumë pak njerëz besonin. Vetëm kur arrestuan gjeneralin dhe dolën prova të tjera në dritë, vetëm atëherë më thanë që po, paske pasur të drejtë.

Rudina Xhunga – Por, si ia dilet financiarisht? Si përballet ky presion, sidomos kur sheh kolegë që i shërbejnë regjimit dhe pasurohen në mënyrë të padrejtë?

Drago Hedl – Gazetaria nuk është profesioni që të bën të pasur apo të të bëjë një jetë të lehtë. Mbase ka disa gazetarë që dinë të bëhen të pasur edhe kështu, por unë nuk mund të ankohem pasi ishte zgjedhja që kam bërë. E vetmja gjë që do të ishte edhe po bëhesha marinar dhe të ankohesha se deti ishte shumë i ashpër.

Rudina Xhunga – Sa herë kërkohet emri juaj në internet, i bashkëngjitet ai i Cane Subotiç, kryemafiozi i kontrabandës së cigareve në Ballkan. Ju keni qenë e vetmja që shkuat deri në fund. Kishit frikë?

Milka Tadiç – Në fakt, realisht nuk kam pasur frikë. Nuk e kam menduar frikën. Në një farë mënyrë, nuk e di përse nuk e kam pasur dhe nuk e kam këtë frikë. Mbase ngaqë kam menduar gjithmonë se nuk do të më ndodhte gjë.

Rudina Xhunga – Mund të kujtoni momente përplasje të rënda në karrierën tuaj?

Milka Tadiç – Mendoj se ishte gjatë luftës, në vitin 1994, kur na kapën në Trebinjë. Kryebashkiaku serb na kapi, sot duke u hetuar për krime lufte në Hagë, nisi një hetim ndaj nesh. Atëherë mendova Zot, nuk kam as shtet të më mbrojë. Në vitet e fundit, gjithashtu ka qenë e vështirë, sepse unë dhe kolegët e mi të “Monitorit” konsiderohemi shpesh si tradhëtarë dhe anti-patriotë.

Drago Hedl – Nuk e di Rudina, por në këtë punë duhet të besosh në disa ideale. Nuk e di se si do të kishte qenë që të zgjohesha në mëngjes dhe të mendoja se kisha gënjyer e sajuar histori që nuk kishin qenë të vërteta. Kënaqësia më e madhe ndihet kur shkruan për gjëra që mendon se audienca nuk do t’i dëgjojë, gjëra për të cilat shumë nga kolegët e tu nuk duan të shkruash. Pa dyshim, nuk duhet pritur të të duartrokasin të gjithë, por e rëndësishmja është të jesh në rregull me ndërgjegjen tënde, duke ditur se ke shkruar vetëm gjëra të vërteta.

Rudina Xhunga – Do të doja që në këtë pjesë të fundit të emisionit, t’ia dedikonim gazetarëve të rinj shqiptarë. Duke nisur nga përvoja dhe peripecitë që keni kaluar, çfarë do t’u rekomandonit atyre që të bënin në këtë rrugë të gjatë për të kuptuar më shumë rreth vetes dhe tjetrit?

Drago Hedl – Unë jam pjestar i një jurie që vlerëson reportazhe të ndryshme të gazetarëve të rinj shqiptarë dhe kam parë me kënaqësi që shumë prej tyre janë me të vërtetë të shkëlqyer si punime. Por, nëse do të më duhej të jepja një mesazh, do t’u këshilloja që të mendojnë se ajo që po shkruajnë është shumë e rëndësishme dhe se ka shumë persona që do t’a ndjekin, prandaj kanë në dorë që të bëjnë një ndryshim të vërtetë.

Milka Tadiç – Mendoj se gjëja më e mirë është të kesh një lloj distance nga ata që janë në pushtet, jo vetëm ata që qeverisin, por edhe ata që kanë në dorë bizneset. Duhet të kesh një distancë me ta, të mos bëhesh palë e tyre dhe kryesorja, është që të mendosh gjithmonë duke pasur parasysh interesin publik.

 

Ky artikull është botuar në http://www.peshkupauje.com/2012/09/shqip-media-perballe-mafias

 

Tags:

Send this to a friend