E vërteta përkon me atë se në një numër të madh realizimesh për fëmijë hasim skena, të cilat kurrsesi nuk përputhen me realitetin.
Programacioni televiziv për fëmijë zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e tyre. Shumë nga ne kanë parë jo rrallë që fëmijët, pasi të kenë parë një film vizatimor apo program të dedikuar për moshën e tyre të imitojnë personazhe të caktuara. Edhe pse në të shumtën e studimeve nuk kemi rezultate të mirëfillta, por të pranuara nga specialistët e fushës, është folur shumë për dhunën nëpër filma, e cila ndikon në zhvillimin e sjelljeve agresive te fëmijët.
Shqetësimi im sot nuk qëndron vetëm te këto skena të dhunshme, por te përmbajtja dhe mesazhi i përcjellë me anë të filmave të ndarë për grupmosha të ndryshme e të transmetuar nëpër ekranet televizive, për të cilat dikush paguan abonime për platforma numerike, e dikush në mënyrë më të reduktuar pret programet e fundjavës në kanale të veçanta.
E vërteta përkon me atë se në një numër të madh realizimesh për fëmijë hasim skena, të cilat kurrsesi nuk përputhen me realitetin. Këtu mund të përmendim një set filmash, sidomos me origjinë nga Lindja e Largët, të cilët nuk kanë asgjë tjetër në përmbajtje, përveç dhunës. Pa përmendur emra kanalesh televizive, këto programe janë të papranueshme dhe të dëmshme për fëmijët.
Të tilla janë ato me personazhe magjibërëse apo, pse jo, edhe filmat me Harry Potter, aq të pëlqyer nga fëmijët. Nga ana tjetër, përjetimet emocionale, ndjenjat e dashurisë midis heronjve, puthjet midis personazheve serviren në ekranet televizive duke i bërë ato pjesë të jetës fëminore që në moshë mjaft të vogël. “Ke të dashur ti?”, pyeste një fëmijë një tjetër në një program televiziv; një gjë tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për fëmijët që nuk janë më shumë se 10 vjeç!
Pa dashur të luaj rolin e psikologut, por duke e parë çështjen si një prind që mbase si shumë të tjerë përballen me të njëjtën situatë, këtë mënyrë transmetimi të kanaleve shqiptare e shikoj si një problematikë të rëndësishme, e cila duhet t’i nënshtrohet një mekanizmi të caktuar kontrolli ndaj etikës mediatike.
Në fakt, programacioni i kanaleve shqiptare është një kopje apo një model i marrë e i pandryshuar i kanaleve në botën perëndimore apo lindore. Problematikat e përcjella te shqiptarët tashmë janë pothuajse të njëjta me ata të vendeve të tjera. Alarmin e jep edhe Akademia Amerikane e Pediatrisë, sipas së cilës, portretizime të seksit dhe jetës seksuale në televizione dhe mjete të tjera të informimit publik mund të nxisin dëshirat seksuale të parakohshme tek adoleshentët.
Dr. Aric Sigman, një biolog britanik, në një artikull të tijin në të përditshmen prestigjioze britanike “The Guardian”, teksa u referohet të dhënave të publikuara nga “The Medical Journal Pediatrics”, shpreh shqetësimin se skenat me përmbajtje seksuale dhe intime të ndjekura nga fëmijë nën 12 vjeç ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në dëshirën për të pasur marrëdhënie të tilla shumë më shpejt se ata që qëndrojnë larg këtyre programeve. Po sipas tij, studime të shumta shkencore tregojnë se fëmijë të rritur në kushte të tilla bëjnë të duken të paktën tre vjet më të rritur se bashkëmoshatarët e tyre.
Ndërkohë, kërkime të tjera rezultojnë se te fëmijët që përballen me imazhe që ushqejnë jetën seksuale, vihet re një pjekuri më e shpejtë seksuale, gjë që ka shkaktuar edhe rritjen e madhe të shtatzënive në moshë mjaft të re në Perëndim dhe më gjerë, apo pse jo edhe numrin e madh të aborteve në vendin tonë.
Zhvillimi i identitetit seksual tek fëmijët gjatë fëmijërisë duhet të serviret në mënyrë shumë të kujdesshme dhe të kontrolluar. Studiues të shumtë sjellin në vëmendje skenarët e filmave të ndryshëm me fjalor jo të duhur dhe shaka seksuale. Veprimet e Shrek-ut në shkollë teksa u ul pantallonat shokëve të tij, shkëmbimet e puthjeve midis heronjve të filmave apo imazhe të ngjashme me to, mund të kthehen në një shembull krejt normal për fëmijët që e ndjekin këtë skenë.
E parë në këtë aspekt, programuesit televiziv, para se të vendosin për mesazhin dhe imazhin që do të transmetohet duhet të mendojnë se përse “fëmijët” i quajmë “fëmijë”. Nëse ata, që nga çasti kur vijnë në këtë botë do të zotëronin njohuri, aftësi, ndjenja apo veçori sociale si të rriturit, atëherë nuk do të quheshin të tillë. Pra, fëmijët nuk janë të rritur. Duke qenë se nuk mendojnë dhe veprojnë me mendjen e një të rrituri dhe duke qenë në zhvillim të vazhdueshëm, gjithçka që u serviret atyre duhet të jetë e përshtatshme me botën e tyre fëminore.
Në një program televiziv në një kanal televiziv, kur ishin munduar të bashkonin jetën fëminore me jetën e një të rrituri, mesazhet ishin tërësisht të paqarta dhe shpesh fëmijët binin në pyetjen tërësisht të papranueshme “Ç’bëjnë babi me mamin?…!”
Programacioni për fëmijë, sot tek ne vuan për produkte vendore, që të jenë edukative dhe informuese. Këto nuk ekzistojnë thuajse fare ndërkohë që edhe programet e dubluar, shpesh përdorin një nivel të gjuhës shqipe që edhe të mëdhenjtë mund të kenë vështirësi për të kuptuar.
Fatkeqësisht, në mediat shqiptare, sot fëmijët po përdoren për arsye komerciale, duke mos marrë parasysh ndikimin që ata mund të kenë nga programacione të caktuara që servilen nëpërmjet ekranit të vogël. Ata po përdoren si elementë, dekor apo si mjete për të tërhequr audiencë nga më të rriturit.
Dikur TVSH ka pasur një redaksi vetëm për fëmijët. Sot televizionet janë bërë më se komerciale dhe as që duan t’ia dinë për këtë pjesë! E shumta është që t’i shtyjnë ata të shprehin talentin në emisione shou. Por asnjë nuk ka një redaksi ku të trajtohen me të vërtetë problemet e fëmijëve, çështjet e kohës që jetojmë. Vërtet Borëbadha, Haidi dhe Ana Flokëkuqja janë tërheqëse, por ato kanë qenë përrallat e kohës sonë, një fëmijëri krejt ndryshme nga kjo e sotmja, ku televizioni, Interneti dhe ipad-omania nganjëherë i bën fëmijët të jenë më të suksesshëm në teknologji se prindërit e tyre!
Televizionet, dhe sidomos Televizioni Publik, ka si detyrë të marrë përsipër një pjesë të edukimit të fëmijëve. Edukimi nis që në fëmijëri, që në familje dhe shumë nga këta elemente të të qenit sistematik nisin nga emisionet televizive.
Botuar më 22 mars 2012 në gazetën Panorama
*Autori është pedagog i komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë-BEDËR