“Një ndarje” … me median

30 Gusht , 2012 • Etika dhe Cilësia, Profesionalizmi në media • by

Shqetësimet për dështimet e medias dhe vendimet e tyre janë të shumta. Por “një ndarje” duhet bërë sot, kur shqiptarët kanë akses në më shumë se 20 media vizive dhe akses në dhjetëra radio e gazeta, për atë se kush duhet të ruajë rojtarin.

“Një ndarje” është filmi i fundit i regjisorit të mirënjohur iranian Azgar Fahridi, i cili sjell në jetë një dramë familjare në dritë të plotë dhe në një stil mjaft interesant, ku shikuesi bëhet vlerësuesi i gabimeve të personazheve. Në këtë film personazhet kryesorë bëhen padashje pjesë të jetëve të njëri-tjetrit dhe për të zgjidhur një incident të ndodhur mes tyre janë të detyruar të mbrojnë veten në gjykatë. Dhe është pikërisht mënyra sesi këta qytetarë duhet të zgjidhin problemin e tyre në sistemin ligjor iranian, që më bënë ta marr si shembull për argument të këtij shkrimi. Irani, si reflektues i kulturës orientale, ka një sistem gjyqësor ku kadiu, gjyqtari, është mjaft i pushtetshëm dhe mund të vendosë nëse një person ka thyer ligjin apo ka fyer një zyrtar dhe për këtë arsye nëse meriton burg apo jo. Personazhet duhet të bindin gjyqtarin për pafajësinë e tyre apo për fajin e tjetrit- kjo është e rëndësishme- pa avokat. Besoj se kuptohet nga të gjithë sesa i anshëm mund të jetë vendimi final i gjykatës, ku ligjet njihen vetëm nga gjyqtari dhe qytetarët janë thjesht rrëfyes të ngjarjes.

Ngjarjet në këtë film më ndihmojnë të bëj një paralelizëm me mënyrën e raportimit të lajmeve në Shqipëri. Nuk është mirë të nis një debat se ku konsiston një lajm, por duhet analizuar fakti sesi media mendon që për të shitur një lajm duhet të përfshijnë dhe publikun në lajm dhe ta bëjnë atë gjyqtar jo të lajmit por të fakteve. Cytjen e marr nga lajmi i tmerrshëm i para dy javëve, ku një vajzë e re me emrin Nazime Visha, vrau një burrë, i cili në fillim u quajt ish-bashkëjetues e më pas përdhunues i saj që në moshë të hershme. Në thellësi kjo dramë reflekton dështimet e njëpasnjëshme të sistemit gjyqësor, të policisë, e të vetë familjeve të këtyre fatkeqëve. Por gjithashtu reflekton dështimin e profesionalizmit të medias në vend. Dy raportime të mediave duhen rikujtuar dhe analizuar.

E para ishte dhënia e mundësisë nga një media vizive, babait të vajzës, që të kërcënonte publikisht familjen e të ndjerit dhe më pas të falenderonte të bijën për nderin që i ktheu familjes. E dyta, ka të bëjë me raportimin që i bëri një media e shkruar mesazheve që e akuzuara i ka bërë viktimës në të shkuarën.

Kushdo që i ka lexuar këto mesazhe në media, mban menjëherë një anë duke bërë çdo interpretim apo deklaratë të policisë të dyshimtë, nëse ky është i ndryshëm nga interpretimi i tyre dhe më pas të shtojë dhe një dozë tjetër përbuzjeje të qytetarit shqiptar ndaj korrektesës së shtetit. Në këtë rast dështimet e medias janë të shumta dhe me shumë gjasa zgjatës të konfliktit. Si mundet që familja e të ndjerit të jetë e qetë kur dikush i ka kërcënuar publikisht në media? Si do të reagojë një vajzë tjetër e re që mund të ndodhet në të njëjtat rrethana fatkeqe diku në Shqipëri kur dëgjon se, nëse vret, ka baballarë që të falenderojnë para gjithë Shqipërisë? Çfarë rëndësie ka më pas vendimi i gjykatës kur media merr celularin e të ndjerit dhe publikon para se e akuzuara të dalë në gjyq dhe mesazhe intime të nxirren para gjithë opinionit publik? Shqetësimet për dështimet e medias dhe vendimet e tyre janë të shumta. Por “një ndarje” duhet bërë sot, kur shqiptarët kanë akses në më shumë se 20 media vizive dhe akses në dhjetëra radio e gazeta, për atë se kush duhet të ruajë rojtarin. Tri mundet të jenë zgjidhjet: e para që nuk favorizohet nga media por nga ligjvënësit, raportimi duhet të rregullohet me ligj. E dyta, që është më e favorshme për këndvështrimin e medias, është arritja e disa normave të përbashkëta dhe ato të vetërregullohen. Opsioni i tretë duhet të jetë një organizëm shtetëror apo i përzier, më profesional, i cili duhet të rregulloje se çfarë informacioni i përcillet publikut në vend. Të tre këto opsione duhet të kenë në thelb respektimin e lirisë së medias, por nga ana tjetër edhe të gjejnë një balancë se çfarë lajmi nuk i shërben interesit të publikut, por përkundrazi e çorienton atë.

Këtë javë ne në Shqipëri patëm mundësi të shohim fotot nudo të princ Harry-it të Anglisë në televizor dhe në gazeta. Në Angli kjo nuk ka qenë e mundur, pasi mediat u vetërregulluan, duke menduar se publikimi i këtyre fotove nuk i shërbente interesit publik dhe se ato janë foto private. Në këtë shtet pas disa skandaleve dhe ndërhyrjeve në lirinë e qytetarëve nga ana e medias, është ngritur një komision nga ana e Kryeministrit të vendit, që mundohet të reformojë apo t’i përgjigjet pikërisht kësaj pyetjeje: kush e ruan rojtarin? Në rastin e  vajzës të shndërruar në vrasëse në Shqipëri, media mori përsipër të shndërrojë këtë rast në një ndodhi që duhet gjykuar publikisht nga të gjithë ne. Duke bërë këtë, një dramë fatkeqësisht e përsëritur e shoqërisë sonë u ndërtua për konsum të përditshëm, duke e shndërruar si të ishte një serial telenovelash, ku çdo ditë na servireshin informacione të reja, ekskluzive, që e shndërruan publikun shqiptar në një Sherlock Holms. Publiku nuk mundet dhe nuk duhet të bëhet gjyqtar me copëza informacioni, në një kohë kur policisë, prokurorisë apo dhe vendimit final të gjyqësorit, i lihet pak zë, sikur ata të jenë amatorët dhe ne profesionistët

Botuar në gazetën “Mapo”, datë 26.08.2012. Linku i artikullit original: http://www.mapo.al/2012/08/26/nje-ndarje-me-median/

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend