Barra e madhe e përvojës si gazetar dhe angazhimi si pedagog i jashtëm në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, ia bën më të lehtë Aleksandër Furxhiut, që në intervistën e mëposhtme dhënë gazetës “Reporteri”, të identifikojë mundësitë, sfidat por edhe mangësitë e studentëve të gazetarisë në ëndrrën e tyre për t’u bërë pjesë e pushtetit të katërt. Dhe duket se ta gjitha këto lidhen vetëm me pasionin dhe përkushtimin e secilit.
Çfarë ndryshimi ka në perspektivën e studentëve të sotëm në raport me atë të brezit tuaj në lidhje me gazetarinë?
Ka shumë ndryshim. Mjafton të përmendim atë më thelbësorin: perspektiva e brezit tonë (fund i viteve 80, fillim i 90) ishte krejt e panjohur. Atëherë shumë prej nesh iu futën gazetarisë pa e ditur se çfarë po bënin, pa orientim, pa u shkolluar në gazetari. Ishte vetëm pasioni dhe vegimi për të informuar në stilin perëndimor që po depërtonte lirshëm prej hapjes së vendit, me shembjen e regjimit komunist.
Sot studentët kanë perspektiva të qarta, sot nuk është e vështirë të kuptosh se si duhet të bëhet profesioni i gazetarit dhe si nuk duhet bërë. Shembujt janë të gjallë, sidomos shembujt se si nuk duhet të jetë gazetari. Kam një frikë se nuk janë shumicë ata që e dallojnë gazetarinë kallpe nga profesioni i vërtetë.
Si ju duket niveli i studentëve të gazetarisë?
Më vjen mirë kur shoh se në auditorë nuk mungojnë djem e vajza inteligjente e me pasion për gazetarinë. Edhe pse këta nuk janë shumica, përsëri mbetem optimist se talentet dhe të zotët do të çajnë rrugën e suksesit të vërtetë.
Por, ka edhe një numër syresh që duket sikur vijnë në auditor se nuk kanë ku shkojnë tjetër. Dua të them që nuk shfaqin interes, nuk janë aktivë dhe ndoshta do bënin mirë ta gjenin veten diku tjetër.
Mendoni se studentët paralelisht me shkollën duhet të bëjnë gjithashtu edhe një punë?
Nuk shoh asnjë arsye për ta kundërshtuar këtë mendësi. Përkundrazi, gazetaria është një profesion që mund të perfeksionohet dhe të piqet më mirë duke e praktikuar që në kohën e studimeve. Ndryshe nga mjeksia ku nuk mund të marrësh përsipër te diagnostikosh apo të kryesh një operacion në qoftë se nuk ke kaluar më parë vite studimi.
Gjatë bashkëbisedimeve të ndryshme të zhvilluar me studentët, cilat janë problematikat që kanë dalë në pah? Për çfarë mendoni se kanë nevojë ato?
Studentët janë ëndërrimtarë, dëshirojnë suksesin dhe mezi presin ditën që të bëhen të famshëm. Dëshirojnë të punojnë, janë sy e vesh hapur për të bashkëpunuar me redaksitë, sidomos të televizioneve. Kjo është një gjë e bukur dhe duhet respektuar. Problemi është që ata duhen ndihmuar apo orientuar disi për të kapërcyer një zhgënjim që hasin kur nisin të punojnë në terren. Leksionet dhe parimet që dëgjojnë në auditore nuk para respektohen shumë, gjë që i trondit disi. Këtu qëndron vështirësia. Këtu fillon dilema: të rezistosh apo të bësh si ata që punojnë pa respektuar parimet bazë të profesionit.
Çfarë nuk ndodh në praktikë ashtu siç mësohet në shkollë?
Pyetje me vend. Në radhë të parë, studentët, kur nisin punë në redaksi, shpesh mund të çuditen se përse lajmet nuk shkruhen sipas parimeve që ata i mësojnë që në leksionet e para të vitit të parë. Përse nuk shkruhet lajmi mbi bazen e pyetjeve: çfarë? ku? kur? pse? si?. Së dyti, një sfidë e madhe është paanshmëria. Këtë parim të shenjtë që ata e dëgjojnë çdo ditë e çdo orë të leksioneve në universitet, detyrohen ta harrojnë në praktikë. Pse ? Sepse shumica e mediave te ne janë partizane.Po në shkollë duhet t’ju thuhen ato që ndodhin në jetë?
Patjeter që duhet. Unë mendoj se ky ballafaqim mes parimeve dhe realitetit duhet bërë patjetër, në mënyrë që studentët të dinë më parë sfidën që i pret. Sa më mirë të bëhet ky ballafaqim, aq më pak brengosës do të jetë beteja për ta fituar sfidën e zbatimit të parimeve të gazetarisë së vërtetë.
Mendoni se njohuritë që marrin në fakultet janë të mjaftueshme për studentët për t’u përballuar më pas me tregun e punës?
Jo. Ky do të ishte iluzion. Por kjo është universale. Në cilin profesion mjaftokan njohuritë për të përballuar tregun e punës? Por patjetër që njohuritë e shkollës janë një bazë e mirë. Vetëm baza. Gjithçka mbetet për t’u ngritur dita-ditës, me mundim, përpjekje dhe kënaqësinë që të jep puna.
Nga përvoja juaj, a keni konstatuar se studentët ndjekin mediat e huaja. Nëse jo, çfarë pasojash sjell mos ndjekja e mediave të huaja?
Nga aq sa kam mundur të vërej, një pjesë e mirë nuk i ndjekin. Ka prej tyre që kur i pyet se cilat media të huaja transmetojnë në gjuhën shqipe, të përgjigjen: CNN. Të mos shikosh apo mos lexosh mediat e huaja (natyrisht, ato të Perëndimit) do të thotë që të kesh horizont të ngushtë. Nuk e di, por nuk e kuptoj se si mund të kesh pasion për këtë profesion dhe të mos mbash sytë nga përvoja perëndimore. Jo se në hapesirën shqiptare nuk ka shembuj të mirë. Unë mendoj se ka, por janë të pamjaftueshëm. Edhe kur flas për përvojë perëndimore kam parasysh shembujt më të mirë, jo çdo lloj produkti mediatik europian apo amerikan.
Kjo mos ndoshta lidhet edhe me aftësitë dhe njohuritë e studentëve në gjuhët e huaja? Cili është opinioni juaj për këtë gjë?
Nuk mund të jem kategorik, por kam vënë re se gjuhët e huaja që zoterojnë studentët e gazetarisë dhe sidomos niveli i njohurive të tyre janë shumë më poshtë mundësive që ekzistojnë në ditët tona.Në kohën e diktaturës ishte ngjarje kur të binte në dorë një libër apo qoftë edhe një gazetë perendimore. E megjithatë gjuhët e huaja përvetësoheshin edhe në ato kushte. Sot është e pafalshme ta lësh kohën të rrjedhë pa u pajisur me instrumentet bazë të profesionit, mes të cilëve gjuhët e huaja janë në radhën e parë.
A ka shanse një student i gazetarisë dhe komunikimit që të bëjë praktikë në mediat e huaja? Nëse po, si mund të realizohet kjo?
Duke qenë se mediat e huaja në gjuhën shqipe po humbasin terren (BBC, RFI i kanë mbyllur tashmë shërbimet në gjuhën shqipe) këto mundësi po reduktohen. Sa për media të huaja në gjuhë të huaj, është e vështirë. Në fakt, këto mundësi shtohen për gazetarët e rinj. Kurse, seminare, apo edhe bursa studimi afatshkurtëra ofrohen herë pas here në kuadrin e ndihmës së huaj për zhvillim nga vende të ndryshme perëndimore për Shqipërinë.