Për gazetarin e së ardhmes

21 Qershor , 2012 • Mediat e Reja • by

Nuk ka asnjë arsye për panik lidhur me mbijetesën e profesionit të gazetarit në një shoqëri ku informacioni nuk është më monopol i mediave, për shkak të teknologjisë. Përkundrazi, gazetaria do të forcohet si një nevojë e shoqërisë për informacion të saktë dhe të besueshëm.

Industria e informacionit gjendet sot nën një trysni të madhe ndryshimesh, për shkak të zhvillimeve të vrullshme që ofron teknologjia në këtë fushë. Ndryshimet kanë prekur çdo qelizë të industrisë e në këtë kuptim edhe profesionin e gazetarit, i cili për dekada me radhë ka qenë i lidhur me gazetën, mediumin nga i cili lindi. Sot gazeta e shtypur përballet me një krizë të rëndë financiare dhe kërcënohet nga media dixhitale, por cilado qoftë e ardhmja e saj, ky është një moment për të bërë ndarjen dhe për të reflektuar mbi nevojat që shtrohen përpara profesionit të gazetarit. “Shoqëria nuk ka nevojë për gazeta. Ajo ka nevojë për gazetarë”, thotë kritiku Clay Shirky. Po, por çfarë gazetarësh?

Është e qartë se gazetari i sotëm ndryshon nga ai i viteve 1900, madje edhe i viteve 2000. Gjithë duke mbajtur në këmbë parimet bazë të profesionit si raportimin e drejtë dhe objektiv, të ndershëm dhe të paanshëm, kudo po bëhen përpjekje që gazetarët të pajisen me aftësi të tjera që mundësojnë një gazetari më të mirë, duke marrë parasysh të gjitha përparësitë dhe disavantazhet e shoqërisë së informacionit ku po jetojmë. Shkollat që ofrojnë formim universitar në fushën e gazetarisë po rishohin kurrikulat e tyre dhe vërehet një lloj prirjeje që ato të shkrihen ose të bashkohen me shkencat e komunikimit. Kjo prirje reflektohet edhe në arsimin tonë të lartë. Nuk di të them nëse këto ndryshime do të nxjerrin gazetarë më të mirë për tregun. Ajo që është e rëndësishme, për mendimin tim, është që gazetarët e së ardhmes të pajisen me disa aftësi bazë që i përshtaten shoqërisë së sotme dhe nevojave të saj. Nëse i marrin këto në një shkollë gazetarie, shkenca komunikimi, juridiku apo ekonomiku, pak rëndësi ka.

Pra, si duhet të jetë gazetari i së ardhmes? Në analizën tonë, gazetari i së ardhmes duhet të ketë tri cilësi: analitik, mendjehapur dhe multimedial.

Lidhur me nevojën e forcimit të aftësive analitike, mjafton të përmendim që sot qarkullon shumë më tepër informacion në raport me 20 vite me parë. Kemi një inflacion informacioni nga të gjitha anët- vetëm progresraportet e BE-së janë volume prej qindra faqesh. Kjo do të thotë që gazetari të shpenzojë kohë në leximin, kuptimin dhe nxjerrjen e lajmit prej tyre. Na duhen aftësi analitike më të mira për gazetarët e ardhshëm.

E dyta, sot kemi të bëjmë më një makineri të tërë të marrëdhënieve publike, kemi të bëjmë me strategji të përgatitura nga profesionistë, fushata mediatike të mirëstudiuara për të fituar mbështetjen e audiencës dhe kjo, jo domosdoshmërish, kalon nga media. Për t’i bërë ballë kësaj furie të përpunimit të opinionit publik nga profesionistë, na duhet një gazetar i shkolluar po se po, por edhe i aftë për të gërmuar mes bollëkut të informacionit që i serviret nga të gjitha anët, i qartë për misionin e vet dhe i pakomprometueshëm në orientimin e tij. Gazetarët nuk janë vetëm mbajtës mikrofoni, ata janë aty për të bërë pyetjet e duhura dhe për të marrë përgjigjet që i interesojnë publikut. Dikur, gazetarët me master apo doktoraturë shiheshin si çudi, por mendoj se sot studimet e thelluara janë të nevojshme për të përballur jo vetëm këtë botë të rrëmujshme informacioni, por edhe nivelin e figurave publike që intervistohen. Disiplina që të imponon kërkimi shkencor e mundëson këtë gjë.

E treta, gazetarët e ardhshëm duhet të jenë të përgatitur për të gjitha gjinitë mediatike si radio, tv, shtyp apo online. Sot ka platforma që i ofrojnë të gjitha këto, duke e bërë punën e gazetarit më fleksibël se kurrë. Një gazetar i mirë është ai që arrin të fiksojë ngjarjen me kamerën e tij iPhone ose dhe profesionale, të shkruajë raportin, të raportojë live nga vendngjarja dhe ta hedhë në rrjet shkrimin e tij, të hapë blogun e vet dhe t’i përgjigjet audiencës. Sigurisht që kjo kërkon një përgjigje edhe nga ana e punëdhënësve, të cilët duhet ta vlerësojnë më mirë punën e një gazetari që bën punën e 4 vetave dhe jo të kërkojnë shtim të punës pa rritje të stimulit financiar.

E katërta, dikur gazetarët i flisnin publikut të tyre kombëtar. Me rënien e Murit të Berlinit, bota është bërë më e hapur, më globale, diversiteti më i dukshëm, audienca më e larmishme. Sot flitet për shoqëri multikulturore dhe gazetarët duhet t’i përgjigjen këtij realiteti, duke qenë mendjehapur, duke respektuar parimet e diversitetit kulturor, duke mos nxitur urrejtjen dhe paragjykimet, duke shmangur klishetë dhe stereotipat e duke kontribuuar në forcimin e kohezionit social.

E pesta, mendohet se çdokush që ka një media në zotërim (kamera, aparat fotografik, blog, faqe personale, profil në media sociale, iPhone) mund të kthehet në gazetar. Në fakt, nuk është kështu, ata janë thjesht burime të informacionit. Gazetari që ka formimin e duhur profesional duhet ta trajtojë me mjetet e veta këtë info që i vjen nga publiku, d.m.th. ta verifikojë, ta analizojë, të shohë konsideratat etike dhe më pas ta publikojë.

Me këto karakteristika bazë, nuk ka asnjë arsye për panik lidhur me mbijetesën e profesionit të gazetarit në një shoqëri ku informacioni nuk është më monopol i mediave, për shkak të teknologjisë. Përkundrazi, gazetaria do të forcohet si një nevojë e shoqërisë për informacion të saktë dhe të besueshëm. Siç thotë Pierluca Santoro: “Teknologjia që do të ndryshojë gazetarinë quhet përmbajtje, hapje dhe pjesëmarrje.”

Marrë nga Gazeta Shqip, datë 17 qershor 2012. Titulli në original: “Çfarë gazetari/e për të ardhmen?”

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

Send this to a friend