Mediat përballë Covid-19 dhe mungesës së përkrahjes financiare

31 Mars , 2020 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Askush nuk mundet dhe nuk duhet të nënvlerësojë rolin e medieve në këtë situatë emergjente, e aq më pak punën e qindra gazetarëve, që këto ditë e bëjnë punën e dyfishtë të një ditë të zakonshme, duke e rrezikuar shëndetin e tyre, për të qenë pran publikut në këto ditë të izolimit e karantimit. Sikurse mantilbardhët e policët edhe gazetarët janë në vijën e parë të frontit, duke e luftuar këtë pandemi, përmes informimit dhe sensibilizimit të qytetarëve, dhe për këtë meritojnë duartrokitje dhe mbështetje financiare nga fondi emergjent. Mediet dhe gazetarët duhet të vlerësohen për punën që kanë bërë që nga fillimi i pandemisë, përgjegjësinë e treguar, sensibilizimin e qytetarëve, informimin në kohë reale dhe edukimin e masës në raport me veprimet dhe masat që duhet ndjekur.

Si asnjëherë më parë, bota është mobilizuar për ta luftuar një armik të përbashkët e të panjohur me emrin COVID-19. Ky armik i panjohur dhe i padukshëm, ka tronditur shumë shtete, duke shkaktuar viktima të shumta, mobilizime dhe reagime të papara nga ana e qeverive, që u gjendën për një moment para një sfide të rendit botëror. Ndërkohë që ky virus vazhdon të përhapet me shpejtësi, ekonomitë e vendeve të ndryshme kanë filluar t’i bëjnë llogaritë e tyre, duke paralajmëruar zhytje në recension ekonomik, që sipas tyre, të paparë në dekadat e fundit.

Të gjendur në një situatë të tillë, qeveritë nga vende të ndryshme kanë prezantuar fonde të emergjencës. Një veprim të tillë e ka ndërmarr edhe Qeveria e Kosovës. Fatkeqësisht, nga mbështetja brenda kësaj pako emergjente u përjashtuan në mënyrë të padrejtë mediet dhe gazetarët, edhe pse COVID-19, i ka goditur mediet po thuajse ngjashëm më bizneset e tjera.

Mediet janë biznese, që kryesisht financohen përmes reklamave. Por, kur bizneset janë të mbyllura dhe nuk mund t’i ofrojnë produktet e tyre për klientët, nuk investojnë në marketing, një pjesë e tyre tashmë janë edhe në recension. Qeveria ka paraparë kategori dhe skema të ndryshme të mbështetjes financiare, por, nuk është llogaritur që edhe mediet janë punëdhënëse, nuk është llogaritur që edhe gazetarët janë pjesë e shoqërisë, janë familjarë, që me punën e tyre e mbajnë familjen. Pra, edhe mediet do të jenë në recension, dhe rënia e tyre do të thotë më pak staf, më pak mundësi për t’u informuar, më pak mundësi për fjalë të lirë, më pak mundësi për gazetari profesionale, e më pak demokraci.

Në Shqipëri, është marr një iniciativë nga përfaqësuesit e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), që po kërkojnë të ndihmohen televizionet dhe gazetat online, ndërkaq shtypi ka javë të tëra që është mbyllur në versionin e printuar. AMA ka ndërmarr gjithashtu mas lehtësuse për mediet në raport me obligimet e licencimit. Tek ne, se kuptoj pse nuk ndërmerr diçka të tillë Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), të paktën nëse nuk e ka bërë, të kërkoj një mbështetje nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe mediet kryesore atje po kërkojnë mbështetje me të drejtë, sepse, sipas tyre gazetarët para se gjithash janë njerëz, kryefamiljarë që mbajnë familje dhe që meritojnë respekt për punën e tyre në këtë kohë pandemie. Pra, institucionet e Kosovës duhet t’i përfshijnë në këtë fond emergjentë edhe mediet, jo për t’iu dhënë lëmosh, por për t’i mbështetur financiarisht ashtu siç po vepron Italia, Franca, Gjermania etj.

Medieve dhe gazetarëve iu ka munguar në këtë kohë edhe një përfaqësim sindikal, që do të kërkonte dhe përfaqësonte interesat e tyre për mbështetje emergjente financiare nga institucionet, do të kërkonte nga po këto institucione, mbështetje të sigurisë në punë, sepse, gazetarët e kanë të garantuar lirinë e shprehjes, por, nuk janë të garantuar që nuk do të preken nga virusi korona.

Askush nuk mundet dhe nuk duhet të nënvlerësoj rolin e medieve në këtë situatë emergjente, e aq më pak punën e qindra gazetarëve, që këto ditë e bëjnë punën e dyfishtë të një ditë të zakonshme, duke e rrezikuar shëndetin e tyre, për të qenë pran publikut në këto ditë të izolimit e karantimit. Sikurse mantilbardhët e policët edhe gazetarët janë në vijën e parë të frontit, duke e luftuar këtë pandemi, përmes informimit dhe sensibilizimit të qytetarëve, dhe për këtë meritojnë duartrokitje dhe mbështetje financiare nga fondi emergjent. Mediet dhe gazetarët duhet të vlerësohen për punën që kanë bërë që nga fillimi i pandemisë, përgjegjësinë e treguar, sensibilizimin e qytetarëve, informimin në kohë reale dhe edukimin e masës në raport me veprimet dhe masat që duhet ndjekur.

Krejt në fund, kjo mbështetje emergjente financiare për mediet do të ndikonte në kualitetin e informacionit, sepse, në rrethana të tjera, mediet do të detyrohen të zvogëlojnë stafin e tyre, dhe sa më pak staf, më pak kualitet në informacion, më pak terren, e më pak raportim në kohë reale.

Sot, është e domosdoshme një gazetari e mirëfilltë e bazuar mbi standarde profesionale dhe etike të raportimit. Gazetaria sot në njërën anë dhe publiku në anën tjetër, po ballafaqohen si në çdo situatë të ndjeshme me lajmet e rreme, që po prodhohen dhe po keqpërdorën përmes rrjeteve sociale. Prandaj e vetmja rrugë për ta luftuar këtë infodemi në kohën e pandemisë është gazetaria kredibile, e cila ka nevojë të suportohet në këtë situatë të rëndë të pandemisë së koronavirusit.  Në situata të tilla kur rrezikohet shëndeti publik i masës, informimi kredibil, i ndershëm e profesional do të ndikonte që publiku të informohej dhe të edukohej, pa frikë, pa panik dhe pa lajme të rreme.

 

*Dr. Muhamet Jahiri është pedagog i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Tags:, , , ,

Send this to a friend