Prej Sarajevës deri në Prishtinë ka një largësi ajrore prej vetëm 262 kilometra. Por me makinë duhet të shkosh nëpër Mal të Zi, në një gjatësi prej 428 kilometrash dhe duhet të kalosh dy vende. Pasi jo të gjitha rrugët janë në gjendje të mirë, kjo do të thotë se rruga zgjat zakonisht rreth shtatë orë. Por gazetari i ri boshnjak, Azem Kurtiq ka udhëtuar nga Sarajeva deri në Prishtinë plot 20 orë me makinë. Shkaku: problemet me viza mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. “Së pari është dashur të shkoj në Shkup të paraqes kërkesën për vizë në ambasadën e Kosovës”, shpjegon Kurtiq. Ai nuk e ka ditur deri në momentin e fundit ,nëse vërtet do t’i jepet viza dhe do të lejohet të futet në Kosovë, për pjesëmarrje në një konferencë të gazetarëve të rinj që u mbajt në Prishtinë.
Deutsche Welle ka organizuar në Prishtinë konferencën e tretë të projektit Balkan Booster, me gazetarë të rinj nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore. Në këtë projekt kanë punuar së bashku gazetarë nga të gjitha vendet e rajonit. Qëllimi i projektit, vendosja e lidhjeve mes gazetarëve të rinj, por edhe raportimi për problemet më të rëndësishme të rajonit. Këtë vit tema kryesore ishte – ekologjia. Por ky rajon ende vuan nga nacionalizmat. Një prej shembujve është edhe odiseja e Kurtiqit me vizat dhe udhëtimet. Jeta e përditshme e njerëzve në Ballkan është plot pengesa.
Ruajtja e mjedisit nuk njeh kufij
Por natyra nuk i njeh ndasitë. Erërat, problemet me lumenjtë dhe hapësirën janë të ngjashme – ekologjia dhe ruajtja e mjedisit janë një problem global. Gazetarët e rinj të përfshirë në projektin e DW Balkan Booster kanë vizituar vendet e rajonit dhe kanë bërë reportazhe e kronika për gjendjen. Për shembull, Teodora Qurçiq nga Serbia dhe Alban Hoxha nga Shqipëria kanë punuar së bashku – në Serbi dhe në Shqipëri. Ata së bashku kanë trajtuar problemet me ndotjen e ajrit dhe tokës në këto dy vende.
“Bashkëpunimi ka qenë shumë pozitiv. Ne kemi ndihmuar njëri-tjetrin me përkthime dhe kemi kuptuar së bashku problemet e njerëzve në këto vende“, shpjegon Albani. Ndërsa Teodora shton: “Fakti që kemi punuar me tema të njëjta dëshmon, se ne të gjithë gjendemi para problemeve të njëjta, ndonëse politikanët tanë garojnë kundër njëri-tjetrit me qëllim që të dëshmojnë se janë të rëndësishëm. Albani dhe unë kemi raportuar së bashku për dy zona të ndryshme, por me probleme të ngjashme.”
Adelheid Feilcke nga DW është e sigurt se me këtë projekt përfitojnë të gjithë dhe se zgjidhjet e problemeve mund të vijnë nga komunikimi i përbashkët. „Në Ballkan nuk ka konflikte të tjera serioze si ai mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë. Çdo formë e takimeve çdo kontakt i drejtpërdrejtë mes njerëzve dëshmon, se ata kanë probleme dhe sfida të ngjashme. Ndaj të rinjtë duhet të vendosin kontakte mes tyre. Është tepër me rëndësi që në rajonet me konflikte etnike dhe shtetërore të krijohen ekipe të përbashkëta pune, për të dëshmuar se gjërat mund të zhvillohen edhe ndryshe. Ne mund të sillemi normalisht me njëri-tjetrin.“
Mediat e kontrolluara
Por në mediat e rajonit nuk vërehet ndonjë afrim apo bashkëpunim. Raportimet e pavarura për temat që prekin vendet tjera janë tepër të rralla. Ndërkohë që sfidat e përbashkëta janë tepër të mëdha. Izolimi ekonomik, shpërngulja në masë e njerëzve dhe ndotja e mjedisit. Lista e problemeve është e gjatë. Hendrik Sittig nga fondacioni Konrad Adenauer thotë se ata kanë hulumtuar gjendjen në media dhe kanë konstatuar se “njerëzit e dinë mirë, pse nuk u besojnë mediave të tyre.”
Ekzistojnë dy faktorë kryesorë që pengojnë raportimin e pavarur, thotë Sittig për DW. “Në njërën anë janë bordet kontrolluese, që zgjidhen nga parlamentet dhe institucionet e tjera të shtetit. Kjo ndikon në varësinë e tyre. Ndërkohë që këto borde duhet të jenë pasqyrë e lirisë së marrjes së vendimeve, si për shembull tek zgjedhja e drejtorëve të përgjithshëm. Dhe në anën tjetër, shumë televizione tërësisht apo pjesërisht financohen nga buxhetet e shtetit. Shpesh ato nuk kanë para të mjaftueshme për funksionimin e duhur të televizioneve.“
Kontaktet dhe e ardhmja
Gjendja më frustruese është pikërisht për gazetarët e rinj, sepse shpesh nuk ka kushte për raportime kritike. Bashkëpunimi rajonal është tepër i rrallë. Një prej tyre është Balkan Booster, i cili u ofron gazetarëve të rinj mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe trajtimin e problemeve që politika i “ka harruar”.
Adelheid Feilcke pohon se problemet ekologjike janë tepër të rëndësishme dhe të përbashkëta. “Gjërat janë të ndërlidhura. Nëse ekologjia injorohet në media, atëherë ky problem nuk është i pranishëm dhe nuk do të ketë ndryshime të shpejta në politikën e këtyre vendeve. Politika shpesh merret vetëm me problemet politike mes partive dhe harron çështjet sociale dhe ekologjike. Ndaj duhet të shtohet presioni i qytetarëve. Nëse reporterët e rinj e kuptojnë seriozisht këtë problem, atëherë politika duhet të reagojë.”
Esenciale është, siç thotë Feilcke, vendosja e lidhjeve mes të rinjve. Këtë e mundëson edhe digjitalizimi i përgjithshëm dhe komunikimi më i lehtë. „Jam e sigurt se kontaktet që kemi vendosur me këtë projekt do të jenë një stimulim i madh për trajtimin e temave ekologjike. Shpresojmë se kjo temë do të trajtohet edhe më shumë në vendet prej nga vijnë këta të rinj.”
————-
Burimi: https://www.dw.com/sq/gazetaria-ekologjike-kund%C3%ABr-nacionalizmit-n%C3%AB-ballkan/a-51721634