Termi ndarje dixhitale ka nisur të përdoret kryesisht në dy dekadat e fundit dhe është i lidhur specifikisht me zhvillimet në fushën e internetit dhe të teknologjive të informacionit dhe të komunikimit (TIK). Ai nisi të artikulohej sidomos pas mesit të viteve ’90 dhe zuri vend si në kuadrin e diskursit politik mbi pabarazitë e shoqërisë së informacionit, ashtu edhe në kuadrin e diskursit akademik dhe shkencor lidhur me aksesin, përhapjen dhe përdorimin e internetit dhe të TIK.
Ndarja dixhitale – qasje teorike
Për hir të së vërtetës, termi ndarje dixhitale ka hapur mjaft diskutime në rradhët e studjuesve. Sipas Van Dijk, termi ka qenë rrethuar më shumë me konfuzion se sa me qartësi. (Van Dijk, J.; 2008) Nga ana tjetër, disa autorë e konsiderojnë më shumë si një metaforë se sa një term me kuptim unik të drejtpërdrejtë. Van Dijk vëren se termi “ndarje dixhitale”, mund të gjenerojë disa gracka kuptimore. Së pari, kjo metaforë mund të kumtojë një ndarje të thjeshtë mes dy grupeve, mes të cilave ekziston një hendek i paqartë. Së dyti, termi mund të nënkuptojë një boshllëk pa ura bashkimi. Së treti, termi krijon përshtypjen e pabarazive absolute mes atyre të përfshirë dhe atyre të papërfshirë, ndërkohë që realisht këto lloje pabarazish në fushën e TIK janë shumë më relative. Dhe së fundmi, termi mund të krijojjë edhe kuptimin e një situate statike ndërkohë që zhvillimet në fushëm e TIK kanë qenë shumë dinamike. (Van Dijk, J.; 2008)
Gjithsesi, siç thekson edhe Van Dijk, termi dhe vetë koncepti “ndarje dixhitale” nuk është një kopertinë bosh brenda së cilës nuk ka përmbajtje. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një “container concept” që mbart disa kuptime. (Van Dijk, J.; 2008)
Studimet e para për ndarjen dixhitale fokusohen kryesisht tek aksesi në teknologjitë e reja të informacionit dhe të komunikimit duke e lidhur këtë akses ngushtësisht me aksesin material, dhe duke e konceptuar ndarjen dixhitale si një proces binar që nënkupton ndarjen mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë akses në internet dhe në TIK.
Por me përhapjen masive të internetit, studiuesit vunë re se qasja dikotomike e deriatëhershme e ndarjes dixhitale ishte e pamjaftueshme dhe se duhej tejkaluar konceptimi binar, dhe lidhja e saj vetëm me aksesin material.
Rob Kling sugjeroi klasifikimin e aksesit në akses teknik (duke nënkuptuar disponueshmërinë e teknologjisë) dhe akses social (duke nënkuptuar morinë e njohurive profesionale, burimeve ekonomike dhe aftësive teknike që kërkohen për përdorim efektiv të teknologjisë). (Kling, R.; 1999)
Van Dijk nga ana e vet paraqiti një model me katër tipe suksesive dhe akumulative të aksesit që shënojnë hapat që duhet të ndërmerren nga përdoruesi individual në tërësinë e procesit të përvetësimit të teknologjisë dixhitale. Siç shihet edhe në grafikën e mëposhtme, ai dallon katër tipe të aksesit: 1. Aksesi i bazuar tek motivimi, 2.Aksesi material; 3.Aksesi sipas aftësive, dhe 4. Aksesi i përdorimit. (Van Dijk, J.; 2008)
Në vitin 2001 Attewell propozoi një klasifikim të ndarjes dixhitale në dy nivele: ndarja dixhitale e nivelit të parë që lidhet me aksesin e diferencuar në kompjutera dhe në internet, dhe ndarja dixhitale e nivelit të dytë që përfshin pabarazitë në përdorimin e kompjuterit dhe të internetit. (Attewell, P.; 2001) Në të njëjtën linjë me Attewell është edhe Eszter Hargittai e cila thekson se, me përhapjen e internetit në shumicën e popullsisë, bëhet gjithnjë e më pak e dobishme që t’i shohim gjerat vetëm sipas klasifikimit binar i cili, kur ne marrim në shqyrtim pabarazitë që lidhen me internetin, thjesht i përgjigjet pyetjes se kush është online. Përtej kësaj ne duhet të nisim të qëmtojmë diferencat në mënyrën se si ata që janë online e aksesojnë dhe e përdorin mediumin.…Duke eksploruar diferencat në mënyrën se si njerëzit e përdorin webin për të marrë informacion, ne mund të dallojmë edhe nivelin e dytë të ndarjes dixhitale. (Hargittai, E.; 2002)
Ky fokus i shtuar ndaj aspektit të përdorimit të internetit dhe të TIK në nivelin e dytë të ndarjes dixhitale, solli nevojën për një përcaktim të qartë edhe të mënyrës se si do të matet ky përdorim. Sipas Livingstone dhe Helsper, natyra e përdorimit dhe aftësitë e kërkuara për të maksimizuar benefitet e internetit mund të maten në shumë mënyra, si përshembull: frekuenca e përdorimit, koha e shpenzuar online, llojet e përdorimit, niveli i ekspertizës në përdorim, aftësitë specifike online, sjelljet ndaj përdorimit të internetit, etj. Në këtë mënyrë kërkimi është zhvendosur drejt llojeve dhe cilësisë së përdorimit, duke tejkaluar binaritetet e thjeshta akses/jo akses apo përdorim /mospërdorim dhe duke u vënë në kërkim të shkallëve të ndryshme dhe të shkëmbyeshme të margjinalitetit në përfshirjen apo përjashtimin dixhital. (Livingstone S. & Helsper, E.: 2007)
Eszter Hargittai vëren se krahas mënyrave bazike të matjes së aksesit në një medium, ne duhet të konsiderojmë edhe elementë më të detajuar të matjes së përdorimit, tek të cilat, sipas saj, përfshihen:
1.mjetet teknike (cilësia e pajisjeve)
2.autonomia e përdorimit (lokalizimi i aksesit, liria në përdorimin e mediumit)
3.rrjetet e mbështetjes sociale
4.eksperienca
5.aftësitë (Hargittai, E.; 2003)
Avancimi i qasjes ndaj ndarjes dixhitale, nga thjesht një qasje e lidhur me aksesin në një qasje që përfshin edhe përdorimin, i dha shumë kolorit debatit teorik dhe kërkimit empirik. Tashmë, përveç pyetjes se kush ka akses dhe kush nuk ka, përfshihen edhe shumë pyetje të tjera kërkimore që lidhen me mënyrën se si përdoret interneti dhe TIK, me diferencat që lindin prej statusit socio-ekonomik të përdoruesve dhe në përgjithësi prej shtresëzimit social të tyre.
Nën këtë qasje më të plotësuar, termi dhe koncepti “ndarje dixhitale” e kapërcen semantikën e vet parësore dhe shfaqet edhe me nuancat e pabarazisë dixhitale, hendekut dixhital apo diferencimit dixhital. Pra ai shfaqet si një term polisemantik apo si një container concept, siç thotë Van Dijk. Si term ai pranon gjithashtu edhe ekzistencën e një continuum-i mes ndarjeve, duke i relativizuar ato dhe njëherësh duke vendosur ura lidhjeje mes tyre. Me këtë qasje edhe kërkimi nuk mbetet në ndarjen i dixhitalizuar / i pa dixhitalizuar por sheh edhe diferencat mes më pak të dixhitalizuarve dhe më shumë të dixhitalizuarve, mes më mirë të dixhitalizuarve dhe më keq të dixhitalizuarve, etj.
Këtë lloj qasjeje ndaj ndarjes dixhitale është i prirur të aplikojë edhe ky punim. Objekti kërkimor i tij është ndarja dixhitale e nivelit të dytë në Shqipëri, duke u fokusuar kryesisht tek ndarja dixhitale sipas grupmoshave dhe ndarja dixhitale sipas niveleve të ndryshme të arsimimit. Më tej studimi tenton të zbulojë korelacionet që ekzistojnë mes diferencave në këto dy variable të ndarjes dixhitale dhe diferencave në sjelljen e publikut ndaj mediave audi-vizive dhe kryesisht ndaj televizionit, në aspektin e informimit. Me fjalë të tjera punimi synon t’i përgjigjet dy pyetjeve kërkimore:
1.Sa dhe si e përdorin grupmosha të ndryshme televizionin për t’u njohur me të rejat e ditës dhe cila është lidhja mes ndarjes dixhitale dhe sjelljes së grupmoshave të ndryshme ndaj informimit përmes mediave audio-vizive.
2.Sa dhe si e përdorin grupet me nivel të ndryshëm arsimimi televizionin për t’u njohur me të rejat e ditës dhe cila është lidhja mes ndarjes dixhitale dhe sjelljes së grupeve me nivel të ndryshëm arsimimi ndaj informimit përmes mediave audio-vizive.
Ndarja dixhitale sipas grupmoshave dhe sipas niveleve të ndryshme të arsimimit
Përhapja e internetit gjatë dekadës së fundit në Shqipëri ka njohur ritme të kënaqshme, duke e afruar mesataren e aksesit në vend me atë të vendeve europiane. Sipas ITU, (International Telecommunication Union) përqindja e individëve që e përdornin internetin deri në janar 2018 arrinte në rreth 72% të popullsisë. Që do të thotë se vetëm rreth 28 % e popullsisë nuk kishte akses në internet deri në këtë periudhë.[1]
Duke njohur këtë ndarje të nivelit të parë që lidhet me aksesin në internet, hulumtimi i zhvilluar në kuadër të këtij punimi është shtrirë më tej për t’iu përgjigjur pyetjes: Po me 72 % të popullsisë që ka akses në internet, si është situata dhe cila janë diferencat e shfaqura përsa i takon përdorimit? Cilat janë gjithashtu diferencat edhe përsa i takon teknologjive të tjera të informacionit dhe të komunikimit?
Kërkimi rreth ndarjes dixhitale në aspektin e përdorimit, i zhvilluar në vendet perëndimore në më shumë se dy dekada, ka zbuluar se ajo asociohet me moshën e përdoruesve, gjininë, nivelin e arsimimit, të ardhurat, origjinën etnike, gjeografinë dhe me variabla të tjerë kulturorë, ekonomikë, socialë dhe demografikë. Nga një shqyrtim i imtësishëm i kërkimit të zhvilluar në Shqipëri i kryer nga autori i këtyre radhëve (edhe pse kërkimi në vend është i pakët dhe sporadik), rezulton se dy prej variableve në të cilat konstatohet një ndarje dixhitale më e qartë dhe më e theksuar janë pikërisht mosha dhe niveli i arsimimit. Për të arritur në këtë përfundim janë konsultuar rezultatet e dy sondazheve, përkatësisht të vitit 2017 dhe 2019 të zhvilluara nga Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit si dhe rezultatet e një sondazhi tjetër për median të zhvilluar nga Instituti Shqiptar i Medias në shkurt të këtij viti.
Diferencat përsa i takon ndarjes dixhitale sipas grupmoshave, janë një dukuri e njohur globalisht. Në raportin e ITU “ICT Facts and Figures 2017” (TIK Fakte dhe shifra 2017) nënvizohet që në titull se grupmoshat e reja janë në krye të procesit të adoptimit të internetit. Sipas të dhënave që sjell ky raport, në fund të vitit 2017, përqindja e popullsisë së botës që përdorte internetin arrinte në 48%, kurse përqindja e të rinjve të moshës 15-24 vjeç në rang global që ishin përdorues të internetit arrinte në 70.6 %. [2] Një situatë e tillë verifikohet nga ITU edhe për secilin nga vendet e botës më vete dhe natyrisht edhe për Shqipërinë.
Duke konsideruar se aksesi i internetit përmes pajisjeve të telefonisë celulare është një komponent mjaft i rëndësishëm i aksesit në përgjithësi në mjedisin online, do të ishte me interes të shihnim të dhënat edhe në këtë aspekt. Sondazhi i Departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit zbulon se sa më të rinj në moshë të jenë përdoruesit, aq më e madhe është shkalla e aksesit të tyre në internet përmes pajisjeve të telefonisë celulare dhe anasjelltas, sa më të moshuar, aq më e vogël është shkalla e këtij aksesi. Grafika e mëposhtme e ilustron qartë këtë ndarje mes grupmoshave edhe në këtë aspekt.
Nga sondazhet që kemi përmendur vijnë edhe të dhëna të tjera që konfirmojnë ndarjen dixhitale mes grupmoshave në Shqipëri. Një vështrim i këtyre të dhënave nxjerr në pah përshembull diferencat mes grupmoshave përsa i takon disponueshmërisë dhe kohës së shpenzuar në teknologji të tilla si celulari smartphone, kompjuteri desktop apo laptopi.
Siç shihet edhe në grafikën e mëposhtme, përqindja e atyre që e përdorin shumë shpesh celularin smartphone shkon nga 9 % tek grupmosha mbi 65 vjeç në 81.5 % në grupmoshën 18-25 vjeç, duke patur një progresion rritjeje nga një grupmoshë në tjetrën. Në ekstremin e kundërt, numri i atyre që nuk e përdorim fare celularin smartphone shkon nga 1.8% tek grupmosha 18-25 vjeç në 40.3% në grupmoshën mbi 65 vjeç
Situatë e ngjashme verifikohet edhe lidhur me aksesin, frekuencën dhe kohën e shpenzuar nga përdoruesit në kompjuterin desktop apo në laptop. Sondazhi i vitit 2017 i departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit zbulonte se përqindja e atyre që e përdornin kompjuterin desktop shkonte nga 1.8 % tek grupmosha mbi 65 vjeç në rreth 33 % tek grupmosha 15-20 vjeç. Për laptopin diferencat shkojnë nga rreth 9.5 % (mbi 65 vjeç) në rreth 38 % (15-20 vjeç). Ndarja dixhitale e hasur në dy sondazhet e departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit provohet edhe në aspekte të tjera, si koha e shpenzuar, frekuenca e përdorimit, etj.
Nëse do të tërhiqnim një trajektore të përgjithshme nga këto të dhëna, atëhere do të arrinim në përfundimin se sa më të rinj të jenë përdoruesit, aq më të dixhitalizuar janë ata, në terma të aksesit dhe të përdorimit të internetit dhe të TIK, dhe anasjelltas, sa më të moshuar, aq më pak të dixhitalizuar shfaqen ata në këto aspekte.
Një situatë e ngjashme verifikohet edhe përsa i takon diferencave mes niveleve të ndryshme të arsimimit. Grafika e mëposhtme paraqet situatën e shkallës së prioritetit që aplikon secili nivel arsimimi ndaj disa prej teknologjive më të rëndësishme të informacionit dhe të komunikimit.
Siç shihet, përqindja e atyre me arsim tetëvjeçar që e përdor në mënyrë prioritare laptopin është 11.7%, ajo e përdoruesve me arsim të mesëm shkon në 29.4%, kurse tek përdoruesit me arsim universitar kjo përqindje arrin në 50.4%. Një tipologji e tillë e sjelljes sipas niveleve të arsimimit konstatohet edhe në teknologjitë e tjera si kompjuteri desktop, tableti, celulari smartphone dhe Smart TV me lidhje interneti, duke konfirmuar ndarjen dixhitale mes niveleve të ndryshme të arsimimit në aspektin e prioritetit të aplikuar ndaj teknologjive kryesore të informacionit dhe të komunikimit.
Diferenca mes niveleve të ndryshme të arsimimit shfaqen edhe përsa i takon aksesit apo kohës së shpenzuar në pajijse të tilla të TIK si celulari smartphone, kompjuteri desktop apo laptopi. Në rastin e smartphone, siç del edhe nga sondazhi i departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit, përqindja e atyre me arsim të lartë që nuk e përdornin fare atë arrinte në 7.5%, tek ata me arsim të mesëm arrinte në 24.9% kurse tek përdoruesit me arsim tetëvjeçar kjo shifër arinte në 52.4 %. Nga ana tjetër, përqindja e atyre që e përdorin mbi 4 orë celularin smartphone ishte 16.5 % tek përdoruesit me arsim tetëvjeçar për t’u ngritur në 37.6% tek ata me arsim të mesëm dhe për të arritur deri në 56.4 % tek ata me arsim të lartë. Një analogji verifikohet edhe përsa i takon disponueshmërisë dhe kohës së përdorimit të kompjuterit desktop dhe të laptopit.
Kësisoj, duke u bazuar edhe në të dhëna të tjera të sondazheve të mësipërme, mund të arrijmë në përfundimin se sa më të arsimuar të jenë përdoruesit, aq më të dixhitalizuar janë ata në terma të aksesit dhe të përdorimit të internetit dhe të TIK, dhe anasjelltas, sa më pak të arsimuar, aq më pak të dixhitalizuar shfaqen ata në këto aspekte.
Tani le të shohim se cilat janë diferencat mes grupmoshave të ndryshme dhe mes niveleve të ndryshme të arsimimit në aspektin e informimit përmes televizionit dhe radios dhe të përpiqemi të dallojmë korelacionet mes diferencave në sjelljen e audiencës nga njera anë dhe ndarjes dixhitale nga ana tjetër.
Diferencat mes grupmoshave dhe niveleve të ndryshme të arsimimit në aspektin e informimit dhe korelacioni me ndarjen dixhitale
Që në krye të herës mediat masive kanë patur si mision primar informimin e publikut, njohjen e tij me të rejat më të fundit në vend dhe në botë. Me këtë mision e nisi rrugëtimin e vet gazeta, këtë mision e vijuan më tej radioja dhe televizioni dhe në këtë betejë kanë hyrë që në zanafillën e vet edhe mediat e internetit.
Duhet thënë se dalja në skenë e këtyre të fundit i ka lëkundur shumë ekuilibrat dhe ka sjellë ndryshime të pakthyeshme në mënyrën se si informohen sot njerëzit. Që nga momenti kur zbuluan informimin si një domain të mundshëm, mediat online depërtuan vrullshëm në këtë territor dhe po fitojnë terren përditë e më shumë, në kurriz të mediave tradicionale.
Ç’tregojnë të dhënat e studimeve dhe të kërkimit empirik në Shqipëri? Pavarësisht nga avancimi i dukshëm dhe i shpejtë i mediave online, televizioni mbetet ende burimi i parë për njohjen e publikut me të rejat e ditës. Po përdorim këtu ndajfoljen “ende” pasi, edhe pse televizioni po kryeson, numri i personave që informohen për të rejat e ditës nga ekrani i tij vjen gjithnjë në tkurrje. Kështu, nëse në vitin 2017, përqindja e atyre që kishin si burim të parë televizionin për t’u njohur me të rejat e ditës arrinte në 77 %, dy vite më pas kjo shifër shkon në 51 %.
Ndërkohë, krahas kësaj rënieje, sondazhet flasin edhe për diferenca mes grupmoshave të ndryshme dhe mes niveleve të ndryshme të arsimimit në aspektin e përdorimit të televizionit për informim. Të dhënat e mëposhtme paraqesin këto diferenca sipas grupmoshave për tre nga burimet më të përdorura të informimit në Shqipëri, të cilat në prill 2019 rezultojnë të ishin përkatësisht (sipas renditjes): televizioni, mediat sociale dhe portalet e lajmeve. Kështu, në rastin e përdorimit të televizionit si burim i parë për lajmet e reja, vihet re, se përqindja e përdoruesve të grupmoshës 18-25 vjeç është 26.8 % kurse tek ata mbi 65 vjeç arrin në 85.1 % duke shënuar progresion rritjeje nga një grupmoshë në tjetrën.
Siç e shohim qartë edhe në grafikë, sa më të moshuar të jenë përdoruesit, aq më e madhe është përqindja e atyre që e përdorin televizionin si burim të parë për lajmet e reja. E kundërta ndodh në rastin e mediave sociale dhe të portaleve, ku sa më të rinj të jenë përdoruesit, aq më e madhe është përqindja e atyre që i përdorin mediat sociale dhe portalet si burim të parë për të rejat e ditës.
Diferenca analoge por në një sens tjetër shfaqen edhe kur shohim të dhënat që lidhen me nivelet e ndryshme të arsimimit. Në këtë varibël vihet re se përqindja e përdoruesve me arsim universitar që e kanë televizionin si burimin e parë për lajmet e reja arrin në 35.7 %, për të vijuar në 54% tek ata me arsim të mesëm dhe për të shkuar në 70.8% tek ata me arsim 9 vjeçar. Pra, sa më pak të arsimuar të jenë përdoruesit, aq më shumë e kanë ata televizionin si burim të parë për lajme. E kundërta ndodh në rastin e mediave sociale dhe të portaleve, ku sa më të arsimuar të jenë përdoruesit, aq më e madhe është përqindja e atyre që i përdorin mediat sociale dhe portalet për informim.
Një panoramë akoma më e qartë lidhur me prirjen e përdorimit të kanaleve të informimit krijohet po të bëhet një krahasim mes përdorimit të tyre sot krahasuar me 5 vjet më parë. Për këtë na vjen në ndihmë një sondazh i Insitutit Shqiptar të Medias (ISHM) i zhvilluar në Janar-shkurt të këij viti. Të anketuarit e këtij sondazhi kombëtar konfirmojnë me këtë rast se mediat që përdoren më shumë për njohjen me lajmet e reja krahasuar me 5 vjet më parë janë mediat sociale dhe mediat vetëm online. Televizioni renditet i treti në këtë variabël. Kështu, ndërkohë që përqindja e atyre që e përdorin më shumë televizionin krahasuar me 5 vjet më parë është 41.4 %, tek mediat vetëm online kjo shifër arrin në 50.5 % kurse tek mediat sociale arrin në 57.6%.
Sondazhi i ISHM sjell të dhëna edhe për diferencat mes grupmoshave të ndryshme dhe mes niveleve të ndryshme të arsimimit, krahasuar me 5 vjet më parë. Kështu, media më e përdorur deri më sot për informim – televizioni – rezulton të përdoret aktualisht më pak nga më të rinjtë dhe më shumë nga më të moshuarit krahasuar me 5 vjet më parë.
Gjithashtu, siç shihet edhe në grafikën e mëposhtme, sa më të arsimuar të jenë njerëzit, aq më pak e përdorin televizionin për t’u njohur me të rejat e ditës krahasuar me 5 vjet më parë. Në të kundërt, sa më pak të arsimuar të jenë njerëzit, aq më shumë e përdorin televizionin për t’u njohur me të rejat e ditës, krahasuar me 5 vjet më parë.
Duke u bazuar në këto të dhëna nuk është e vështirë të vihet re se kur bëhet fjalë për informimin me të rejat e ditës, televizioni po bëhet një media e më të moshuarve dhe e më pak të arsimuarve. Po të kemi parasysh deduksionet e mësipërme se sa më të moshuar dhe sa më pak të arsimuar të jenë përdoruesit, aq më pak të dixhitalizuar janë ata në aspektet e trajtuara në këtë punim, mund të arrijmë në përfundimin se kur bëhet fjalë për njohjen me lajmet e ditës televizioni rezulton të jetë më shumë një media e më pak të dixhitalizuarve.
A është kjo një hipotezë e provuar plotësisht? Unë do të preferoja ta konsideroja një hipotezë ende të hapur që kërkon edhe të dhëna nga aspekte të tjera të përdorimit, si niveli i njohurive apo aftësive, llojet e përdorimit, etj. Por ndërkohë përfundimet janë shumë pranë asaj që është duke ndodhur dhe duhen marrë parasysh nga aktorët e mediave audio-vizive në strategjinë e tyre për të përballuar dy sfida të rëndësishme që ravijëzohen nga këto të dhëna: Së pari sfida për të mbajtur pozicionin lider në informim dhe së dyti, sfida për të rifituar më të rinjtë dhe më të arsimuarit kur bëhet fjalë për informimin me të rejat e ditës.
Literatura dhe burimet
Attewell, P. The first and second digital divides. Sociology of Education, 74 (3), 2001. f. 252- 259.
Büchi, M., Just, N., & Latzer, M. Modeling the second-level digital divide: A five-country study of social differences in Internet use. New Media & Society, 18(11), 2016. f. 2703–2722.
Hargittai, Eszter, The Digital Divide and What To Do About It, Në “New Economy Handbook” edituar nga Derek C. Jones. San Diego, CA: Academic Press. 2003. Link: http://www.eszter.com/research/pubs/hargittai-digitaldivide.pdf
Hargittai, Eszter, Second-Level Digital Divide: Differences in People’s Online Skills, Në First Monday, Volumi 7 Numri 4; 1 Prill 2002, Link: https://firstmonday.org/article/view/942/864
Kling, Rob, What is social informatics and ëhy does it matter? D-Lib Magazine, Volumi 5 Numri 1, 1999, Link: http://www.dlib.org/dlib/january99/kling/01kling.html
Livingstone, Sonia & Helsper, Ellen, Gradations in digital inclusion: children, young people and the digital divide. New media & society, 9 (4). 2007 f. 671-696.
van Dijk, Jan, The Digital Divide in Europe, The Handbook of Internet Politics, Routledge, London and New York, 2008, Link: https://www.utwente.nl/nl/bms/com/bestanden/digitaldivide.pdf
Understanding the digital divide, Botim i OECD, 2001, f. 5, Link: https://www.oecd.org/sti/1888451.pdf
Wei, Lu and Hindman, Douglas Blanks ‘Does the Digital Divide Matter More? Comparing the Effects of New Media and Old Media Use on the Education-Based Knowledge Gap’, Mass Communication and Society, 14: 2, 2011, f.216 — 235
ICT Facts and Figures 2017, ITU, Link: https://www.itu.int/en/ITU-D/Statistics/Pages/facts/default.aspx
Pyetësori i sjelljes së audiencave në lidhje me tregun e medias, Organizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit i UT me mbështetjen e AMA, Prill 2019
Pyetësori i sjelljes së audiencës në kuadrin e studimit mbi modelin ekonomik të mediave shqiptare, Organizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit i UT me mbështetjen e AMA, 2017
Sondazh mbi imazhin e medias tek publiku dhe media trust në Shqipëri, Organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias, Janar-Shkurt 2019
[1] Burimi ITU, ICT Facts and Figures 2017, Link: https://www.itu.int/en/ITU-D/Statistics/Pages/facts/default.aspx
[2] Burimi: ITU, ICT Facts and Figures 2017, Link: https://www.itu.int/en/ITU-D/Statistics/Pages/facts/default.aspx