Ku e kishim fjalën?

11 Shkurt , 2012 • Gazetaria e Medias • by

Mediat shpesh janë të përcaktuara në agjendën e tyre nga ajo e politikës. Reporteri ndjek politikanin. Lajmet e para, komentet, opinionet ndjekin agjendën e politikës. A nuk mund të ketë një sjellje më emancipuese nga ana e gazetarit, ekspertit, analistit për të sjellë një problematikë më substanciale në hapësirën publike të diskutimit?

Çështjet që merren në diskutim, për të cilat shkruhet në gazeta, flitet në radio dhe në televizion, shkëmbehet në mediat on line apo rrjetet sociale, përcaktohen nga vullneti dhe dëshirat e tre aktorëve socialë më të rëndësishëm:

– Nga prioritetet e klasës politike

– Nga këndvështrimi i interesave tregtare, kulturore, financiare, komerciale të mediave në lidhje me audiencën

– Nga pikat e vëmendjes të publikut dhe pritshmëritë e tij.

Duke thënë këtë nënkuptojmë që midis këndvështrimeve të këtyre tre aktorëve ka edhe mbivendosje dhe mirëkuptime, por ekzistojnë edhe çarje dhe divergjenca. Kështu klasa politike apo drejtues të caktuar politikë mund të kenë prirje të debatojnë për një çështje të caktuar, e cila, jo medoemos është edhe me interes për publikun. Po kështu, mediat e ndërtojnë agjendën e tyre të debatit dhe diskutimit shoqëror nisur nga shumë e shumë kritere dhe jomedoemos, sidomos në rastin e mediave të shkëputura financiarisht nga tregu i audiencës, nga pritshmëritë e publikut.

***

U zgjata paksa këtu, por qëllimin e kam gjetkë. Pyetja ime është nëse edhe ne debatojmë të njejtat çështje, ose tema të mëdha që debatohen edhe në shoqëritë e zhvilluara të botës apo të Europës së sotme? ;;;;

Nga vjen kjo konvergjencë e pritshme që vihet re edhe në shtypin e përditshëm perëndimor, në atë shkencor dhe eniklopedik?

Së pari sepse bota po globalizohet gjithnjë e më shumë, pa folur për pasjat pozitive apo negative të këtij procesi. E pëlqen apo nuk e pëlqen, pak rëndësi ka, fakti është se gjithëmonë e më shumë jetojmë në një “fshat global” ku dukuritë e rëndësishme prekin gjithë botën apo të gjithë kontinentin.

Së dyti, mjetet e komunikimit janë bërë të tilla saqë informacioni qarkullon aq shpejt dhe në çdo cep të botës, saqë bën që me problematika të mëdha globale, të njihen të gjithë njerëzit, nga pikëpamja e mundësive që jep teknologjia e informacionit për këtë gjë.

Së treti, sepse pavarësisht disa specifikave që duhen mbajtur mirë parasysh, vendet që ecin mbi të njejtin model zhvillimi nga pikëpamja e shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut, etj., në një fazë ose në një tjetër, kanë shqetësime që përsëriten ose vijnë sipas një rendi të caktuar.

Së katërti, në shkëmbimet kulturore, institucionale dhe politike me kombet e tjerë, klasa politike dhe elitat, sikurse edhe njerëzit që kalojnë kufijtë kanë nevojë të njihen me shqetësimet e të tjerëve, për të bërë të mundur komunikimin me ta. Përndryshe moskuptimi do të ishte fatalisht i pritshëm.

Së pesti, ndodh që shoqëritë më të zhvilluara dhe me tradita më të hershme në planin ekonomik, material, politik, etj., gjithëmonë kanë hapur cështje për debat që me të vërtetë kanë qenë ato që kanë tërhequr pas gjithë problematikën botërore.

Të mos e ndjekësh këtë agjendë rrezikon të mbetesh pas zhvillimeve dhe i papërgatitur për sfidat e të ardhmes.

***

Nisur këtej, pa dashur në asnjë rast të bëj një studim të mirëfilltë empirik, u përpoqa të hedh një sy më të vëmendshëm në shtypin europian dhe atë të ShBA për t’a krahasuar atë me agjendën e debatit tonë në hapësirën e lirë të diskutimit publik.

Vura re qe mediat në Angli debatojnë fort edhe për modelin e kapitalizmit që duhet përpunuar për t’i bërë ballë kësaj krize financiare që mund të përfshijë çdo gjë dhe çdo vend si një cunam i vërtetë, shumë më ashpër sesa deri tani. Një vend qendror zenë përshembull, në atë ditë, edhe komentet mbi termin e përdorur nga kryeministri Kamerun për atë që ai e quan domosdoshmëri e një “kapitalizmi popullor”.

Në mediat franceze, të po atyre orëve të ditës debatohej me përparësi për çmimet e hapësirave të ndërtuara, për vështirësitë e familjeve lidhur me mundësitë për kreditim nga bankat, si edhe për forumin social që trajtonte çështje edhe të papunësisë dhe të punësimit, organizuar nën drejtimin e Presidentit të Republikës.

Sigurisht gjendeshin në mediat italiane informacione dhe komente të shumta lidhur me mbytjen e tragetit që shkaktoi viktima dhe të tjerë njerëz të humbur e të pagjetur akoma. Por, në cdo rast, tema e humbjes së vendit në klasifikimin e ekonomisë italiane dhe pasojat e saj, ishin megjithatë qendrore.

Ndërkohë që te New York Time pashë me endej një koment qendror lidhur me ndërmarrjet që gjenden të kuotuara në Wall Street, si edhe ndikimet e mënyrave të shpërblimit të traderve mbi cilësinë dhe strategjitë e operacioneve financiare që ata kryejnë.

Pa dyshim që bota përpiqet që në debatin publik të zenë vend dhe të diskutohet për dukurinë më shqetësuese në planin social, kulturor, ekonomik, etj., si është kriza. Kur bie zjarri diku, nuk mund të diskutosh veçse për çështjen sesi “të shpëtosh mobiljet”!

***

Po atë ditë dhe ore të ditës, debatet e aktorëve politikë, për rrjedhojë edhe të mjaft mediave të vendit tonë ishin përqendruar pothuajse tërësisht në çështje të mirëfillta politike, në debate proceduriale, mënyra zgjedhjesh, shkarkimesh, mënyra votimi, etj. Ende debatojmë pa fund për çështje bazike proceduriale, pra për nivelin e parë të ndërtimit të një shoqërie moderne.

Thënë troç, paksa në mënyrë të thjeshtësuar, vendet e fuqishme dhe që përballojnë kostot më të mëdha dhe sfidat më të rënda të zhvillimit të botës sonë të sotme, debatojnë brenda hapësirave të tyre publike, në radhë të parë për krizën ekonomike dhe dukuritë sociale dhe politike substanciale, pa lënë mënjanë dhe proçedurat, kurse hapësira jonë e diskutimit politiko-publik është e përmbytur nga debate të mirëfillta dhe bazike proceduriale.

Kushedi sa herë është amenduar formati kushtetues i vendit. Një studim mund të bëhet vetëm për këtë çështje. Si t’a zgjedhim Presidentin? Si t’i ndërtojmë komisionet zgjedhore? Kur i nis punët Kuvendi? Si t’a zgjedhim avokatin e popullit? A mund të shkarkohet zevendes kryetari i KLD? Si funksionon rregullorja e komisioneve të përhershme parlamentare ? Pa fund debate proceduriale. Prej njëzet vjetësh.

***

Përse ndodh kështu ? Ka shumë arsye.

Sepse këto çështje bazike kanë mbetur ende pa u zgjidhur.

Pastaj edhe kundërshtarët politikë sipas radhës i heqin “tullën e fundit” kundërshtarit. E nisin botën nga e para. Cfarë sistemi zgjedhor ? A thua se ka një sistem perfekt.

Pastaj të debatosh për çështje proceduriale është gjëja më e thjeshtë në botë.

Aq më shumë për ngjarjet rreth tyre. Si iku ai ka salla? E hoqi Garda, apo iku vetë?

Ku ka më lehtë sesa të raportosh këtë ngjarje. Shih e shkruaj, dhe shto e zbukuro pak, jepi ca ngjyra.

Edhe publikun mund t’a kapësh më kollaj. Kush ri të dëgjojë se cfarë bëhet me ekonominë, financat, teknikën, kreditin? Paske vullnet more zotëri!

Historia bëhet pa ne. Ne e pësojmë atë.

Nuk ka rëndësi cilësia e debatit publik. Shpesh del nevoja të mbushet koha televizive përgjatë emisioneve politike. Kollaj fare të mbushet me grindje të vogla dhe të mëdha, por për çështje proceduriale, tensionesh të vogla, apo të mëdha, mbase për çështje interesante, por jashtë aksit të debatit të botës që përballet me sfida të reja.

Duket nga njëherë që është i njejti debat që përsëritet vit pas viti, kohë pak kohe.

Publiku është mësuar me politikën si spektakël, ku ka tensione individësh. Vështirë se e çmëson duke e futur me profesionalizëm në një botë tjetër diskutimi.

Mediat shpesh janë të përcaktuara në agjendën e tyre nga ajo e politikës.

Reporteri ndjek politikanin. Lajmet e para, komentet, opinionet ndjekin agjendën e politikës. A nuk mund të ketë një sjellje më emancipuese nga ana e gazetarit, ekspertit, analistit për të sjellë një problematikë më substanciale në hapësirën publike të diskutimit? Mundet, por kërkon punë, studime, kohë. Askush duket se nuk dëshëron t’a bëjë hëpërhë.

Mediat tematike janë të pazhvilluara, ndërsa mbisundojnë në tirazhe mediat e informacionit politik të përditshëm, krejt ndryshe nga sa ndodh në vendet e zhvilluara.

Me një fjalë, pyetet që shtrohen janë si ato që ndodhin në mjedise të ngushta familjare apo shoqërore : A nuk e ndrojmë pak muhabetin ? A nuk diskutojmë pak për ndonjë gjë tjetër? A nuk ndryshojmë pak avaz? A ndryshojmë pak muzikë? A e ndryshojmë pak stacionin e televizionit?

______

Botuar në gazetën  “Standard”, datë 22.01.2012. Marrë me shkurtimet e bëra nga vetë autori.

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

Send this to a friend