Raporti i Lajmeve Dixhitale i këtij viti fokusohet në temat të cilat janë të një rëndësie të madhe për të ardhmen e gazetarisë dhe të mediave: impakti i populizmit, roli i platformave të mëdha teknologjike dhe përpjekjet e tyre për të ndërtuar besimin e publikut tek informacioni që gjendet në web, dhe evolucioni i modeleve të biznesit online. Mes shumë çështjeve të tjera, raporti hedh një vështrim edhe në qasjen ndaj aplikacioneve të mesazheve private dhe në rritjen e podcasting.
I lançuar muajin e kaluar nga Reuters Institute for the Study of Journalism, Raporti përmban të dhëna të reja rreth konsumit të lajmeve dixhitale, bazuar në anketimin e YouGov me 75,000 konsumatorë të lajmeve online nga 38 vende dhe 6 kontinente. Ai mbetet studimi më me autoritet në llojin e vet.
Në përmbledhjen e tij ekzekutive, autori kryesor Nic Newman vë në dukje se raporti i vitit 2019 “vendoset në sfondin e populizmit në rritje, paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike, si dhe të shqetësimeve në rritje rreth gjigandëve të teknologjisë dhe impaktit të tyre në shoqëri”.
Newman thotë se, ndërkohë që kompanitë e lajmeve kanë qënë në krye të raportimit të këtyre prirjeve, ato gjithashtu janë sfiduar prej tyre, duke sjellë si pasojë një industri të rimëkëmbur por edhe të depresuar më tej, pas më shumë se një dekade të rrokopujës dixhitale.
Pushteti i platformave – dhe mungesa e rregullave të lojës në operacionet reklamuese të platformave – ka minuar modelet e biznesit të lajmeve, duke çuar në një sërë shkurtimesh nga puna të profileve të larta në mediat tradicionale (Gannett) si edhe në mediat dixhitale (Mic, BuzzFeed).
Sipas Newman, “polarizimi politik ka inkurajuar rritjen e axhendave partizane në web, të cilat së bashku me mashtrimet dhe format e ndryshme të keqinformimit po ndihmojnë më tej për të minuar besimin tek media – duke ngritur një numër pyetjesh të reja lidhur me mënyrën se si mund të realizohet një raportim i drejtë dhe i balancuar në epokën dixhitale”.
Në këtë sfond të paqëndrueshmërisë vijuese, raporti identifikon disa prirje aktuale në fokus.
- Kompanitë e lajmeve po i drejtohen abonimeve dhe anëtarësisë apo formave të tjera të kontributit të lexuesit për të paguar faturat për atë që njihet si “shërbim i personalizuar me pagesë”.
- Platformat po rishqyrtojnë përgjegjësitë e tyre përballë eventeve (sulmet në Christchurch, vetëvrasja e Molly Russell) dhe kërcënimeve rregullatore, duke bërë që Facebook-u të ribalancojë biznesin e vet drejt aplikacioneve të mesazheve dhe grupeve – të ashtuquajturave “shërbime të personalizuara private”.
- Audiencat vijojnë të përqafojnë formatet sipas kërkesës me një entuaziazëm të ri për podcast-et (New York Times, Guardian) dhe teknologjitë e zërit – të ashtuquajtura “shërbime të personalizuara të audios”.
Besimi i publikut tek mediat e lajmeve
Mes gjithë këtij ndryshimi marramendës, raporti vë në dukje se, për një pjesë të njerëzve shtrohet pyetja nëse mediat e lajmeve janë ende duke përmbushur misionin e tyre bazë të mbajtjes nën kontroll të njerëzve të pushtetit dhe të ndihmës ndaj audiencave që ato të kuptojnë botën rreth tyre.
Ky shqetësim shfaqet tek kërkesat e qeverive të disa vendeve për të ruajtur gazetarinë cilësore. Por gjithashtu, ai shfaqet tek një pjesë e publikut që mendon se mediat e lajmeve shpesh dështojnë në plotësimin e pritshmërive të njerëzve ndaj tyre.
Trazira të mëdha, siç ishin protestat e jelekëve të verdhë në Francë apo të Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, kanë ushtruar presion në paanshmërinë e perceptuar të mediave të lajmeve, duke ndikuar si rrjedhim edhe në besimin ndaj tyre.
Në lidhje të ngushtë me çështjen e besimit dhe të dyshimit për cilësinë dhe kredibilitetin e burimeve të informimit, kërkimi i realizuar në kuadër të këtij raporti rreth sjelljeve konsumatore ndaj lajmeve zbulon se fenomeni i braktisjes së lajmeve po vjen në rritje.
Krahasuar me një vit më parë, është rritur përqindja e njerëzve që me vetëdije i shmangin lajmet (32%). Shmangja është rritur me 6% në total dhe 11% në Mbretërinë e Bashkuar, e shkaktuar nga mërzia, zemërimi dhe pakënaqësia ndaj Brexit. Të intervistuarit thonë se ata i shmangin lajmet sepse ato kanë efekt negativ në gjendjen e tyre shpirtërore (58%) ose sepse ata ndihen të pafuqishëm për t’i ndryshuar gjërat.
Në mesin e gjetjeve të rëndësishme që rezultojnë nga kërkimi i realizuar për raportin e vitit 2019 përfshihen edhe gjetjet e mëposhtme:
- Pavarësisht nga përpjekjet e industrisë së lajmeve, është shënuar vetëm një rritje e vogël e atyre që paguajnë për lajmet online – qoftë përmes abonimit, anëtarësisë apo dhurimit. Kjo rritje është shënuar vetëm në disa vende siç janë vendet nordike (Norvegji 34%, Suedi 27%),
- Edhe në vendet ku niveli i pagesës është më i lartë, pjesa më e madhe kanë bërë vetëm NJË abonim.
- Në disa vende, abonimi është preferencial me një shumicë që preferon më shumë të shpenzojë buxhetin e vet të limituar në argëtim (Netflix/Spotify) dhe jo për lajme.
- Në shumë vende, njerëzit po shpenzojnë më pak kohë në Facebook, dhe më shumë në WhatsApp dhe Instagram krahasuar me një vit më parë. Një numër i vogël përdoruesish po e braktisin Facebook-un tërësisht, megjithatë ai mbetet gjer më sot rrjeti social më i rëndësishëm për lajmet.
- Komunikimi social rreth lajmeve po bëhet gjithnjë e më shumë privat me rritjen e aplikacioneve të mesazheve në çdo vend të botës. WhatsApp është bërë rrjeti kryesor për diskutimin dhe ndarjen e lajmeve në vendet joperëndimore si Brazili (53%), Malajzia (50%), Afrika e Jugut (49%).
- Njerëzit në këto vende janë më shumë të prirur sesa në perëndim për të qënë pjesë e grupeve të mëdha të WhatsApp me njerëz të cilët ata nuk i njohin – një prirje që reflekton faktin se si aplikacionet e mesazhit mund të përdoren lehtësisht për të ndarë informacion në masë, duke inkurajuar potencialisht përhapjen e keqinformimit.
- Shqetësimi rreth keqinformimit dhe desinformimit mbetet i lartë, pavarësisht nga përpjekjet e platformave dhe të botuesve për të fituar besimin e publikut.
Në total në të gjitha vendet, mesatarja e besimit tek lajmet në përgjithësi ka rënë me 2% (42%). Më pak se gjysma (49%) pranojnë se ata besojnë mediat e lajmit që i përdorin vetë (shiko grafikën më lart).
Për më shumë lidhur me këto zhvillime, ju mund të lexoni raportin e plotë të vitit 2019, i cili mund të shkarkohet nga website-i i Digital News Report këtu.
Tags:Digital News Report 2019, platformat, populizmi, prirjet