Media në Kosovë ballafaqohet me problemet e ngjashme sikurse edhe në shtetet fqinje, e veçanërisht me ndërhyrjet politike, me vetë-censurën për pasojë të presioneve ekonomike dhe politike, si dhe me sulmet ndaj gazetarëve, që manifestohen me qëllim të pengimit të punës së gazetarit dhe, të gjitha këto, zakonisht mbeten pa u dënuar dhe pa një proces të duhur gjyqësor.
Liria e medies është një e drejtë që duhet ushtruar pa asnjë pengesë apo kufizim. Nga zanafilla e medieve, çështja e lirisë ka qenë gjithmonë temë diskutimi, në krye të herës për shkak se akterët e politikës apo të biznesit kanë dashur të kenë në dorë medien, duke ia kufizuar lirinë në forma të ndryshme, nëpërmjet paralelizmave politikë apo atyre ekonomikë. Paralelizmi politik nënkupton ndërhyrjen e politikës në media me qëllim që ta shfrytëzojë atë për interesin e saj, pastaj nënkupton përfshirjen në media të akterëve të mëparshëm politik, pra kalimit nga politika në media, ose nëse përparimi i gazetarit në karrierë varet nga mbështetja politike. Paralelizmi ekonomik ndodh atëherë kur mediet varen më tepër nga interesat ekonomike dhe afariste të pronarëve.
Gazetari dhe autori francez, Albert Camus thotë se “shtypi i lirë mund të jetë, natyrisht, i mirë apo i keq, por, pa dyshim, pa liri, nuk do të ishte asgjë tjetër pos shtyp i keq”. Prandaj, gjithmonë është artikuluar ideja e domosdoshmërisë për të mbrojtur medien dhe lirinë e saj nga ndikimet e grupeve politike e ekonomike, sepse vetëm duke qenë e lirë, një medie mund të kryejë funksionin e saj kryesor, informimin e publikut.
Pasqyra e raporteve ndërkombëtare për gjendjen e lirisë së medies në Kosovë tregon që edhe vendi ynë përballet me sfidat e ngjashme me vendet e rajonit. Aty-këtu ka tregues që reflektojnë edhe në klasifikimin e këtyre vendeve në këto raporte. Rrjedhimisht, Kosova renditet më mirë se të gjitha shtetet fqinje, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.
Ekzistojnë pesë probleme kryesore që e cenojnë lirinë e medies në Kosovë: Mos-realizimi i drejtësisë në praktikë, presioni politik, presioni ekonomik, paqëndrueshmëria ekonomike dhe sulmi ndaj gazetarëve.
Së pari, mungesa e implementimit të ligjeve: Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën vazhdon ta përsëris nevojën që të përmirësohet implementimi i ligjeve në Kosovë. Kosova duhet “të marrë masa konkrete për të rritur në maksimum pavarësinë, llogaridhënien, profesionalizmin dhe efikasitetin e gjyqësorit” thuhet ndër të tjera në Raportin e Progresit të vitit 2018. Një gjyqësor i pavarur dhe efikas nënkupton mbrojtje më e madhe për medien dhe lirinë e saj.
Së dyti, presionet politike: Presioni politik është një problem tjetër me të cilin përballen mediet në Kosovë, dhe që në raste të caktuara, kufizon edhe lirinë e medies. Kjo ishte theksuar edhe në raportin e Freedom House për Lirinë e Shtypit. Politika përdorë mjete të ndryshme për t’iu afruar medies, si: lidhjet e politikanëve me pronarët, redaktorët apo me gazetarët e medies; mbështetja e kuadrove specifike dhe infiltrimi i tyre në medie; ushtrimi i presionit mbi mediet, jo vetëm ekonomik; kushtëzimi i donacioneve me qëllim të shmangies së kritikës; etj. Organizata ‘Human Rights Watch’, në një raport të saj, e kishte cilësuar presionin politik si një problem serioz për lirinë e medies në Ballkanin Perëndimor. Çështja e financimit të televizionit publik vijon të jetë e pazgjidhur, rrjedhimisht, varësia e RTK-së nga Kuvendi dhe politika mbetet problem që kërkon zgjidhje. “Transmetuesi publik, Radio-Televizioni i Kosovës (RTK) mbetet i financuar drejtpërdrejt nga shteti. Kjo vazhdon të cënojë pavarësinë e tij, të dobësojë qëndrueshmërinë e tij financiare afatgjate, si dhe e lë të hapur ndaj ndikimeve politike”, theksohet nga Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën. Prandaj, për të fuqizuar televizionin publik duhet të zgjidhet së pari çështja e financimit, sepse pa pavarësi financiare është e vështirë të arrihet pavarësia editoriale.
Së treti, presionet ekonomike: Një sfidë tjetër është presioni mbi gazetarë nga vetë pronarët e medieve, si pasojë e varshmërisë financiare të vetë medieve. Ekzistojnë raste kur gazetarit në Kosovë i cënohen të drejtat dhe siguria nëse nuk respekton “rregullat e lojës” të vendosura nga ata që udhëheqin me mediet në Kosovë. Ky faktor vartësie shfaqet me karakterin e vet dual: sa më e zhvilluar të jetë shoqëria ekonomikisht, aq më të fuqishme do të jenë mediet dhe më domethënës roli i tyre në jetën e përditshme të shoqërisë dhe, anasjelltas, sa më e varfër shoqëria ekonomikisht, aq më të varura mediet nga biznesi dhe politika. Në rastin e Kosovës, vartësia ekonomike bëhet edhe më ekstreme për shkak të tregut të vogël të reklamave dhe ndërhyrjes në këtë treg të televizioneve nga rajoni. Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë një nga kontraktuesit më të mëdhenj për afarizëm të medieve nga reklamat, dhe ky pozicion ia mundëson të ushtrojë presionin ekonomik ndaj medieve të caktuara, në rast se ato botojnë/emetojnë ndonjë raport kritikues për punën e tyre, dhe i ndëshkojnë me mosdërgim të reklamave. Kjo ishte theksuar edhe në një raport të OSBE-së mbi situatën e lirisë së medies në Kosovë. Kjo tregon se institucionet në Kosovë, si ato lokale, po ashtu edhe ato qendrore, kanë tendencë të kontrollojnë përmbajtjen editoriale të medieve përmes favorizimit të tyre kur bëhet fjalë për publikimin e reklamave të sponsorizuara nga qeveria.
Së katërti, paqëndrueshmëria ekonomike e gazetarëve: Çështja e paqëndrueshmërisë ekonomike të gazetarëve vazhdon të shqetësojë një numër të madh të tyre. Ballafiqimi me kriza ekonomike dhe situata pasigurie po i shtynë gazetarët në vetë-censurë dhe ruajtja e sigurisë financiare po i vë ata në shërbim të tjetrit. Sipas Indeksit të Qëndrueshmërisë së Medieve (MSI) të organizatës IREX, pagat e të punësuarëve medial në Kosovë nuk konsiderohen të mjaftueshme për të siguruar një stabilitet financiar të nevojshëm. Prandaj, në vazhdimësi shohim gazetarë që e lënë karrierën në media për të vazhduar në pozita administrative në institucione të ndryshme publike në Kosovë sepse punën në media nuk e shohin të përshtatshme në terma financiar. Qëkëndej, sot, të rinjtë kur e nisin punën e gazetarit, shpesh e shohin medien si trampolinë për të gjetur një punë nga e cila krijojnë stabilitet financiar.
Së pesti, por jo më pak e rëndësishme, sulmet ndaj gazetarëve:Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës tregon se nuk ka progres në zvogëlimin e rasteve që cënojnë sigurinë e gazetarëve. “Në periudhën Janar-Shtator 2018, AGK ka regjistruar 13 raste. Është vërejtur në veçanti se, gazetarët hulumtues janë më të kërcënuarit, për shkak të hulumtimeve të tyre. Kërcënimet vijnë, që prej zyrtarëve të lartë shtetërorë e deri të qytetarët e rëndomtë.” 13 rastet përfshijnë dy sulme fizike, një kërcënim me vdekje, një rast të dëmtimit të pronës dhe 10 kërcënime të tjera. Një tjetër raport ndërkombëtar që trajton sigurinë e gazetarëve është i organizatës Human Rights Watch, që vë theksin te hetimet dhe ndjekjet penale, të cilat i cilëson të ngadalshme.
Pra, media në Kosovë ballafaqohet me problemet e ngjashme sikurse edhe në shtetet fqinje, e veçanërisht me ndërhyrjet politike, me vetë-censurën për pasojë të presioneve ekonomike dhe politike. Këto ndërhyrje në lirinë e medieve vijnë nga akterët politikë apo nga pronarët e medieve, si dhe me sulmet ndaj gazetarëve, që manifestohen me qëllim të pengimit të punës së gazetarit dhe, të gjitha këto, zakonisht mbeten pa u dënuar dhe pa një proces të duhur gjyqësor. Në shoqërinë e sotme, roli i medies është i katërçipërishtë prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi shkallë më të madhe të lirisë së medies, apo siç e quan shkrimtari britanik, George Orwell, liri për të kritikuar dhe kundërshtuar.
Akterët e ndryshëm shoqëror, përfshi komunitetin e gazetarëve, grupe të ndryshme intelektualësh, mbrojtësit e rendit dhe ligjit, duhet të japin kontributin e tyre për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për mediet, që do të rezultonte me qëndrueshmëri financiare të medieve, e cila do të garantonte një medie edhe më të lirë, si dhe më imune ndaj ndërhyrjeve politike e ekonomike.