E vërteta si viktimë. Beteja me lajmet e rreme

8 Mars , 2019 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Mediat e Reja • by

Mediat online prijnë për sa i përket përhapjes së lajmeve të rreme. Si rezultat i ndikimit të këtyre lajmeve, qytetarët shpeshherë bien pre e dezinformatave të plasuara në këto media. Redaktorët dhe gazetarët thonë se në mungesë të informacioneve të mjaftueshme aktuale politike, qytetari i rëndomtë e ka vështirë të dallojë mediat profesionale, nga ato joprofesionale, të cilat transmetojnë lajme të rreme dhe dezinformojnë opinionin.

Lajmet e rreme si fenomen global janë shumë të pranishëm edhe në mediat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryesisht në portale. Vetëm vitin e kaluar, Këshilli për etikë në media (KEMM), ka nxjerrë 68 vendime në të cilat është konstatuar shkelje e kodeksit të gazetarisë, gjegjësisht janë shqiptuar sanksione morale për 38 raste, ndërsa ka një numër të vogël të rasteve që janë zgjidhur në rrugë të ndërmjetësimit, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, një hulumtim i vitit të kaluar i Institutit për Studime të Komunikimit, ka nxjerrë në pah se gjeneratat e reja kryesisht informohen përmes rrjeteve sociale kundrejt grup moshave më të vjetra, që vazhdojnë ta konsiderojnë televizionin si burim kryesor të informimit. Në bazë të këtyre të dhënave, 71 për qind e të anketuarve nga mosha 15 deri në moshën 24-vjeçare informohen vetëm nga mediat online.

Katarina Sinadinovska, nga Këshilli për etikë në media (KEMM), thotë se qytetarët nuk i dallojnë mjaftueshëm lajmet e rreme. “Në të shumtën e rasteve ato janë të paketuara shumë mirë sa që është shumë vështirë që të zbulohen, të paktën jo menjëherë. Por, mund të dallohet përmes titujve sensacional, mungesës së burimeve apo burimeve anonime, narativit manipulativ dhe të gabuar. Gjatë viteve të fundit u përgjysmuan redaksitë tona, u boshatisën dhe në vend të vend të gazetarëve profesional dhe të arsimuar erdhën aparatura partiake dhe persona realativisht të paarsimuar nga qendra të ndryshme të ndikimit. Redaksitë e mediave patjetër të rikthehen, përveç gazetarëve, absolutisht se duhet edhe gazetarë dhe redaktorë të përgjegjshëm, por gazetarët janë kryesorët”, deklaroi për gazetën KOHA, Sinadinovska.

Nazim Rashidi, gazetar, pjesëmarrës në shumë debate për rritjen e cilësisë së informimit të drejtë, dhe mbrojtjen nga keqinformimi, thotë se përshtypja e përgjithshëm është se shumica e qytetarëve nuk kanë informacione se si duket dhe si është një lajm i rrejshëm. Madje nuk e kanë as idenë se sa negativisht ndikojnë lajmet e rrejshme. “Është e nevojshme që të krijohen platforma të ndryshme për t’i edukuar qytetarët se çfarë është dhe çfarë nuk është një lajm i rrejshëm. Fatkeqësisht kohëve të fundit te, sidomos kur fillojnë proceset zgjedhore, hapen shumë portale dhe faqe në rrjetet sociale të cilat kanë qëllime politike, dhe qëllimi i tyre i vetëm është që të dëmtojnë kundërshtarët politik ose gjithë ato të tjerët, të cilët ndoshta janë të përafërt me një kundërshtar politik ose jo. Ajo që duhet të bëhet nga shoqatat e gazetarëve dhe duhet tu theksohet në vazhdimësi qytetarëve është se nga cilat media duhet të informohen dhe nga cilat jo. Cilat janë mediat serioze, cilat janë faqet e internetit serioze që merren vazhdimisht me informimin e qytetarëve që në qoftë se shohin një informacion që është sensacional, apo tërheqë vëmendje atëherë të mund ta vërtetojë të paktën në dy apo ter media tjera, sipas dëshirës së tyre”, deklaroi për gazetën KOHA, Rashidi.

Nga ana tjetër, Ajten Vllasaku Mehmeti thekson se vetëdija dhe kriteret e vlerësimit të qytetarëve kanë evoluuar aq shumë, sa që, në mënyrë të kulluar përcaktohen për media që u besojnë.

“Janë kritiku dhe filtri më i denjë për të përzgjedhur. E keqja është se ne si media, nuk jemi të vetëdijshëm se duhet kyçur edhe qytetarët në sajimin apo trajtimin e temave të përditshmërisë. Thjeshtë, ne nuk mund vetëm të servojmë ndërsa ata të jenë konsumator. Qytetari duhet të lidhet me mediat në formën e identifikimit – Radioja ime, Televizioni apo portali im. Arritja e kësaj – indentifikimi, është fundamenti i mediave. Është e parëndësishme ka apo nuk ka redaktor nëse gazetari është mjeshtër i këtij profili. Gazetari është autori që detekton dhe prezanton atë që është në interes publik”, u shpreh Ajten Vllasaku Mehmeti, drejtoreshë e Radio Shkupit.

Aleksandra Micoska Mitevska, redaktore në gazetën “Nezavisen” vlerëson se në mungesë të informacioneve mbi zhvillimet politike në shoqëri, qytetarët e kanë të vështirë të bëjnë dallimin midis mediave profesionale, dhe atyre jo profesionale. “Duke marrë parasysh inflacionin e të ashtuquajturave media online, dhe mungesën e rregullimit në këtë sferë, qytetarët, në veçanti ata që janë pasiv në jetën politiko-shoqërore të shoqërisë, është shumë e vështirë që të bëjnë dallimin midis mediave profesionale dhe jo profesionale, të cilat transmetojnë lajme të rreme, nëpërmjet të cilave dezinformohet opinioni”, deklaroi për gazetën KOHA, Aleksandra Micoska Mitevska.

Analisti Gazmend Ajdini, vlerëson se lajmi i rrejshëm ose “fake news” është trend i cili mund të themi personifikohet me paraqitjen e dixhitalizimit ose më saktë ndryshimit esencial që i ndodhën sferës mediale respektivisht gzetarisë gjatë 10 viteve të fundit. Këto janë realisht “arma më e sofistikur” e cila përdoret në sferën e komunikimit me opinionin dhe për momentin po bënë dëme të mëdha.

“Sa është efekti i tyre dhe sa njerëzit e rëndomtë ose opinioni i gjerë mund të bije në ndikim të këtyre lajmeve të pavërteta tregon efekti që ato kanë pasur në zgjedhjet më të rëndësishme botërore ato presidencila në SHBA. Realisht ky ndikim ose efekti i tyre varet edhe nga cilësia e këtyre lajmeve të rreme. Në media, posaçërisht ato të internetit, por dhe në rrjetet sociale, kemi dy lloje të lajmeve të këtilla, ato që janë aq të sofistikuara që ndonjëherë edhe vetë mediat tradicionale bien pre e tyre por edhe të tilla që janë pothuajse qesharake për opinionin duke marrë parasysh se sa të pamundshme dhe sa të pavërteta janë”, deklaroi për gazetën KOHA, Ajdini.

Megjithatë, Republika e Maqedonisë së Veriut, e cila synon integrimin në familjen evropiane, duhet të zbatoj me përpikëri rekomandimet e Komisionit Evropian sa i përket rregullativës për detektimin dhe luftimin e informatave të shtrembëruara, gjysmë informacioneve dhe informatave që përhapen online, duke krijuar mekanizma funksional që qytetarëve t’u ofrohen informacione të vërtetuara.
“Qytetarët për fat të keq nuk janë të vetëdijshëm për lajmet e rreme dhe gjysëm informacionet dhe për këtë arsye edhe vështirë që i dallojnë. Për fat të keq, më shumë lajme të rreme vijnë nga portalet, që veprimtari bazë e kanë të jenë megafon të partive politike dhe të mbrojnë interesa të caktuara. Këta të ashtuquajtur portale nuk kanë as impresum dhe nuk dihet se kush janë gazetarët, kush është redaktor, që është edhe më e keqe nuk dihet se kush është pronari i portalit. Pikërisht për këtë janë të nevojshme media profesionale, por edhe shteti nëpërmjet arsimit të obliguar të përfshihet seriozisht në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve ndaj medias, që nga moshat e hershme e deri në ato madhore”, shprehet për gazetën KOHA, Zhaneta Trajkovska, Instituti për komunikime dhe studime.

Burimi: https://www.koha.mk/e-verteta-si-viktime-beteja-me-lajmet-e-rreme/

Tags:, ,

Send this to a friend