Etika e gazetarisë 360°

30 Tetor , 2018 • Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Videot 360 gradë janë brohoritur si “zhvillimi i madh i radhës” në gazetari. Ato shpresohet të bëjnë të mundur që audienca të përfshihet apo zhytet në mjediset dhe situatat reja, duke mundësuar një kuptim dhe ndërveprim më të madh me “lajmet”.

Gjithsesi, një studim i kryer nga pedagogia e Stanford Tanja Aitamurto zbulon se tek videot e reja impresionuese ekzistojnë disa të meta serioze. Në vend të gazetarisë së mirë, shumica e videove bazohen në një përfshirje të tepruar emocionale, në dramatizimin e ngjarjeve, shpesh duke harruar disa prej rregullave klasike që e bëjnë të mirë një gazetari.

Sipas studimit të Aitamurto, i cili u botua kohët e fundit në New Media & Society, videot 360 gradë shpesh përmbajnë rrezikun e tjetërsimit të së vërtetës. Reporterët braktisin elementët e raportimit të së vërtetës tek investigimet e tyre, duke favorizuar më shumë mesazhet ideologjike dhe personale në këto video. Gjithashtu Aitamurto tërheq vëmendjen për një kalim potencial në një stil komunikimi që më shumë i shkon për shtat reklamimit, marrëdhënieve publike apo propogandës se sa raportimit gazetaresk.

Për analizën e saj Aitamurto intervistoi një kampion prej 26 reporterësh dhe redaktorësh që kishin prodhuar video 360 gradë gjatë viteve 2016-2017 për media të tilla si USA Today, Washington Post, New York TimesGuardian, BBC dhe Al Jazeera. Videot trajtonin çështje të ndryshme komplekse, si situatat në kampet e refugjatëve, zija e bukës në Afrikë, fatkeqësitë natyrore, por edhe tema më të lehta si arti, sporti apo planifikimi urban.

Dy paradokse në epiqendër të raportimit vizual imersiv

Studimi hedh dritë edhe mbi dy paradokse që i karakterizojnë filmimet imersive[1]. Paradoksi i parë ka të bëjë me lirinë e spektatorit për të zgjedhur këndin e tij të shikimit. Nga perspektiva e një gazetari, kjo gjë do të mund të përkthehet idealisht në shkallë më të madhe transparence. Megjithatë, vizioni 360 gradë nënkupton gjithashtu një lloj humbje kontrolli. Gazetarët nuk e kanë më të mundur që të vendosin se çfarë duhet të shohin shikuesit dhe ku duhet të përqendrohet fokusi i tyre.

Krejt papritur, një shikues ka mundësinë që të zgjedhë fushën e vet të shikimit, duke krijuar në këtë mënyrë narrativën e vet subjektive. Kjo hap shtegun për një numër problemesh etike. Ç’mund të ndodhë nëse aksidentalisht dikush sheh veten në një video ku ai nuk dëshiron të jetë? Ç’mund të ndodhë nëse shikuesit shohin diçka që mund të jetë torturuese për ata? Për të shmangur këto gracka dhe për të siguruar që të merret mesazhi i duhur, disa reporterë ofrojnë guida praktika se si të navigojnë situatat e videove 360-gradë, siç janë zhvendosjet grafike, animacionet apo linja e audios. Disa mund të bllokojnë edhe vizionin sferik në kontekste të caktuara. Por sërish këto metoda, edhe pse të efektshme dhe në disa raste të ndjeshme, e limitojnë lirinë e shikuesit.  Dhe shkojnë në kah të kundërt me idenë qendrore të videove 360 gradë: një nivel më i lartë  transparence dhe objektiviteti përmes autonomisë së shikuesit.

Në paradoksin e dytë, gazetarët kompromentojnë objektivitetin në fazën post-production përmes përpunimit të filmimeve për t’i bërë ato sa më tërheqëse. Si shembull për këtë mund të përmendet përdorimi i CGI (computer-generated imagery)  apo i efekteve të tjera speciale. Në kushte ideale, ajo që tek e fundit shikuesit shohin është realiteti ashtu  siç ndodh. Por sërish në disa raste, madje edhe në filmimet më të mira kërkohet pak retushim për t’i bërë videot sa më tërheqëse. Kjo krijon një tension që është i vështirë për t’u naviguar. Dhe, tek e fundit,  manipulimi i filmimeve pa shënuar se materiali është tjetërsuar, dhunon kodin e etikës së gazetarisë vizuale.

Gazetaria imersive dhe sfidat për mediat

Gjithsesi, krahas kritikave, profesoresha e Stanford nënvizon edhe tiparet pozitive të videove 360-gradë. Ato mund të përforcojnë sensin e prezencës tek një pjesë e audiencës dhe të rrisin shkallën e përfshirjes në ngjarje. Gjithashtu, lehtësia relative e prodhimit të këtyre videove, i bën ato më joshëse për redaktorët se sa disa forma të tjera të gazetarisë përfshirëse.

Raportimi vizual imersiv nuk do të mundet asnjëherë që të kënaqë plotësisht konvencionet tradicionale apo t’u qëndrojë tërësisht rregullave apo limiteve etike. Videot 360 gradë apo forma të ngjashme paraqesin një sfidë lidhur me atë se çfarë do të quajmë “objektive” dhe “transparente” dhe këto çështje do të duhet të jenë objekt i vazhdueshëm negociimi paralel me avancimin e teknologjisë. Nga ana tjetër gazetaria vizuale imersive ofron teorikisht potenciale për të mundësuar më shumë saktësi dhe objektivitet gjatë raportimit. Do të jetë, padyshim, shumë emocionuese për ne të shohim se si do të përballet në të ardhmen gazetaria me këto sfida.

 

Studimi i plotë i botuar tek Neë Media & Society mund të gjendet këtu.

[1] Filmimet imersive  janë ato që gjenerojnë një imazh tre-dimensional që duket sikur e rrethon përdoruesin.

Tags:,

Send this to a friend