Ndërhyrjet financiare të politikës dhe biznesit në mediat kosovare janë bërë pengesë për raportim të drejtë e në interes të publikut.
Krahas mostransparencës për publikimin e kontratave për marketing në mediat online dhe sociale, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar as kriteret përcaktuese për lidhjen e këtyre kontratave. Praktika e qeverive të kaluara tregon se këto marrëveshje kryesisht lidhen me mediat e afërta me qeverinë dhe se ndikimi në punën profesionale dhe të pavarur të tyre është i dukshëm.
Në një analizë të bërë nga profesori i gazetarisë Hasan Saliu në vitin 2010 për financimin e shtypit nëpërmjet reklamave, rezulton se kriter kryesor për reklamim është afërsia e gazetës me Qeverinë dhe jo gazeta që shitet më shumë. Në matjen e cila është bërë për një jave rresht në 10 gazeta të përditshme politike të Kosovës, ka rezultuar se gazeta «Info Press» ka pasur 43 faqe reklamë nga subjekte private, ndërsa 75 faqe kanë qenë reklamë publike-qeveritare, ku kanë dominuar reklamat kryesisht nga Qeveria, nga ministritë e ndryshme, ndërsa më pas vijnë reklamat nga ndërmarrjet publike, si Agjencia Kosovare e Privatizimit, Postë-Telekomi i Kosovës, Aeroporti i Prishtinës, Radiotelevizioni publik, Hekurudhat dhe komunat.
«Ajo që duhet veçuar në këtë rast është fakti se Qeveria nuk përzgjedh gazetat me tirazh më të madh për ta shpallur reklamën informuese me qëllim që të informojë një publik sa më të gjerë. Duke analizuar përmbajtjen e shtypit gjatë asaj jave, rezulton se gazetat që kanë më shumë publicitet nga financat publike jo vetëm që nuk janë kritike, por madje duket sikur ato bëjnë garë ndërmjet se cila prej tyre do t’i plasojë më me pompozitet deklarimet e qeveritarëve», thuhet në analizën me titull «Ndikimi financiar mbi shtypin në Kosovë».
Hulumtimi në kuadër të projektit «E vërteta online» tregon se verifikimi i informatave përpara se ato të publikohen mbetet sfida kryesore për shumicën e portaleve kosovare. Kopjimi i lajmeve nga një portal në tjetrin, mospublikimi i emrave të gazetarëve, ndikimi nga lajmet e rrejshme me agjentë politikë dhe të tjerë, ndikimi nga propaganda e huaj, veçanërisht ajo serbe, janë probleme të tjera që e karakterizojnë raportimin në mediat online në Kosovë.
Rrjedhimisht kërkohet angazhim më i madh i tyre për të mbërritur deri te gazetaria profesionale dhe në interes të qytetarëve. Problem i përhershëm i mediave në Kosovë mbetet qëndrueshmëria e dobët financiare. Këtë e ka konstatuar edhe Raporti i Progresit i Komisionit Europian në vitin 2018. «Informacioni në pronësinë e mediave, në veçanti për mediat online, mbetet i paqartë dhe fiktiv, shumica e mediave nuk sigurojnë informata në financat e tyre dhe në pronësinë e vërtetë», thotë raporti.
Flutura Kusari, njohëse e të drejtës së mediave, konsideron se financimi i mediave përmes reklamave nga institucionet publike është i pranueshëm vetëm nëse ky proces menaxhohet nga një trup i veçantë i pavarur politikisht. «Ai duhet të përbëhet edhe nga përfaqësues të mediave, organizatave joqeveritare dhe ekspertë të fushës dhe duhet të veprojë me rregulla të qarta dhe në transparencë të plotë», thotë Kusari. «Politikanët që janë në pushtet nuk janë të interesuar të krijojnë mjedis dhe politika që fuqizojnë rolin e medias në shoqëri, andaj një gjë e tillë është e pamundur momentalisht», shtoi ajo.
Zekirja Shabani, kryeredaktor në portalin «Infokus» bën të ditur se kriteret e institucioneve publike dhe atyre private për marketing në portale dhe bashkëpunime ndërlidhen me numrin e vizitave në portal. «Fatkeqësisht bizneset dhe institucionet në Kosovë ende nuk e kanë kuptuar rolin e marketingut dhe arsyen për çfarë duhet të reklamojnë. Një pjesë e konsiderueshme e kompanive, pagesën në emër të marketingut për media e shohin si pagesë për mbrojtje nga mediat dhe jo investim në promovimin e produktit apo shërbimit që ofrojnë», thotë Shabani. Sipas tij një qasje e tillë është mjaft e rrezikshme për pavarësinë mediale dhe zhvillimin e biznesit konkurrues.
Kryeredaktorë të mediave të tjera online, në kushte anonimiteti, kanë bërë të ditur se kompani private të mëdha në Kosovë kërkojnë qasje të drejtpërdrejtë në numrin e vizitave në këmbim të shumës së caktuar për reklamim. Në një kohë kur lajmet e rrejshme, lajmet për klikime, keqinfirmomi dhe dezinformimi kanë mundësi të tërheqin vizita e klikime më shumë se mediat profesionale, kriteret e kompanive private dhe institucioneve publike për reklamim duken të gabueshme; si të tilla dëmtojnë mediat profesionale, por edhe produktin e vetë atyre kompanive.
Kryeredaktori i portalit «Infokus» Zekrija Shabani tregon se me qëllim të krijimit të stabilitetit financiar pa cënuar integritetin medial kanë diversifikuar burimet e financimit duke krijuar produkte dhe shërbime të cilat sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për mbarëvajtjen e punës dhe zhvillimin e kompanisë.
«Gazeta ‘inFokus’ në masë të madhe shmang bashkëpunimin me institucionet publike, përjashto projektet profesionale, të cilat nuk lidhen me raportimin ditor dhe reklamimin direkt në media, ndërkaq, kriteret e kompanive private, të cilat kryesisht lidhen me numrin e vizitave, nuk janë përcaktues i bashkëpunimit pasi marrëveshjet për marketing dhe bashkëpunim nuk i negociojmë mbi bazën e klikimeve dhe vizitave ditore», thotë Shabani.
Sipas Flutura Kusarit, publiku duhet të paguajë për lajmet që i lexon. «Në Hungari, Sllovaki dhe vende tjera ka media online që funksinojnë nga abonimi i lexuesëve. Modelin e njëjtë duhet ta provojnë edhe mediat në Kosovë. Për aq kohë sa publiku kosovar mendon që nuk ka nevojë të paguajë për lajme dhe për informim, do të vazhdojë të jetë e vështirë për mediat online që varen nga reklamat e bizneseve ta informojnë publikun në mënyrë profesionale dhe të pavarur», thekson Flutura Kusari.
Nga ana tjetër në shpëruthje të plotë me vendimet e ministrive për të shpërndarë buxhetin e shtetit në portale të ndryshme, ministra dhe deputetë, kryesisht nga radhët e partive në pushtet favorizojnë portale të cilat më shumë luajnë rolin e propaganduesit sesa atë të informimit të drejtë të qytetarëve të vendit.
Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së.
Burimi: https://zeri.info/zerat/234894/modeli-i-financimit-te-medias-ne-kosove-qe-rrezikon-pavaresine-mediale/
Tags:Kosovë, mediat, modeli ekonomik, pavarësia