Shumë hulumtime interesante akademike janë duke u kryer në mediat digjitale, por a ka njerëz vullnetmirë për t’i lexuar gjithë këto revista shkencore? Journalist’s Resource, quhet qendra e cila mban rrotull vetes një grup profesionistësh ku së bashku vendosën të krijonin një faqe interneti me qëllimin për të informuar gazetarët mbi studimet më të fundit akademike. Ky është një projekt i Qendrës Shorenstein mbi mediat, politikën dhe të mirat publike në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit. Në këtë faqe përmblidhen çështjet më të rëndësishme të trajtuara nga studiues të ndryshëm, shkruar në një stil gazetaresk, dhe fokusuar kryesisht te historia e subjektit. Ky projekt nisi në vitin 2010, fillimisht për ta bërë më të lehtë për profesorët e gazetarisë që të japin mësim rreth raportimit të studimeve akademike. Duke hulumtuar në këtë faqe do të shohim më poshtë se cilat janë ato çështje studimore, të evidentuara si më të mprehtat e kohës së sotme, epokës digjitale dhe gazetarinë. Artikujt janë shkruar së fundmi dhe publikohet online prej tre muajsh. Qëllimi ynë është të evidentojmë me hapat e kohës cilat janë pikat kryesore në të cilat ndërtohet sot një gazetari moderne dhe një media, e cila po rrëshqet prej standardeve të saj profesionale. Zhvillimi teknologjik ka rrezikuar parimet kryesore të gazetarisë dhe punës së gazetarit. I sjellim sot të pasqyruara konkretisht e shkurtimisht disa nga top-diskutimet më të nxehta në rrethet e botës akademike në fushën e komunikimit dhe gazetarisë. Studimi i parë titullohet:
“Kur qytetarët dhe gazetarët ndërveprojnë në ‘Twitter’ (Pritshmëritë e performancës së gazetarëve në mediat sociale dhe perceptimet e paragjykuara të medias)”.
Mjaft raporte përgjatë viteve kanë theksuar vazhdimisht problemet që hasen në mediat, të cilat prodhojnë lajme, sa i takon sidomos besueshmërisë së publikut. Studiuesit janë kureshtarë se si kjo marrëdhënie mund të ndryshojë ndërsa gazetarët gjithnjë e më shumë mbështeten në platformat e mediave sociale për të mbledhur informacionin, për të ndërvepruar me publikun dhe për të promovuar punën e tyre. Në shumë mënyra, këto platforma ofrojnë një dritare të hapur në procesin e raportimit. Ata, gjithashtu, e lejojnë publikun të dëshmojë biseda mes gazetarëve dhe njerëzve, të cilët ata i intervistojnë, pra dialogun mes tyre, dialog që interpretohet në mënyra të ndryshme. Ky material ka për qëllim të vlerësojë se si mediat sociale ndikojnë në perceptimet publike të gazetarëve. Studiuesit kanë analizuar të dhënat e sondazhit të kryer në SHBA me qëllimin për të zbuluar se çfarë njerëzit presin prej përdorimit të medias sociale nga gazetarët dhe cili ka më shumë mundësi të angazhohet me gazetarët në ‘Twitter’. Ata, gjithashtu, konsideruan faktin se si këta dy faktorë mund të influencojnë në sensibilitetet e dikujt rreth anshmërisë së medias. Po çfarë gjetën autorët e gjatë kërkimeve? Njerëzit, të cilët presin që gazetarët të përdorin mediat sociale pozitivisht; që d.m.th., ata nxisin biseda që ndihmojnë në kontekstualizimin e historive, pikërisht këta kanë më shumë gjasa të bashkëveprojnë në ‘Twitter’. Ndër të tjera studimi ka sugjeruar se përvojat në mediat sociale përcaktojnë dhe standardet për një lloj reciprociteti midis gazetarëve dhe audiencës së tyre. Në përgjithësi, një marrëdhënie më e afërt me gazetarët në ‘Twitter’ shoqërohet me nivele më të ulëta të paragjykimeve të perceptuara prej mediave.
Studimi tjetër me titullin “Investigimi i burimit politik në ‘Twitter’: Kur korrigjimet kanë një efekt?, është një studim që ka ngjallur shumë diskutime. Deri më sot, hulumtimet mbi përhapjen e lajmeve të rreme dhe jo korrekte tregon se ato janë të vështira për t’u ndalur dhe se në rrethana të caktuara, njerëzit që kanë frikë nga e vërteta do të mbahen akoma dhe më fort tek lajmet e rreme. Ky kërkim i ri studimor, hedh dritë mbi atë se si raportet me rrjetet sociale mund të ndihmojnë në frenimin e rrjedhjes së informacionit të gabuar. Këta hulumtues kanë kryer dy studime, nëpërmjet të cilëve është parë se si përdoruesit e ‘Twitter’-it kanë korrigjuar njëri-tjetrin. Gjatë studimit të parë, ekipi ka analizuar postimet në ‘Twitter’vendosur që nga mesi i janarit në vitin 2012 deri në prill të vitit 2014. Postimet u dërguan në përgjigje të një përdoruesi, i cili kishte bërë një deklaratë të gabuar në lidhje me politikën e SHBA-së. Kërkuesit u përqendruan në mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj përgjigjeve që morën në ‘Twitter’, e që më së shumti theksonin gabimin duke iu referuar një prej tri faqeve të internetit që merrej me investigimin e fakteve. Në studimin e dytë, studiuesit kërkimin e përqendruan sërish në këtë platformë, pra në ‘Twitter’. Periudha e përcaktuar ishte 31 tetor 2015 dhe 3 shkurt 2016. Referencat shkonin për Snopes.com, një website që punon për kontrollin e burimit të vërtetë. Përsëri, ata shqyrtuan ndërveprimet mes përdoruesve të ‘Twitter’ që bënë deklarata të pasakta dhe ata që vinin në dukje gabimet. Këtë herë, kërkuesit i krahasuan përgjigjet e përdoruesve bazuar mbi faktin nëse deklarata e pasaktë, lidhej me politikën e SHBA-ve apo me ndonjë subjekt tjetër. Rezultatet, treguan se përdoruesit e ‘Twitter’ kanë më shumë gjasa të pranojnë korrigjime nga miqtë dhe individët që i ndjekin ata. Ndërsa më pak të ngjarë, kanë të pranojnë korrigjime ndaj një gabimi që lidhet me politikën sesa një tjetër temë.
Studimi tjetër mban titullin “Shkenca e lajmit të rremë”.
Në të, një grup akademikësh me profil të lartë nga një sërë fushash ofruan një strategji për të kuptuar më mirë lajmin e rremë, për të parandaluar shpërndarjen dhe ndikimin e tij. Grupi përshkruante shkurtimisht, atë që deri tani njihej si pjesë e sfidave të ndalimit të lajmit të rremë dhe kufizimeve të kontrollit të fakteve. Ata u fokusuan kryesisht në dy lloje të ndërhyrjes: së pari, duke i ndihmuar njerëzit të njohin më mirë lajmin e rremë kur e shohin atë. Mandej të bëjnë ndryshime strukturore, të cilat zvogëlojnë ekspozimin e publikut ndaj përmbajtjeve jo të vërteta. Artikulli mbetet në thelb një thirrje për veprim, duke i bërë thirrje platformave të internetit dhe mediave sociale të punojnë me studiuesit për të vlerësuar problemin, për të programuar apo testuar ndërhyrjet. “Ka pak hulumtime të fokusuara tek lajmet e rreme dhe ende nuk ka një sistem gjithëpërfshirës për grumbullimin e të dhënave për të përftuar një marrëveshje dinamike mbi saktësinë e tyre. Ndërsa teknologjia avancon në evoluimin e saj, sisteme të tëra të ofrimit të lajmeve të rreme janë duke u zhvilluar”, shkruajnë autorët.
I treti studim quhet “Ekspozimi selektiv ndaj dezinformimit: Raste prej konsumimit të lajmeve të rreme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 në SHBA”.
Duke folur për lajmet e rreme, ne ende nuk jemi në gjendje të njohim ata, të cilët i duan këto lajme apo kategoritë që ata zgjedhin t’i publikojnë, pra ata individë, të cilët ndërtojnë shpesh faqe interneti kryesisht me lajme të rreme. Ky lloj studimi, ofron informacione të reja për të dyja frontet. Janë tre akademikë, Andrew Guess, Brendan Nyhan dhe Jason Reifler, ata të cilët shqyrtuan dy burime të dhënash: i pari, i cili është bazuar në rezultatet e një studimi online të marrë nga një kampion kombëtar, përbërë nga 2,525 amerikanë dhe i dyti, i cili u bazua në të dhënat që u mblodhën prej trafikut të internetit të grumbulluara nga kompjuterët e tyre, në javët para dhe menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2016. Studimi i tyre solli një grup detajesh mjaft interesante. P.sh., një në katër persona të rriturish, e vizitonin një faqe interneti me lajme të rreme, shumica ishin mbështetës të Donald Trump dhe kërkonin përmbajtje lajmesh pro-Trump. Rreth 15% e mbështetësve të Hillari Klintonit, lexonin të paktën një artikull nga një faqe interneti me lajme pro-Klinton. Interesante ishte se gjetjet sugjeronin që “konsumi i lajmeve të rreme duket të jetë një plotësim më shumë se një zëvendësim i një lajmi të besueshëm apo jo. Pra, leximi i këtyre lajmeve prej faqeve që përhapin fake news, nuk ndikon për të dhënë më shumë shpjegime për lajmet më të rëndësishme të ditës. Vizita, sipas studimit, në faqet e lajmeve të rreme janë më të lartat në mesin e njerëzve që konsumojnë lajme të rëndësishme të ditës dhe nuk zvogëlohen në mënyrë të matshme në mesin e individëve më të informuar politikisht. Po ndërkohë çfarë bëhet në lidhje me përpjekjet për kontrollimin e fakteve? A kanë arritur të shkojnë deri tek konsumatorët e lajmeve të rreme? Mbështetur në këtë studim, pohohet se kjo gjë nuk është mundur të arrihet ende.
Studimi i katërt: “Populizmi, gazetaria dhe kufijtë e refleksivitetit: rasti i Donald J. Trump”
Akademikët dhe gazetarët kanë vlerësime të ndryshme për rolin që luajti media në mbërritjen e Donald Trumpit në presidencën amerikane. Ky punim ofron njohuri të rëndësishme dhe interesante në atë se si gazetarët vlerësojnë punën dhe gabimet e tyre për këtë çështje. Autorët shkruajnë se është e rrezikshme të pranosh se si gazetarët kanë kontributin e tyre parësor në suksesin e Trump. Michael McDevitt dhe Patrick Ferrucci janë profesorët, të cilët udhëhoqën një analizë tekstuale duke krahasuar diskursin e studiuesve dhe profesionistëve të lajmeve në ditët postzgjedhore të vitit 2016. Ata analizuan komentet e 86 akademikëve të cilët kontribuuan në një vëllim të titulluar: “Analiza zgjedhore në SHBA viti 2016: Media, votuesit dhe fushata elektorale”, realizuar nga Universiteti Bournemouth në Mbretërinë e Bashkuar. Ata, gjithashtu, shqyrtuan 212 artikuj të botuar në gazetat kryesore të vendit, të cilat kishin diskutuar rolin e shtypit në zgjedhje. Gazetarët dhe kolumnistët argumentuan se një mori faktorësh kontribuuan në suksesin e Trump, ndërkohë që akademikët në masë të madhe këtë sukses ia kredituan plotësisht mediave. Gjatë diskursit gazetaresk është pohuar se fitorja e Trump ndodhi për shkak të analfabetizmit mediatik të publikut; shumimit të mediave sociale, të cilat përhapnin lajmin e rremë dhe lejimin e flluskave të pafiltruara; dhe në fund dështimi i shtypit për të kuptuar thellësinë e zemërimit të votuesve. Studiuesit e shikonin ngritjen e Trump si të parashikueshëm, duke njohur anësitë politiko -historike të shtypit; keqkuptimet e gazetarëve mbi termin “publik” dhe “populizëm” si dhe kushte e skajshme ekonomike në të cilat bëhet sot gazetaria.
Studimi i pestë: Audienca e kuantifikuar në prodhimin e lajmeve: Një sintezë dhe axhendë kërkimore. Ky studim shqyrton se si fokusi në rritje i redaksive në thithjen e audiencës ka ndikuar në prodhimin e lajmeve. Rodrigo Zamith shqyrton ndikimet në pesë fusha kryesore duke përfshirë përmbajtjen e lajmeve, etikën në media dhe sjelljen e mirë në redaksi. Ai sugjeron se po hyjmë në një valë të tretë të racionalizimit të asaj çfarë publiku do, si një vazhdim i shtysave që kanë nisur që në vitet 1930 dhe 1970; përdorimi i metodave shkencore dhe inovacionet teknologjike janë ato që do mund të përcaktojnë më mirë preferencat dhe sjelljet e audiencës. Prof. Zamith, gjithashtu, ka ngritur ndër të tjera edhe shumë pyetje, të cilat studiuesit ende nuk i përgjigjen p.sh., gazetarët që mbështeten më shumë në analiza, a e shohin audiencën e tyre më pak apo më shumë inteligjente, pjesëmarrëse, racionale, të arsyeshme apo të zhytur në mendime? Të gjitha këto detaje analitike dhe shumë pikëpyetje sa i përket gazetarisë së sotme dhe se çfarë mund të mësojmë më shumë duke iu referuar bazave të saj në vitet ‘30-’70 janë pikërisht këto hulumtime anketore shkencore që do të mund të na elaborojnë më tepër njohuritë mbi këtë fushë.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/07/16/te-kontrollosh-burimin-studimet-interesante-ne-median-digjitale-gjate-2018/
Tags:burimet e lajmeve, fact-checking, kontrolli i burimeve, saktesia