Një vëzhgim me 10 të intervistuar tregon se gazetarët e portaleve janë të paprofilizuar, të shkëputur nga terreni, të keqpaguar, në një fushë ku ka prioritet vetëm shpejtësia e përcjelljes së informacionit.
Numri i portaleve në Shqipëri është rritur në mënyrë të ndjeshme, ndonëse kjo nuk reflekton një rritje të standardeve të gazetarisë në vend. Unioni i Gazetarëve pretendon se aktualisht në Tiranë dhe në rrethe janë 650 portale informative, ndonëse një numër i saktë i tyre nuk disponohet nga asnjë instituticion shtetëror.
Një vëzhgim i PSE i bazuar me 10 intervista me gazetarë, të cilët punojnë në 10 portale informative në vend, zbulon se parësore në punën e tyre të përditshme nuk është cilësia e lajmit, por shpejtësia me të cilën informacioni përcillet online. Gazetarët e intervistuar pohojnë se asnjë prej tyre nuk mbulon një sektor të caktuar, por shkruajnë për tema të ndryshme duke nisur nga politika e deri tek showbizz-i, ndërkohë që gjashtë prej tyre nuk kanë marrë pjesë në asnjë trajnim për gazetarinë.
Vëzhgimi nxjerr në pah se gazetarët që punojnë në portale nuk e sigurojnë informacionin nga raportimi në terren. Tetë prej tyre nuk kanë ndjekur ndonjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndonjë konferencë për shtyp. Gjashtë nga 10 gazetarët e intervistuar nuk kanë intervistuar asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndonjë personazh.
Kushtet e punës rezultojnë të jenë të vështira për gazetarët, të cilët punojnë në portalet informative, në një kohë kur në të gjitha rastet punohet gjashtë ditë në javë jo më pak se tetë orë.
Shtatë nga gazetarët e pyetur marrin një pagë mujore, e cila nuk i kalon 35,000 lekët dhe vetëm në tri raste të tjera paga raportohet pak më e lartë se ky nivel.
Në pesë raste sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk paguhen, pasi të punësuarit janë studentë.
Redaksitë e portaleve janë mesatarisht me nga gjashtë gazetarë. Presioni për të transmetuar lajmin e fundit, në një hapësirë të tejmbushur nga mediat e tjera, është tejet i lartë.
Gazetarët, të paprofilizuar dhe të shkëputur nga terreni
“Zakonisht shkruaj për zhvillimet kryesore të ditës, por, kur nuk ka ngjarje, shkruaj për të rejat më të fundit nga “Big Brother”. Në fund të ditës asnjë nga ato që shkruaj nuk ka rëndësi për mua, gjëja e vetme që ka rëndësi janë klikimet”, – thotë një nga gazetarët e intervistuar.
Ky “model” ishte i njëjtë për të 10-të gazetarët e intervistuar, të cilët nuk kishin mundësi brenda portaleve të profilizoheshin për të raportuar dhe shkruar në fusha të caktuara të gazetarisë.
Nga intervistat me 10 gazetarë, ndonëse portalet online janë konfiguruar me rubrika/tema të caktuara, gazetarët në to nuk janë të profilizuar. Kujt punon në to i duhet të shkruajë për çdo fushë, pa u dhënë mundësi dhe kohë për të bërë një raportim të thelluar në një fushë të caktuar.
Jeta reale apo virtuale?!
Pjesa dërrmuese e gazetarëve, të cilët u intervistuan në kushtet e anonimitetit, ishin të shkëputur nga terreni dhe shkruanin për ngjarjet bazuar në raportimet e mediave në print, ato vizive dhe po kështu rrjetet sociale.
“Në mëngjes marrim gazetat kryesore, të cilat konsiderohen si më të besueshmet dhe nisim të bëjmë lajme për portalin”, – thotë një nga gazetarët. Ndërkohë që dita vijon duke monitoruar televizionet që transmetojnë 24 orë lajme dhe profilet e njerëzve të njohur në facebook.
Vetëm tetë nga 10 gazetarët e intervistuar kanë mundur të ndjekin një aktivitet apo konferencë shtypi.
Përsa i përket intervistave, pothuajse në të gjitha rastet ato kryeheshin përmes email-it dhe telefonit. Gjashtë prej të anketuarve thanë se nuk kanë kryer asnjëherë një intervistë “sy më sy” gjatë kohës që punonin për portalet.
Kjo situatë sjell mungesën e raportimit origjinal në portalet ku ata punojnë dhe për këtë gazetarët janë të vetëdijshëm, por ritmi me të cilin informacioni përcillet nuk jua jep këtë mundësi.
“Një ditë vendosa të ‘eksperimentoja’ duke shkruar një lajm origjinal nga fusha e ekonomisë.
Përdora grafikë duke e bërë më të lehtë leximin e tij. Në fund rezulati ishte tepër pozitiv, shkrimi pati shumë klikime. Por, fatkeqësisht unë nuk mund të punoj shpesh në mënyrë të tillë, pasi, aty ku unë punoj, shpejtësia ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër”, – thotë një gazetar.
Mungesa e trajnimeve duket se është një tjetër arsye, e cila ndikon në mungesën e lajmeve origjinale nga ana e gazetarëve dhe në shkrimet me cilësi të dobët.
Nga intervistat e marra nga PSE rezultoi se gjashtë nga 10 gazetarët nuk janë trajnuar, gjë që do t’iu mundësonte rritjen e cilësisë së artikujve të shkruar.
Presioni i lartë dhe kushtet e vështira të punës
“Pati një kohë në portalin ku punoja, ku u vendos që rroga të na jepej mbi bazën e klikimeve. U vendos të ndiqej një grafik dhe, nëse klikimet binin nën një numër të caktuar, atëherë do të ulej edhe rroga”, – thotë një prej gazetarëve të intervistuar.
Në një kohë kur në hapësirën online janë qindra portale, gazetarëve që shkruajnë në to iu kërkohet të punojnë në presion të lartë për të qenë të parët në përçimin e informacionit.
Presioni shtohet edhe më shumë nga fakti se në pjesën dërrmuese portalet në vend kanë pak gazetarë. Nga intervistat rezulton se numri mesatar i gazetarëve dhe editorëve për redaksi është gjashtë!
Nga intervistat e kryera rezulton se një gazetar shkruan mesatarisht 15 deri në 20 “lajme” që hidhen në faqen e internetit. “Lajme” që nuk i kalojnë katër paragrafët.
Në kushte të tilla, gazetarët janë të detyruar të punojnë me turne prej tetë orësh përgjatë gjashtë ditëve të javës dhe me pushime tepër të kufizuara vjetore.
Por presioni i lartë gjatë punës dhe orët e gjata nuk justifikohen me pagesat mujore të gazetarëve, të cilët punojnë për median online.
Nga intervistat rezulton se shtatë nga dhjetë të intervistuarit paguheshin deri në 35,000 lekë në muaj, ndërkohë që vetëm në tri raste paga ishte pak më e madhe se shifra e përmendur.
Në pjesën më të madhe të redaksive online, gazetarët janë studentë dhe për pasojë sigurimet shoqërore për ta nuk paguhen.
“Ajo çfarë ne bëjmë, e përmbledhur thjesht, është: lajme flesh dhe zbardhje të deklaratave dhe statuseve të politikanëve në Facebook”, – thotë një nga të intervistuarit.
Megjithatë, të pyetur nëse duan të vazhdojnë të jenë gazetarë, të gjithë të intervistuarit përgjigjen me po. Lajmi i mirë është se ata nuk kanë hequr dorë nga ëndrra për të bërë një ditë lajme, të cilat do të lënë gjurmë.
——————
Burimi: http://pse2017.com/portalet-informative-gazetaret-nen-presionin-e-klikimeve/