Marrëdhënia prej kundërshtarësh mes shtypit dhe presidentit, është “e vjetër sa vetë republika”, shkruante Jon Finer në The Atlantic. Por sulmet konstante të presidentit ndaj “shtypit si institucion”, që u përshkallëzuan fort javën që kaloi, janë një gjë “e re dhe ndoshta e rrezikshme” për demokracinë tonë. Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi shfryu ndaj gazetarëve si shitës “të pandershëm” të “lajmeve të rreme” dhe tha se shtypi është “jashtë kontrolli”. Ndoshta më i frikshëm ishte një shënim në Twitter, ku presidenti e quante median si “armike të popullit amerikan!”.
Kjo frazë ka një histori të shëmtuar, shkruante Will Bunch në Philadelphia Daily News. Hitleri, Mao, dhe Lenini, të gjithë e përdornin “armiq të popullit” për të diskredituar dhe nxitur dhunë kundër kujtdo që guxonte të vinte në dyshim autoritetin e tyre. Si e tha senatori republikan John McCain këtë javë, “diktatorët e fillojn” duke sulmuar legjitimitetin e shtypit të lirë.
Të mos e teprojmë me reagimin tonë, shkruante Jack Shafer në politico.com. “Nuk ka traditë më të qëndrueshme në Amerikë, se sa presidentët që delegjitimojnë shtypin”. FDR një herë i dha një gazetari një kapelë për studentët gdhë dhe i tha të ulej në qoshe. Presidenti John Adams firmosi ligjet e të huajve dhe rebelimit, që e shndërronin në shkelje penale kritikën ndaj qeverisë së tij. Presidenti Trump thjeshtë po njofton shtypin, shkruante Michael Goodwin në NYPost. Ai po u thërret gazetarëve që “përpiqen të shkatërrojnë presidencën e tij” dhe po u bën të qartë se, nëse “gazetarët sillen si kundërshtarë, ai do i trajtojë si kundërshtarë, duke kundërgoditur edhe më fort se sa ata”.
Më vjen keq, por sulmi i Trumpit mbi shtypin është i paprecedentë dhe ogurzi, shkruante James Fallows në The Atlantic. Edhe të tjerë presidentë janë ankuar për mënyrën si janë mbuluar nga media; Trumpi praktikisht po pretendon se media nuk ka të drejtë që t’i bëjë pyetje, të cilave do të preferonte të mos u përgjigjej, apo të shkruajnë artikuj që ai i konsideron negativë dhe të padrejtë. Në mënyrën e tij bardhë e zi, ai në fakt mendon se e gjithë media duhet të shndërrohet në një organ propagande, si Fox News, që Trumpi e quan “shumë të ndershme”.
Qëllimet e tij janë më të ligj edhe se kaq, shkruante Bret Stephens në Time. Kur shtypi e kap në një prej gënjeshtrave të tij të shumta, si për shembull pretendimi që miliona njerëz votuan ilegalisht në zgjedhje, Trumpi gjithmonë përgjigjet që, “epo kështu thonë shumë njerëz”. Ky është një sulm oruellian kundër jo vetëm medias, por edhe vetë idesë së objektivitetit. Trumpi dëshiron të jetë president i një vendi ku “një gjë e tillë si e vërteta nuk ekziston”.
Nëse është kështu, plani i tij nuk po funksionon, shkruante Lloyd Grove në TheDailyBeast.com. Largimi i këshilltarit për sigurinë kombëtare, Michael Flynn ishte rezultat i drejtpërdrejtë i raportimit agresiv nga NYT dhe Washington Post, që vetëm sa kanë nisur të gërmojnë në sekretet, kaosin dhe korrupsionin në Shtëpinë e Bardhë. Në të vërtetë “gazetaria si institucion është rishfaqur fort” në epokën Trump. Duhet patjetër, shkruante Linda Fieldmann në CSMonitor.com. Ndonëse gazetat dhe portalet e mëdha raportojnë se tirazhi dhe trafiku online po rriten për shkak të interesit tek Trumpi, sondazhet thonë se besimi tek mediat është në nivele shumë të ulët. Mënyra si gazetarët i përgjigjen armiqësisë së Trumpit do të përcaktojë se si njerëzit e shohin shtypin: “A është një ngatërrestar i keq, apo një kolonë themelore e demokracisë amerikane?” /The Week – www.bota.al
Tags:armik, gazetarët, media, pavaresia e medias, politika