Stilistika është shkencë e shekullit të XX-të. Pasi që është shkencë e re dhe ende vështirë e shkëputur nga retorika, është lënë anash në studimin e disa fushave. Një ndër to është edhe gazetaria. Ende është në pikëpyetje çështja se a kemi stil gazetar apo jo. Por, dilemat rreth kësaj çështjeje duhet të largohen tërësisht, pasi që ekziston një stil gazetar. Edhe pse ne si vend kemi ngecur në këtë drejtim, mediumet ndërkombëtare kanë hartuar doracakë të veçantë të stilit të mediumit.
Atëherë pse është e duhur që çdo medium të ketë një stil të vetin?
Në radhë të parë për të eliminuar konfuzionet rreth asaj se a është bërë gabim teknik në një gazetë nëse është shkruar ”siri” e jo ”syri”, apo ”gluha” e jo ”gjuha”. Për të eliminuar konfuzionet nëse kemi shtim apo mungesë të grafemave, nëse një gjymtyrë mungon në fjali apo kemi përsëritje të tyre, nëse një emër i përveçëm është përdorë si i përgjithshëm apo e kundërta, nëse një metonimi apo një figurë tjetër është përdorë në vend të fjalës në kuptimin e parë. Janë këta e shumë shembuj të tjerë që i hasim në mediumet tona, si në ato vizuele edhe në ato të shkruara. Përdorimi i tyre, në një mënyrë apo në një tjetër nuk do të thotë gjithsesi se është gabim, kur të bëhet e qartë se ekziston një stil gazetar.
Një doracak i stilit që do të përmbante rregullat e mediumit për përdorimin dhe shqiptimin e emrave, shenjave të pikësimit dhe të tjera elemente gjuhësore, që nuk janë në standard, është i nevojshëm për çdo medium. Gjithë ky konfuzion rreth asaj se a ka stil gazetar apo jo, është duke e pasur parasysh se llojet e zhanrit informativ shkruhen për periudhë kohore më të shkurtë dhe gazetari nuk ka kohë të krijojë një stil të vetin, për këtë arsye stili gazetar i afrohet atij bisedor.
Por, fakti se stili gazetar i afrohet atij bisedor, nuk do të thotë që nuk ekziston stili gazetar. Njashtu, është shumë gabim që ai të futet në kuadër të stlit politik, siç edhe e bën autori Xhevat Lloshi. Është shumë normale që stili i gazetarisë përshtatet me stilet e tjera, pasi që gazetaria përfshinë një korpus të gjerë, ku hyjnë shumë fusha.
Për dallim nga stili i gazetarisë infomative, tek stili i gazetarisë analitike dhe publicistike nuk ka asgjë të përbashkët me stilin bisedor. Stili analitik përdor profesionalizma, neologjizma, etj; që është i afërt me stilin shkencor- teknik. Kurse, tek stili publicistik nuk mbizotëron principi i konativitetit, në këtë stil lidhet bota e folësit me personazhin që flet.
Në parim, çdo medium e ka stilin e vet të veçantë nga të tjerët. Për shembull, stili mund të jetë edhe sipas rubrikave. Zhanri gazetar është determinues i stilit gazetar, ngase për çdo zhanër ka stil (nënstil) të veçantë. Kjo ndarje e stileve shkon edhe më tej në rubrika apo në nën-lloje të secilit zhanër. Atëherë, edhe pse stili gazetar ka elemente të ngjashme me stilet e tjera, megjithatë ekziston si stil më vete.
Autorja është studente e Gazetarisë në nivelin master, në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”