Flasin: Sami Neza, gazetar dhe studiuesi i mediave; Lutfi Dervishi, analist i medias; Urim Bajrami, kryeredaktor i “Shqip”; Alfred Lela, media “Mapo”…Ekspertët e medias dhe analistët janë të një mendimi se shtypi i shkruar është në ditët më të vështira.
Për Sami Nezën gazetar dhe studiues, media e shkruar po kalon krizën më të rëndë dhe ndoshta edhe krizën që po e shoqëron atë drejt fundit të medias print në Shqipëri. Lutfi Dervishi, analist, shton se gazetat pothuaj e kanë humbur betejën për cilësi. “Lajmet, përgjithësisht, qarkullojnë nga postimet në Facebook, në TV dhe përfundojnë në gazetë”, thotë ai. Urim Bajrami, kryeredaktor i Shqip thotë se ka një mori arsyesh pse erdhi në një gjendje të tillë, arsye që në vendin tonë shumëfishohen si: “sulmi” i mediave online ndaj medias tradicionale; devijimi, le të themi, nga informimi i publikut te të bërit biznes përmes lajmit, e për pasojë masakrimi i lajmit; pleksja e interesave politike dhe ekonomike me median; kriza ekonomike që ka detyruar botuesit të shtrëngojnë dorën etj.
Me i prerë është analisti Alfred Lela nga media “Mapo”. Sipas tij nuk ka dështuar printi, por gazetarët. “Një gazetë nuk është një iPhone apo Samsung Galaxy që i duhet të përshtatet çdo 6 muaj. Një gazetë është një institucion dhe institucion i traditës. Asaj nuk i duhet të përshtatet, por të përshtasë. I duhet jo të ndjekë një rrymë, por të krijojë një të tillë”.
Shtypi është futur në spiralen rënëse prej 10 vitesh
Flet Sami Neza, gazetar dhe studiuesi i mediave
Si do ta vlerësoni ecurinë e shtypit të shkruar vitet e fundit dhe mbylljen së fundmi të gazetës “Shqip”?
Media e shkruar po kalon krizën më të rëndë dhe ndoshta edhe krizën që po e shoqëron atë drejt fundit të medias print në Shqipëri. Të paktën që prej vitit 2005, gazetat në Shqipëri kanë pësuar ulje sistematike të tirazhit. Ato janë përballur me mungesë të ardhurash nga shitjet dhe nga reklamat, që ka çuar më pas në uljen e pagave apo numrit të gazetarëve. Kështu që shtypi është futur në spiralen rënëse prej dhjetë vitesh dhe tani ndodhet në spirën e fundit të saj. Nga pikëpamja ekonomike, vetëm dy-tre gazeta nuk kanë marrë fund. Të tjerat mbahen kryesisht për arsye “jomedia”, pasi financiarisht dalin me humbje dhe profesionalisht janë një “copy paste” në letër e mediave online.
Gazeta “Shqip” ishte një gazetë profesionale, që pavarësisht defekteve editoriale që u shfaqën herë pas here që nga dalja e saj, ajo konsiderohej një botim serioz.
Pse shtypi nuk ka arritur t’i përshtatet lexuesit në moshë të re?
Është çështje mjetesh. Media në print këtë model biznesi ka; përgatit përmbajtjen, e paketon atë në formën e gazetës dhe e hedh në treg sipas modelit të shitjes me një kopje të vetme. Media online përgatit përmbajtjen, e paketon atë në disa modele dhe e shpërndan përmes disa kanaleve të komunikimit dhe përmes disa instrumenteve të komunikimit në kohë reale.
Kështu që print ka mundësi të kufizuara përshtatjeje.
Por ndërkohë, zhvillimi i teknologjisë ka krijuar mundësinë e instrumenteve me shumë përdorime si telefoni, tablet etj. Të rinjtë janë të lidhur me këtë teknologji më shumë se sa me subjektet që prodhon media për lexuesin e saj. Ata lexojnë atë që u serviret, por në mjetet e tyre. Ata preferojnë median me “touch” në vend që të themi preferojnë median e lehtë.
Sa konkurrencë po i bën media online shtypit të shkruar?
Media online po konkurron fort median e shkruar. Në përgjithësi audiencat janë zhvendosur drejt leximit online dhe fare pak konsumatorë kanë mbetur për median tradicionale në print. Sot në Shqipëri ka mbi 30 media online, ndërkohë që të paktën 10 prej tyre kanë synime për media afatgjatë. Disa nga mediat online ia kanë dalë të shpëtojnë prej sëmundjeve të medias në print si influencat.
Një shënim për gazetat ende të pambyllura…
Flet Lutfi Dervishi, analist i medias
Në kohën që u njoftua mbyllja e gazetës “Shqip”, në Britaninë e Madhe, lajmi kryesor në lëmin e medias, ishte hapja e një gazete të re: NEW DAY!
Një nga redaktorët e gazetës shpjegoi në televizion logjikën ekonomike të gazetës: nëse do të arrinin të shiteshin 200 mijë kopje në ditë, gazeta do të kishte jetë në treg.
Gazetari që pyeti nënvizoi faktin se gazeta më me traditë si “The Independent” ishte mbyllur dhe shumica e gazetave të tjera po përjetonin ditë të vështira.
Gazeta e re në Britani shpreson të mbijetojë duke u përshtatur, më pak hapësirë për ‘lajmin e ditës’ dhe më shumë vëmendje për lajmin e thelluar, analizat, gazetarinë e të dhënave.
Në mënyrë paradoksale, sfida në Shqipëri nuk është si të kemi më shumë gazeta, por si të kemi më pak. Prej më shumë se një dekade, tregu i gazetave është i tejngopur dhe nëse do të kishin vepruar ligjet e tregut, “vdekshmëria foshnjore” mes gazetave do të ishte shumë e lartë. Kjo nuk ndodhi, sepse kryesisht gazetat u mbajtën për të qenë shpata dhe mburoja e interesave të biznesit dhe mjeti më i mirë për të ushtruar presion/shantazh ndaj politikës dhe qeverisë.
Me rritjen e depërtueshmërisë së internetit, rritjen e celularëve të mençur, zhvillimin e rrjeteve sociale, kalimin e informacionit online, sytë e konsumatorëve u zhvendosën në ekranet e vegjël. Reklamat në median tradicionale erdhën duke u zvogëluar. Me më pak para, nisën shkurtimet e vendeve të punës. Më pak gazetarë për të bërë të njëjtën punë.
Nëse do të huazonim një fjali nga gjuha e tregut, ka gjithmonë vend për mall cilësor.
Gazetat pothuaj e kanë humbur betejën për cilësi. Lajmet, përgjithësisht, qarkullojnë nga postimet në Facebook, në TV dhe përfundojnë në gazetë.
Tundimi i ri janë mediat online. E vërtetë se kostot e prodhimit online janë shumë më të pakta se ato të gazetave dhe televizioneve, por kostot online nuk janë afër zeros. Me pak gazetarë, një, dy persona – zor se mund të bësh shumë gazetari dhe profesioni i ri është copy-paste.
Mbyllja e gazetave nuk do të thotë se gazetaria falimentoi. Përkundrazi, në epokën e cunamit informativ, ka nevojë më shumë se kurrë për gazetarinë e kontekstit, për gazetarinë që shkon përtej lajmit të ditës. Por kjo gazetari nuk është e lirë dhe sërish kthehemi tek ekonomia. Vezën sot apo pulën mot? –
Gazeta “New Day” në Britani thotë se ka një plan afatgjatë për gazetari cilësore. Në kushtet kur në Tiranë asnjë gazetë nuk ka 20 reporterë motoja mbetet: shtyje ta shtyjmë deri sa të vijë dita e funeralit.
Shtypi i shkruar, në ditët më të vështira
Flet Urim Bajrami, kryeredaktor i “Shqip”
Si do ta vlerësoni ecurinë e shtypit të shkruar në vitet e fundit?
Shtypi i shkruar është në ditët e tij më të vështira. Sikurse është thuajse edhe në të gjithë botën. Ka një mori arsyesh pse erdhi në një gjendje të tillë, arsye që në vendin tonë shumëfishohen: “sulmi” i mediave online ndaj medias tradicionale; devijimi, le të themi, nga informimi i publikut te të bërit biznes përmes lajmit, e për pasojë masakrimi i lajmit; pleksja e interesave politike dhe ekonomike me median; kriza ekonomike që ka detyruar botuesit të shtrëngojnë dorën etj. Besoj se, ne që jemi brenda medias, punëtorë të saj, e kemi kuptuar se prej disa vitesh shtypi i shkruar filloi rënien e tij, ndoshta pak para se të dilte në skenë kriza ekonomike.
Pse shtypi nuk ka arritur t’i përshtatet lexuesit në moshë të re (kam parasysh faktin që titujt kryesorë të gazetave sot u referohen më së shumti lajmeve për lista, legalizime, prona etj.)?
Pjesa e dytë e pyetjes bart një konstatim të drejtë që qëndron për një pjesë të madhe të gazetave të sotme. Pikërisht, duke përjetuar krizën e tyre, gazetat orientohen drejt titujve të tillë, tituj shërbimi, si listat e legalizimeve, të kompensimit të pronave, të dosjeve për pronat, të pyetjeve apo përgjigjeve të një testimi. Duke harruar shtresa apo kategori të tjera lexuesish që duan të informohen për fushat ku kanë interes. Sa për pjesën e parë të pyetjes, përshtatja me lexuesit në moshë të re, besoj se një pjesë e medias së shkruar kanë faqe dhe rubrika për të rinjtë. Megjithatë, duhet pasur parasysh se të rinjtë kanë më shumë akses në internet, në pajisjet smart, duke e kërkuar informacionin që dëshirojnë te këto pajisje dhe jo te gazeta në formën e saj print.
Sa konkurrencë po i bën media online shtypit të shkruar?
Konkurrenca është e dukshme. Gazetat kanë marrë goditje të forta e të njëpasnjëshme që kur lulëzuan mediat online dhe sidomos portalet. Të parat ofrojnë informacion deri diku të kontrolluar, të dytët kanë probleme serioze me çka ofrojnë. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër, botuesit, janë të prirë drejt fitimeve. Nuk ka më fitime nga shitjet e gazetave. Marketingu ka rënë. E kundërta ndodh me mediat online. Kanë klikime dhe marketingu është orientuar drejt tyre. Por besoj se të gjithë e pranojnë që ndjesia e lajmit të lexuar në letër është krejt ndryshe nga ajo e leximit në telefon, tabletë apo në ekranin e kompjuterit.
Si e parashikoni të ardhmen e printit, nëse nuk i përshtatet lexuesit të ri, në një kohë që burimet e financimit sa vijnë e po ngushtohen?
Është mision thuajse i pamundur të parashikosh të ardhmen e medias së shkruar në Shqipëri. Edhe në botë, ku ka rregulla të qarta konkurrence, filtër ndaj lajmit serioz dhe tallave, ku ka një sistem të përsosur shpërndarjeje dhe treg të gjerë e të qëndrueshëm, kjo temë ngjall përherë e më shumë interesin e ekspertëve të kësaj fushe. Në vendin tonë, ndoshta, diskutimi për të ardhmen e medias së shkruar duhet të kishte filluar vite më parë, me hapat e parë të krizës. Megjithatë, mendoj që jemi ende në kohë për një debat të tillë, që mund të gjenerojë, pse jo, edhe zgjidhje.
Nuk ka dështuar printi, por gazetarët
Flet Alfred Lela nga media “Mapo”
Një gazetë nuk është një iPhone apo Samsung Galaxy që i duhet të përshtatet çdo 6 muaj. Një gazetë është një institucion dhe institucion i traditës. Asaj nuk i duhet të përshtatet, por të përshtasë. I duhet jo të ndjekë një rrymë, por të krijojë një të tillë, thotë Alfred Lela nga media “Mapo”
Si do ta vlerësonit ecurinë e shtypit të shkruar vitet e fundit dhe mbylljen së fundmi të gazetës “Shqip”?
Mbyllja e një gazete, përkundër çfarë mendojnë shumë, nuk është një lajm i keq. Është thjesht përkthim i një realiteti të caktuar mediatik në terma menaxherialë, financiarë, politikë etj.
Rasti i “Shqip”, siç e dini, nuk është rasti klasik i mbylljes që vjen nga trysnia dhe nga censura qeveritare. Madje mund të thuhet se “Shqip” ka kryer një akt ndershmërie, duke u mbyllur ngaqë nuk “e nxirrte veten”. Disa gazeta vazhdojnë të jetojnë nëpër një spirale jetëgjatësie që nuk bazohet tek integriteti profesional, por te të vepruarit si pisqollë kërcënimi për leje, koncesione e allishverishe të tjera. Sigurisht, kur mbyllet një gazetë, nuk kemi vetëm rastin fatkeq të fundit të një enti mediatik, një humbje në vetvete, por edhe një grup kolegësh që mbeten pa punë.
Pse shtypi nuk ka arritur t’i përshtatet lexuesit në moshë të re?
Nuk më duket se është kjo zgjidhja. Lexuesi në moshë të re nuk është në kërkim të gazetës së shtypur apo leximit tradicional siç e njohim ne. Kështu që përshtatja nuk i bën punë shtypit, sepse në kohën që do ta bëjë këtë përshtatje për të cilën flisni ju, lexuesi i ri do të jetë vjetruar, do të ketë ngjizur një interes të ri, e me radhë. Një gazetë nuk është një iPhone apo Samsung galaxy që i duhet të përshtatet çdo 6 muaj. Një gazetë është një institucion dhe institucion i traditës. Asaj nuk i duhet të përshtatet, por të përshtasë. I duhet jo të ndjekë një rrymë, por të krijojë një të tillë. Këtu kemi dështuar ne gazetarët e shtypit të shkruar. Listat që ju përmendni kanë qenë një përshtatje. Por ç’do të ndodhë kur të mos ketë më legalizime dhe shërbime të tjera të ngjashme. Një gazetë e vërtetë nuk mund të ketë kurrë titull kryesor një shërbim (classified siç quhen në shtypin amerikan apo britanik).
Sa konkurrencë po i bën media online shtypit të shkruar?
Ka nisur një proces që mund të quhet ‘i portalizimit’, pra çdokush me një kompjuter, dy pare mend dhe 300 fjalë në shqip, hap një portal, por këtë nuk mundem ta quaj konkurrencë. Është më shumë njëfarë karshëllëku. Shtypi i shkruar e ka konkurrencën me veten dhe e fiton nëpërmjet shndërrimit. Të mos harrojmë se të gjitha gazetat kanë sajtet e tyre dhe luftën mes këtyre sajteve dhe portaleve rishtare do të mund ta fitojnë në të gjitha rastet gazetat, sepse ato kanë stafet dhe know how-n e nevojshëm edhe pse burimet njerëzore gjithsesi të rrudhura.
Si e parashikoni të ardhmen e printit nëse nuk i përshtatet lexuesit të ri, në një kohë që burimet e financimit sa po vijnë e po ngushtohen?
Printi do të jetë një gjë e traditës së thellë dhe do ta ketë venerimin e vet, siç vazhdon ta ketë edhe libri. Por, me sa duket, jam duke folur për një print laboratorik të llojit “The Economist” dhe jo për printin shqiptar të cilit i duhet të rregullojë shumë gjëra. Mecenati mund të jetë një strehë për printin. Gjërat me vlerë të qytetërimit kanë mbijetuar nëpërmjet mbështetjes së mecenatit. Kujtoni familjen e pasur fiorentine Borgia. Do të ketë gjithmonë një nevojë për të shtypurën sipas parimit latin ‘scripta manent’. Por ajo që mbetet duhet të ndërtohet sipas një parimi vlere dhe jo sipas një pragmatizmi dite.
Burimi: revista “Monitor”
Tags:falimentimi, gazetat, kriza e shtypit