Nga Rrapo Zguri.
Këmbanat e krizës globale të medias, nuk do të vononin të ndiheshin edhe në Shqipëri. Vendi me një popullsi prej rreth 3 milionë banorë që prej një viti po përjeton dramën e mbylljes së disa mediave dhe njëherësh një rënie drastike të të ardhurave për shumicën e mediave të tjera që kanë mbijetuar deri më sot. Duke patur një treg të vogël, shanset për mbijetesë për median e këtij vendi të vogël duken shumë më të pakta se ato të vendeve me treg dhe popullsi të madhe.
Në prill të vitit të kaluar ishin dy gazetat sportive Sporti Shqiptar dhe Sport Plus që do të provonin shijen e hidhur të mbylljes. Disa muaj më vonë, pas rënies së të ardhurave me rreth 30 % në vit për periudhën 2012-2014, në qershor 2015 u mbyll edhe televizioni i katërt më i madh në vend Albanian Screen (AS). Në fillim të këtij viti paralajmëruan mbylljen edhe drejtuesit e gazetës së tretë më të madhe në vend, gazeta Shqip, duke njoftuar se do të vijonin vetëm me edicionin e tyre online.
Burimi kryesor i të ardhurave për mediat e Shqipërisë ka qenë dhe mbeten reklamat. Reklamuesit më të mëdhenj në vend jane kompanitë e telekomunikacionit dhe bankat. Por kriza që ka prekur pothuaj të gjithë sektorët e ekonomisë, ka bërë që tregu i reklamave të vijë çdo vit në rënie. Kështu, sipas Idra Media, tregu i reklamave në vend u ul edhe më tej me 10 % gjatë vitit 2015 duke arritur në rreth 33 milionë euro nga rreth 37 milionë që ishte në vitin 2014.
Sipas revistës ekonomike Monitor një nga reklamuesit më të mëdhenj në vend, Albtelekom, shkurtoi rreth 60 % të buxhetit të reklamave gjatë vitit 2015. Ulje të ndjeshme të buxhetit të reklamave patën edhe kompanitë celulare Vodafone dhe Telekom Albania (ish AMC). Por duhet thënë se reklamuesit nuk patën ndonjë rënie përsa i takon kohës apo hapësirës së reklamimit. Duke u paguar mediave një çmim më të vogël për njësi reklame ata ia dolën që gjatë vitit 2015 të ruajnë pothuaj të njëjtën kohë apo hapësirë reklame sa në vitin 2014
Goditjen më të madhe nga shkurtimi i buxhetit të reklamave e mori media e printuar. Sipas monitorimit të kryer nga Idra Media reklamat në faqet e 22 gazetave kryesore u pakësuan me 25 % gjatë vitit 2015. Rënien më të madhe e patën “Gazeta Shqiptare” me rreth 54 % dhe “Koha Jonë” me rreth 50 %. Edhe gazeta të tjera kombëtare patën ulje të reklamave. Gazeta Dita” shënoi një rënie prej 16%, kurse “Shekulli” dhe “Shqiptarja” me 15%. Vetëm gazeta më e shitur në vend “Panorama” pati një ulje relativisht të vogël prej 3.5 %.
Rënie të të ardhurave nga reklamat kanë shënuar edhe mediat televizive, të cilat përfitojnë rreth 76 % të buxhetit të përgjithshëm të reklamave. Tre televizionet më të mëdha në vend Top Channel TV, KlanTV dhe Vizion Plus TV, edhe pse kanë transmetuar një numër të përafërt reklamash gjatë vitit 2015 krahasuar me 2014, kanë mbledhur më pak të ardhura për arsye të uljes së çmimit të reklamave nga ana e reklamuesve.
Të vetmet media që kanë shënuar rritje në të ardhurat e tyre nga reklamat janë mediat online, por ato përfitojnë në total vetëm rreth 1.5 milionë euro nga buxheti i përgjithshëm i reklamave.
Të ndodhur përpara një situate të tillë operatorët e mediave po përpiqen të gjejnë rrugëdalje për t’i shpëtuar falimentimit. Si një rast suksesi ka rezultuar përvoja e konvergimit të redaksive të kanalit televiziv, gazetës dhe portalit online në pronësi të kompanisë mediatike FREE & FAIR MEDIA GROUP e themeluar në vitin 2012. Sipas Monitor kjo redaksi e konverguar ka arritur të ketë një rritje prej 60 % të fitimit gjatë vitit 2014 dhe në shifra të ngjashme është rritja edhe për vitin 2015.
Ndërkohë në plan individual, një numër i madh gazetarësh po përpiqen të gjejnë zgjidhjen tek migrimi online. Mbi 60 portale dhe website lajmesh janë hapur gjatë dy viteve të fundit në vend. Pothuaj të gjithë emrat më të njohur të medias kanë sot portalin apo blogun e tyre.
Por të ardhurat që krijojnë mediat shqiptare online janë shumë modeste. Në ndryshim nga mediat perëndimore online, për portalet shqiptare të lajmeve burimi kryesor i të ardhurave mbetet ai tradicionali: reklamat. Praktika të tilla si pay per click, sponsored content apo Google Ads nuk janë aplikuar ende. Arsyeja kryesore: Është një treg i vogël. Kështu, edhe pse është kontribuese në të ardhurat globale që krijohen në internet, Shqipëria, ashtu si edhe shumica e vendeve të vogla, arrijnë të marrin shumë pak në kthim.
Tags:gazetat, kriza, media shqiptare