Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj i cili synon të formalizojë botën e faqeve online dhe të vendosë rregulla në emër të mbrojtes së qytetarëve, që preken nga teknologjia e lirisë së informacionit. Për t’i rënë më shkurt, Ministria e Inovacionit ka marrë ligjin Nr. 10128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike”, dhe e ka modifikuar atë, duke e përshtatur dhe për ato që ajo i quan “portale”.
Përpjekja e qeverisë ka disa probleme të natyrës ligjore, teknike dhe politike.
Le të ndalemi së pari tek problematika ligjore. Ligji ku janë bazuar për të bërë ndryshime është një ligj për shërbimet e ofruara me pagesë, të cilat kanë qenë pothuajse inekzistente në realitetin shqiptar. Përpjekja për ta arnuar këtë ligj duke futur aty dhe problematikat e faqeve online, është një amatorizëm juridik që bashkon nonsense juridike dhe teknike.
Projektligji mbart disa probleme serioze për mënyrën se si do të përfshijë komentuesit online në përgjegjësinë e administratorëve të faqeve online. Ekziston aty një frazë që duket si e drunjtë: “shërbimet që konsistojnë në transmetimin ose ruajtjen e informacionit të siguruar nga marresi i shërbimit përmes një rrjeti komunikimi”. E thënë më thjeshtë, komentuesit këtu përfshihen si informacion i siguruar nga “marrësi i shërbimit, që ofron informacion, komunikim tregtar, mjete të kërkimit të informacionit”.
Edhe pse e futur pak tinëz, kjo është në kundërshtim me praktikat botërore të shërbimeve të informacionit online dhe shumë larg kuadrit ligjor të Bashkimit Evropian, me të cilin justifikohet përafrimi i legjislacionit.
Projekligji ka shpikur fjalën portal dhe nënkupton me të çdo faqe online. Ky është një zhvillim që kërkon përcaktim me ligj më vete. Fjala vjen, portalet e gazetave, apo gazetat online, janë media si gjithë mediat e tjera dhe duhet të trajtohen me ligjet që trajtohen mediat në Shqipëri, pasi ata kanë prioritet lirinë e shtypit, interesin publik dhe jo thashethemet dhe frustrimet e delirantëve që zbrazen nëpër blogje.
Ky ligj e quan njësoj si një faqe online që është media e mirëfilltë, dhe një faqe online që shet lavatriçe, apo bën shërbime biznesi.
Duke qenë media, ato duhet t’i nënshtrohen një procedure ligjore për kufizimet që do të pësojnë dhe nuk mund të vihen nën urdhra entesh administrative, siç janë Komisioneri për Mbrojtjen e të Drejtave Personale, apo ALCIRT ose AKEP. Në Shqipëri liria e shtypit mbrohet me Kushtetutë dhe jo me ligj të veçantë, dhe nuk mund të kufizohet nga ente administrative, apo ligje të thjeshta.
Shqetësimi nga komentuesit e frustruar dhe agresivë është i drejtë, por ai duhet të kalojë përmes një procedure ankimimi dhe verfikimi, praktika të konsoliduara nga Facebook dhe komentuesit e tij, Google dhe komentusit e tij, Youtube dhe komentusit e tij. Ne nuk mund të lejojmë ata dhe të kufizojmë lexuesit e gazetës “TemA”, pasi kjo do të ishte qesharake dhe e parealizueshme.
Pashë aty një rast se kur unë duhet të gjobitem 200 mijë lekë. Në nenin 22, pika 1.c, thote se “shkelja e detyrimit per sigurimin e aksesit te kontrates (neni 13 pika 1)” sjell gjobe me 200.000 lekë te reja per “portalin”.
Por cfare thote neni 13, pika 1?
Lexoni me kujdes:
“Ofruesi i sherbimit (d.m.th portali) jep informacion te plote perpara se te behet kerkesa nga marresi i sherbimit (lexuesi/komentuesi) per:
v hapat e ndryshem proceduriale qe do te ndiqen ne lidhjen e kontrates
v kushtet kontraktore te paleve
v menyrat teknike per korrigjimin dhe identifikimin e gabimeve, perpara paraqitjes se kerkeses/porosise.
v gjuhet e ofruara per lidhjen e kontrates”
Por kjo nuk ka asnjë lidhje me portalet. Është thjesht një bashkim mekanik i dy ligjeve që flasin për dy botë të ndryshme.
Projektligji ka dhe disa nonsense teknike.
Projektligji nuk sqaron çfarë lidhje ka portali me domain-in. Domainet me “.al”, varen nga shteti shqiptar (AKEP), por nje portal mund te kete ekzistence online dhe me domain tjeter (.com, .net etj), siç është gazeta “TemA”.
Si behet ne kete rast?
Projektligji nuk sqaron asnje çështje në lidhje me gjykatat. Fjala vjen, si çertifkohet një provë ligjore që të përdoret kundër portalit, si merret prova, kush e ka të drejtën ta konsiderojë “baltosje” apo fyerje diçka që ka të bëjë me interesin publik, e dhjetra pyetje të tjera të ngjashme, deri tek ndonjë aksident banal, siç mund të jetë rasti nëse një faqe hackohet në mënyrë te vazhdueshme dhe mbushet me materiale problematike. Do te vazhdohet me gjoba nga 200.000 lekë çdo here?
Projektligji nuk sqaron aspak dallimin e shoqërive të hostimit të huaja dhe vendase? A do te dënojë ky projektligj Google, Amazon, Hostgator apo OVH, thjesht disa prej shoqerive të huaja që faqet shqiptare përdorin për hostim?
Projekligji ngjan i tëri i nxituar, i pamenduar mire në detaje, nuk reflekton kompleksitetin e botes se re online, reflekton mangësitë profesionale të personave që e kane realizuar, si dhe nuk është aspak i kujdesshem për të mos e dëmtuar tregun online shqiptar. Dhe të mendosh që Shqipëria synon të bëhet “Republikë dixhitale” me një projekligj që të ndalon botën online, është si të ëndërrosh në një dhomë ku ndriçohesh me llampa vajguri, sikur ajo llampa të ishte HD.
Së fundmi po ndalem pak tek qëllimi i pathënë i projektligjit, që është frenimi apo ndalimi i fyerjve te vazhdueshme online, të cilat janë vërtet një bakterie e bezdisëshme e zhvillimit të botës online. Ky është një debat botëror, dhe jo shqiptar. Facebook Twitter, Google, Youtube dhe gjigandë të tjerë të rrjeteve sociale, ja kanë dalë vetëm përmes ankesës që t’i i bën dhe verifikimit të tyre nëse ka fyerje raciste, dhunim të jetës private apo diçka të ngjashme.
Por, mënyra se si i jep zgjedhje projektligji është rrënuese. Përfytyroni afrimin e zgjedhjeve dhe Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, që punësojnë nja 100 vetë të merren me faqet online kundërshtare të tyre, dhe t’i ankimojnë ato për qejf nga 100 herë dita tek KMDP për çdo gjë që nuk u pëlqen atyre.
Çfare do te ndodhë? Ose KMDP do të mbushë me gjoba subjektin në fjale, o subjekti në fjale do të pastrojë faqen e vet nga informacioni i ofruar, ose ALCIRT do të ndalojë hapjen e faqes përmes rolit te ISP-ve shqiptare. Kjo do të të ishte një fund i shtypit të lirë. Është njësoj sikur fizikisht të presësh antenën e VOA apo BBC, siç bëri Berisha më 97 meqë e sulmonin, apo të djegësh furgonat e shpërndarjes së gazetave, meqë ato s’të pëlqejnë. Edhe më skandaloz është fakti që KMDP nuk zotëron sot mjete teknike për të verifikuar përmbajtjet e akuzuara. D.m.th ne do të jemi në dorë të gjykimit të një enti shtetëror dhe jo një gjykate. Kur gazeta “Tema” u përfshi në betejë të ashpër me Berishën në vitet 2008- 2009, ai bëri pikërisht këtë. Bllokoi shtypshkronjën, ndaloi hyrjen e gazetarëve në redaksi, vuri gjoba marramendëse në gazetë, bëri sulme personale duke djegur makina e duke prishur shtëpi, dhe do t’ia kishte dalë sikur gazeta “TemA” të mos mbijetonte online, ku ai nuk kishte fuqinë ta ndalte. Këtë liri nuk mund t’ia dhurojmë më asnjë pushteti.
Çfarë mund të bëhet?
- Së pari, duhet të shkruhet një ligj për mediat online dhe të quhen zgjatim i mediave televizive apo të shkruara dhe të mos përzihet kjo me ligjin për tregtinë online.
- Të ketë një dallim të qartë të një portali dhe të një faqe të thjeshtë informimi, si dhe të një media te mirëfilltë, si dhe te motorëve të kërkimit.
- Të ketë të dhëna teknike që kushtëzojne këto portale/media dhe që mundesojne nesër një kontroll me efikas dhe të shpejtë të problemeve.
- Të krijohet një grup pune që ndjek nga afër ndryshime në BE dhe në USA, por dhe në tregun vendas.
- Të mundësohen adaptime të shpejta të ndryshimeve te ndodhura në boten online me praktikat ligjore.
- Në këtë kuadër duhet parë dhe përsosja e luftës kundër krimit kompjuterik dhe forcimi i kapaciteteve në institucionet shtetërore në këtë drejtim.
Por ajo që është e rëndësishme dhe nga çfarë duhet të niset qeveria, është se ajo duhet ta shikojë botën online si një motor zhvillimi për vendin dhe rritjen ekonomike, dhe jo si një pushtues që i ka ardhur tek dera dhe kërkon të ngrejë kështjella për t’u mbrojtur. Ky projektligj në mos qoftë naiv, është i frikshëm dhe lë pas çdo përpjekje obskurantiste në botë, për të kontrolluar botën online. Llogjika që aplikohet këtu, vetëm kundër medias online, është thjesht bezdia që ajo ka krijuar me lirinë dhe të këqijat e saj, për të mos u kontrolluar, kryesisht nga pushteti. Ligji është i rrëzueshëm nga çdo gjykatë normale evropiane, por pushteti duhet të bëjë kujdes të mos identifikohet me regresin.
Tema online
Tags:interneti, legjislacioni, media online