Diçka vërtet dramatike po ndodh në terrenin tonë të medias, në sferën publike si dhe në industrinë e gazetarisë, pothuajse pa u pikasur prej nesh dhe sigurisht në mungesë të një niveli të shqyrtimit dhe të debatit publik. Ekosistemi ynë i lajmeve ka ndryshuar në mënyrë më dramatike sidomos gjatë pesë viteve të fundit, duke pësuar ndryshimin më të madh se në çdo kohë tjetër gjatë pesëqind viteve të shkuara. Ne jemi dëshmitarë të një hopi gjigand në kapacitetet teknike – realiteti virtual, videot live, robotët artificialë inteligjentë të lajmeve, aplikacionet e instant messaging dhe të chat-it – si dhe të ndryshimeve masive në kontroll dhe financa, ta cilat po e çojnë të ardhmen e ekosistemit tonë të publikimit në duart e pak enteve që po kontrollojnë tashmë edhe fatin e shumicës.
Mediat sociale nuk kanë gllabëruar vetëm gazetarinë, ato kanë gllabëruar pothuajse gjithçka
Ato kanë gllabëruar fushatat politike, sistemet bankare, historitë personale, industrinë e kohës së lirë, shitjen me pakicë dhe madje edhe shtetin dhe sigurinë. Telefoni celular në duart tona, është porta e hyrjes në botë. Në mënyra të ndryshme kjo paralajmëron për mundësi fantastike në edukim, informacion dhe lidhje, por ajo sjell gjithashtu me vete edhe një mori rreziqesh ekzistenciale.
A do të mund t’i pranojmë ne këto risqe? A i kuptojmë ne ato si dhe sa duhet? A po punojme ne mjaftueshëm për të deshifruar sistemet e reja të pushtetit të cilat kanë fuqinë që të sfidojnë qeveritë, por që nuk i përgjigjen askujt, përveçse tregut dhe në mënyrë të qëllimshme janë jo-transparente?
Unë dëshiroj të shqyrtoj më poshtë se si ka ndryshuar gazetaria prej pushtetit të internetit dhe sidomos prej pushtetit të rrjeteve sociale.
Le të fillojmë me një histori lokale
Kjo javë ka qenë një javë e mirë për imazhin publik të gazetarisë. Rubrika Spotlight e Boston Globe, e njohur për investigimin lidhur me akuzat ndaj Kishës Katolike për abuzimet seksuale me fëmijët në vitet 2002 dhe 2003, sapo fitoi çmimin Oscar për fotografinë më të mirë.
Spotlight është si një letër dashurie për gazetarinë investigative dhe ka përparësinë e dukshme të të qenit pothuajse e vërtetë. Gjithsesi, mjaft gjëra të tjera që kanë ndodhur më përpara tek Boston Globe flasin për një pamje tjetër të gazetarisë. Një dekadë përpara zbulimit të abuzimeve seksuale, Globe u ble nga New York Times për më shumë se 1 miliard dollarë. Në 2013, një dekadë pas marrjes së çmimit Pulitzer për këto investigime, Globe u shit përsëri nga New York Times tek John Henry, pronari i Red Sox dhe i Liverpool FC , kësaj radhe për rreth 70 milion dollarë.
Pra, në rreth 20 vjet një kompani mediatike njëqind vjeçare humbi më shumë se 90 përqind të vlerës së saj, pavarësisht se kishte arritur kulmin e ekselencës dhe të vlerësimit për arritjet në gazetari. Në shtator 2002, vetëm disa javë pasi Spotlight kishte publikuar shkrimet e para të serisë së investigimeve për abuzimet seksuale të priftërinjve ndaj fëmijëve, u lançua Google News.
Në fakt, në këtë postskript për Spotlight ne vërejmë paradoksin e efektit që webi pati mbi gazetarinë: historitë investigative u njohën shpejt dhe në një masë të gjerë, duke inkurajuar më shumë investigime dhe zbulime në të gjithë botën. Në thelb interneti bëri që investigimi i Globe të njihej globalisht. Por, diku pas kamerave, botuesit e Globe ishin duke mbledhur duart fort prej pasigurisë që krijonte modeli ekzistues i biznesit.
Rasti i Boston Globe nuk është i vetëm. Washington Post, ku Marty Baron — me pseudonimin Liev Schrieber tek Spotlight — është tashmë redaktor, u shit gjithashtu në vitin 2013 tek themeluesi i Amazon, sipërmarrësi Jeff Bezos.
Familjet e mëdha botuese të Amerikës, si Sulzberger që ka në pronësi New York Times, dhe Grahams që kishte në pronësi Washington Post, nuk ia dolën në tranzicionin dixhital të këtyre dy markave prestigjioze. Këtu në Mbretërinë e Bashkuar ne e dimë se çdo të thotë kjo. The Independent e ndërpreu këtë muaj botimin në print, ndërsa gjatë 10 viteve të fundit më shumë se 300 tituj lokalë të shtypit janë zhdukur.
Interneti dhe mediat sociale iu japin mundësinë gazetarëve që të punojnë më fort, ndërkohë që në të njëjtën kohë ato kontribuojnë për shndërrimin e botimeve gazetareske në sipërmarrje jo-ekonomike. Ajo që ndodhi në gazetari gjatë pesë viteve të fundit nën ndikimin e mediave sociale, është njëlloj me atë që ndodhi pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ne mendonim se nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh po thjesht një zgjerim i webit.
Dy janë gjërat më të rëndësishme që kanë ndodhur dhe të cilave ne nuk iu kemi kushtuar vëmendjen e duhur:
Së pari, botuesit e lajmeve kanë humbur kontrollin mbi shpërndarjen
Shpërndarja është zhvendosur tek mediat sociale dhe tek kompanitë – platforma të cilat botuesit nuk do të mund t’i ndërtonin edhe sikur të donin. Ajo filtrohet përmes algoritmeve dhe platformave që janë misterioze dhe të paparashikueshme. Biznesi i lajmeve e ka përqafuar këtë gjë dhe titujt e rinj të ‘digital native’ si BuzzFeed, Vox, apo Fusion e kanë ndërtuar prezencën e tyre sipas premisës se ato punojnë brenda sistemit dhe jo kundër tij.
Së dyti, rrjedhojë e pashmangshme e kësaj është rritja e fuqisë së kompanive të mediave sociale.
Platformat më të mëdha dhe kompanitë e mediave sociale si Google, Apple, Facebook, Amazon, dhe madje edhe kompani të një niveli më poshtë si Twitter, Snapchat apo kompanitë e aplikacioneve (apps) të emerging messaging janë bërë jashtëzakonisht të fuqishme në terma të kontrollit që asaj që botohet, dhe ku botohet, si dhe në terma të monetarizimit të një publikimi.
Në këtë drejtim ekziston një përqendrim pushteti shumë më i madh në krahasim me të shkuarën. Rrjetet favorizojnë ekonomitë e shkallës (economies of scale) kështu që kurimi ynë i kujdesshëm i pluralitetit në tregje mediatike si ai i Mbretërisë së Bashkuar zhduket me një goditje të vetme dhe dinamikat e tregut si dhe ligjet anti-trust në të cilat Amerika bazohet për të vënë rregull në raste anomalish të tilla, janë duke dështuar.
Edhe revolucioni mobil qëndron pas kësaj
Për shkak të revolucionit në pajisjet mobile, koha që ne shpenzojmë online, gjërat që ne bëjmë online si dhe vëmendja që ne i kushtojmë platformave, kanë njohur një shpërthim të paparë. Në Mbretërinë e Bashkuar koha që ne shpenzojmë online është dyfishuar brenda një dekade, duke shkuar në rreth 20 orë në javë nga 10 orë që ishte në vitin 2005. Në pikun e televizionit, atëhere kur nuk kishte ose ishin shumë pak argëtime të tjera elektronike vizuale, ne shikonim 24 orë në javë TV.
Dy vjet më parë koha që ne shpenzonim në telefonat tanë celularë dhe koha që ne shpenzonim në kompjuterat desktop ishte rreth 50/50, kurse dy vjet më vonë ky raport është 60/40 në favor të pajisjeve mobile. Kjo është shumë domethënëse, pasi dizajni i telefonave tanë dhe kapacitetet e tyre (falë Apple) favorizojnë aplikacionet (apps) që ushqejnë mënyra të ndryshme sjelljesh. Google, përmes platformës së tij Android ndërmori një kërkim kohët e fundit, i cili tregon se edhe pse kemi mesatarisht 25 apps-e në celuarët tanë, sipas ligjësive të zakonshme, ne përdorim katër ose pesë prej tyre çdo ditë, dhe prej këtyre apps-eve që ne përdorim çdo ditë, pjesa më e madhe e kohës shpenzohet në apps-et e mediave sociale. Për momentin shtrirja e Facebook është shumë më e madhe se çdo platformë tjetër sociale.
Në Amerikë kjo është edhe më e theksuar se në Britani
Shumica e të rriturve në SHBA janë përdorues të Facebook dhe pjesa më e madhe e tyre marrin rregullisht lajme që vinë nga Facebook. Sipas të dhënave të Pew Research Center rreth 40 përqind e popullsisë së rritur në SHBA e konsiderojnë Facebook si një burim lajmesh.
Ndërkohë që koha e shpenzuar me apps-et vjen duke u rritur, ne po shohin të lindin rrugë të reja për shpërndarjen e lajmit si brenda apps-eve sociale edhe nga burime të jashtme. Për shembull, çdo mëngjes një robot lajmesh më dërgon linqe përmes Facebook Messenger. Sajti financiar Quartz ka krijuar një aplikacion lajmesh që imiton një messaging app. Në këtë plan, e ardhmja është këtu. Facebook, që ka në pronësi WhatsApp dhe Messenger, ka një pjesë të madhe në këtë realitet.
Si përmbledhje:
1.Njerëzit po përdorin gjithnjë e më shumë dhe për gjithçka telefonat celularë
2.Më së shumti ata përdorin apps-et, dhe sidomos apps-et e mediave sociale dhe messaging apps, si Facebook, WhatsApp, Snapchat dhe Twitter.
3.Konkurenca për të qenë një nga këto apps-e është shumë e madhe. Përparësia konkuruese e platformave bazohet në aftësinë për t’i mbajtur përdoruesit brenda një apps-i. Sa më shumë që përdoruesit të jenë brenda app-it tuaj, aq më shumë ju dini rreth tyre, dhe aq më shumë ky informacion mund të përdoret më pas për të shitur reklama, pra aq më shumë do jenë të ardhurat tuaja.
Gazetaria dhë shpërndarja e lajmeve është bërë pjesë e rëndësishme e betejës për tërheqjen e vëmëndjes në pajisjet mobile. Njerëzit janë kuriozë të dinë se ç’po ndodh në botë në këtë moment, të njohin rezultatet e ndeshjeve, motin, të dinë se ç’janë duke bërë miqtë e tyre apo se çfarë çalltisi Donald Trump në Super Tuesday.
Konkurenca për vëmendjen është shumë e egër. “Katër kalorësit e apokalispit”, Google, Facebook, Apple dhe Amazon (pesë nëse shtojmë edhe Microsoft), janë përfshirë në një luftë të nxehtë dhe të gjatë se cilat teknologji, platforma dhe madje edhe ideologji do të triumfojnë. Kjo është po kaq e egër sa rivaliteti mes gazetave në vitet 60-të dhe ai i rrjeteve televizive në vitet 70-të, por në këtë rast me një risk më të madh.
Gjatë vitit të kaluar gazetarët dhe botuesit e lajmeve e kanë parë veten papritmas si përfitues nga ky konflikt.
*******
Kjo është një përmbledhje e një leksioni publik që Emily Bell, Profesore Vizituese në Media 2015-2016, dha në Centre for Research in the Arts, Social Sciences and Humanities, Cambridge University, në Mars 2016. Për fjalën e plotë kliko këtu.
Perktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri
Tags:apps, emerging messaging, Facebook, platformat