Nga Artan Fuga.
- Dixhitalizimi brenda sistemit të konvergjencave.
Kalimi në transmetimet televizive dixhitale tokësore sigurisht që sjell ndryshime të rëndësishme në pejsazhin e mediave audiovizive në përgjithësi dhe në atë të televizioneve në veçanti. Kur flitet për këtë tranzicion që Shqipëria po hyn me vonesë në krahasim me vendet e tjera europiane merret parasysh se ai supozohet që do të sjelli ndryshimet e veta në cilësinë e imazhit televiziv, në shtimin e hapësirave për kanale televizive brenda të njejtit spektër frekuencash, dhe për marrëdhënie më interaktive midis audiencave dhe operatorëve televizivë etj.
Mirëpo nuk duhet harruar që dixhitalizimi i transmetimeve numerike tokësore nuk është një proces i veçuar. Ai krijon mundësinë që brenda një sistemi të vetëm shërbimesh të ofrohen shërbime të ndryshme sikurse janë dhënia e sinjalit televiziv numerik, shërbimi i telefonisë mobile dhe i asaj fikse, si edhe dhënia e aksesit në Internet, pra në Internetin fiks, si edhe atë që destinohet për terminalet e teknologjisë mobile të komunikimit sikurse janë telefonat mobile, tabletat, laptop-et, etj.
Prandaj në një këndvështrim më të plotë, ka vend të shihet jo vetëm se çfarë do t’i sjelli televizionit dixhitalizimi i difuzimit të sinjalit televiziv, por edhe konvergjimi i të gjitha shërbimeve, të cilat mund të ofrohen në familje ndofta edhe nga e njejta kompani e specializuar në këtë fushë. Pra, do të kemi konvergim shërbimesh, çka kuptohet me atë që quhet « quadruple play » që përfshin televizionin si sinjal dhe si përmbajtje, telefoninë fikse, telefoninë mobile si edhe Internetin në dy format e veta, fiks dhe të lëvizshëm.
Këtu, kur flitet për ndikimet e këtij sistemi konvergjencash shërbimesh mbi televizionin, lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje. Kjo përgjigje nuk mund të jepet me hamendje të pabazuara, por aq e lejojnë mundësitë, duke u mbështetur në dy të dhëna themelore. E para, ka të bëjë me përvojat e vendeve që kanë përvoja të pasura dhe të zhvilluara në këtë fushë, sikurse janë vendet e Amerikës të Veriut dhe të Europës të Bashkuar, dhe e dyta ka të bëjë me realitetin aktual në vendin tonë si lidhur me televizionin analog ashtu edhe me platformat e ofrimit të shërbimeve dixhitale të sinjalit televiziv.
Një pyetje që shtrohet është përshembull se cfarë ndikimi ka mbi televizionin analog ofrimi i shërbimit të Internetit në familje, por jo vetëm ? Poaq e rëndësishme është edhe të dimë një përgjigje lidhur me ndikimin e konvergimit të shërbimeve telefoni-Internet-televizion mbi televizionet që ofrohen nga platformat dixhitale satelitore. Me një fjalë : Cfarë bëhet me televizionin linear, analog ose dixhital, në kushtet e konvergimit të shërbimeve që folëm më lart ? Ky televizion linear është që ofrohet me pagesë ose pa pagesë nga stacione televizive, në transmetim në kohë reale, me valë hertziane, me kabëll ose me Internet, bazuar në një programacion të vendosur më parë nga redaksitë përkatëse.
Pas kësaj pyetjeje të parë, shtrojmë edhe një të dytë : Konvergimi i shërbimeve numerike duke përfshirë telefoninë – Internetin – televizionin, njëkohësisht, a ushtron ndikim që kërkon transformimin e stacioneve televizive në formulat financiare që ata aplikojnë, në profilin e gazetarëve, në strukturën e tyre të burimeve njerëzore, në marrëdhëniet midis prodhimit të emisioneve dhe transmetimit të tyre, në programacion, etj ?
Dhe më së fundi, televizioni i sotëm linear, analog ose i transmetuar në forma numerike, ose mbi platforma dixhitale me ose pa pagesë, në fakt, cilave shtresave të popullsisë i shërben më tepër, cilave segmente të audiencave televizive? A ka lidhje cilësia e programacionit që ai ofron me audiencat që ai u adresohet? Pra, cila është e ardhmja e tij?
- Shumëllojshmëria e shërbimeve të sistemit të konvergjencave
Konvergjencat janë të shumëllojshme, ato prekin si format e transmetimit, të shpërndarjes të sinjaleve, organizative, të kodeve të përmbajtjeve, të platformave të transmetimive, të profileve të gazetarëve, etj. Por, këtu na duhet të veçojmë kryqëzimin e veprimtarive mes kompanive të ndryshme. Sipërmarrje që më parë ishin të specializuara në një nga sektorët e telekomunikimit ose të difuzimit të sinjalit dhe përmbajtjes televizive kanë prirje të shtrihen edhe në sektorë të tjerë të kësaj fushe. Mediat shkencore perëndimore raportojnë here pas here për bashkime kapitalesh, blerje, ose blerje aksionesh të kryqëzuara mes tyre. Përshembull tërheq vëmendjen sesi Verizon, numri 1 i telefonisë mobile në ShBA blen AOL, dikur gjigandi i ofrimit të shërbimit në Internet dhe që kishte kaluar më pas në ofrimin e transmetimeve video. Poashtu një nga operatorët me treg më të madh i telefonisë mobile AT and T blen DirectTV, numrin 1 të televizioneve nga pikëpamja e audiencave në ShBA. Dish Network bashkon kapitalet me T-Mobile, numri 4 i telefonisë mobile në ShBA, etj. Njoftime të kësaj natyre janë të shumta.
Përtej shëmbujve konkretë, prirjet janë të tilla që karakterizojnë pejsazhin e ekonomisë në fushën e telekomunikimeve të vendeve dhe kontinenteve të ndryshme. Të ashtuquajturat “telcos” (kompani të telekomunikimeve) që kanë qenë deri tani në telefoninë mobile propozojnë edhe shërbime në Internetin mobil, dhe kanë prirjen të blejnë stacione televizive ose edhe media të shkruara në linjë ose në letër, pra zgjerohen drejt prodhimit të përmbajtjeve, kurse të ashtuquajtura “cablos” – kompani transmetimesh të përmbajtjeve televizive me kabëll konsiderojnë gjithnjë e më shumë se për të ekuilibruar ikjen e abonentëve të tyre drejt kompanive të telekomunikimit, kanë nevojë të propozojnë edhe ato lidhje Interneti mobil, sinjal telefonie fikse veç shërbimeve të përcjelljes të kanaleve televizive me abonim.
Kjo prirje që përshkon krejt botën e sotme të telekomunikacioneve dhe që ka ndryshuar krejtësisht strukturimin e pejsazheve televizive, si edhe ka sjellë karakteristika të reja në administrimin e spektrit të frekuencave, dëshmohet në format e veta teorike edhe prej autorësh të njohur që e lidhin edhe me ndryshime të thella sociale dhe politike. Kështu, autori Manuel Castells, në librin e tij të shumë njohur pohon se ka ndodhur “një konvergjencë në biznes midis kompanive të telekomunikimit, të prodhimit të kompjuterave, të kompanive të Internetit dhe kompanive të mediave.” Këtë e pohojnë autorë të ndryshëm, por ajo çka dallon këndvështrimin e Castells është se ai e lidh konvergjencën në biznes me konvergjencën në sjelljen e përdoruesve që happen drejt platformave dhe terminaleve të ndryshme të telekomunikimit, me të gjitha pasojat që ky fakt përmban. “Konvergjenca e madhe në komunikim – shprehet ai – nuk është vetëm teknologjike dhe organizative, ndonëse këto përfaqësojnë përmasa kyçe që krijojnë bazën material për një process më të gjerë konvergjence. Konvergjenca është në thelb kulturore dhe zë vend më së pari në mendjet e subjekteve komunikuese, të cilat integrojnë mënyra dhe kanale të ndryshme komunikimi në praktikën dhe bashkëveprimin e tyre me njeri tjetrin.”
E gjitha kjo situate ka pasur ndikimet e veta si në strategjinë e operatorëve televizivë, dhe jo vetëm, ashtu edhe në mënyrat dhe tipologjitë e sjelljes të audiencave dhe konsumatorëve. Këtu ndalojmë në dy prirje të rëndësishme.
E para ka të bëjë me ato shërbime televizive (video sipas kërkesës – VOD, site videosh që japin akses me abonim ose falas, buqeta programore televizive, programe televizive të vendosura në linjë direct, Televizioni Direct, nga kompanitë producente, pse jo edhe televizione multikanale, organizuar nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale midis një operatori televiziv “pure player” dhe amatorëve të rregjistrimit në video, si edhe formave të “television de rattrapage” – pra që mundësojnë leximin në video në linjë të emisioneve tashmë të transmetuara njëherë në televizionet lineare, ose edhe “cloud television”, përmbajtjet e të cilit lexohen në linjë pa pasur nevojë të zbriten në terminalet mobile ose në kompjuterat fikse, etj. etj.) – të gjitha forma të reja të televizionit jolinear, dhe që përmblidhen në simbolin OTT (over the top). Shpesh ato përkufizohen si transmetime direkte që mundësojnë operatorë televizivë në linjë, ose nga platforma shërbimesh telekomunikimi të shtrira edhe në transmetimin e përmbajtjeve televizive, pa kaluar medoemos nga site e tyre në web, e që konsumohen nga audiencat qoftë nga ekrane të lidhur në Internet, qoftë nga terminale mobile të telekomunikimit, pra televizioni për ekranin mobil. Kjo formë transmetimi përmbajtjesh karakterizohet nga një tipar shumë i qenësishëm, sepse anashkalon operatorin televiziv si kanal transmetimi duke krijuar një lidhje direkte mes producentëve dhe audiencave. Këtu nis edhe formatimi i “thembrës të Akilit” të televizionit linear, analog ose dixhital, të transmetuar me rrjete numerike tokësore ose satelitore, të mbështetur në një programacion linear, të paravendosur nga redaksitë, qoftë ai i ndjekur në kohë reale, në ekran klasik apo i transmetuar në streaming.
E dyta lidhet me kalimin nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme nga producenti, nëpërmjet Internetit mobil, të përmbajtjeve të ndryshme televizive, drejt terminaleve mobile të komunikimit, laptop, tablet, telefon mobil, pa kaluar nga motorrët e kërkimit në linjë si Google, Apple, etj. Nëse prirja e pare anashkalon kanalin televiziv linear analog ose dixhital, e dyta anashkalon kompanitë e mëdha të kërkimit në Internet. Pastaj përmbajtjet televizive kalojnë direkt nga terminalet mobile drejt një ekrani të lidhur me Internetin mobil.
Modelet e televizioneve jolineare dhe direkte të pambêshtetura në një programacion linear dhe pa kaluar medoemos nga një kanal televiziv klasik do të ishin :
- Mënjanimi i kanaleve televizive lineare analoge ose dixhitale :
X1 ——-X2——X3——X4
X1 – (Producentët e përmbajtjeve)
X2 – (Furnizuesit me akses në Internet)
X3 – (Fabrikuesit e pajisjeve terminale të telekomunikimit)
X4 – (Audiencat)
- Mënjanimi i kompanive të motorrëve të kërkimit:
Y1——-Y2——-Y3——–Y4
Y1 – (Producentët e përmbajtjeve)
Y2 – (Furnizuesit me Internet mobil)
Y3 – (Pajisjet terminale të telekomunikimit mobil)
Y4 – (Audiencat)
- Ndikimi i konvergjencave mbi televizionin në Shqipëri
Në pejsazhin mediatik dhe në sektorin e telekomunikimit në Shqipëri, konvergjimi shërbimeve është ende në faza embrionale, por megjithatë jo i paqënë. Në formën e tyre të përgjithshme kompanitë televizive nuk kanë veprimtari biznesi edhe në ofrimin e Internetit fiks ose mobil dhe aq më pak në atë të telefonisë mobile ose fikse. Ka vetëm ndonjë përjashtim të rrallë kur e njejta kompani ka dashur të ofrojë edhe akses në Internet edhe të jetë kompani teleizive, por megjithatë pa i integruar këto dy shërbime në një sistem konvergjencash. Gradualisht ka ndonjë përvojë fillestare kur një kompani telekomunikacionesh ka nisur edhe një përvojë në IPTV sikurse është Eagle Mobile. Këto përvoja janë më shumë në kompani që veprojnë lokalisht dhe që njihen si “kabllorë” dhe që tentojnë të ofrojnë edhe shërbim televiziv me kabëll, pak programacion lokal, përcjellje të përmbajtjes të platformave Digitalb dhe Tring, si edhe shërbime Interneti dhe teleonie mobile.
Duke vëzhguar në pika të veçanta këtë model të fundit vihet re se ky shërbim i konverguar ka avantazhin e të qënurit afër konsumatorëve, ndonëse ka vështirës ende në zgjerimin e linjave të kabllove në të gjithë perimetrin lokal ku dëshiron të shtrihet. Edhe çmimet janë të kapshme nga shtresa të gjëra të popullsisë.
Në këtë mënyrë, ardhja e konvergjuar e sinjalit numerik televiziv, e telefonisë mobile dhe e Internetit fiks apo mobil, në kuadrin e një rrjeti transmetimesh dixhitale të sinjaleve, nga njera anë i rrit potencialet e televizioneve lineare, por nga ana tjetër rrit konkurrueshmërinë ndaj tyre duke i ofruar familjes shqiptare të tjera forma jolineare dhe dixhitale imazhesh, programesh dhe kanalesh televizive jolineare. Jo më kot nga anketimi i bërë nga DGK në muajin shtator 2015, 63,64 % e punonjësve të mediave të anketuar e konsiderojnë si të drejtë ose shumë të drejtë shqetësimin se futja në lojë e kanaleve të tjera të transmetimit televiziv do ta rrezikonte tv linear të sotëm. Kuptohet, sipas mendimit tonë, nëse ky televizion qendron në formatin e sotëm klasik. Qysh sot, po sipas anketimit të DGK në të njejtën periudhë, rezulton se 68,78 % e të anketuarve nga audiencat në disa qytete të mëdha të vendit kalojnë më shumë se 1 deri 2 orë përpara ekranin televiziv, si edhe konsultojnë edhe aparatet e tyre të telefonisë mobile, tableta, apo ekrane komjuteri kur ndodhen përpara ekranit të televizionit klasik. Kuptohet se televizioni klasik, pra analog, linear, në ekranin e televizorit të shtëpisë po humbet audienca që po shkojnë gjithnjë e më tepër drejt platformave të reja digjitale në marrjen e një informacioni jolinear. Sidomos televizioni analog sot po bëhet një media e popullsive më tepër me moshë të konsiderueshme sesa e brezave të rinj, më shumë e audiencave me më pak arsim sesa e atyre më arsim më të lartë, më shumë e popullsive që jetojnë në periferitë e varfra të zonave periferike urbane ose rurale sesa e popullsive me të ardhura mesatare ose mbimesatare urbane. Televizioni analog që është bërë gjithnjë e më shumë televizioni i të “varfrit”, shenjë e dekadencës të tij sipas parametrave të metodologjisë të historisë të çdo medie, sot fsheh disi krizën e vetë televizionit linear me programacion strikt të paravendosur nga ana e redaksive në mënyrë jointeraktive dhe vertikale. Kjo është arsyeja se përse, sipas mendimit tonë, transmetimi i kanaleve televizive lineare nëpërmjet platformave dixhitale nuk është në gjendje ta zgjidhi krizën e tij në kushtet e ekonomisë dixhitale. Kjo ndodh qoftë për shkak të largimit gjithnjë e më të madh të audiencave dinamike nga ekrani i televizorit klasik, por edhe sepse në këtë mënyrë ai ka humbur formulën e financimit qoftë nga audiencat, qoftë nga reklamat, dhe ndjen presionin financiar që e detyron të ketë një cilësi jo në nivelin e duhur. Kjo shprehet edhe në faktin se ai po bëhet gjithnjë e më shumë jo një media që lidhet me gazetarinë, por si një media transmetimi përmbajtjesh kulturore dhe artistike të prodhuara nga media të tjera, pra të hyjë në një fazë pasiviteti. Audiencat e anketuara shprehen se në programet televizive, pra sipas 73,78% të tyre, parapëlqejnë filmat artstikë me metrazh të gjatë, dokumentare tematike, sport, si edhe seriale, pa fund seriale. Cka e çertifikojnë edhe punonjësit e anketuar të mediave që pohojnë në masën 42, 57% të tyre se transmetimet televizive në kohë reale do të humbin edhe më shumë terren.
- Televizioni përpara dilemave ekzistenciale për mbijetesë
Si përfundim, theksojmë se konvergjimi i shërbimeve dixhitale të telefonisë, Internetit dhe televizionit nga njera anë rrit potencialin informativ në familjet shqiptare në të tre sektorët, dhe nga ana tjetër i hap audiencat drejt platformave të ndryshme duke ushtruar presion ndaj televizionit linear, qoftë ky analog, qoftë dixhital. Faktet po dëshmojnë se audiencat po shkojnë me ritme të shpejta drejt marrjes të informacionit televiziv në mënyrë interaktive, sipas një strategjie jolineare, duke zhvilluar forma komunikimi me oferta televizive dixhitale në Internet ose telefoni mobile, e zvogluar kohën përpara të ekranit të televizionit linear. Ky i fundit ndodhet përpara nevojës për ristrukturime të thella në programacion, forma transmetimi, profil gazetarësh, tematikash, si edhe të spektrit të programeve që prodhon, apo në formatet që transmeton. Pa këto reforma rrënjësore do të mbetet ose një media gjithnjë e më e politizuar dhe arkaike ose do të mbetet një medie e varfër e të “varfërit”.
Mbi këtë bazë lind nevoja e një kooperimi institucional të administrimit të debiteve të trafikut në Internet mobil dhe fiks, telefoni mobile si dhe të transmetimeve të përmbajtjeve televizive, si për licencat e operatorëve të telekomunikacionit ashtu edhe të atyre televizivë, si edhe për administrimin e frekuencave. Ndofta ka vend në mos për unifikimin e veprimtarive midis instancave rregullatore, për një bashkëpunim më të integruar midis tyre.
Tregu i frekuencave të transmetimeve numerike televizive tokësore nuk mund të mbetet mbyllur brenda spektrit të disa operatorëve televizivë, sepse në të ardhmen dihet nga përvojat botërore, do të jenë gjithnjë e më shumë kompanitë e telekomunikacioneve, të huaja ose të instaluara tashmë në tregun shqiptar, që do të priren drejt konvergjimeve edhe më të forta duke përfshirë edhe shërbimet televizive jolineare.
E fortë do të jetë konkurrenca nga aktorët lokalë që propozojnë shërbime kabllore, duke ofruar veç aksesit në rrjetet e konektuara, edhe buqeta programore, shërbime videosh, sipas parimeve të OTT, çka do ta vendosi edhe më shumë në vështirësi operatorët kombëtarë televizivë që veprojnë sipas parimeve të linearitetit.
Kanalet televizive klasike ndodhen sot përpara nevojës për strukturim të thellë. Përpara tyre çështja nuk shtrohet në se duan apo jo të investojnë drejt transmetimeve tokësore dixhitale, por edhe të njohin thellë se poqese nuk e bëjnë këtë hap, në kushtet e tregut të hapur, do të konkurrohen fort nga televizioni jolinear numerik që e anashkalon kanalin televiziv klasik si të tillë. Strukturimi përfshin të gjitha fazat e prodhimit televiziv, konceptimin, prodhimin, platformat e transmetimit si edhe formulat financiare që aktualisht kanë hyrë në krizë.