Ruajtja – apo humbja – e lajmit dixhital?

27 Nëntor , 2015 • Kryesoret, Mediat e Reja, Menaxhimi i Redaksisë, Shkrimet më të fundit • by

Nga  Jenny Dean

Deri vonë gazetat janë ruajtur në dosje të pafundme të vendosura në dollapë hekuri dhe të ruajtura në bodrumet e redaksive. Ato mblidhnin pluhur dhe ishin vazhdimisht të rrezikuara nga zjarri. Alternativat për ruajtjen e tyre kanë qenë të pakta. Sot në epokën dixhitale metodat e arkivimit të gazetave mund të jenë më të sofistikuara, por ato mbeten ende jo perfekte dhe, sipas një studimi të ri, një pjesë e rëndësishme e informacionit online po humbet.

Pas rreth katër dekadash që nga koha kur nisi ruajtja e gazetave në mënyrë dixhitale, sot ngrihen një numër çështjesh jetike lidhur me mënyrën se si duhet të mbrohet dhe të arkivohet përmbajtja dixhitale.

Kathleen A. Hansen dhe  Nora Paul nga Universiteti i Minnesotës kanë studjuar procesin e arkivimit në dhjetë media të lajmit. Nëntë prej tyre janë gazeta dhe njëra është media e lindur online.

Raporti i tyre: “Boshllëqe të mëdha të arkivimit të gazetave në epokën dixhitale” identifikon një numër problemesh në mënyrën se si janë ruajtur rekordet online duke nisur nga viti 1990  kur ka nisur arkivimi dixhital i tyre.

Në sistemin tradicional metodat e ruajtjes së gazetave në dosje, katalogë referencash apo në mikrofilm rezultojnë problematike. Materiali i ruajtur në këtë mënyrë degjeneron, humbet ose ngatërrohet nëpër dosje, sidomos në rastet kur kompanitë mediatike mbyllen, shkrihen apo ndërrojnë pronar.

Por edhe ruajtja dixhitale rezulton të jetë po kaq problematike: Sipas studimit të Universitetit të Minesotës, si redaksitë e gazetave edhe ato të mediave të lindura online nuk kanë politika të qarta për arkivimin dhe ruajtjen e burimeve online. Ka të dhëna se shumë informacion ka humbur, përfshi këtu edhe një material në 34 pjesë i një raporti investigativ që ka fituar çmimin Pulitzer.

“Në vetvete informacioni dixhital ka një numër përparësish… por kur ai “ikën”, ai ikën përfundimisht”,  thotë Jason Scott, arkivist dhe historian i Internet Archive. “Ka ikur përgjithnjë. Një pjesë e letrës mund të digjet, por sërish ti mund të nxjerrsh diçka nga pjesa e padjegur. Kurse nga hard drive apo nga një URL e ikur, rikuperimi është zero”.

Ky shkrim u botua për herë të parë në EJO anglish. Klikoni këtu për të lexuar më shumë.

Tags:, , ,

Send this to a friend