A po ecën trajnimi i gazetarëve me të njëjtin ritëm me gazetarinë?

18 Nëntor , 2015 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Nga Caroline Lindekamp.

Trajnimi në fushën e gazetarisë ka ngelur mbrapa realitetit të profesionit, sipas një studimi të ri për të ardhmen e gazetarisë në Gjermani. Raporti, i realizuar nga Federata Gjermane e Gazetarisë (DJV), përfaqëson një paralajmërim për sektorin e medias: gazetarët ambiciozë duhet të trajnohen më mirë për t’u përballur me realitetet e një tregu pune gjithnjë në ndryshim.
“Situata e punës për gazetarët ka ndryshuar shumë në vitet e fundit”, thotë Britta Gossel, autorja e raportit dhe anëtare e Grupit të Menaxhimit të Medias dhe Komunikimit në Technische Universität Ilmenau. Gossel beson se trajnimi i gazetarisë duhet të zhvillohet duke i reflektuar këto ndryshime.

Mungesa e aftësive sipërmarrëse dhe menaxhuese

Studimi Quo Vadis Journalism Education? zbuloi se, ndërkohë që aftësitë themelore, si  të shkruarit e lajmeve, zgjedhja e lajmeve dhe redaktimi jane të mbuluara mirë në shumicën e kurseve të trajnimit gazetaresk  (54 për qind),  aftësitë sipërmarrëse  (16.5 për qind) dhe menaxhuese (34.3 për qind) nuk janë të pranishme sa duhet.
Raporti del në konkluzionin se aftësitë sipërmarrëse, si përshembull,  ato që lidhen me financat,  apo me prezantimin dhe drejtimin e një biznesi të vogël, janë thelbësore për rritjen e numrit të gazetarëve që punojnë freelance (në profesion të lirë).  Gjithashtu edhe aftësitë menaxhuese po bëhen esenciale meqë gazetarët e punësuar nga organizatat mediatike shpesh priten të marrin role drejtuese, si p.sh. redaktime, koordinime të punëve të gazetarëve të tjerë në redaksi,  organizimi i komunikimit me kolegë apo dhënia e udhëzimeve  për gazetarët freelance.

Asnjëri nga pjesëmarrësit e anketuar nuk e ka konsideruar veten të përgatitur mirë për këto kërkesa dhe dy të tretat e pjesëmarrëve në sondazh kanë thënë se dëshironin që këto tema të kenë vëmendje më të madhe.

Gossel beson se aftësitë sipërmarrëse janë të nënpërfaqësuara në mënyrë të qartë në të gjitha kurset e trajnimit. “Vetëm një nga dhjetë kurse përfshin aftësi sipërmarrëse si një temë trajnimi”, thotë Kathrin Konyen, anëtare e bordit të DJV dhe një gazetare freelance.

Për të arritur në konkluzionet e tyre, kërkuesit ndanë në shtatë zona aftësie 52 subjekte trajnimi dhe shqyrtuan metodat e mësimit të dhjetë kurseve të ndryshme të trajnimit. U zhvilluan intervista me 237 gazetarë të rinj të “zonës gri” mes  trajnimeve shkollore universitare dhe trajnimeve profesionale.

Profesionistët e rinj të medias janë optimistë dhe të sigurtë
Raporti zbulon gjithashtu disa rezulta inkurajuese: ndërkohë që sindikatat dhe profesionistët nxjerrin një imazh më të zymtë të gazetarit freelance tipik, vetë profesionistët e rinj duket se janë shumë më të sigurtë dhe më mendje hapur për modele të reja të të punuarit.  Ata kritikojnë në mënyrë eksplicite pesimizmin në profesion.

Hapat e tjera
Studimi ka problemet e veta. Kërkuesit e pranojnë se pjesëmarrësit janë kontaktuar nëpërmjet listës së shkollave të gazetarisë dhe DJV-së, kështu që pjesa më e madhe ishte akoma në fazën e hershme të profesionit.
Për pasojë, sipas Gossel: “mbetet e pasigurt nëse ata mund të vlerësojnë se cilat subjekte trajnimi do vërtetohen të frytshme në këtë pikë të hershme të karrierës së tyre.

Megjithatë, studimi nuk synon të trajtojë të gjithë gamën e trajnimit gazetaresk, por më tepër, kontribuon në diskutimin e pafund për aftësimin profesional. Ai vë në dukje një aspekt të veçantë: trajnimi në gazetari duhet të ndryshojë ritmin e lojës dhe t’i përgatisë gazetarët apo apirantët e gazetarisë për detyrat e kërkuara të së nesërmes. Kjo është një detyrë që duhet të bëhet me zemër nga profesionistët e medias dhe profesorati  në të gjitha vendet. Është koha për të bërë të mundur një hop të ri në trajnimin e gjeneratës së ardhshme të gazetarëve profesionistë.

Botuar fillimisht në EJO-n gjermane; 

Përktheu: Niko Zguri

 Pic credit : Daniel Bachhuber / flickr.com

Tags:,

Send this to a friend