Nga Ergys Mërtiri.
Mustafa Nano, në një shkrim në gazetën Shqip, ngrinte me të drejtë një shqetësim mbi arsyet pse shoqëritë e sotme po shkojnë tatëpjetë e turmat duken se po budallepsen çdo ditë e më shumë. Z. Nano shtron një pyetje që shqetëson kudo njerëzit e mendjes: A është vërtetë realiteti kaq i keq, apo është media që na e nxin, dhe prej këtej, a është media fajtori për këtë realitet apo ajo është thjesht pjesë e tij. Për pyetjen e parë, ka gjasa që realiteti të jetë vërtetë i tillë siç paraqitet në total prej mediave, ndonëse duke qenë selektive, ato shpesh nxijnë disa pjesë, ndërkohë që heshtin për aspekte të tjera ku ai nxin edhe më keq. Ndërsa mbi pyetjen e dytë, natyrisht dilema nuk është e tillë që mund të sqarohet me një shkrim dhe, më shumë sesa zgjidhja, rëndësi ka shtrimi i problemit dhe vendosja e tij në fokus të shqetësimeve, gjë për të cilën z. Nano duhet përgëzuar.
Siç vetë z. Nano evidenton, është e vërtetë që media «është një nga gjërat më të fëlligështa në këtë vend, dhe kjo është aq e vërtetë sa, edhe po të mos ekzistonin gazetat e televizionet, asgjë e keqe, ose asgjë më e keqe, nuk do na ndodhte; përkundrazi”. Megjithatë Nano nuk i sheh mediat si shkaktare të këtj realiteti, i cili, sipas tij është i zi edhe pa të. Pra realiteti për të është «i frikshëm për hesap të vet», pavarësisht problemeve që ka media, e cila nuk po kontribuon për përmirësimin e tij, madje po «i shërben establishmenteve».
Diktatura e mediave
Natyrisht, kërkimi i shkakut të parë të problemeve të botës është në një debat që kapërcen tematikën për të cilën po diskutojmë, por nuk mund të anashkalojmë faktin se media, jo vetëm nuk po e kryen detyrën që presupozohet të ketë, por po bën krejt të kundërtën. Mund të pohojmë me bindje se, të paktën në këtë vend, ajo jo vetëm që nuk i ka shërbyer aspak lirisë së fjalës, por përkundrazi, ka kontribuar fuqishëm në burgosjen e saj. Ajo nuk ka pasur për qëllim të kultivojë lirinë, debatin, racionalitetin dhe vlerat e kësaj shoqërie. Përkundrazi, ajo ka shërbyer për të penguar të çelë çdo syth të ri mendimi të paçertifikuar nga establishmenti kulturor e politik me të cilin ajo «bashkëqeveris» opinionin publik, ndërkohë që në emër të tregut dhe «lirisë» ajo ka shkatërruar pothuajse çdo vlerë të kësaj shoqërie.
Jemi dëshmitarë sesi shumë aktorë që arrijnë të çajnë gardhin e pushtetit mediatik për të sjellë në opinionin publik pikëpamje të tjera nga ato të koniukturës, do të duhet të përballen me një tabor kalemxhinjsh, të mësuar të qëllojnë gjithmonë nën brez, tinëzisht dhe paturpsisht. Një ortek akuzash, linçimesh, etiketimesh apo edhe fyerjesh, zbrazet menjëherë mbi këdo që guxon të shqetësojë Olimpin, dhe heretikët dërgohen menjëherë në gijotinë, për t’u bërë shembull shantazhues për të tjerët. Për të garantuar rendin publik të fjalës së lirë, vigjëlon një tabor me xhandarë të mendimit, të gatshëm të qëllojnë me baltë këdo që i afrohet gardhit të elitës.
Ardian Vehbiu ishte objekti i rradhës i një sulmi të tillë shantazhues të përsëritur për disatën herë, thjesht për shkak se disa njerëzve nuk iu shkojnë për shtat pikëpamjet dhe qendrimet e tij. Sado të gabuara qofshin këto pikëpamje (nëse janë vërtetë të tilla), përpjekja për të vendosur diktat me këto mjete tregon klimën totalitare ku gatuhet debati publik dhe mungesën e vullnetit për të respektuar lirinë e fjalës, e cila natyrisht iu kërcënon pushtetin patriarkëve të kulturës dhe mendimit, kapërdisur pas pozitave e ofiqeve të falsifikuara. Ajo, për të cilën ata janë më shumë të interesuar, është pikërisht pengimi i mendimit dhe fortifikimi i ideologjive toksike me të cilat ushqejnë lexuesit, duke asgjësuar çdo pikëpamje të re që na vjen nga bota e lirë.
Duhet të pranojmë se jetojmë sot në atë që Guy Debord e quan, shoqëri e spektaklit, ku media dhe të gjitha institucionet e industrisë së komunikimit gëzojnë, jo thjesht pushtet absolut, por autoritetin e demiurgut të realitetit. Që diçka të ekzistojë, duhet të shfaqet dhe që të shfaqet i duhet një skenë. Duke prodhuar skenën, mediat jo vetëm sundojnë informacionin dhe mendimet e njerëzve, por edhe përcaktojnë atë çfarë ekziston. Ekziston vetëm ajo çfarë ato shfaqin. Përndryshe asnjë realitet tjetër nuk ekziston, përsa kohë nuk komunikohet. Për këtë arsye, në një plan përfaqësues, nuk ka asnjë njësi matëse që të na tregojë nëse realiteti që mediat paraqesin është apo jo i vërtetë, përsa kohë, realiteti është vetëm ai çfarë ato paraqesin dhe asgjë jashtë tij nuk ekziston. Ajo që ne presupozojmë se duhet të jetë realiteti i vërtetë është thjesht një mjedis që përpiqet të reflektojë dhe të ndjekë (ndonëse me ngathtësi) atë çfarë «skena» (media), u ofron si model e orientim. Në këtë kuptim, oferta që krijon sot media, nuk ka opozitë, përderisa asgjë jashtë saj nuk mund të ekzistojë si model përfaqësues.
Kolonizimi i kulturës
Në një nivel tjetër, përtej politizimit dhe fortifikimeve ideologjike, mund të themi se në aspektin kulturor masakra është shumë më e madhe. Media dhe modeli mediatik i kulturës dhe mënyrës së jetesës kanë sjellë, jo vetëm një përmbysje të madhe vlerore, por edhe një situatë ku kaosi pamundëson ndërtimin e një organizimi funksional të shoqërisë.
Parë nga një pozicion sinkronik, ndoshta z. Nano ka të drejtë, media është pjesë e degradimit të kësaj shoqërie dhe në këtë batak ajo funksionon si çdo aspekt tjetër. Por nga një pikënisje diakronike, ky realitet, është pasojë e ekspansionit të komunikimit mediatik në shoqëri dhe rolit dominues të tij në realitetin social. Autorë si Douglas Kellner flasin për një fenomen krejt të ri kulturor, që ai e quan: tekno-kulturë, – pra kultura e prodhuar në mënyrë teknologjike, nëpërmjet mjeteve të komunikimt, në të cilën dominojnë mallrat e konsumit, kinematofrafia, televizioni dhe informacioni i kompjuterizuar. Sipas tij, imazhi dhe spektakli kanë krijuar modele të reja kulturore, të cilat kanë kolonizuar jetën e përditshme si dhe politikën apo ekonominë. Kellner e konsideron televizionin si një kërcënim për demokracinë dhe lirinë.
Marcuze është treguar akoma dhe më agresiv ndaj mediave dhe teknologjisë në tërësi. Sipas tij teknologjia skllavëron njerëzit, pengon aftësinë e tyre për të qenë racionalë duke prodhuar atë që ai e quan ‘shoqëri njëdimensionale’, e cila është një formë e re totalitarizmi që e pengon njeriun të vetërealizohet. Sipas tij, kjo është një formë shumë më efektive e kontrollit të individit. Në fakt, e vërteta është se i vetmi kontrollues në epokën e sotme të shpërbërjes së çdo strukture sociale është kaosi, dhe si rrjedhim njerëzit kanë humbur çdo referencë vlerore për të matur objektet që i rrethojnë.
Kjo është edhe arsyeja pse politikanë qesharakë në kufinjtë e idiotësisë arrijnë të bëhen kaq popullorë, ndërsa shohim shumë njerëz të angazhuar në kauza të çmendura si ajo e ISIS-it. Shembujt e z. Nano ilustrojnë pikërisht këtë panoramë. Vulgariteti i paraqitur në spektaklet e MTV-së, nuk është gjë tjetër vetëm se një marrëdhënie prodhues-produkt që ka një historidegradimi e cila nis që me shfaqjen e prodhuesit (medias). Pra MTV ofron vulgaritetin si karrem për publikun, duke qenë se ai rroket kollaj nga masa, e cila e përdor televizionin thjesht si mjet argëtimi duke kërkuar të sodisë botën pa u lodhur e pa e vrarë mendjen. Më pas publiku fillon ta internalizojë vulgaritetin që sodit duke u shndërruar vetë në një qenie vulgare. Media nga ana e saj, pasi i ka vulgarizuar turmat, detyrohet të vazhdojë këtë valle duke mbetur në një situatë ku vulgarja tenton të bëhet gjithmonë e më ekstreme. Në këtë mënyrë ajo idiotizon shoqërinë, por edhe vetveten. Palët mbajnë peng njëra-tjetrën aq sa vetë media i nënshtrohet krijesës së vet, deri sa nuk e ndan dot më veten nga produkti që shfaq.
Pra, media nuk është thjesht aktor në këtë realitet, por fabrika e tij. Ajo është po aq edhe viktimë e vetvetes, teksa gradualisht i është dashur të fabrikojë edhe vetveten në përputhje me natyrën e ‘mallit’ që prodhon. Kështu media është bërë vulgare, qesharake dhe shpesh idiote, duke rënë pre e asaj çfarë ka vepruar, duke mos u diferencuar dot nga publiku i saj. Ndaj dhe sot, jemi të detyruar shpesh ta bëjmë median objekt talljeje e humori, për të gajasur ata pak njerëz që kanë mbetur jashtë këtij sistemi ku mendja është e topitur.
Sot, falë fragmentimit të shoqërisë, po krijohet mundësia e mediumeve që shërbejnë si strehë ku mund të grupohen individët më të imunizuar nga kjo kulturë, ata që arrijnë të mbeten jashtë kurthit të ‘realitetit mediatik’. Pra ky lloj i ri hapësirash komunikimi, i krijuar fillimisht në internet, po shërben si një përpjekje për të krijuar një realitet tjetër, larg atij që e trajton publikun si qenie pa tru. Kjo do të thotë se tashmë komercializmi nuk është i vetmi mjet funksionimi dhe se ka mënyra për të dalë nga fataliteti i tij. Tashmë mund bëjmë një ndarje thelbësore mbi llojin e mediave që prodhojmë: atyre që me dëshirë futen në vallen e konsumerizmit dhe komercializmit, dhe atyre që pranojnë të luftojnë për të mbetur jashtë këtij sistemi në emër të vlerave dhe dinjitetit njerëzor.
“Postbllok.com”