Drejtuesit e gazetave për të ardhmen e medias së printuar

26 Maj , 2015 • Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Flasin Mero Baze-“Tema”; Redi Gjuzi-“Panorama”; Adrian Thano- “Dita”; Elton Metaj-“Shekulli”; Arjon Sulo-“Mapo”; Aleksandër Çipa- kryetar i Unionit të Gazetarëve; Zylyftar Bregu, pedagog pranë Universitetit të Tiranës, Departamenti i Gazetarisë. Drejtues të gazetave kryesore në vend e shohin shpëtimin e medias së shkruar te kalimi i saj drejt analitikes, me raporte të thella, origjinale dhe prodhime të redaksisë. Lexoni intervistat më poshtë:

Intervistë me Mero Bazen, drejtor i gazetës “Tema”- Shtypi i shkruar është i vdekur

Si e vlerësoni tregun e gazetarisë së shkruar në ditët e sotme, nga pikëpamja e konkurrencës, përmbajtjes, tregut të synuar, nivelit të shitjeve, përfitueshmërisë etj.

Ka kohë që tregu i shtypit të shkruar ka qenë i prishur. Tani është i vdekur. Edhe pse dorën e fundit me dhe sipër ia hodhi media online, ai kishte kohë që lëngonte nga cektësia, përdorimi politik i skajshëm, mungesa e lirisë, mungesa e talenteve në gazetari dhe thatësira e publicistikës që botohej aty. Ai ishte pasuri në duart e disa ndërtuesve që zgjidhnin hallet e lejeve të ndërtimit. Media online i dha një goditje vdekjeprurëse, duke goditur dhe gjithë arsyet përse media e shkruar u katandis ashtu.

Në kushtet kur shtypi i shkruar po konkurrohet fuqishëm nga interneti, si e shikoni të ardhmen e tij?

Nuk shikoj më të ardhme te shtypi i shkruar. Unë ende vazhdoj ta botoj gazetën “Tema” në print, por vetë mund të kem gjashtë muaj që nuk e kam lexuar. Më duket si një bezdi të rilexoj gjëra që publiku i ka lexuar 20 orë më parë. Plus kësaj, media online zhduk disa fuqi të botuesve të shtypit të shkruar. Ajo është e lirë, e pacensurueshme e mirëshpërndarë dhe komunikon me pjesën më të ndriçuar të shoqërisë.

Nga përvoja juaj e gjatë në tregun shqiptar, çfarë duhet të bëjë shtypi i shkruar që të mbijetojë, duke pasur parasysh që lexuesit potencialë sa do të vijnë e do të ulen, me brezin e ri që është i orientuar nga interneti.

Hapi i parë që duhet të bëjë është të ristrukturojë botimet, t’u kthehet botimeve periodike, tip magazine, duke futur në print raporte të thella, origjinale dhe prodhime të redaksisë. Do të ishte mirë që gazetat të botoheshin një ose dy herë në javë në versionin print dhe të kishin aty gjëra cilësore të tyre. Kjo nuk është se do ta shpëtojë, por do ta bëjë pak më jetëgjatë dhe më cilësor fundin e tij.

*****************

Intervistë me zv.kryeredaktorin e gazetës “Panorama”, Redi Gjuzi- Shtypi i shkruar do ta gjejë veten te mangësitë e medias online

Si e vlerësoni tregun e gazetarisë së shkruar ditët e sotme, nga pikëpamja e konkurrencës, përmbajtjes (faktit që gazetat më të mëdha po kthehen në fletëpalosje për prona, legalizime), tregut të synuar, nivelit të shitjeve, përfitueshmërisë etj.?

Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim thelbësor në tregun e shtypit të shkruar, në krahasim me vitet e mëparshme. Përgjithësisht, gazetat kanë ruajtur të njëjtin treg, edhe pse me një rënie të përgjithshme të interesit për to. Por duhet theksuar se numri i madh i titujve të gazetave të përditshme nuk e justifikon numrin e lexuesve. Janë shumë tituj për pak lexues. Për sa i përket konkurrencës, ka disa vite tashmë, që duket se secila gazetë është e “kënaqur” me lexuesin që ka. Nga ana tjetër, mund të thuhet se janë të pakta, ose shumë të pakta, gazetat që mund të justifikojnë shpenzimet e veta me tirazhin dhe shitjet që bëjnë. Ky është një devijim i konkurrencës, që në rast se do të ndodhte në një tjetër treg të ekonomisë, nuk do të kalonte kaq vite në heshtje.

Është e vërtetë që gazetat kanë shpesh lajme apo njoftime për pronat e legalizimet. Por nuk duhet të harrojmë se ky është një shërbim për një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë. Janë jo pak, por rreth 450 mijë familje, të cilat kanë probleme me legalizimet dhe rreth 48 mijë të tjera me pronat. Për këto familje, besoj se çdo ndryshim në proceset ligjore është jetik.

Në kushtet kur shtypi i shkruar po konkurrohet fuqishëm nga interneti, si e shikoni të ardhmen e tij?

Shtypi i shkruar shqiptar po merr valën e parë të goditjes nga media online. Për arsye zhvillimi, këtë valë, shumë shtete europiane dhe më parë SHBA e kaluan para shumë kohësh. Nga ana tjetër, zhvillimi i medias online mund të jetë edhe një sinjal për një pavarësi më të madhe. Sidoqoftë, duhet pranuar se shtypi i shkruar është nën një presion të madh. Rezistenca e tij, do të varet nga vërtetësia dhe thellimi i lajmit. Kjo mendoj se është përparësi e shtypit të shkruar. Në fund, në një treg normal me një konkurrencë të pastër, duhet të mbijetojnë vetëm ato media, të cilat ia dalin dhe jo që mbahen në treg për arsye të tjera.

Nga përvoja juaj e gjatë në tregun shqiptar, çfarë duhet të bëjë shtypi i shkruar që të mbijetojë, duke pasur parasysh që lexuesit potencialë sa do të vijnë e do të ulen, me brezin e ri që është i orientuar nga interneti?

Vërtet, brezi i ri është i orientuar nga interneti, por duhet pasur parasysh se asnjëherë brezi i ri, gjatë këtyre 25 viteve, nuk ka qenë target i medias së shkruar. Besoj se sprova e medias, me “brezin e ri”, është kaluar gjatë kësaj periudhe. Ndoshta, brezi i ri i sotëm, do të mësohet të marrë informacion vetëm nga interneti, por sërish ai do të jetë një informacion i shpejtë dhe rrallëherë i thelluar dhe i besueshëm. Por duhet pranuar se është më i lirë. Besoj se shtypi i shkruar duhet ta gjejë veten pikërisht te këto mangësi të medias online.

*****************

Intervistë me Adrian Thanon, kryeredaktor i gazetës “Dita”- Web dhe print nuk janë as armike, as përjashtuese të njëra-tjetrës

Çfarë risku ka gazeta kundrejt konsumimit të shpejtë të informacioneve në web?

Stafi i versioneve print të gazetave duhet të dëshmojë kapacitet analitik. Ndryshe do të vijojë rënien. Sugjeroj që “pse” dhe “çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen” duhet të jenë dy pyetje, përgjigjet e të cilave nuk duhet t’u mungojnë raportimeve print, më saktë duhet t’u shtohen atyre pyetjeve të hershme që gazetarët kanë mësuar në shkollat e vjetra të gazetarisë. Gjithsesi, versionet web dhe print nuk janë as armike, as përjashtuese të njëra-tjetrës. Harmonizimi, simbioza mes tyre për t’i dhënë njëra-tjetrës joshje dhe forcë do jetë ajo çka do dallojë redaktorët e talentuar të së ardhmes së afërt.

Cilat janë vështirësitë e tjera të gazetës si medium në Shqipëri?

Mungesa e burimeve njerëzore në krye. Shtypi nuk është atraktiv për gazetarët e rinj, kurse të vjetrit nuk e çojnë deri në fund karrierën. Shtypi ka mbetur pas. Ka rënie në cilësi dhe në ambicie. Pa suportin politik, katandiset në një biznes qindarkash. Jo vetëm redaksitë, por edhe infrastruktura rreth tyre përfshi shtypjen dhe shpërndarjen është në nivele mëshire. Sepse përmbajtja e ndikuar nga mungesa e financimeve afatgjata është vetëm njëra anë e dështimit. Tjetra nis pas mesnate kur mbyllet faqja e parë: shtypshkronja, shpërndarja, shitësit. Çfarë e tërheq një gazetar të ri me ambicie kur sheh që gazeta tregtohet në kioska të mjera ose më keq akoma, në tezga mizerie në rrugë?

Si qëndron raporti i reklamave në web me atë në gazetë?

Megjithëse të ardhurat nga reklamat në tërësi janë ulur, reklamuesit mbeten të njëjtë ose pakësohen, fondet ndahen e rindahen etj., të ardhurat në web në vetvete janë në rritje krahasuar me situatën një vit më parë. Për fat të mirë, zhvillimi i web-it ka tërhequr kompani, ekspertë të fushës, që po përpiqen të luajnë rolin e tyre të nevojshëm, mendoj unë, mes medias dhe reklamuesve. Fitimet janë të ulëta dhe detyrimet më të larta, por ekzistenca e ndërmjetësve të tillë në treg krijon distancën e duhur higjienike mes redaksive dhe reklamuesve. Për mua, kjo është e shëndetshme, për aq sa mund të flitet për shëndet në një trup të sfilitur, kuptohet.

Cili do të ishte modeli i duhur që një gazetë duhet të ketë që të mbijetojë në treg?

Të jetë unike. Të ketë fytyrën e vet. Të jetë e identifikueshme në formë dhe përmbajtje. Të ketë personalitetin e vet. E mirë dhe e keqe nuk ekziston në një treg që për fat të mirë fazën e pluralitetit e paska të garantuar. Ajo që është e mirë për ty është e keqe për dikë tjetër e kështu me radhë. Mundësinë e zgjedhjes mes të këqijave e ke. Kurse e mira nuk ka fund. Uniciteti. Personaliteti. Janë më të matshme them unë. Për këtë ia vlen të përpiqesh.

*****************

Intervistë me Elton Metajn, kryeredaktor i gazetës “Shekulli”- Pistat që mund ta mbajnë gjallë shtypin

Si e vlerësoni tregun e gazetarisë së shkruar në ditët e sotme, nga pikëpamja e konkurrencës, përmbajtjes (faktit që gazetat më të mëdha po kthehen në fletëpalosje për prona, legalizime), tregut të synuar, nivelit të shitjeve, përfitueshmërisë, etj.?

Ka shumë aspekte për të cilat mund të qortohet gazetaria e sotme në Shqipëri dhe ndoshta më kryesorja është devijimi i boshtit të saj. Siç thoni edhe ju në pyetjen tuaj, sot shtypi i shkruar përpiqet të konkurrojë kryesisht me informacionin që ofron për lexuesin dhe jo me lajmin. Thënë kjo, nuk duhet menduar se informacioni është i pavlefshëm dhe duhet anashkaluar. Ai është një shërbim që u ofrohet lexuesve dhe duhet të gjejë e të ketë hapësirën e tij në shtypin e shkruar. Problemi qëndron se shpeshherë ky informacion sposton lajmin apo përpiqet ta zëvendësojë atë, duke u servirur si lajm. Informacionet për kategori të caktuara, ndonjëherë edhe periferike në peshë apo numër, i gjejmë si lajmet kryesore të gazetave, me qëllimin e vetëm, përballimin e një konkurrence të ashpër e të pandershme. Për të qenë të qartë, këtu nuk kemi të bëjmë me një konkurrencë të pandershme mes gazetave, por me pandershmëri ndaj lexuesit. Efekti në treg, sado i vogël, i publikimit gjerësisht të informacioneve si lajme, është ushqyesi i vetëm që shtypi i shkruar detyrohet të ecë në këtë rreth vicioz.

Në kushtet kur shtypi i shkruar po konkurrohet fuqishëm nga interneti, si e shikoni të ardhmen e tij?

Përplasja e shtypit të shkruar me mediat online është tashmë një histori e vjetër dhe shumë e debatueshme në mbarë botën. Unë nuk do të thosha se ka një betejë dhe pakësimi i lexueshmërisë së shtypit të shkruar, nuk duhet konceptuar si një garë me internetin. Shtypi i shkruar ofron një mënyrë ndryshe të trajtimit të lajmit dhe opinionit, mbështetur edhe në politika redaksionale të caktuara, që i mungojnë medias online. Problemi qëndron në faktin se mënyra e konsumimit të lajmit dhe informacionit ka ndryshuar. Sot janë të paktë njerëzit që marrin informacion e lajme vetëm kur gjejnë kohën të gjerbin një kafe në mëngjes. Shumë nga ne e nisin konsumimin e lajmeve sapo hapim sytë, sepse kemi pranë telefonin, tabletin apo kompjuterin, për të mos folur për dhjetëra televizione informative. Më parë kjo nuk ndodhte dhe duhet të gjeje kioskën më të afërt për t’u kredhur në botën e lajmeve. Megjithatë, ndryshimi i mekanizmit se si e konsumojmë lajmin apo informacionin, nuk do të thotë se lajmi i vërtetë mund të zëvendësohet me diçka tjetër. Dhe kjo është sfida e shtypit të shkruar, që duhet ta përdorë internetin jo si konkurrent, por si mjet për të shpërndarë lajmet dhe për të mbërritur te lexuesi, pa pritur që lexuesi të dalë nga shtëpia apo zyra.

Nga përvoja juaj e gjatë në tregun shqiptar, çfarë duhet të bëjë shtypi i shkruar që të mbijetojë, duke pasur parasysh se lexuesit potencialë sa do të vijnë e do të ulen, me brezin e ri që është i orientuar nga interneti?

Në rast se e kufizojmë problemin vetëm te shtypi i shkruar, unë mendoj se nuk jemi të drejtë. Të njëjtin problem, ndonëse në masë më të vogël, vuajnë edhe mediat televizive, pasi “Facebook”, “YouTube”, etj., janë shndërruar në platforma multimediatike për të ofruar lajme. Sigurisht, jo një lajm të bazuar gjithmonë në kriteret e profesionalizmit. Për shtypin e shkruar dhe jo vetëm, sfida është lajmi, ai që unë preferoj ta quaj lajmi i vërtetë. Pra lajmet investigative, intervistat, reportazhet apo këshillat e ekspertëve, janë pistat që mund ta mbajnë gjallë shtypin në përgjithësi. Sigurisht që realizimi i tyre kërkon investime dhe mbështetje financiare, por në radhë të parë, ka nevojë për ide dhe pasion.

*****************

Intervistë me kryeredaktorin e gazetës “Mapo”, Arjon Sulo- Gazetat dalin “jashtë loje” nëse vazhdojnë me formatin e 10 viteve më parë

A mund të qëndrojë gazeta e vetme në treg, pa një website?

Jo, sepse do të ishim donkishotë dhe nuk do të bënim gjë tjetër veçse do të ktheheshim në funeral i gazetës dhe i medias së shkruar. Është diçka e tejkaluar prej disa vitesh që asnjë gazetë hard-copy nuk rri pa një website të vetin.

Çfarë vështirësish mendoni se has gazeta në ditët tona? Sidomos përballë konsumit të shpejtë që ofron internet?

Gazeta print ka vështirësi përballë website, as më shumë, as më pak, atë vështirësi që vjen nga konkurrenca dhe që konsiston në situatën që, të njëjtin lajm, të njëjtën histori, të njëjtin zhvillim website e marrin dhe e përcjellin shumë shpejt, në 10 minuta, gjysmë ore, një orë dhe gazeta e jep në 24 orë, pra diferenca në kohë ka vështirësinë e saj. Ajo ka bërë që gazetat të dalin “jashtë loje” n.q.s. do të qëndronin në këtë format, n.q.s. do të qëndronin në mënyrën e të menduarit dhe të punuarit si para 10 vjetëve.

Çfarë modeli duhet të ketë gazeta që të mbijetojë?

Ka dy rrugë, ose do të zgjedhim të mos japim lajme të shkurtra si p.sh., rënia e një zjarri, për të cilin qytetarët janë informuar direkt në website, ose të japim një lajm më të zgjeruar.

Modeli print, sot është ende në kërkim të tij, nuk ka ende një të përcaktuar, pasi s’mund të themi që website do të japin disa lajme dhe gazetat duhet të japin të tjera, pasi hierarkia e lajmeve është vendosur, ato janë lajmet sipas rëndësisë. Por, modeli duhet të ndryshuar në botë, edhe te ne ka filluar të ndryshojë. P.sh., në botë ka ndodhur që, website konsumojnë, u japin qytetarëve në akses të lirë lajme të thjeshta, që nuk kërkojnë ndonjë investim dhe punë të madhe, ndërsa në sistemin me pagesë, lajmet janë më të detajuara dhe të thelluara; ku investohet më tepër. Kjo është një formë se si i kanë zgjidhur ata; krizën e ardhjes së website, të konsumimit të shpejtë, përballë “ngathtësisë” së gazetave në kohë, ata e kanë zgjidhur me sistemin e pagesës.

E dyta, e kanë zgjidhur jo duke shkurtuar stafet, siç ndodh në mënyrë naive në Shqipëri, por duke i zgjeruar stafet me njerëz më të kualifikuar, për të shkuar te një histori më e thellë. Kjo gjë po nis të bëhet edhe në Shqipëri.

Po ndodh edhe diçka, gazetat po heqin dorë nga lajmet e online të përpunuara. Po të vihet re, edhe online ushqehen nga gazetat në mëngjes ose edhe nga TV, sepse nuk është vetëm online një konkurrent i fortë i gazetave print, janë edhe TV. Në Shqipëri sa ia kemi arritur për të selektuar lajmet dhe të punojmë lajme më të thella? Kjo është për t’u parë.

Por, modeli është ky, në “Mapo”, si princip të koniunkturës së re, është në radhë të parë të mënjanohen lajme që janë konsumuar tepër, pa hequr dorë nga lajmi kryesor që duhet shtuar më tepër.

Gazeta ka gjini që online, për fat, nuk i ka, duhet punuar edhe me to, si intervista të gjata, komente, interpretime, analiza. Pra online ka avantazhin që është i shpejtë dhe i aksesueshëm, e në Shqipëri është ende pa pagesë për momentin, por është i shkurtër dhe sipërfaqësor. Gazetaria e shkruar është më e ngadaltë, por më e thellë, më reflektive dhe më e saktë. Me këto dy forma paralele duhet ecur në gazetari, se në fund të fundit, gazetaria është e njëjtë, ka ndryshuar vetëm formati.

Sa u përket reklamave, a është e vërtetë që online po arrin të marrë më tepër reklama se sa shtypi?

Po sigurisht që po merr, por nuk është arsyeja kryesore ajo e futjes së website që kanë reklama. Kryesorja është se tregu i reklamave në Shqipëri është çdo vit në tkurrje, është në rënie. Sepse vendi ynë është vend i vogël, se reklamues të mëdhenj ka pak, jo si në botë, që kanë buxhete të rëndësishme dhe të konsiderueshme. Ne kemi shumë media, s’mund të marrin të gjithë reklama. Në Shqipëri është futur edhe matja e audiencës, ndaj reklamuesi di se ku i dërgon reklamat e tij. Por edhe online, që audiencën e kanë të konsiderueshme, numri i klikimeve është më i madh se numri i lexuesve në gazetë shpeshherë. Por kemi një dobësi edhe këtu: çmimet në online janë shumë më të vogla se në print.

Një arsye tjetër është edhe se nuk ka konkurrencë të firmave të mëdha, si në Perëndim. Për këtë arsye kemi më pak reklama, përfshirë edhe shumë kompani të cilat shëndetin e tyre financiar e sigurojnë edhe pa pasur nevojën e të reklamuarit.

*****************

Flet Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve- Ka mbetur beteja për “thellësinë e çështjes”

Si e vlerësoni tregun e gazetarisë së shkruar ditët e sotme, nga pikëpamja e konkurrencës, përmbajtjes, tregut të synuar, nivelit të shitjeve, përfitueshmërisë etj.?

Është ai që ka qenë edhe 15 vjet më parë. Nuk ka asgjë prej tregu. Është thjesht një skenë anarkike dhe që për ta dhënë të plotë imazhin se si funksionon e çfarë asosacioni të krijon, mjafton të gjendesh te Tregu te Medreseja në Tiranë dhe mjafton krahasimi. Për nga përmbajtja dhe strukturat rubrikore, janë modelet e plagjiatuara nga shtypi italian i viteve 1990 dhe që herë pas here ndiqet spontanisht edhe sot. Tregu i synuar përgjatë 23 viteve mbetet vetëm utopi. Modelet më të mirëkopjuara apo plagjiatuara nuk kanë mbetur besnike të imitimit dhe edhe për këtë arsye kanë pasur fatin e bjerrjes së përhershme. Aktualisht niveli i shitjeve në disa prej të përditshmeve është po ai që ka qenë, pra me një luhatje nga 500 deri në 4000 kopje. Këtu kam parasysh tri apo katër gazetat me shitjet më të shumta. Ndërkohë që pjesa tjetër më e madhe e të përditshmeve ose kanë pësuar një rënie prej 500 deri në 1000 kopje, ose kanë ruajtur atë tirazh. Është praktikë që përgjatë 5 deri 10 viteve të fundit, mbi 10 prej të përditshmeve nuk i ndryshojnë tirazhet e printuara të cilat printohen për çdo ditë rreth 3000 kopje. Natyrisht përfitimi i botuesve dhe grupeve të biznesit që i posedojnë gazetat nuk lidhet me bilancin financiar të tyre. Pasi dihet që ai rezulton kronikisht të jetë negativ dhe mbulohet rregullisht nga bizneset e tjera të pronarëve dhe grupeve që i posedojnë. Mund të them me dijeni se mesatarisht nevojiten rreth 250.000 lekë të reja për të mbuluar shpenzimet dhe kostot mujore të gazetave dhe stafeve të redaksive të tyre.

Përfitueshmëria ka lidhje me ndikimin që titujt e tyre japin mbi etjen e publikut për informacion dhe sidomos natyra e një shoqërie që vuan sindromin e etjes për thashethem dhe silurim përfaqësuesish të jetës publike, politikës dhe administratës në mënyrë të veçantë, si dhe prej mënyrës klienteliste dhe për interes të shpërndarjes së fondeve për publicitet nga administrata publike dhe qeverisësit në të gjitha nivelet.

Në kushtet kur shtypi i shkruar po konkurrohet fuqishëm nga interneti, si e shikoni të ardhmen e tij?

Konkurrenca e shtypit të shkruar prej internetit ka mbërritur prej kohësh edhe këtu. Në fakt, nuk do të isha i saktë të shprehesha për konkurrencë, pasi në këtë realitet të medias shqiptare, vetëm konkurrenca është një realitet i shpërfillur dhe pa bazë rregullash e normash. I vetmi tregues që mbetet i pamanipulueshëm është fakti që treguesit e klikimeve ditore në web-et e gazetave të përditshme shënojnë rritje progresive përherë e më tepër, duke arritur momentalisht në nivelin e krahasueshmërisë 1 me 15, në favor të variantit online të gazetave. Ndërkohë që targeti më besnik i lexuesve të print-it mbetet ai i moshës nga 50 deri në 75 vjeç në qendrat urbane dhe natyrisht më i ndryshëm në zonat rurale.

Të ardhmen, nuk e shoh aq dramatike. Do të ndodhë, pasi tashmë ka filluar që redaksitë të ruajnë vetëm versionin online të tyre. Disa botues, edhe pse me histori të fuqishme në momente të ndryshme të këtij tranzicioni postkomunist, tashmë e kanë pranuar e madje njoftuar se do të mbesin vetëm te versioni më ekonomik, ai i online multimedial. Kjo është një rrugë në të cilën disa botues tashmë kanë shkelur, ndërsa disa të tjerë do të hyjnë pak më vonë, falë mentalitetit konservator të krijuar gjatë kohës 24-vjeçare të tranzicionit.

Nga përvoja juaj e gjatë në tregun shqiptar, çfarë duhet të bëjë shtypi i shkruar që të mbijetojë, duke pasur parasysh që lexuesit potencialë sa do të vijnë e do të ulen, me brezin e ri që është i orientuar nga interneti?

Shtypi i shkruar e ka humbur betejën për lajmin e parë, por i ka mbetur ende beteja me “thellësitë e çështjes”. Këtë duhet ta bëjë dhe lexuesi ka ende interes. Shtypi i shkruar, ai më cilësori dhe i përmirësuar, ka ende kohë për të jetuar, por jo me editorin e kësaj periudhe të tranzicionit. Shtypi i shkruar ka ende një mundësi të paprovuar mbijetese jo të përhershme: Nëse ristrukturon krejt strukturat redaksionale, menaxhimin, distribuimin dhe raportin me marketingun. Këto të fundit janë të njëjta me periudhën fillestare të kësaj skene shtypi në Shqipëri, si në vitin 1992 e në 1995. Kjo është arsyeja që piramidat mediatike janë aspekti më i zi i realitetit të demokracisë dhe të të ashtuquajturit abuzueshëm “pushteti i katërt” në Shqipërinë e demokracisë hibride. Brezi i ri le ta shohë shtypin e shkruar si një model në ikje nga skena dhe të rezervojë vetëm respektin e një periudhe në historinë e medias shqiptare. Brezi i ri dhe sidomos gjenerata e re e gazetarëve, nevojitet të bëhen pjesë dhe kontributorë kurajozë që të mos mundësojnë që inflacioni i titujve të gazetave në Shqipërinë e 24 viteve të fundit të konvertohet si i tillë edhe më frikshëm si inflacion mediash online, ku për të vërtetën të ketë në shqip qindra e mijëra versione thashethemi e shumë pak, fatkeqësisht deri në mungesë, pak të besueshëm. Krizën e pabesueshmërisë së shtypit ne po e mbartim çmendurisht edhe te versioni më i ri, ai i mediave sociale.

*****************

Intervistë me Zylyftar Bregun, pedagog pranë Universitetit të Tiranës, Departamenti i Gazetarisë- Jemi në kohën e “fast-news”

Çfarë zhvillimi ka marrë gazeta ndër vite në Shqipëri?

Kjo është një pyetje e hapur që kërkon një përgjigje shumë të gjerë, për të cilën mbase nuk kemi as kohë e as hapësirë. Shkurtimisht, po ju them se media e shkruar ka nisur prej pak vitesh, ndoshta 5 ose 6 vite kurbën rënëse të saj. Disa nga arsyet janë “made in Albania” e disa të tjera janë pasojë e virusit global që ka prekur print-in.

Cilat janë këto arsye “made in Albania”?

Arsyet shqiptare janë ato që lidhen me numrin e madh të titujve, mungesën e infrastrukturës shpërndarëse dhe produkti i përgjithshëm që ofron. Ndërsa si arsye globale do të evidentoj sfidën që i bën interneti, si dhe kriza ekonomike globale.

Përballja TV-gazetë, çfarë vështirësie has kjo e fundit?

TV dhe gazeta nuk më duket se janë përballë! Mendoj që kontribuojnë për të rrënuar njëra-tjetrën. TV lexon titujt e gazetave në mëngjes, duke menduar se ky veprim do të joshë audiencën për të blerë gazetën. Ndërsa gazeta, zbardh edicionet informative të televizioneve. Ndërkohë, TV dhe gazeta kanë mënyra të ndryshme të përcjelljes së informacionit.

A ka ndryshuar kultura e marrjes së informacionit në Shqipëri?

Sigurisht që ka ndryshuar kultura e të lexuarit, sidomos me të rinjtë që janë rritur me teknologjinë. Por, përpara se të shkojmë tek të rinjtë, po flas edhe për brezin e mesëm. Madje edhe unë, tanimë, edhe TV e shoh shumë pak, sa herë që dua të informohem, sa herë që kam kohë të lirë dhe aksesorë, lexoj titujt online përmes telefonit. Mendoj se jemi në kohën e “fast-news”, një koncept që qarkullon tani, pra të informacionit të shpejtë, sepse vetë intensiteti i jetës është shumë i fortë, shumë i shpejtë dhe vetëm pak mbrëmja të lejon të lexosh gjëra edhe më të thelluara. Pra, e ardhmja nuk është më as TV, por telefoni. Pra, të lexosh gazeta print është një angazhim dhe përkushtim shumë i madh, që pakkush e bën.

A duhet rimodeluar struktura e funksionimit të gazetës për të qenë në hapin e kohës? Si?

Mendoj se gazetës i mbeten shumë pak opsione. Së pari, s’duhet të bëjë këtë që po bën sot. Që merret me lajmin e momentit. Gazeta duhet të bëjë tre procese:

Të shkojë përtej lajmit, të thellojë informacionin (të lëvrojë zhanre që print-i shqiptar nuk i bën: reportazh, etj.)

N.q.s. qytetari e ka marrë “monopolin” dhe shkëmbejnë mes veti informacione, lajme, atëherë gazetat shqiptare duhet të bëjnë certifikimin e informacionit. Gazetarët me lajmin duhet të bëjnë atë që bëjnë dietologët me ushqimin: t’i tregojë audiencës se cili nga informacionet është i mirë për t’u “konsumuar”.

Së treti, Duhet bërë kontekstualizimi i informacionit.

Modeli ekonomik që kanë marrë gazetat sot ka dështuar, por për modelin që duhet të ndjekë në këto kohë është një debat që zien në të gjithë botën, edhe ende nuk ka një “formulë” efikase, sepse nëse kostoja e informacionit shkon drejt rritjes për shkak të konvergjencës, çmimi i shitjes shkon drejt uljes. Ende nuk është gjetur një e mesme e artë për t’i balancuar.

 

Botuar në gazetën Mapo, datë 24 maj 2015. Titulli i shkrimit në origjinal: “Drejtues të mediave: E ardhmja e print-it”

 

Send this to a friend